Blog
A e ndalon vaksina transmetimin e Covid-19?

Nga Angela L.Rasmussen “The New York Times”
Synimi i vaksinave kundër Covid-19 është të parandalojnë vdekjet dhe ndërlikimet serioze të shëndetit, që mbingarkojnë sistemet shëndetësore. Të gjitha vaksinat e autorizuara për përdorim emergjent kanë tejkaluar pritshmëritë në aspektin e sigurisë dhe efektivitetit.
Por është e kuptueshme që shumica e njerëzve, duan të dinë diçka më shumë:A do të arrijë vaksinimi të ndalë përhapjen e Covid-19, në mënyrë që ata të kenë mundësi të dalin lirshëm jashtë si dikur?Përfundimisht, po. Shumë shkencëtarë hezitojnë ta thonë me siguri, se vaksinat e parandalojnë transmetimin e virusit nga një person tek tjetri. Kjo mund të jetë keqinterpretuar si një lloj pranimi se vaksinat nuk funksionojnë.
Por ky nuk është rasti. Të dhënat e disponueshme deri më tani,tregojnë se vaksina të paktën arrin ta reduktojë pjesërisht transmetimin, ndërsa në lidhje me këtë çështje janë duke u zhvilluar dhe shumë studime të tjera që do të ofrojnë akoma më shumë qartësi. Të dhënat e para të këtyre studimeve do të jenë në dispozicion pas disa muajsh. Deri atëherë, masat parandaluese si maskat dhe distancimi social në praninë e njerëzve të pa vaksinuar, do të mbeten shumë të rëndësishme. Është e vërtetë se në bazë të testeve klinike, vaksinat e Pfizer-Biontech dhe Modernas, janë shumë të efektshme në parandalimin e të prekurit rëndë me Covid -19.
Por nuk dihet nëse ato e parandalojnë infeksionin e SARS-Cov-2. Edhe pse Covid-19 dhe SARS-Cov-2 përdoren shpesh në vend të njëri-tjetrit, ato janë krejtësisht të ndryshëm. Ju nuk mund të keni sëmundje pa virusin, por gjithashtu nuk mund të keni virusin pa u sëmurur, siç janë shumë asimptomatikë. Ka të ngjarë që njerëzit e vaksinuar të jenë të mbrojtur kundër Covid-19, por mund ta përhapin ende SARS- Cov-2 tek të tjerët që nuk janë vaksinuar ende. Përse shkencëtarët do të zhvillonin vaksina që na mbrojnë vetëm kundër një sëmundje dhe jo kundër vetë virusit që e shkakton atë?
Ata nuk vendosën për këtë, por kjo gjë erdhi pjesërisht si rezultat i emergjencës së të bërit prova klinike. Praktikisht, testet klinike mund të përfundojë më shpejt, nëse pika e fundit e testimit – çështja kryesore mbi të cilën bëhet studimi -është diçka që mund të zbulohet lehtësisht. Nëse infeksioni i SARS- COV -2 do të ishte pika e fundit e testimeve, pjesëmarrësit në teste do të duhet të testohen minimalisht çdo javë. Por është më i lehtë identifikimi i pjesëmarrësve që zhvillojnë simptomat e Covid -19, dhe që pastaj bëjnë tamponin për ta konfirmuar këtë gjë. Pra, për hir të efikasitetit, pika përfundimtare e provave klinike ishte nëse vaksinat mbrojnë nga simptomat e Covid-19.
Kjo qasje studimore ka kuptim edhe nga këndvështrimi i shëndetit publik. Shumica e njerëzve të infektuar me SARS- Cov -2 mund të mos vdesin, por shumë prej tyre do të sëmuren dhe kërkojnë kujdes mjekësor. Kjo tejmbush spitalet dhe mbingarkon sistemin shëndetësor të një vendi. Vaksinat që mund ta transformojnë atë që normalisht do të ishte një sëmundje e rëndë në diçka të butë dhe të menaxhueshme e lehtësojnë këtë barrë, duke shpëtuar jetë njerëzish dhe duke përmirësuar cilësinë e tyre.
Kur shkencëtarët zhvillojnë një vaksinë kundër një virusi të ri, është e vështirë të parashikohet nëse vaksinimi do ta parandalojë plotësisht infeksionin, pra atë që quhet imunitet sterilizues. Në qoftë se vaksinat kundër Covid -19, nuk ofrojnë një sterilizues imuniteti, kjo do të thotë që një person i vaksinuar mund të thithë ende mjaftueshëm virus për të zhvilluar një infeksion.
Por ai do të pastrohet më shpejt nga trupi para se të bëhet Covid -19. Gjithsesi personi në fjalë mund t’ia kalojë ende infeksionin një personi tjetër. Ka shumë vaksina që nuk sigurojnë imunitet plotësisht sterilizues, por që megjithatë sjellin përfitime të mëdha për shëndetin publik.
Çdo vit, vaksina e gripit shpëton jetë dhe i mban njerëzit larg spitalit, pavarësisht nga fakti se nuk e parandalon tërësisht transmetimin e infeksionit. Nga ajo çka dimë deri më tani, është e pamundur që vaksinat të jenë 95 për qind efikase në parandalimin e sëmundjeve simptomatike,apo të mos kenë asnjë ndikim tek transmetimi i infeksionit.
Të dhënat nga studimi i kafshëve dhe testet e vaksinave sugjerojnë se vaksina redukton infeksionet asimptomatike, si dhe sasinë e virusit të prodhuar tek njerëzit e infektuar. Në Izrael, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është vaksinuar, ka pasur një rënie të konsiderueshme të rasteve edhe pse vaksinimi ka filluar në dhjetor, me 49 për qind rënie të rasteve të vërejtura tek njerëzit mbi moshën 60, sipas një raporti paraprak. Studimet për të përcaktuar më mirë impaktin e vaksinave në transmetimin e virusit janë në zhvillim e sipër, dhe ndërkohë, në qoftë se masa të tilla si mbajtja e maskës shoqërohen me me rritje të imunizimit, rastet me SARS – CoV-2 duhet të bien.
Provat historike tregojnë se vaksinat që nuk parandalojnë infeksionin e virusit ende mund të frenojnë epidemitë në gjurmët e tyre të para. Polio vaksina e zhvilluar nga dr.Jonas Salk, e cila nuk siguron imunitet sterilizues, rezultoi efikase në eliminimin e shpejtë të poliomelitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke nisur nga vitet 1950.
Njerëzit u rreshtuan me padurim për të marrë vaksinën për mbrojtjen e tyre dhe të fëmijëve. Vaksina e Salk ishte shumë mbrojtëse ndaj ndikimit shkatërrues të sëmundjes dhe gjithashtu ka funksionuar në reduktimin e përhapjes së virusit, sepse shumë njerëz u vaksinuan dhe u pastruan nga infeksioni.
Vaksinat kundër Covid -19 janë një arritje e madhe për shëndetin publik ashtu siç vaksina e Salk ishte atëherë. Do të bënim mirë t`i kujtonim vetes fuqinë transformuese të vaksinave pa parandaluar tërësisht infeksionin, kur një pjesë e madhe e njerëzve vaksinohen. Sa më shpejt që ne të reduktojë përhapjen në komunitet dhe të mbrojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur përmes vaksinimit, aq më shpejt do të jemi në gjendje për t`u relaksuar.
Shënim:Angela L.Rasmussen, është virologe në Qendrën për Shkencën dhe Sigurinë e Shëndetit Global në Universitetin Xhorxhtaun, SHBA./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://www.nytimes.com/2021/02/23/opinion/covid-vaccines-transmission.html