Connect with Us

A ka jetë në Mars?

Blog

A ka jetë në Mars?

Publikuar

-

Nga John Grant “Smithsomian Magazine”

Kjo është një pyetje, që njerëzit e kanë bërë për më shumë se një shekull. Por, për të marrë më në fund përgjigjen, duhet të dimë se çfarë të kërkojmë, dhe ku të shkojmë në planet për të kërkuar prova të jetës së kaluar.

Me uljen me sukses më 18 shkurt të sondës “Perseverance” në Mars, ne më në fund mund të jemi në gjendje të mësojmë se ku të shkojmë, çfarë të kërkojmë dhe të dimë nëse ekziston, apo nëse ka pasur ndonjëherë jetë në Planetin e Kuq.

Përveç fantashkencës, ne e dimë që në Mars, nuk ka pasur qytetërim antik, apo një popullatë me njerëz gjelbër. Pra, çfarë lloj gjërash duhet të kërkojmë, për të mësuar nëse ka pasur ndonjëherë jetë në Mars? Për fat të mirë, një program i fuqishëm i eksplorimit të Marsit, duke përfshirë anije dhe sonda, ka mundësuar hartëzimin e hollësishëm të planetit dhe kufizimin e informacionit të rëndësishëm për mjedisin atje.

Tani e dimë që ka pasur raste në të kaluarën antike të Marsit, kur kushtet ishin më të lagështa, dhe të paktën pak më të ngrohta sesa kushtet tejet jo-mikpritëse që janë sot të pranishme atje. Dhe dikur ka pasur ambiente të banueshme që ekzistonin në sipërfaqe.

Për shembull, sonda “Curiosity” ka treguar se më shumë se 3 miliardë vjet më parë, krateri Gejl ishte vendndodhja e një liqeni që mbante ujë me gjasë të përshtatshëm për të garantuar ekzistencën e jetës.

I pajisur me informacione në lidhje me kushtet dhe mjediset kimike në sipërfaqe, sonda “Perseverance”, ka në bord instrumente të shumta për nxjerrjen e informacionit në lidhje me çdo shenjë që mund të jetë e pranishme dhe që sinjalizon ekzistencën e jetës.

Por ku duhet të shkojmë në Mars, për të maksimizuar shanset depërtimit në shkëmbinjtë, që ka shumë të ngjarë të kenë mbajtur dhe ruajtur ndonjë provë të jetës së dikurshme? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, unë bashkë-drejtova një seri seminaresh të ndjekura nga komuniteti shkencor, për të marrë në konsideratë vendet e ndryshme të uljes, dhe për të ndihmuar në përcaktimin se cila prej tyre kishte potencialin më të lartë për të ruajtur provat e jetës së kaluar.

Duke përdorur të dhëna nga orbitat e Marsit, të shoqëruara me informacione më të hollësishme nga anijet dhe sondat, ne filluam me rreth 30 vende kandidate, dhe më pas e ngushtuam listën në vetëm 4 vende. Disa prej tyre ishin qartësisht më pak të vlefshme se të tjerat, dhe u skualifikuan shumë shpejt.

Por sapo diskutimi u përqendrua në disa lloje të ndryshme vendesh, polemikat ishin më të mëdha. Në fund, komuniteti shkencor ndjeu – dhe misioni i sondës “Perseverence” dhe NASA ranë dakord – se krateri Jezero ishte vendi më i mirë për të kërkuar prova të jetës së dikurshme në Mars.

LEXO EDHE:  Fanatikët e maskave e kanë braktisur zyrtarisht shkencën, për të kontrolluar jetën tuaj

Çfarë është kaq e veçantë për kraterin Jezero dhe ku është ai? Krateri Jezero është 49 km i gjerë, i formuar nga përplasja e një meteori të madh, dhe ndodhet në hemisferën veriore të Marsit në kufirin perëndimor të basenit akoma më të lashtë Isidis.

Por ajo që e bën atë të veçantë këtë krater, lidhet me ngjarjet që kanë ndodhur 3.5 miliardë vjet më parë, kur uji ishte më aktiv në sipërfaqen e Marsit sesa sot. Lumenjtë e lashtë në anën perëndimore të Jezeros, përplaseshin mbi buzën e kraterit dhe derdheshin në krater, duke formuar një deltë lumore, dhe duke e mbushur kraterin me një liqen.

