Aktualitet
“Kanë rënë pre e mashtrimit të vizave”/ Ambasada e SHBA këshillon qytetarët

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një njoftimi u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve për të përfituar vizë për në SHBA.
Sipas ambasadës, Departamenti i Shtetit nuk kërkon asnjëherë transferta të parave tek një individ tjetër apo organizatë, duke kërkuar prej qytetarëve që të informohen në mënyrë të saktë që të shmangin mashtrimet.
“Ne kontaktohemi vazhdimisht nga individë që kanë rënë viktima të mashtrimit të vizave. Mashtrimet zakonisht përfshijnë faqe interneti të rreme, adresa emaili dhe kërkesa për tarifa shtesë që duhet paguar për të marrë një vizë.
Mos harroni, Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj. Informoni veten në mënyrë që të mos bëheni viktimë e një mashtrimi!”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane./CNA.al