Politikë
Largimet nga LSI/ Vasili: E kanë shëndoshur partinë, plehrat janë ato që digjen gjithmonë

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka komentuar marrëveshjen mes PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit
Ai tha se LSI kan pasur të njëjtën filozofi me PD-në, sa i takon taksës së sheshtë. Sipas tij, koalicioni i madh opozitar, sipas tij, ishte i nevojshëm pasi njerëzit presin zgjidhje të mëdha.
“Në rastin konkret kur ka nevojë të madhe që njerëzit të presin zgjidhje të mëdha duhen zgjidhje gjithëpërfshirëse. Një aleancë historike se nuk është verifikuar përgjatë viteve të tranzicionit. Ne kemi pasur një eksperiencë të mëparshme 2009-2013 që ishte liberalizmi i vizave, arritje madhore, bume të mëdha në infrastrukturë dhe kemi kaluar gripin e derrit për shkak të menaxhimit racional. Kur ka përgjegjshmërinë e duhur është në të mirë të qytetarëve të cilët mbështesin aleancën”, tha Vasili në studion e A2.
Gjithashtu Vasili u ndal edhe tek të larguarit nga LSI-ja, për të cilët thotë se e kanë pastruar partinë. Ai shton se lëndë të parë për inceneratorët do të ketë gjithmonë, por plehra janë ato që digjen gjithmonë.
“Të larguarit e kanë shëndoshur, jo dobësuar LSI-në, ka pasur transformim se vullnete të kalbura dhe të shitura vetëm pastrojnë. Lëndë të parë për inceneratorët do të ketë gjithmonë, por plehrat janë ato që digjen gjithmonë”, u shpreh Vasili./CNA.al