Nga studimi i deltave të lumenjve në Tokë, ne e dimë që zakonisht ato shndërrohen në liqene, ndërsa sedimentet e transportuara nga lumi shoqërues hyjnë në liqen, ngadalësohen dhe depozitohen. Ndërsa ky proces vazhdon, delta ndërtohet mbi majën e shtretërve të liqenit,
dhe mund të varrosë poshtë gjurmë delikate të jetës së dikurshme.

Këto “bio-sinjale”, janë ato që do të kërkojë sondat kur të nisë të eksplorojë shtretërit e lashtë të liqenit dhe depozitat e afërta të deltës. ”Perseverance” do të përdorë instrumentet e saj, për të kërkuar shenja të jetës antike në deltat dhe depozitat e liqeneve në kraterin Jezero, dhe ne shpresojmë që kjo të na japë mundësi t’i përgjigjemi më në fund pyetjes nëse ka pasur ndonjëherë jetë në Mars.

Përveç kësaj, sonda do të nisë procesin e mbledhjes së mostrave, të cilat një ditë mund të kthehen në Tokë. Por rëndësia e rikthimit të tyre nuk mund të mbivlerësohet. Pavarësisht nëse provat e jetës së kaluar mund të gjenden nga instrumentet e “Perseverance”, trashëgimia e mundësuar nga mostrat që mbledh sonda, do të jetë “dhurata shkencore që do vazhdojë të na japë të dhëna”.

Sapo të kthehen në Tokë nga një mision i ardhshëm, këto mostra të plantit Mars mund t’i nënshtrohen një analize më të hollësishme nga një grup më i gjerë instrumentesh sesa ato që mund të bart aktualisht”Perseverance”.

Por edhe nëse sonda nuk gjen prova të jetës së kaluar, ajo do të mbledhë mostra, të cilat pasi të rikthehen në Tokë, mund të na japin një pasqyrë të re të evolucionit që ka përjetuar ky planet, pavarësisht nëse ka pasur ndonjëherë apo jo jetë aty./CNA.al

https://www.smithsonianmag.com/blogs/air-space-museum/2021/02/25/there-life-mars/

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Vaksina ruse Sputnik, po nxit përçarje mes vendeve të Bashkimit Evropian

Publikuar

-

Nga

Nga Carlo Martuscelli &Laurenz Gehrke “Politico.eu”

Vaksina ruse kundër koronavirusit Sputnik V po përçan Evropën, ndonjëherë edhe para se aty të mbërrijë kjo vaksinë. Vaksina ruse, nuk është miratuar ende nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) – ku aktualisht është nën shqyrtim- dhe Komisioni Evropian thotë se blloku nuk do të ketë nevojë për të.
Gjithashtu nuk është e qartë nëse ajo do të arrijë në kohë për të sjellë ndonjë ndryshim të situatës në disa vende. E megjithatë kjo nuk i ka ndaluar një numër qeverish, që të shkëputen nga qasja e përbashkët e BE, për të nënshkruar marrëveshjet e tyre dypalëshe me Moskën.

Sputnik pretendoi suksesin e vet më të madh javën e kaluar, kur Gjermania, deri tani një kampione e qasjes së përbashkët të BE-së, njoftoi se do të niste bisedimet me Rusinë, për të siguruar dozat e vaksinës Sputnik V.

Në këtë mënyrë ajo ndjek shembullin e Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilat kanë porositur tashmë miliona doza të vaksinës ruse. Ndërkohë kancelari austriak Sebastian Kurz, konfirmoi se përfundoi bisedimet fundjavën e kaluar me palën ruse, për të blerë 1 milion doza të Sputnik V.

Ndërkohë qeveritë e tjera evropiane kanë shprehur një kundërshtim të prerë ndaj vaksinës ruse. Kritikët thonë se Moska po e përdor qëllimisht vaksinën e saj, për të mbjellë përçarje në Evropë. Kryeministrja lituaneze Ingrida Simonite, e cilësoi Sputnik V si një “armë hibride për të përçarë dhe sunduar”.
Vaksina po shkakton përçarje edhe brenda qeverive evropiane. Kryeministri çek Andrej Babis, është shumë i interesuar të përdorë vaksinën ruse. Aq sa qeveria e tij shkarkoi ministrat e saj të shëndetësisë dhe të jashtëm në ditët e fundit, vetëm për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj vaksinës ruse.

