Politikë
Bardhi kallëzon Ballën në SPAK/ Po bën krim me ndihmën e rreme ekonomike

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, tregoi se ka depozituar në SPAK ditët e fundit një kallëzim penal për përfaqësuesin e qeverisë në Elbasan, Taulant Balla, pasi pretendon se ai po kryen një krim elektoral, duke ushtruar presin ndaj personave që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.
Bardhi tha se ekzistojnë provat se si personat e listës janë telefonuar, dhe u është thënë se do ta humbin ndihmën ekonomike që marrin nëse nuk votojnë PS, ose në rast tjetër, u është kujtuar atyre se dyfishimi i ndihmës deri në qershor, është vepër dhe meritë e Taulant Ballës.
Bardhi theksoi se prokuroria e ka shumë të lehtë të hetojë e të verifiokojë se telefonatat janë bërë nga shtabi i Taulant Ballës, dhe se në telefon janë marrë pikërisht qytetarët që janë përfitues të ndihmës ekonomike.
“Jemi në një koalicion opozitar me LSI, nuk kemi ndasi programore. Edhe LSI ka në fokus të programit ekonominë, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi. Më besoni vij nga një qark ku takoj çdo ditë qytetarë, të cilët nuk kanë para për të mbyllur ditën. Fokusi ynë është ndryshimi i situatës ekonomike në vend. Sot ne kemi një njeri që kontrollon gjithçka, pushtetin lokal, atë qendror, shantazhin mbi drejtësinë.
Vijnë njerëz në takim dhe na lutem të mos nxjerrim fotot, se thonë na heqin ndihmën ekonomike. Nga ana tjetër, në duart e zyrtarëve të PS kanë përfunduar para të pista, që do të përdoren në fushatë. Unë kam dorëzuar dje në SPAK një kallëzim penal ndaj Ballës, pasi kemi raste konkrete ku persona nga shtabi i tij elektoral marrin persona me ndihmë ekonomike në telefon dhe i kërcënojnë me heqjen e ndihmës, nëse nuk votojnë për PS.
Ne i kemi identifikuar të gjitha numrat që marrin qytetarët. Ose marrin njerëz në telefon dhe iu thonë “Ndihma ekonomike iu është dyfishuar nga Taulant Balla”. Kjo është kriminale. Mjafton një hetim nga SPAK për të verifikuar numrat e telefonit. Janë telefonuar të gjithë personat që marrin ndihmë ekonomike në Qarkun e Elbasanit”, tha demokrati./ CNA.al