Nga Carlo Martuscelli &Laurenz Gehrke “Politico.eu”
Vaksina ruse kundër koronavirusit Sputnik V po përçan Evropën, ndonjëherë edhe para se aty të mbërrijë kjo vaksinë. Vaksina ruse, nuk është miratuar ende nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) – ku aktualisht është nën shqyrtim- dhe Komisioni Evropian thotë se blloku nuk do të ketë nevojë për të.
Gjithashtu nuk është e qartë nëse ajo do të arrijë në kohë për të sjellë ndonjë ndryshim të situatës në disa vende. E megjithatë kjo nuk i ka ndaluar një numër qeverish, që të shkëputen nga qasja e përbashkët e BE, për të nënshkruar marrëveshjet e tyre dypalëshe me Moskën.
Sputnik pretendoi suksesin e vet më të madh javën e kaluar, kur Gjermania, deri tani një kampione e qasjes së përbashkët të BE-së, njoftoi se do të niste bisedimet me Rusinë, për të siguruar dozat e vaksinës Sputnik V.
Në këtë mënyrë ajo ndjek shembullin e Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilat kanë porositur tashmë miliona doza të vaksinës ruse. Ndërkohë kancelari austriak Sebastian Kurz, konfirmoi se përfundoi bisedimet fundjavën e kaluar me palën ruse, për të blerë 1 milion doza të Sputnik V.
Ndërkohë qeveritë e tjera evropiane kanë shprehur një kundërshtim të prerë ndaj vaksinës ruse. Kritikët thonë se Moska po e përdor qëllimisht vaksinën e saj, për të mbjellë përçarje në Evropë. Kryeministrja lituaneze Ingrida Simonite, e cilësoi Sputnik V si një “armë hibride për të përçarë dhe sunduar”.
Vaksina po shkakton përçarje edhe brenda qeverive evropiane. Kryeministri çek Andrej Babis, është shumë i interesuar të përdorë vaksinën ruse. Aq sa qeveria e tij shkarkoi ministrat e saj të shëndetësisë dhe të jashtëm në ditët e fundit, vetëm për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj vaksinës ruse.
Qasja pozitive e disa vendeve ndaj Sputnik V, vjen në një kohë kur politikanët e BE-së kanë dhënë alarmin mbi veprimet e Moskës në fusha të tjera – siç është grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave në kufirin ukrainas – dhe trajtimin që po i bën Kremlini udhëheqësit të opozitës Aleksei Navalni, shëndeti i të cilit raportohet se po përkeqësohet me shpejtësi brenda në burg.
Ndërkaq, ekspertët e sigurisë së informacionit, paralajmërojnë se Moska po e përdor Sputnik V për të çuar përpara synimet më të gjera të Rusisë, së bashku me një fushatë të sofistikuar mediatike. Disa politikanë evropianë, thonë se sidomos vendimi i Gjermanisë për të blerë vaksinën ruse, rrezikon t’i shkaktojë dëme të mëdha unitetit evropian.
Deputetja gjermane e Partisë së Gjelbër Viola Von Kramon-Taubadel, që e ka kritikuar edhe më herët Sputnik V, e përshkroi lëvizjen e fundit të Gjermanisë si një “katastrofë gjeopolitike”, të cilën Kremlini po e përdor për të thelluar ndarjet në të gjithë bllokun evropian.
“Është vërtet shqetësuese që politikanët gjermanë janë dukshëm tepër naivë, për të mos e kuptuar se çfarë po ndodh”- tha Kramon-Taubadel, që është anëtare e komitetit të punëve të jashtme në Parlamentit Evropian. Ajo i përshkroi negociatat e Rusisë me një fuqi të madhe evropiane si Gjermania, si një “grusht shteti” propagandistik për presidentin rus Vladimir Putin.
Përhapja globale e Sputnik V, fitoi akoma më shumë hov të hënën kur enti rregullatori barnave në Indi, autorizoi përdorimin e kësaj vaksine në vend. Autoritetet ruse thonë se synojnë të prodhojnë mbi 850 milion doza të vaksinës në vit në Indi, pasi kanë arritur marrëveshje me disa nga prodhuesish kryesorë farmaceutikë në vend.
