Sot shënohet 22-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milionë shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndonëse të dëbuarit e parë, rreth 187 kosovarë, e kaluan kufirin më 27 mars 1999, valët e eksodit vazhduan deri edhe në karvanë me 70 mijë persona. 16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.
Për ndërgjegjësimin e opinionit botëror për agresionin ushtarak mbi popullin shqiptar në Kosovë, shërbeu dhe një fotografi e një fotoreporteri të agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Në foton e 16 prillit 1999, shfaqet Sherife Luta me vajzën e saj 6-muajshe në krah, Besjanën. Sherifja e kujton atë si ditë si “një ditë të rëndësishme për Kosovën dhe të gjithë popullin shqiptar” dhe tregon se i është dashur të qëndrojë rreth 3 muaj në RMV.
LEXO EDHE: Rritet numri i të prekurve me Covid-19 në Kosovë
Kurse Besjana, sot 22 vjeç tregon për Euronews Albania se ka mësuar për atë që kishte ndodhur vetëm pasi u bë 9 vjeçe. Ajo thotë se fytyra e nënës së saj shpreh qartë atë që kishte ndodhur atë ditë./ Euronews Albania