Connect with Us

Studimi: Të folurit mund ta përhapë koronavirusin, po aq shumë sa edhe kollitja

Blog

Studimi: Të folurit mund ta përhapë koronavirusin, po aq shumë sa edhe kollitja

Publikuar

-

Parandalimi i infeksionit Covid-19, ndodh përmes shumë gjeste të vogla të përditshme nga gjithsecili prej nesh, dhe në këtë pikë të pandemisë, lodhja e akumuluar mund të na bëjë të jemi më pak të vëmendshëm.

Por një ftesë për të mos e ulur vigjilencën vjen nga një studim i Universitetit të Kembrixhit, që analizoi përhapjen e grimcave më të mira infektive në vende të mbyllura. Sipas studimit, botuar në “Proceedings of the Royal Society A”, të folurit me një person pozitiv me koronavirus, mbart të njëjtin rrezik infektimi si edhe ekspozimin ndaj kollitjes apo teshtitjes së tij.

Rreziku i vazhdueshëm

Problemi është se ndërsa spërklat më të mëdha dhe më të rënda të krijuara nga frymëmarrja, pra spërklat e sekrecioneve të pështymës dhe mukusit që dalin jashtë me kollitjen dhe teshtitjen, bien shpejt në tokë dhe mbi sipërfaqe, aerosolët më të vegjël dhe më të lehtë (grimcat që dalin jashtë kur flasim apo marrim frymë), qëndrojnë pezull në ajër për një kohë më të gjatë.

Mjaftojnë vetëm disa sekonda që  grimcat të përshkojnë  2 metra distancë, që zakonisht ne respektojmë këto kohë duke qëndruar larg njëri-tjetrit. Kjo është arsyeja pse ne “kemi nevojë si për maskat, distancimin, po ashtu edhe për ajrosje të mirë”, thotë Pedro de Oliveira, bashkautor i studimit,“në mënyrë që këto grimca të mos grumbullohen brenda, dhe të neutralizohen”. Këto masa na mbrojnë mjaftueshëm kur përdoren njëkohësisht:pasi vetëm njëra ose tjetra nuk mjafton.

Provat e infektimit

Shkencëtarët kanë ndërtuar modele të fizikës fluide,të cilat marrin parasysh madhësinë e grimcave të frymëmarrjes, përbërjen e tyre dhe kohën që u duhet për t’u vendosur në tokë. Midis parametrave të përfshirë në simulimet kompjuterike ka edhe nga ato që përcaktojnë rrezikun e infektimit, siç është ngarkesa virale e një individi pozitiv me koronavirus dhe doza infektive (sasia e virusit të nevojshëm për të shkaktuar një infeksion).

LEXO EDHE:  “Gjendja mund të përkeqësohet”/ SHBA porosit miliona doza të vaksinës kundër Covid

Reja e pështymës

Kështu, u zbulua se pasi një person pozitiv me koronavirusit kishte biseduar për 30 sekonda, sasia e aerosoleve të mbetura në ajër përmbante një masë lëngjesh potencialisht infektive më të madhe sesa ajo e nxjerrë nga një teshtimë. Dhe kjo pas një ore nga fundi i bisedës. Pra një dialog i shkurtër brenda një hapësire ​​të ajrosur dobët, është në vetvete një mundësi e mundshme për t’u infektuar.

Kuptimi i rrezikut

Kjo varet nga sasia e aerosolit infektiv që është përhapur, dhe për këtë arsye nga përdorimi ose jo i maskës, nga tiparet e ambientit e ambientit të brendshëm, nga distanca apo edhe nga ventilimi i ambientit. Shkencëtarët i përdorën të dhënat nga studimi i tyre për të zhvilluar një aplikacion, Airborne.com, që ndihmon në llogaritjen e nivelit të rrezikut të infektimit për secilën situatë.

Për shembull, qëndrim1 orë në një hapësirë ​​të mbyllur prej 250 m2 që ka një kapacitet minimal prej 50 personash dhe një  ventilim tipik si ai i “zyrës”,ka një probabilitet infektimit prej 8 për qind, në rast se aty ndodhen 5 persona të infektuar që nuk mbajnë maskë.