Qasja pozitive e disa vendeve ndaj Sputnik V, vjen në një kohë kur politikanët e BE-së kanë dhënë alarmin mbi veprimet e Moskës në fusha të tjera – siç është grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave në kufirin ukrainas – dhe trajtimin që po i bën Kremlini udhëheqësit të opozitës Aleksei Navalni, shëndeti i të cilit raportohet se po përkeqësohet me shpejtësi brenda në burg.

Ndërkaq, ekspertët e sigurisë së informacionit, paralajmërojnë se Moska po e përdor Sputnik V për të çuar përpara synimet më të gjera të Rusisë, së bashku me një fushatë të sofistikuar mediatike. Disa politikanë evropianë, thonë se sidomos vendimi i Gjermanisë për të blerë vaksinën ruse, rrezikon t’i shkaktojë dëme të mëdha unitetit evropian.

Deputetja gjermane e Partisë së Gjelbër Viola Von Kramon-Taubadel, që e ka kritikuar edhe më herët Sputnik V, e përshkroi lëvizjen e fundit të Gjermanisë si një “katastrofë gjeopolitike”, të cilën Kremlini po e përdor për të thelluar ndarjet në të gjithë bllokun evropian.

“Është vërtet shqetësuese që politikanët gjermanë janë dukshëm tepër naivë, për të mos e kuptuar se çfarë po ndodh”- tha Kramon-Taubadel, që është anëtare e komitetit të punëve të jashtme në Parlamentit Evropian. Ajo i përshkroi negociatat e Rusisë me një fuqi të madhe evropiane si Gjermania, si një “grusht shteti” propagandistik për presidentin rus Vladimir Putin.

Përhapja globale e Sputnik V, fitoi akoma më shumë hov të hënën kur enti rregullatori barnave në Indi, autorizoi përdorimin e kësaj vaksine në vend. Autoritetet ruse thonë se synojnë të prodhojnë mbi 850 milion doza të vaksinës në vit në Indi, pasi kanë arritur marrëveshje me disa nga prodhuesish kryesorë farmaceutikë në vend.

Ndërkohë, debatet mbi këtë vaksinë, kanë shkaktuar tashmë “viktima politike” në Evropë, siç po shihet edhe me kaosin politik në Republikën Çeke. Edhe më spektakolare janë zhvillime në Sllovakinë fqinje, qeveria e të cilës ra në mars pas vendimit të kryeministrit të atëhershëm Igor Matoviç për të blerë në mënyrë të njëanshme 2 milion doza të Sputnik V.

LEXO EDHE:  Fanatikët e maskave e kanë braktisur zyrtarisht shkencën, për të kontrolluar jetën tuaj

LEXO EDHE:  Historiani rus: Lenini vdiq i helmuar nga Stalini

Kriza vazhdoi edhe pasi Matoviç tha dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë dhe mori postin e Ministrit të Financave. Enti kombëtar i ilaçeve, refuzoi të autorizojë përdorimin e vaksinave ruse që kanë mbërritur në vend, me arsyetimin se dozat në flakonë, ishin të ndryshme nga vaksina mbi të cilën ishte kryer studimi, që u botua më pas në revistën e njohur mjekësore britanike “The Lancet”.

Refuzimi e tërboi Matoviç, që të enjten e shkuar shkoi vetë në Moskë për ta diskutuar situatën me autoritetet ruse. Në një lëvizje të jashtëzakonshme, ai njoftoi se Sllovakia do të anashkalonte entin e saj të ilaçeve, dhe do të mbështetej mbi një laborator hungarez, për të kryer kontrollet e kërkuara mbi dërgesat e vaksinave.

Por përplasjet mbi Sputnik V nuk janë të kufizuara vetëm në Evropën Qendrore dhe Lindore. Politikanët në të gjithë kontinentin gjenden nën një presion të madh për të përshpejtuar fushatat e ngadalta të vaksinimeve, të cilat janë kritikuar gjerësisht nga media dhe opinioni publik. Në Spanjë, rajoni i Madridit, i drejtuar nga konservatorja Izabel Ajuso, u përpoq të merrte qindra mijëra doza të Sputnik V, por kjo lëvizje u cilësua si një sfidë e hapur ndaj qeverinë kombëtare të udhëhequr nga socialistët. Dhe në Gjermani, Bavaria lëvizi përpara Berlinit, duke njoftuar porositjen e vaksinës ruse.

