Politikë
PD dhe aleatët regjistrohen si koalicion në KQZ/ Topalli: Nuk do sjellin asnjë ndryshim

Për drejtuesen e “Lëvizjes për Ndryshim”, Jozefina Topalli regjistrimi në KQZ i “Aleancës për Ndryshim”, pra Partisë Demokratike së bashku me 13 parti të tjera aleate të saj, nuk është asgjë e re dhe nuk do të sjellë asnjë ndryshim.
Në një intervistë për Euronews, Topalli u shpreh se shqiptarët janë të pakënaqur me Edi Ramën, por sipas saj nuk e duan as Lulzim Bashën.
“Pavarësisht se kush janë ato që bëjnë sondazhe, kanë të përbashkët një gjë, pakënaqësi në rritje ndaj Edi Ramës dhe mosbesimin absolut ndaj Lulzim Bashës. Koalicionet e djeshme tregojnë se nuk ka asnjë reflektim dhe asnjë vullnet politik. Në politikën shqiptare midis tre kryetarëve asnjëherë nuk ka asnjë ka asnjë shenjë, mundësi për të ndryshuar. Nuk ndryshojnë raportet që kanë me oligarkët. Nuk ndryshojnë asgjë në sjelljen politike”, tha ajo.
Zonja Topalli komentoi edhe deklaratën e Oerd Bylykbashkit në Euronews Albania, i cili tha se PD nuk sheh si rivalë “Lëvizjen për Ndryshim” dhe partinë “Bindja Demokratike”.
“Nëse do të vijë ndryshimi në Shqipëri do të vijë nga lëvizjet e reja. Vetë sondazhet flasim për pakënaqësi. Unë kam një mesazh që ata janë të pakënaqur ndaj Bashës, Metës dhe Ramës. Nëse ju mendoni se qëndrimi juaj, qëndrim proteste duke qëndruar në shtëpi, kjo është e gabuar. Ata këtë duan”, tha ajo.
Zonja Topalli i ftoi qytetarët që të dalin të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit tek lëvizjet që pritet të sjellin ndryshim./CNA.al