Gjithsesi, nëse ambienti ajroset mirë jo 3 por 5 herë në orë, shanset e infektimit bien në 2 për qind, dhe e njëjta gjë ndodh nëse të gjithë mbajnë një maskë me 3 shtresa (siç janë ato kirurgjikale).

Simulimet bazohen tek rastet pozitive me një ngarkesë të lartë virale, dhe mund të konsiderohen si skenari më i keq midis atyre që janë realisht të mundshme. Por meqë masat parandaluese tani janë brenda mundësive tona, ia vlen që të vazhdojmë t’u kushtojmë vëmendje./Përshtatur nga CNA.al

https://www.focus.it/scienza/salute/parlare-diffondere-coronavirus-quanto-tossire

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Kur natyra thyen rekorde/ Nga reja më e ftohtë tek stuhia që zgjati 1 milion vjet

Publikuar

-

Nga

Natyra thyen rekorde gjatë gjithë kohës. Por ka ngjarje kaq unike saqë ato meritojnë që të listohen, si për shembull mjegulla që vrau mijëra njerëz në Londër, apo pas-lëkundjet e një tërmeti që e tronditën shtetin e Uashingtonit për një shekull me radhë.

Fari i Katatumbos, vendi më i goditur nga rrufetë në botë

Gjatë epokës koloniale, detarët mbështeteshin tek Fari i Katatumbos në Venezuelë për të gjetur rrugën e tyre. Pranë tij godasin çdo vit afro 1.2 milionë rrufe, duke e bërë atë rajonin më të elektrizuar në botë. Askush nuk e di arsyen e kësaj anomalie. Teoria kryesore thotë se rrufetë mund të tërhiqet nga depozitat e uraniumit dhe metanit në zonë, apo nga lagështia e madhe e ajrit.

Tymi nga zjarret e Australisë qëndroi mbi 6 muaj në atmosferë

Kur mbaroi sezoni i zjarreve vitin e kaluar, ky vend mori frymë i lehtësuar. Shkalla e zjarreve dhe dëmtimet rezultuan katastrofike. Ato kishin dërguar në atmosferë shumë më tepër tym. Ai rrethoi pjesën më të madhe të planetit dhe përhapja e tij zgjati 2 javë.

Reja më e ftohtë

Shkencëtarët zbuluan në vitin 2018 renë më të ftohtë të botës që po kalonte mbi Oqeanin Paqësor. Ajo ishte aq e ftohtë saqë satelitët normalë të motit nuk mund ta matnin dot temperaturën e saj. Një sensor me rreze infra të kuqe në bordin e satelitit NOAA, ia doli më në fund. Reja që ishte pjesë e një stuhie të fortë, e kishte temperaturën -111 gradë Celsius.

Pas-lëkundjet më të gjata

Në vitin 1872, një tërmet i madh tronditi shtetin e Uashingtonit në SHBA. Epiqendra nuk
u gjet kurrë dhe për dekada shkencëtarët pyesnin veten pse Entiat, një qytet në atë zonë, vazhdonte të përjetonte tërmete edhe pas ngjarjes së 1872.
Kishte kaluar mbi 1 shekull ndaj askush nuk mendoi se këto mund të ishin qindra pas-lëkundje. Kjo pikëpamje ndryshoi kur sizmologët filluan të gjurmonin lëkundje të ngjashme në gjithë botën që zgjatën më shumë sesa pritej.

Stuhia më e madhe në botë

Tajfuni Tip vlerësohet si stuhia më e madhe në botë. E krijuar mbi oqeanin Paqësor, ajo u shndërrua në një super tajfun. Me një diametër prej 2.220 kilometrash, ajo u bë zyrtarisht stuhia më e madhe e regjistruar në histori. Lajmi i mirë ishte se tajfuni e humbi një pjesë të fuqisë së tij përpara se të përplasej mbi Japoni më 19 tetor 1979. Gjithsesi, gati 90 njerëz humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën, dhe 20.000 shtëpi u shkatërruan nga stuhia.

E vërteta rreth stuhisë së rërës së Pekinit

Në fillim të2021-it erërat e forta morën me veten rërën nga shkretëtira e Gobit dhe e çuan nëpër Mongoli. Stuhia e madhe e rërës shkaktoi zhdukjen e 341 njerëzve dhe vdekjen e të paktën 6 prej tyre. Pastaj ajo mbërriti në kryeqytetin e Kinës, Pekin.