Kryeministri i këtij landi, Markus Soder, u tha gazetarëve se Bavaria do të nënshkruante një marrëveshje të përkohshme për të blerë 2.5 milion doza të Sputnik V. Ndërkohë në Francë, Reno Myselje, presidenti i rajonit të Provancës, shkroi në Twitter të mërkurën se do të marrë 500 mijë milioni doza të vaksinës ruse.

Në Itali, presidenti i rajonit të Kampanjës, Vinçenzo De Luka, ka hyrë në një kurs përplasjeje me qeverinë kombëtare, për shkak të vendimit të tij për të nënshkruar një marrëveshje për gjysmë milioni doza të vaksinës ruse. Gjithsesi në të gjitha këto raste, citohet si i nevojshëm aprovimi paraprak nga EMA.

Në rastin e Gjermanisë, nuk është e qartë nëse dozat e vaksinës ruse do të mbërrijnë në kohë për të bërë diferencën. Duke pasur parasysh që dy vaksina të tjera, Novavax dhe CureVac, filluan rishikimin e tyre përpara Sputnik, dhe se EMA duhet të kryejë një kontroll të fabrikave ruse të vaksinës, ka të ngjarë që vaksina të aprovohet vetëm pasi shumica ose gati të gjithë evropianët të jenë vaksinuar tashmë.
Kjo është linja e ndjekur edhe nga Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Tieri Breton, që ka thënë se blloku “nuk kishte aspak nevojë” për Sputnik. Ai e përsëriti këtë qëndrim të premten e kaluar, duke thënë se “Sputnik V” është thjesht tepër vonë për “qëllimin tonë për të vaksinuar sa më shumë evropianë brenda verës”.

Duke iu referuar kaosit të shkaktuar në Sllovaki nga vaksina ruse, një diplomat i vjetër i BE, tha se “dashuria” e Berlinit ndaj vaksinës Sputnik kishte pak kuptim. “Por në politikë, në shumë raste, arsyeja nuk është një praktikë e zakonshme”- shtoi ai./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.politico.eu/article/russia-sputnik-coronavirus-vaçine-divisions-eu

LEXO TE PLOTE

Blog

Kur natyra thyen rekorde/ Nga reja më e ftohtë tek stuhia që zgjati 1 milion vjet

Publikuar

-

Nga

Natyra thyen rekorde gjatë gjithë kohës. Por ka ngjarje kaq unike saqë ato meritojnë që të listohen, si për shembull mjegulla që vrau mijëra njerëz në Londër, apo pas-lëkundjet e një tërmeti që e tronditën shtetin e Uashingtonit për një shekull me radhë.

Fari i Katatumbos, vendi më i goditur nga rrufetë në botë

Gjatë epokës koloniale, detarët mbështeteshin tek Fari i Katatumbos në Venezuelë për të gjetur rrugën e tyre. Pranë tij godasin çdo vit afro 1.2 milionë rrufe, duke e bërë atë rajonin më të elektrizuar në botë. Askush nuk e di arsyen e kësaj anomalie. Teoria kryesore thotë se rrufetë mund të tërhiqet nga depozitat e uraniumit dhe metanit në zonë, apo nga lagështia e madhe e ajrit.

Tymi nga zjarret e Australisë qëndroi mbi 6 muaj në atmosferë

Kur mbaroi sezoni i zjarreve vitin e kaluar, ky vend mori frymë i lehtësuar. Shkalla e zjarreve dhe dëmtimet rezultuan katastrofike. Ato kishin dërguar në atmosferë shumë më tepër tym. Ai rrethoi pjesën më të madhe të planetit dhe përhapja e tij zgjati 2 javë.

Reja më e ftohtë

Shkencëtarët zbuluan në vitin 2018 renë më të ftohtë të botës që po kalonte mbi Oqeanin Paqësor. Ajo ishte aq e ftohtë saqë satelitët normalë të motit nuk mund ta matnin dot temperaturën e saj. Një sensor me rreze infra të kuqe në bordin e satelitit NOAA, ia doli më në fund. Reja që ishte pjesë e një stuhie të fortë, e kishte temperaturën -111 gradë Celsius.

