LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Partia AfD e ekstremit të djathtë, nën vëzhgim nga agjencia gjermane e zbulimit

3 Mars 2021, 19:27, Kosova & Bota CNA
Partia AfD e ekstremit të djathtë, nën vëzhgim nga agjencia

Media gjermane njoftoi të mërkurën se agjencia e zbulimit të brendshëm ka vënë nën vëzhgim partinë Alternativa për Gjermaninë për shkak të dyshimeve se ka shfaqur simpati për ekstremin e djathtë. Veprimi kundër partisë më të madhe të opozitës në parlament, vjen vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Partia Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, ka luftuar në gjykatë kundër kësaj mase, duke argumentuar se publiciteti që pason një lëvizje e tillë kaq pranë zgjedhjeve të 26 shtatorit, do të dëmtonte shanset e partisë në zgjedhje.

Pas njoftimit të lajmit nga agjencia gjermane e lajmeve DPA, gazeta Der Spiegel, televizioni publik ARD dhe media të tjera, bashkëkryetari i partisë AfD, Tino Chrupalla akuzoi Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, që njihet shkurtimisht si BfV, për nxjerrje të qëllimshme të informacionit në një përpjekje për të ndikuar opinionin publik për partinë.

Sjellja e BfV-së është “skandaloze”, tha ai për agjencinë e lajmeve DPA.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Steve Alter nuk i konfirmoi dhe as i mohoi njoftimet dhe nuk komentoi për shkak të “procedurave në vazhdim”. BfV-ja gjithashtu refuzoi të komentonte për njoftimin.

Udhëheqësit e grupit parlamentarë të partisë AfD, Alexander Gauland dhe Alice Weidel thanë se vënia nën vëzhgim ishte “plotësisht e pajustifikuar dhe nuk kishte asnjë bazë”.

“Nuk është rastësi që ky informacion u nxorr për shtypin gjatë vitit të zgjedhjeve federale dhe vetëm disa ditë para dy zgjedhjeve të rëndësishme shtetërore”, thanë ata përmes një deklarate. “Po bëhet një përpjekje që synon të zvogëlojë shanset e AfD-së me ndihmën e agjencisë së brendshme të zbulimit”.

Partia AfD hyri në parlamentin e Gjermanisë si partia e tretë më e madhe në zgjedhjet e vitit 2017, duke përfituar nga një reagim kundër fluksit të më shumë se 1 milion azilkërkuesve në atë kohë. Aktualisht ajo është më e madhja nga katër partitë e opozitës në parlamentin e vendit dhe ka deputetë në të 16 asambletë shtetërore të vendit.

Partia është zhvendosur vazhdimisht në krahun e djathtë që kur u themelua në vitin 2013 me kritikat kundër monedhës së përbashkët evropiane. Disa figura të shquara janë larguar gjatë viteve të fundit, duke paralajmëruar se partia po merrej në kontroll nga ekstremistët e djathtë.

Sondazhet e fundit tregojnë një mbështetje nga 9 deri në 11% për AfD-në, e cila fitoi 12.6% të votave në vitin 2017.

Masa e re për ta vënë gjithë partinë nën vëzhgim erdhi më shumë se dy vjet pasi agjencia BfV njoftoi se po shqyrtonte më nga afër komentet publike të bëra nga anëtarët e partisë dhe lidhjet e saj me grupet ekstremiste.

Në janar të vitit 2019, agjencia vuri degën e të rinjve të partisë, si dhe një fraksion të partisë të lidhur me një udhëheqës të shquar në Gjermaninë lindore, Bjoern Hoecke, në mbikëqyrje të fshehtë nën akuza për ekstremizëm.

Në atë kohë, agjencia BfV citoi qëllimin e deklaruar të organizatës rinore për krijimin e një vendi etnikisht të pastër dhe përpjekjet e fraksionit Hoecke – i njohur si “Krahu” – për të minimizuar të kaluarën naziste të Gjermanisë.

?Krahu? – tani zyrtarisht i shpërbërë, megjithëse përfaqësuesit e tij qëndrojnë në parti ? ka sugjeruar gjithashtu se mund të përdorte mjete “revolucionare” për të arritur qëllimet e tij politike, duke garantuar kështu vëzhgimin e BfV-së.

Këshilli Qendror i Hebrenjve të Gjermanisë përshëndeti masën për ta klasifikuar të gjithë partinë si një “rast të dyshuar” të ekstremizmit dhe për ta vërë atë nën mbikëqyrje./ VOA

Lajmet e fundit nga