Stuhia e rërës i fshehu rrokaqiejt dhe e bëri qiellin ngjyrë portokalli. Por agjencitë e
lajmeve e kishin gabim. Ajo nuk ishte një stuhi rëre, por një stuhi pluhuri. Dallimi duket i parëndësishëm, por në realitet, situata ishte alarmante.
Pluhuri përbëhet nga copa më të vogla sesa rëra, dhe qëndron në ajër për më shumë kohë, dhe mund të thithet shumë më thellë në mushkëri. Ndaj, kur reja e pluhurit arriti në Pekin, ajo u përzje me nivelet e tmerrshme të ndotjes së ajrit të qytetit, duke e kthyer stuhinë në një mjegull të trashë toksike.

LEXO EDHE:  Hapja e fushatave elektorale të PS-PD/ Spahiu: Vetëm Shqipëria shkel rregullat, Basha përfundoi në…

LEXO EDHE:  “Korrupsioni në drejtësi”/ Prokurori që u denoncua në nismën e Rilindjes

E Diela e Zezë

Gjatë viteve 1930, komuniteti që jetonte përtej Pllajave të Mëdha në SHBA, ishte i njohur me ato që quheshin “stuhitë zeza”. Këto stuhi pluhuri ishin aq të dendura, sa që errësonin gjithçka përreth tyre. Por në vitin 1935, stuhia e 14 prillit i dha rajonit emrin e tij të famshëm, Pjata e Pluhurit.
E diela e zezë nisi si çdo ditë tjetër. Por më pas mbërriti një stuhi pluhuri mbi 1.609 km e gjatë. Ajo i bllokoi të gjitha dritat, përfshirë llambat e rrugës. Familjet e strehuara në shtëpi nuk mund ta shihnin as njëri-tjetrin edhe pse gjendeshin në të njëjtën dhomë.
Toka u shkatërrua, shumë kafshë vdiqën dhe një burrë u verbua. Njerëzit mbetën për orë të tëra të bllokuar brenda makinave të tyre. Qeveria federale u dha shumë ndihma banorëve. Por shumë prej tyre ishin të traumatizuar dhe u larguan nga zona.

Tornadot vdekjeprurëse

Në viti 1925, kur 12 tornado goditën 3 shtete të SHBA-së. Diametri i tornados më të madhe ishte më shumë se 1.6 km, ndërsa shpejtësia e erës i kaloi 113 kilometra në orë. Ato shkatërruan 425 km2 tokë dhe mbi 15.000 shtëpi. Numri total i viktimave ishte 695 persona.

Mjegulla vrasëse e Londrës

Londra është një vend që ka shpesh mjegull. Por në vitin 1952, ajo qëndroi pareshtur për 5 ditë rresht, duke sëmurur dhe shtruar në spital mbi 150.000 njerëz. Kombinimi me ndotjen nga tymi i qymyrgurit që qytetarët përdornin në shtëpi për ngrohje i mori jetën mbi 4 mijë njerëzve, ndërsa disa ekspertë flasin për 12 mijë të vdekur.

Stuhia që zgjati 1 milion vjet

Epoka Triasike mori fund rreth 233 milion vjet më parë. Gjatë asaj kohe, nisën reshjet e shiut që çuan më pas në një stuhi e cila do të zgjaste për 1 milionë vjet. Ajo përmbytje u bë e njohur si Episodi Karnian Pluvial (CPE). Një studim në vitin 2020, zbuloi se ajo stuhi u shkaktua nga ndryshimi i klimës dhe vullkanet gjigantë.