Pas-lëkundjet më të gjata

Në vitin 1872, një tërmet i madh tronditi shtetin e Uashingtonit në SHBA. Epiqendra nuk
u gjet kurrë dhe për dekada shkencëtarët pyesnin veten pse Entiat, një qytet në atë zonë, vazhdonte të përjetonte tërmete edhe pas ngjarjes së 1872.
Kishte kaluar mbi 1 shekull ndaj askush nuk mendoi se këto mund të ishin qindra pas-lëkundje. Kjo pikëpamje ndryshoi kur sizmologët filluan të gjurmonin lëkundje të ngjashme në gjithë botën që zgjatën më shumë sesa pritej.

Stuhia më e madhe në botë

Tajfuni Tip vlerësohet si stuhia më e madhe në botë. E krijuar mbi oqeanin Paqësor, ajo u shndërrua në një super tajfun. Me një diametër prej 2.220 kilometrash, ajo u bë zyrtarisht stuhia më e madhe e regjistruar në histori. Lajmi i mirë ishte se tajfuni e humbi një pjesë të fuqisë së tij përpara se të përplasej mbi Japoni më 19 tetor 1979. Gjithsesi, gati 90 njerëz humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën, dhe 20.000 shtëpi u shkatërruan nga stuhia.

E vërteta rreth stuhisë së rërës së Pekinit

Në fillim të2021-it erërat e forta morën me veten rërën nga shkretëtira e Gobit dhe e çuan nëpër Mongoli. Stuhia e madhe e rërës shkaktoi zhdukjen e 341 njerëzve dhe vdekjen e të paktën 6 prej tyre. Pastaj ajo mbërriti në kryeqytetin e Kinës, Pekin.

Stuhia e rërës i fshehu rrokaqiejt dhe e bëri qiellin ngjyrë portokalli. Por agjencitë e
lajmeve e kishin gabim. Ajo nuk ishte një stuhi rëre, por një stuhi pluhuri. Dallimi duket i parëndësishëm, por në realitet, situata ishte alarmante.
Pluhuri përbëhet nga copa më të vogla sesa rëra, dhe qëndron në ajër për më shumë kohë, dhe mund të thithet shumë më thellë në mushkëri. Ndaj, kur reja e pluhurit arriti në Pekin, ajo u përzje me nivelet e tmerrshme të ndotjes së ajrit të qytetit, duke e kthyer stuhinë në një mjegull të trashë toksike.

LEXO EDHE:  Donald Trump do fitojë, pasi ka planin më të mirë për ri-ngritjen e ekonomisë pas pandemisë

LEXO EDHE:  Pse Donald Trump mund të jetë një pretendent serioz në presidencialet e 2024-ës?

E Diela e Zezë

Gjatë viteve 1930, komuniteti që jetonte përtej Pllajave të Mëdha në SHBA, ishte i njohur me ato që quheshin “stuhitë zeza”. Këto stuhi pluhuri ishin aq të dendura, sa që errësonin gjithçka përreth tyre. Por në vitin 1935, stuhia e 14 prillit i dha rajonit emrin e tij të famshëm, Pjata e Pluhurit.
E diela e zezë nisi si çdo ditë tjetër. Por më pas mbërriti një stuhi pluhuri mbi 1.609 km e gjatë. Ajo i bllokoi të gjitha dritat, përfshirë llambat e rrugës. Familjet e strehuara në shtëpi nuk mund ta shihnin as njëri-tjetrin edhe pse gjendeshin në të njëjtën dhomë.
Toka u shkatërrua, shumë kafshë vdiqën dhe një burrë u verbua. Njerëzit mbetën për orë të tëra të bllokuar brenda makinave të tyre. Qeveria federale u dha shumë ndihma banorëve. Por shumë prej tyre ishin të traumatizuar dhe u larguan nga zona.

Tornadot vdekjeprurëse

Në viti 1925, kur 12 tornado goditën 3 shtete të SHBA-së. Diametri i tornados më të madhe ishte më shumë se 1.6 km, ndërsa shpejtësia e erës i kaloi 113 kilometra në orë. Ato shkatërruan 425 km2 tokë dhe mbi 15.000 shtëpi. Numri total i viktimave ishte 695 persona.

Mjegulla vrasëse e Londrës

Londra është një vend që ka shpesh mjegull. Por në vitin 1952, ajo qëndroi pareshtur për 5 ditë rresht, duke sëmurur dhe shtruar në spital mbi 150.000 njerëz. Kombinimi me ndotjen nga tymi i qymyrgurit që qytetarët përdornin në shtëpi për ngrohje i mori jetën mbi 4 mijë njerëzve, ndërsa disa ekspertë flasin për 12 mijë të vdekur.

