Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila shquhet për vjedhje të votave, po çudit mbarë opinionin publik, gjoja me denoncime, po për vjedhje votash.
LSI e cila konsiderohet si simbol i zarfit dhe i krimit, sot kur mban ende të njëjtën lëkurë hiqet si mbrojtëse e votave.
“Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron”, thotë populli. Fjalë e urtë kjo, që i shkon për shtat LSI-së, e cila po drejtohet ende nga i njëjti “ujk”, që më herët është kapur me presh në duar.
Sot i njëjti, nxjerr “kukullat” e tij, gjoja të denoncojnë krime zgjedhore dhe hap portal në faqe të Presidencës për të denoncuar po të ashtuquajturat krime zgjedhore.
Për më tepër kërcënon edhe me prerje duarsh, ndërsa një person i afërt me të, po përdor paratë e kompanisë së bashkëshortes së tij, të denoncuar më herët nga kreu i PD Lulzim Basha, për të blerë jo vetëm vota, por edhe makina për “të fortët”.
Vetëm pak ditë më parë, policia kapi një drejtues të LSI-së në Pukë, me mbi pesë milionë lekë në makinë dhe me një listë me 28 emra shoqëruar me një fletë votimi demonstrative për të votuar LSI.
Vasil Shabani u arrestua nga Policia, ndërsa nën hetim është vënë kryetari i LSI në Pukë, D.S. Ndërkohë, nga kryetarja ligjore e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk pati asnjë reagim.
Por, bëmat dhe skandalet e LSI-së me vjedhjet e votave janë të hershme. Kujtojmë skandalet e vitit 2017.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, pas denoncimit për vjedhje të votave nga kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, KQZ hapi 64 kuti votimi dhe pas rinumërimit, rezultoi se LSI kishte vjedhur më shumë vota nga të gjitha partitë politike.
LEXO EDHE: Si po luan PD luftash me kallëzime penale dhe disa pyetje të thjeshta për kompetencën e KQZ
Po në të njëjtat zgjedhje, një ditë para votimeve , përfaqëues të LSI-së u kapën nga Policia me shuma të mëdha parash në makinë dhe një listë votuesish. Policia raportoi emrin e I.B. të LSI-së, i cili u kap në flagrancë tek Ura e Mesit në Shkodër.
Nga Shkodra pazare me votat nga LSI u kontstuan në Korçë, në zgjedhjet e vitit 2017. Policia zuri në flagrancë një grup të rinjsh duke shpërndarë para në këmbim të votave, ditën e votimit të 25 Qershorit. Kujtojmë se në polici u shoqërua kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI në Këshillin Bashkiak të Korçës, P.M. I njëjti siç raportohet nga media ishte arrestuar edhe në vitin 2013 për blerje votash për LSI-në.
Po ditën e zgjedhjeve të 25 Qershorit 2017, nga policia u godit një tjetër grup i LSI-së, që po shpërndante para dhe ushqim në këmbim të votave.
Pazare me votat në 2017, që mbajnë firmën e LSI, janë konstatuar edhe në Delvinë, ku sërish u kap një grup që po shpërndante para në këmbim të votave.
Gjeografia e shit-blerjes së votave nga LSI në zgjedhjet e vitit 2017 është shtrirë edhe në Berat, ku u përfshinë disa funksionare të LSI-së.
Janë edhe shumë e shumë raste të tjera, ku LSI është akuzuar për vjedhje votash.
Pra, ekskluziviteti i vetëm i LSI –së, është shit-blerja e votave. Nëse turpi dhe krimi zgjedhor do të kishin formë, simbol do të ishte LSI./CNA.al