Reshjet e pareshtura të shiut vranë 1/3 e të gjitha specieve që jetonin në det. Ndërkohë, edhe në Tokë u zhdukën grupe të panumërta bimësh dhe kafshësh. Por studimi gjithashtu zbuloi se CPE e krijoi botën ashtu siç e njohim ne sot. Ndryshoi mjedisin aq shumë sa që u shfaqën specie të reja, duke përfshirë disa nga shkëmbinjtë e parë koralorë, zvarranikët, pemët dhe dinozaurët që do të sundonin tokën për 150 milion vitet e ardhshme./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://listverse.com/2021/04/11/10-times-natural-events-hit-the-record-books/

LEXO TE PLOTE

Blog

Stabiliteti i BE-së do t’i zhgënjejë sërish kritikët e saj

Publikuar

-

Nga

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Sa herë që Evropa goditet nga një krizë – qoftë e borxheve, refugjatëve apo e Covid-19 – profetët e katastrofave parashikojnë më të keqen për Bashkimin Evropian. Në kulmin e krizës së euros, shumë nga ata sugjeruan se monedha e përbashkët e unionit nuk do të arrinte të mbijetonte.

Unë vetë isha ndër ata që menduan se kriza e refugjatëve e vitin 2015, mund ta bënte Brukselin shumë të parëndësishëm në skenën globale. Shtypi britanik pro-Brexit, vazhdon të parashikojë thuajse çdo javë shembjen e BE-së. Pandemia e Covid-19, ka sjellë shpërthimin e një vale të re pesimizmi.
Ekonomisti amerikan Paul Krugman, analizoi kohët e fundit menaxhimin e pandemisë në vendet e BE, duke arritur në përfundimin:”Projekti Evropian është në telashe të mëdha!”.Ka pak dyshime se performanca e BE-së përballë Covid-19 ka qenë e dobët.

Por kjo nuk duhet të çojë në një dëshpërim melodramatik mbi të ardhmen e organizatës. Projekti Evropian ekziston prej rreth 70 vjetësh, që nga themelimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1951. Gjatë asaj kohe, ai u ka mbijetuar shumë krizave dhe plagëve të vetë-shkaktuara, dhe është më shumë se 4-fishuar në madhësinë e tij. Mos ndoshta ka ardhura koha ta pranojmë se është një organizatë mjaft elastike? Në fakt, nëse jeni duke kërkuar entitete politike që janë në “telashe të mëdha”, apo që janë të kërcënuar nga shpërbërja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë aktualisht kandidate më të besueshme sesa BE-ja.

Amerika sapo përjetoi një sulm mbi Kongres nga një turmë e zemëruar, dhe një nga dy partitë e saj të mëdha politike, ka ndërmarrë sulme periodike kundër demokracisë amerikane. Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të parandalojë ringjalljen e dhunës në Irlandën e Veriut, dhe nga ana tjetër të shmangë një referendum të dytë për pavarësi në Skoci, që nëse ndodh dhe ka sukses do të sillte humbjen e një të tretës së territorit të saj.

Krahasuar me këto, problemet e BE-së duken relativisht më të lehta. Megjithatë mosbesimi në lidhje me të ardhmen afatgjatë të BE-së është i vazhdueshëm. Ai mund të burojë pjesërisht nga natyra unike e kësaj organizate.

BE është të një organizatë ndërkombëtare që ka shumë nga karakteristikat e një shteti, përfshirë një monedhë, një parlament, një gjykatë të lartë dhe një bankë qendrore. Kjo natyrë hibride e BE-së i josh të huajt, të mësuar të merren me shtetet-kombe, që ta konsiderojnë BE-në si diçka të panatyrshme, apo edhe të deformuar, dhe për këtë arsye edhe një kandidate të dukshme për të përjetuar një vdekje të hershme, si një njeri që ka lindur me organet e trupit në vendin e gabuar.
Por në realitet, kërcënimi i një krize ekzistenciale që mund ta shkatërronte BE-në, tashmë po zbehet. Pas votimit të Britanisë së Madhe pro Brexit në vitin 2016, ekzistonte një rrezik i qartë që edhe vendet e tjera evropiane mund të largoheshin nga BE.

Në Francë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marin Lë Pen bëri fushatë pro Frexit; ndërsa Mateo Salvini në Itali, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Lega Nord, promovoi idenë se vendi i tij duhet të linte eurozonën. Por tani nacionalistët e Evropës e kanë ndryshuar ”muzikën” e tyre.
Ndërsa po përgatitet për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, Lë Pen e ka braktisur idenë e largimit të vendit nga BE, dhe ka premtuar ta mbajë Francën në eurozonë.
Politika e saj e re është të qëndrojë brenda BE-së, dhe të bëjë fushatë për një “Evropë të kombeve”.
Në Itali, Salvini po mbështet aktualisht një qeveri teknokrate dhe pro-BE të udhëhequr nga Mario Dragi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane. Lë Pen dhe Salvini nuk u bënë befas eurofilë emocionalë. Ata i lexojnë me kujdes sondazhet.