Stuhia që zgjati 1 milion vjet

Epoka Triasike mori fund rreth 233 milion vjet më parë. Gjatë asaj kohe, nisën reshjet e shiut që çuan më pas në një stuhi e cila do të zgjaste për 1 milionë vjet. Ajo përmbytje u bë e njohur si Episodi Karnian Pluvial (CPE). Një studim në vitin 2020, zbuloi se ajo stuhi u shkaktua nga ndryshimi i klimës dhe vullkanet gjigantë.

Reshjet e pareshtura të shiut vranë 1/3 e të gjitha specieve që jetonin në det. Ndërkohë, edhe në Tokë u zhdukën grupe të panumërta bimësh dhe kafshësh. Por studimi gjithashtu zbuloi se CPE e krijoi botën ashtu siç e njohim ne sot. Ndryshoi mjedisin aq shumë sa që u shfaqën specie të reja, duke përfshirë disa nga shkëmbinjtë e parë koralorë, zvarranikët, pemët dhe dinozaurët që do të sundonin tokën për 150 milion vitet e ardhshme./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://listverse.com/2021/04/11/10-times-natural-events-hit-the-record-books/

LEXO TE PLOTE

Blog

Stabiliteti i BE-së do t’i zhgënjejë sërish kritikët e saj

Publikuar

-

Nga

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Sa herë që Evropa goditet nga një krizë – qoftë e borxheve, refugjatëve apo e Covid-19 – profetët e katastrofave parashikojnë më të keqen për Bashkimin Evropian. Në kulmin e krizës së euros, shumë nga ata sugjeruan se monedha e përbashkët e unionit nuk do të arrinte të mbijetonte.

Unë vetë isha ndër ata që menduan se kriza e refugjatëve e vitin 2015, mund ta bënte Brukselin shumë të parëndësishëm në skenën globale. Shtypi britanik pro-Brexit, vazhdon të parashikojë thuajse çdo javë shembjen e BE-së. Pandemia e Covid-19, ka sjellë shpërthimin e një vale të re pesimizmi.
Ekonomisti amerikan Paul Krugman, analizoi kohët e fundit menaxhimin e pandemisë në vendet e BE, duke arritur në përfundimin:”Projekti Evropian është në telashe të mëdha!”.Ka pak dyshime se performanca e BE-së përballë Covid-19 ka qenë e dobët.

Por kjo nuk duhet të çojë në një dëshpërim melodramatik mbi të ardhmen e organizatës. Projekti Evropian ekziston prej rreth 70 vjetësh, që nga themelimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1951. Gjatë asaj kohe, ai u ka mbijetuar shumë krizave dhe plagëve të vetë-shkaktuara, dhe është më shumë se 4-fishuar në madhësinë e tij. Mos ndoshta ka ardhura koha ta pranojmë se është një organizatë mjaft elastike? Në fakt, nëse jeni duke kërkuar entitete politike që janë në “telashe të mëdha”, apo që janë të kërcënuar nga shpërbërja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë aktualisht kandidate më të besueshme sesa BE-ja.

Amerika sapo përjetoi një sulm mbi Kongres nga një turmë e zemëruar, dhe një nga dy partitë e saj të mëdha politike, ka ndërmarrë sulme periodike kundër demokracisë amerikane. Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të parandalojë ringjalljen e dhunës në Irlandën e Veriut, dhe nga ana tjetër të shmangë një referendum të dytë për pavarësi në Skoci, që nëse ndodh dhe ka sukses do të sillte humbjen e një të tretës së territorit të saj.

Krahasuar me këto, problemet e BE-së duken relativisht më të lehta. Megjithatë mosbesimi në lidhje me të ardhmen afatgjatë të BE-së është i vazhdueshëm. Ai mund të burojë pjesërisht nga natyra unike e kësaj organizate.

BE është të një organizatë ndërkombëtare që ka shumë nga karakteristikat e një shteti, përfshirë një monedhë, një parlament, një gjykatë të lartë dhe një bankë qendrore. Kjo natyrë hibride e BE-së i josh të huajt, të mësuar të merren me shtetet-kombe, që ta konsiderojnë BE-në si diçka të panatyrshme, apo edhe të deformuar, dhe për këtë arsye edhe një kandidate të dukshme për të përjetuar një vdekje të hershme, si një njeri që ka lindur me organet e trupit në vendin e gabuar.
Por në realitet, kërcënimi i një krize ekzistenciale që mund ta shkatërronte BE-në, tashmë po zbehet. Pas votimit të Britanisë së Madhe pro Brexit në vitin 2016, ekzistonte një rrezik i qartë që edhe vendet e tjera evropiane mund të largoheshin nga BE.

