LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

100 projektet që thithën fondet e buxhetit më 2020/ Nga rindërtimi, rrugët te koncesionet

24 Shkurt 2021, 07:14, Ekonomi CNA
100 projektet që thithën fondet e buxhetit më 2020/ Nga

Qeveria ka kryer shpenzimet kapitale faktike prej 91,2 miliardë lekëve më 2020, niveli më i lartë që nga viti 2009, vit në të cilin ishte kulmi i investimeve në rrugën e Kombit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shuma prej rreth 738 milionë eurosh shkoi për financimin e 1855 projekteve nga rreth 2600 që ishin planifikuar për financim. Por siç shihet nga të dhënat pjesa më e madhe e fondeve 61 miliardë lekë ose 65 për qind e totalit të fondeve të shpenzuara shkuan për financimin e 100 projekteve më të mëdha, të cilat përfaqësojnë frontet e rindërtimit për shkollat dhe banesat e prishura nga tërmeti, për koncesionet dhe për financimin e disa akseve rrugorë të tilla, si rruga Kardhiq-Delvinë, rruga e Lumit të Vlorës, Unaza e re etj.

Projekti që ka marrë financimet më të mëdha më 2020 është ndërtimi i by Pass të Fierit me 3,5 miliardë lekë.

Projekti i dytë më i madh për nga financimi në vitin 2020 është rindërtimi i banesave individuale me një financim prej 3.2 miliardë lekë ose 64 për qind e planit të vitit që kishte planifikuar 5,1 miliardë lekë financime në këtë projekt. Ministria e Financave raportoi se gjatë vitit 2020 ishin përdorur gjithsej 16.7 miliardë lekë për rindërtimin pas tërmetit, nga 28 miliardë lekë që ishin planifikuar për këtë vit.

Projekti i tretë më i madh ishte rindërtimi i objekteve arsimore në zonat e dëmtuara nga tërmeti me mbi 3 miliardë lekë të shpenzuara. Ky zë ka regjistruar tejkalim pasi për objektet arsimore më 2020 ishin planifikuar vetëm 621 milionë lekë.

Projekti i katërt më i madh ishte ndërtimi i rrugës Kardhiq -Delvinë me 3 miliardë lekë financime, teksa në planin buxhetor të vitit ishin planifikuar jo më shumë se 1,1 miliardë lekë.

Projekti i pestë më i madh që ka marrë financime nga buxheti është koncesioni i rrugës së Arbrit me 2,5 miliardë lekë duke konsumuar 100 për qind të financimit të planifikuar për vitin buxhetor 2020. Të katër kontratat koncensionare të përfshira në listën e investimeve, ku përveç rrugës së arbrit janë inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe subvencioni i Rrugës së Kombit u financuan me 4,6 miliardë lekë ose 37 milionë euro duke realizuar 100% të planit vjetor.

Projekti i 6-të më i madh ishin shpronësimet me mbi 2 miliardë lekë dhe projekti i shtatë më i madh që u financua më 2020 ishte projekti për rehabilitimin e Lumit të Vlorës me 1,9 miliardë lekë financime. Për këtë projekt nuk ishin parashikuar fonde më 2020.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave deri në fund të 11-mujorit 2020 u shpenzuan 63.9 miliardë lekë në projektet e investimeve, ndërsa gjatë dhjetorit u akorduan mbi 30 miliardë lekë të tjera ose një e treta e investimeve të alokuara. /Monitor

Lajmet e fundit nga