Politikë
Gjërat që mund të mos i dini mbi Pele, mbretin e futbollit

Kur Brazili humbi finalen e Kupës së Botës së vitit 1950 përballë Uruguait, Edson Arantes do Nashimento asokohe 10 vjeç, tani më i njohur si Pele, i dha një premtim babait të tij të dëshpëruar. “Më kujtohet që i thashë me shaka:“Mos qaj baba, unë do ta fitoj Kupën e Botës për ty”-u shpreh Pele në një intervistë të vitit 2014.
Por 8 vjet më vonë, në botërorin e vitit1958, ajo shaka u bë realitet kur ai fitoi të parin nga 3Kupat e Botës. Kështu nisi karriera historike e Peles, dhe deri në kohën kur luajti ndeshjen e tij të fundit si profesionist në vitin 1977, do të shënonte mbi 1.280 gola, nga klubi i Santosit në Brazil deri tek Nju Jork Kozmos. Edhe pse sot ai cilësohet gjerësisht si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, ja cilat janë gjërat që mund të mos i dini rreth tij.
Emri iu vu sipas Tomas Edisonit
Siç e shpjegon vetë Pele më vonë, i ati i tij Zhoao Ramos, një lojtar futbolli i njohur ndryshe si Dondinjo, dhe nëna e tij, Dona Çeleste e quajtën Edson, sipas Tomas Edisonit. “Kur linda unë, sapo ishte instaluar energjia elektrike në vendlindjen time” shprehet ai.
“Unë isha vërtet krenar që m`u vu emri për nder të Tomas Edison. Mendoja se emri Pele tingëllonte shumë keq. Ishte një emër plehrash. Edson dukej shumë më serioz dhe më i rëndësishëm”-thekson ai.
Edhe pse ylli i futbollit thotë se nuk mund të jetë kurrë 100 për qind i sigurt mbi origjinën e nofkës së tij, shpjegimi më i mundshëm është se pseudonimi iu vu nga shokët e klasës, kur ai shqiptoi gabimisht emrin e një prej shokëve të skuadrës së tij:Vasko de Sao Lourenco, një portier i njohur si “Bile”.
“Ndaj kur dikush më thoshte:“Hej, Pele”, unë i bërtisja dhe zemërohesha. Në një rast, qëllova me grusht një shok klase, dhe u pezullova për 2 ditë nga shkolla. Tani e dua këtë emër, por atëherë me lëndonte pa fund”- kujton Pele.
Ai u bë kreativ kur nuk kishte mundësi të blinte një top futbolli apo këpucë
I rritur në varfëri, Pele i praktikoi aftësitë e tij të triblimit me një çorape të mbushur me lecka, pasi familja e tij nuk kishte mundësi t’i blinte një top futbolli. Kur ishte 6 vjeç, familja u transferua në një qytet më të madh në jug të Brazilit, ku ai shiste kikirikë të pjekur jashtë sallave të kinemave, për të fituar para për një top futbolli.
Për shkak të mungesës së këpucëve ai luante shpesh zbathur. Më vonë, lojërat zbathur gjatë kohës së lirë u bënë të njohura në Brazil si “pelada”, që besohet se lidhen me emrin e Pele.
Kontrata e tij e parë nuk ishte aspak fitimprurëse
Në moshën 15 vjeçare, Pele nënshkroi kontratën e tij të parë me klubin e Santosit në vitin 1956, me një pagë vetëm 10 dollarë në muaj. Ai e përdori pagën e tij për t’i blerë nënës së tij një sobë me gaz. Vite më vonë, ai nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me vlerë 7 milion dollarë me Nju Jork Kosmos në vitin 1975, duke e bërë atë sportistin më të paguar në skuadër në atë kohë.
“The New York Times’ vlerësoi se 2 milion dollarë ishin vetëm taksa. Por ai do t’i paguante ato ashtu si çdo amerikan, shpjegoi nënpresidenti dhe menaxheri i përgjithshëm i Kosmos, Klajv Toje.
Ai është një thesar kombëtar për Brazilin
Pasi Pele e udhëhoqi kombëtaren e Brazilit në fitoren e dytë të Kupës së Botës në vitin 1958, klubet evropiane si Real Madrid, Juventus, Inter dhe Mançester Junajtid filluan që ta kërkojnë yllin në ngjitje të futbollit. Që të mos lejonte shitjen tek ekipet e huaja, presidenti brazilian Zhanio Kuadros ndikoi që Pele të shpallej një thesar kombëtar në vitin 1961.
“Para së gjithash ishte një nder për mua. Por unë paguaj taksat mbi të ardhurat si kushdo tjetër. Unë kisha disa oferta për të luajtur në Evropë, Real Madrid, për AC Milan, Bajern Mynih. Por në atë kohë, ne nuk kishim shumë lojtarë brazilianë jashtë vendit. Unë isha shumë i lumtur në ekipin tim, Santos. Nuk kisha dëshirë të luaja jashtë vendit”- tha Pele në një intervistë të vitit 2016.
Ai mban dy rekorde botërore Guinness
Deri në fund të karrierës së tij, Pele fitoi 3 Kupa Bote me Brazilin (në vitet 1958, 1962 dhe 1970), një rekord më vete. Por ai ishte vetëm një nga rekordet e shumta që theu në fushën
e blertë.
Katër golat që shënoi Pele në debutimin e tij profesional në vitin 1956, vetëm sa hodhën bazat për 1.283 golat që do të shënonte në karrierën e tij. Megjithatë, ekziston një debat mbi numrin e përgjithshëm të Guinnessit, pasi shumë media raportuan se ai shënoi më shumë se 500 nga këto gola në “miqësore jozyrtare”.