Në Francë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marin Lë Pen bëri fushatë pro Frexit; ndërsa Mateo Salvini në Itali, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Lega Nord, promovoi idenë se vendi i tij duhet të linte eurozonën. Por tani nacionalistët e Evropës e kanë ndryshuar ”muzikën” e tyre.
Ndërsa po përgatitet për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, Lë Pen e ka braktisur idenë e largimit të vendit nga BE, dhe ka premtuar ta mbajë Francën në eurozonë.
Politika e saj e re është të qëndrojë brenda BE-së, dhe të bëjë fushatë për një “Evropë të kombeve”.
Në Itali, Salvini po mbështet aktualisht një qeveri teknokrate dhe pro-BE të udhëhequr nga Mario Dragi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane. Lë Pen dhe Salvini nuk u bënë befas eurofilë emocionalë. Ata i lexojnë me kujdes sondazhet.

LEXO EDHE:  Si të ndalojmë eksportin e autoritarizmit

LEXO EDHE:  Si të ndalojmë eksportin e autoritarizmit

Dhe në Francë, ato sugjerojnë se një shumicë e madhe njerëzish e mbështesin qëndrimin brenda BE-së. Në Itali, në fillim të krizës së koronavirusit, kishte sondazhe që sugjeronin se më shumë se 40 për qind e italianëve donin largimin e vendit nga BE. Por që nga ajo kohë BE-ja ka miratuar një fond qindra miliarda euro të rimëkëmbjes nga Covid-19, një pjesë e mirë e të cilit do t’i jepet Italisë. Salvini e ka kuptuar se thirrjet për t’u larguar nga BE apo euro, nuk janë ato që dëshiron të dëgjojë elektorati.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që i pëlqen të tallet me Brukselin dhe liberalizmin, ndodhet në një pozitë të ngjashme. Ai e di që vendi i tij përfiton shumë nga fondet e BE, dhe qasja në tregun e përbashkët. Pavarësisht marrëdhënieve të tij të këqija me Brukselin, Orban nuk do të largohet nga BE.
Ai mund të jetë cinik, por nuk është budalla. Procesi i ndryshimit të qasjeve, zhvillohet në
të dyja drejtimet. BE është shumë e pakënaqur mbi drejtimin që kanë marrë gjërat në Hungari dhe Poloni, dhe i ka vënë që të dyja në shënjestër për shkak të problemeve me sundimin e ligjit.
Por nuk ka gjasa që asnjëra prej tyre të dëbohet nga BE. Një fitore e Marin Lë Pen vitin e ardhshëm, që është e mundshme, do të ishte gjithashtu një tronditje e madhe për Brukselit. Por, edhe nëse Frexit është jashtë “menysë”, BE do të merrte një goditje nëse do të fitonte Lë Pen.

Me kalimin e kohës, projekti evropian mund të bëhet gjithnjë e më i sigurt. Sondazhet tregojnë se të rinjtë janë më pro-BE sesa të moshuarit. Ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar po e favorizon BE-në. Me Kinën dhe Rusinë që duken si më kërcënuese se më parë, dhe më SHBA-në që duket si më pak e besueshme si partnere, për evropianët është duke u bërë më bindëse nevoja për të qëndruar të bashkuar.
Asnjëra nga këto nuk do të thotë se BE-ja mund të jetë e vetëkënaqur për të ardhmen e saj, ashtu siç Kina, SHBA-ja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk mund të supozojnë me shumë siguri se stabiliteti i tyre politik është i garantuar.

Gabim është të besosh se strukturat unike dhe shpesh konfuze politike të BE-së, e bëjnë atë veçanërisht të ndjeshme ndaj një kolapsi të mundshëm. Në realitet, BE-ja gjendet në një ekuilibër i kujdesshëm dhe në zhvillim midis pushtetit kombëtar dhe atij mbi-kombëtar, dhe midis teknokracisë dhe demokracisë. Dhe ky është një burim i qëndrueshmërisë dhe forcës, jo i dobësisë apo i brishtësisë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.ft.com/content/4e5cf2d3-9978-400a-b62f-2266dc86ce41

LEXO TE PLOTE