LEXO EDHE:  Lista e Lulzim Bashës në qarqe/ Ja kur shpallen emrat e drejtuesve

LEXO EDHE:  Hapja e fushatave elektorale të PS-PD/ Spahiu: Vetëm Shqipëria shkel rregullat, Basha përfundoi në...

Dhe në Francë, ato sugjerojnë se një shumicë e madhe njerëzish e mbështesin qëndrimin brenda BE-së. Në Itali, në fillim të krizës së koronavirusit, kishte sondazhe që sugjeronin se më shumë se 40 për qind e italianëve donin largimin e vendit nga BE. Por që nga ajo kohë BE-ja ka miratuar një fond qindra miliarda euro të rimëkëmbjes nga Covid-19, një pjesë e mirë e të cilit do t’i jepet Italisë. Salvini e ka kuptuar se thirrjet për t’u larguar nga BE apo euro, nuk janë ato që dëshiron të dëgjojë elektorati.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që i pëlqen të tallet me Brukselin dhe liberalizmin, ndodhet në një pozitë të ngjashme. Ai e di që vendi i tij përfiton shumë nga fondet e BE, dhe qasja në tregun e përbashkët. Pavarësisht marrëdhënieve të tij të këqija me Brukselin, Orban nuk do të largohet nga BE.
Ai mund të jetë cinik, por nuk është budalla. Procesi i ndryshimit të qasjeve, zhvillohet në
të dyja drejtimet. BE është shumë e pakënaqur mbi drejtimin që kanë marrë gjërat në Hungari dhe Poloni, dhe i ka vënë që të dyja në shënjestër për shkak të problemeve me sundimin e ligjit.
Por nuk ka gjasa që asnjëra prej tyre të dëbohet nga BE. Një fitore e Marin Lë Pen vitin e ardhshëm, që është e mundshme, do të ishte gjithashtu një tronditje e madhe për Brukselit. Por, edhe nëse Frexit është jashtë “menysë”, BE do të merrte një goditje nëse do të fitonte Lë Pen.

Me kalimin e kohës, projekti evropian mund të bëhet gjithnjë e më i sigurt. Sondazhet tregojnë se të rinjtë janë më pro-BE sesa të moshuarit. Ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar po e favorizon BE-në. Me Kinën dhe Rusinë që duken si më kërcënuese se më parë, dhe më SHBA-në që duket si më pak e besueshme si partnere, për evropianët është duke u bërë më bindëse nevoja për të qëndruar të bashkuar.
Asnjëra nga këto nuk do të thotë se BE-ja mund të jetë e vetëkënaqur për të ardhmen e saj, ashtu siç Kina, SHBA-ja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk mund të supozojnë me shumë siguri se stabiliteti i tyre politik është i garantuar.

Gabim është të besosh se strukturat unike dhe shpesh konfuze politike të BE-së, e bëjnë atë veçanërisht të ndjeshme ndaj një kolapsi të mundshëm. Në realitet, BE-ja gjendet në një ekuilibër i kujdesshëm dhe në zhvillim midis pushtetit kombëtar dhe atij mbi-kombëtar, dhe midis teknokracisë dhe demokracisë. Dhe ky është një burim i qëndrueshmërisë dhe forcës, jo i dobësisë apo i brishtësisë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.ft.com/content/4e5cf2d3-9978-400a-b62f-2266dc86ce41

LEXO TE PLOTE

Blog

Nga shkëmbimet mall me mall tek Bitcoin/ Historia magjepsëse e parave

Publikuar

-

Nga

Nga Cody Cottier “Discover Magazine”

Transaksionet njerëzore kanë ndodhur që nga Epoka e Gurit. Tregtimi i mallrave nga paraardhësit tanë i la përfundimisht vendin parave, të cilat në mijëra vitet e shkuara kanë
kaluar nëpër forma të ndryshme, nga guackat e deti, tek metalet dhe letra.