Ndërkohë, debatet mbi këtë vaksinë, kanë shkaktuar tashmë “viktima politike” në Evropë, siç po shihet edhe me kaosin politik në Republikën Çeke. Edhe më spektakolare janë zhvillime në Sllovakinë fqinje, qeveria e të cilës ra në mars pas vendimit të kryeministrit të atëhershëm Igor Matoviç për të blerë në mënyrë të njëanshme 2 milion doza të Sputnik V.
LEXO EDHE: A po rrëshkasin në një luftë midis tyre Rusia dhe Ukraina?
Kriza vazhdoi edhe pasi Matoviç tha dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë dhe mori postin e Ministrit të Financave. Enti kombëtar i ilaçeve, refuzoi të autorizojë përdorimin e vaksinave ruse që kanë mbërritur në vend, me arsyetimin se dozat në flakonë, ishin të ndryshme nga vaksina mbi të cilën ishte kryer studimi, që u botua më pas në revistën e njohur mjekësore britanike “The Lancet”.
Refuzimi e tërboi Matoviç, që të enjten e shkuar shkoi vetë në Moskë për ta diskutuar situatën me autoritetet ruse. Në një lëvizje të jashtëzakonshme, ai njoftoi se Sllovakia do të anashkalonte entin e saj të ilaçeve, dhe do të mbështetej mbi një laborator hungarez, për të kryer kontrollet e kërkuara mbi dërgesat e vaksinave.
Por përplasjet mbi Sputnik V nuk janë të kufizuara vetëm në Evropën Qendrore dhe Lindore. Politikanët në të gjithë kontinentin gjenden nën një presion të madh për të përshpejtuar fushatat e ngadalta të vaksinimeve, të cilat janë kritikuar gjerësisht nga media dhe opinioni publik. Në Spanjë, rajoni i Madridit, i drejtuar nga konservatorja Izabel Ajuso, u përpoq të merrte qindra mijëra doza të Sputnik V, por kjo lëvizje u cilësua si një sfidë e hapur ndaj qeverinë kombëtare të udhëhequr nga socialistët. Dhe në Gjermani, Bavaria lëvizi përpara Berlinit, duke njoftuar porositjen e vaksinës ruse.
Kryeministri i këtij landi, Markus Soder, u tha gazetarëve se Bavaria do të nënshkruante një marrëveshje të përkohshme për të blerë 2.5 milion doza të Sputnik V. Ndërkohë në Francë, Reno Myselje, presidenti i rajonit të Provancës, shkroi në Twitter të mërkurën se do të marrë 500 mijë milioni doza të vaksinës ruse.
Në Itali, presidenti i rajonit të Kampanjës, Vinçenzo De Luka, ka hyrë në një kurs përplasjeje me qeverinë kombëtare, për shkak të vendimit të tij për të nënshkruar një marrëveshje për gjysmë milioni doza të vaksinës ruse. Gjithsesi në të gjitha këto raste, citohet si i nevojshëm aprovimi paraprak nga EMA.
Në rastin e Gjermanisë, nuk është e qartë nëse dozat e vaksinës ruse do të mbërrijnë në kohë për të bërë diferencën. Duke pasur parasysh që dy vaksina të tjera, Novavax dhe CureVac, filluan rishikimin e tyre përpara Sputnik, dhe se EMA duhet të kryejë një kontroll të fabrikave ruse të vaksinës, ka të ngjarë që vaksina të aprovohet vetëm pasi shumica ose gati të gjithë evropianët të jenë vaksinuar tashmë.
Kjo është linja e ndjekur edhe nga Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Tieri Breton, që ka thënë se blloku “nuk kishte aspak nevojë” për Sputnik. Ai e përsëriti këtë qëndrim të premten e kaluar, duke thënë se “Sputnik V” është thjesht tepër vonë për “qëllimin tonë për të vaksinuar sa më shumë evropianë brenda verës”.
Duke iu referuar kaosit të shkaktuar në Sllovaki nga vaksina ruse, një diplomat i vjetër i BE, tha se “dashuria” e Berlinit ndaj vaksinës Sputnik kishte pak kuptim. “Por në politikë, në shumë raste, arsyeja nuk është një praktikë e zakonshme”- shtoi ai./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://www.politico.eu/article/russia-sputnik-coronavirus-vaçine-divisions-eu