Në shekullin XIX-të, ato manifestoheshin shpesh si transferime elektronike të paprekshme dhe madje edhe kriptovaluta. Paraja është një nga shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit. Për mijëvjeçarë me radhë ajo e bëri botën të “rrotullohet” dhe kjo nuk është diçka e panjohur:Siç e shprehu shkrimtari latin Publilus Sirus në shekullin I Para Krishtit:“Vetëm paraja vë në lëvizje gjithë botën”.

Për amerikanët, kjo fjalë sjell ndërmend cent-ët dhe dollarët. OKB njeh 179 monedha të tjera botërore, ndërsa përgjatë historisë kanë ekzistuar qindra apo mijëra të tjera. Përveç kësaj, paratë janë shumë më komplekse sesa thjesht kartëmonedhat dhe monedhat që mbajmë në çantat apo kuletat tona.

Fiziciteti i parasë mund të jetë vetia e saj më pak e rëndësishme. Në fakt, shumica e ekonomistëve bien dakord që në epokën moderne nuk ka nevojë për një formë fizike të saj. Ekonomistët Dejvid Orrell dhe Roman Klupati shkruajnë ndër të tjera në librin e tyre “Evolucioni i parave” se “koncepti i monedhës është bërë gjithnjë e më abstrakt, deri në pikën që monedhat dhe kartëmonedhat aktuale, formojnë vetëm një pjesë të vogël të parave që ekzistojnë”.

Po si lindën paratë? Shumica e mendimtarëve mbi këtë temë, nga Aristoteli tek ekonomistët e sotëm, kanë spekuluar se paratë lindën nga një ekonomi parahistorike e shkëmbimit, në të cilën njerëzit tregtonin tek njëri-tjetri drejtpërdrejt mallra dhe shërbime.
Një sistem i tillë kërkon që të dyja palët të dëshirojnë atë që tjetri ka për të ofruar, dhe që ata të mund të vendosin vlerën relative të secilit artikull. A barazohen 30 banane me një rrjetë peshkimi? Po 3 rrjeta peshkimi me një dem? Nga ana tjetër, paraja është ajo që e dëshirojnë të gjithë, është njësia me të cilën matet gjithçka tjetër.

Kjo do të thotë që unë mund t’ia shes dikujt tjetër bananet e mia për para, emërues i përbashkët ekonomik, dhe t’i përdor ato për të blerë demin tuaj. Gjithashtu, paraja na heq barrën e zhvendosjes së pasurisë sonë, që në pjesën më të madhe është fizikisht shumë e rëndë.
Imagjinoni të zvarrisnit një fuçi plot me elb nëpër rrugë drejt kafenesë së lagjes për të paguar kapuçinon tuaj. Sa dhi mund të duhen për të marrë me qira një ambient në lagjen SoHo të Londrës? S’ka dyshime se shoqëritë antike nuk ishin kaq komplekse, por ndërsa ato u rritën, shkruan ekonomisti Glin Dejvis tek

“Historia e Parave”, “kërkesat e tregtisë tejkaluan mjetet e shkëmbimeve”. Paratë u shfaqën si një shpëtim. Gati çdo gjë mund të shërbejë si para, për sa kohë që është e qëndrueshme dhe e pakët. Në pjesën më të madhe të Azisë dhe Afrikës, guackat e detit, shërbenin si para deri disa dekada me parë.
Në ishullin mikronezian Jap, gurët gëlqerorë të jashtëzakonshëm në formë petullash rrethore përmbushën famshëm rolin e monedhës, pavarësisht se ishin të palëvizshëm. Në raste të tjera, opsioni më i mirë ishte një lloj “paraje në mall”, si bagëtitë, kripa apo drithi, e cili ka vlerë thelbësore për të cilën bie dakord shumica në një shoqëri të caktuar.

Edhe lingtotat e metaleve të çmuar, si ari dhe argjendi janë mallra, me një përfitimin e shtuar të lakueshmërisë së tyre. Paratë e para prej metali datojnë që në kohën e dinastisë Zhou të Kinës. Por monedhat e para në formën që i njohim edhe sot do të prodhoheshin në Lidia, një mbretëri e lashtë që shtrihej në Turqinë e sotme, gjatë shekullit VII-të Para Krishtit. Monedha ishte shumë më e lehtë për t’u transportuar dhe vlerësuar, në krahasim me peshimin e copave të papërpunuara të metaleve. Ato u përhapën me shpejtësi në të gjitha qytetet e Greqisë dhe më gjerë. Ndërkohë, po në Kinë po zhvillohej një metodë edhe më e përshtatshme. Në vend se të zhvendoste vazhdimisht monedha nga një vend në tjetrin, qeveria kineze i mbajti të gjitha monedhat në një vend dhe lëshoi copa letre në vend të tyre.

LEXO EDHE:  “Korrupsioni në drejtësi”/ Prokurori që u denoncua në nismën e Rilindjes

LEXO EDHE:  Spitali gjerman në karantinë/ 20 pacientë dhe personeli të infektuar me variantin e ri të COVID

Pas udhëtimeve të tij në Lindje, italiani Marko Polo e solli këtë koncept në Evropë, duke sjellë lindjen e bankave të para, në fillim në Itali, dhe më vonë në Angli. Njerëzit filluan që të depozitonin tek argjendarët dhe noterët shufrat e tyre të metaleve të çmuara, të cilët në atë kohë në fakt vepronin si ato që ne tani i quajmë banka.

Edhe shumë shekuj më vonë, ari dhe argjendi mbetën simbolet më universale të pasurisë. Deri më sot, qeveria amerikane ruan afërsisht 5.000 tonë ar në “Fort Knox”. Disa qindra km në lindje, Banka Federale e Rezervave në Nju Jork zotëron depozitën më të madhe të arit në botë:që nga viti 2019 plot 6.190 tonë ar, në pronësi të klientëve nga e gjithë bota, gjenden në një bunker 25 metra poshtë rrugëve të Manhatanit.

Standardi i Arit e dominoi për shekujt më radhe ekonominë ndërkombëtare, duke e lidhur vlerën e monedhave me vlerën e metalit të rrallë në ngjyrë të verdhë. Por dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar. Tani standardi është “paraja fiat”, që nuk ka vlerë të brendshme dhe që nuk mbështetet nga asgjë që bën.
Ju nuk mund të shkoni në një bankë, të dorëzoni një sasi kartëmonedhash 100-dollarëshe dhe të kërkoni një ons ari. Ato fletë letre janë të vlefshme vetëm sepse kështu thotë qeveria amerikane, dhe vetëm për sa kohë që qytetarët kanë besim tek qeveria e tyre.

Por edhe monedha më e fortë, po bëhet më e vështirë për t’u siguruar. Siç shkruajnë Orrell dhe Klupati, sot jetojmë “në një regjim virtual, ku shumica e parave krijohen me dëshirën e bankave private, thjesht duke futur një numër në një llogari të hapur në kompjuter”.
Sot është epoka e parasë dixhitale, dhe Bitcoin është më i njohuri në një konstelacion në rritje të kriptovalutave. Kjo monedhë virtuale gjithnjë e më e popullore, është krijuar në vitin 2009 nga një person anonim apo grup i njohur vetëm si Satoshi Nakamoto.

Kriptovalutat nuk kanë nevojë për ndërmjetës si bankat apo qeveritë, duke lejuar transaksione të drejtpërdrejta midis një komuniteti të gjerë përdoruesish. Për shkak se kaq shumë njerëz janë duke ndjekur në mënyrë të pavarur transaksionet, është gati e pamundur që dikush të mashtrojë.
Ky format eleminon problemin e besimit tek miliona njerëz. Mjafton që ju t’i besoni sistemit.

Ekonomistët debatojnë ende se deri në çfarë mase kriptovalutat do ta ndryshojnë botën, dhe nëse po, për mirë apo për keq. Por në përgjithësi është duke ndodhur një transformim dixhital i monedhës, dhe kjo do ketë pasoja të mëdha. Ndoshta pas një shekulli, paratë e gatshme do t’u duken njerëzve po aq të vjetra sa edhe guaskat e detit që përdoreshin dikur si monedha./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.discovermagazine.com/planet-earth/from-barter-to-bitcoin-the-history-of-money

LEXO TE PLOTE