Connect with Us

Letra për Ramiz Alinë: Vera Grabocka përhap modën e huaj, Agron Çobani mori në punë të bijën e …

Histori

Letra për Ramiz Alinë: Vera Grabocka përhap modën e huaj, Agron Çobani mori në punë të bijën e …

Publikuar

-

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin muajit korrik të vitit 1982, ku ndodhet një raport-informacion i funksionarit të lartë të aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Leko Mako, drejtuar eprorëve të tij në sektorin përkatës që mbulohej nga Ramiz Alia, lidhur me dy mbledhjet e zhvilluara në Radio-Televizion Shqiptar ku ai ka qenë i deleguar, ku është marrë në analizë figura morale-politike e punonjësve të atij institucioni. Të gjitha akuzat se çfarë thuhet në atë raport për drejtuesit kryesorë të Radio-Televizionit Shqiptar që ishte një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit e propagandës së asaj kohe, si: Çajup Rusmali, Marash Hajati, Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, regjizorët, redaktorët e gazetarët, si; Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Agim…., Arjan Bakiri, Shpresa Musliu, Peçi Fiku, Mirela Llakaj, Siera Vaso, etj, e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë që punonin aty…

Nga Dashnor Kaloçi

Edhe pse kishin kaluar plot dhjetë vite nga ‘furtuna’ e madhe që përfshiu Radio-Televizionin Shqiptar, pas Festivalit të XI-të Kombëtar të Këngës, ku mjaft prej kuadrove drejtues kryesorë, bashkë me disa kompozitorë, këngëtarë, regjizorë, redaktorë, gazetarë etj., u shkarkuan dhe u dërguan në prodhim, apo përfunduan burgjeve politike e internimeve në skajet më të largëta të vëndit, dukej se aty akoma s’kishte qetësi…?! Kontrolle pas kontrollesh, inspektime, mbledhje, informacione, raporte, relacione, letra me denoncime për gjithçka ndodhte aty, me intriga, spiunime, thashetheme, sajesa, të verteta, gjysëm të vërteta, etj., etj., i dërgoheshin udhëheqjes së lartë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që kishte në vartësi direkte atë institucion, nga më të rëndësishmë të propagandës dhe informimit masiv të atij regjimi.

Këtë gjë veç të tjerash e tregon mësëmiri, edhe ky dokument arkivor i datës 12 korrik 1982, i cili publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, ku në gjashtë faqe të daktilografuara, i deleguari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Leko Mako, i bën me dije shefave të tij në sektorin e Edukimit që mbulohej nga Ramiz Alia, mbi gjithçka ka mbajtur shënim në bllokun e tij, rreth atyre ç’ka ka parë, dëgjuar dhe konstatuar nga dy mbledhjet e organizatave bazë të Partisë të Radio-Televizionit Shqiptar, ku ai ka asistuar. Dokumenti ka si temë: “Mbi figurën morale politike të punonjësve të Radio-Televizionit”, por siç duket dhe nga përmbajtja e tij, realishit mbledhjet që merren në analizë aty, kanë tjetër qëllim, gjë të cilën do e shohim më poshtë.

Koha kur janë mbajtur këto mbledhje që përshkruhen në dokumentin e mëposhtëm, përkon me periudhën pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu, u gjet i vdekur në dhomën e tj të gjumit nga plumba pistolete. Dhe pas kësaj ngjarje, në të gjithë vëndin zhvilloheshin mbledhje të shumta, ku diskutohej dhe merrej në analizë letra që Komiteti Qëndror i PPSH-së kishte derguar organizatave bazë të partisë, me temë: “Tablo sinoptike, mbi veprimtarinë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në këtë kontekst, janë mbajtur edhe dy mbledhjet në Radio-Televizionin Shqiptar, ku komunistët e organizatave bazë të partisë të atij instuticioni mjaft të rëndësishëm, kanë diskutuar ‘në frymën’ e asaj letre të Komitetit Qëndror, duke akuzuar mjaft ashpër kolegë të tyre dhe deri tek drejtuesit e Radio-Televizionit. Në pamje të parë, ajo çka bie në sy nga sa shkruhet në atë informacion, janë kritikat me akuzat ndaj disa emrave e personazheve nga më të njohurat e Radio-Televizionit Shqiptar, si: Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Shpresa Musliu, Zhaneta Petushi etj., e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë të atij institucioni.

Duket qartë se etiketimi që bëhet “për paaftësi”, ndaj emrave të tillë si; Keko, Gjata, Ndocaj apo dhe Bakiri, ka qenë tendencioz, pasi për hir të së vërtetës, duhet thënë se ata ishin dhe mbetën deri në fund, nga më profesionistët e Radio-Televizionit Shqiptar. Ndërsa regjizorja e njohur Vera Grabocka e cila kishte bërë emër të madh që në atë kohe me programet e saj, apo dhe kolegia, Shpresa Musliu, kanë akuza mjaft të rënda. Apo thënë më saktë, akuzat ndaj tyre në raport-informacionin e të deleguarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, duket qartë se janë të karakterit politik, pasi përhapja dhe ekspozimi i modës së huaj si dhe veshjeve që vinin nga jashtë, në rastin më të mirë konsideroheshin si “shfaqje të huaja”, por kur ato bëheshin me tendencë për të goditur persona të veçantë, në bazë të ligjeve të asaj kohe, quhej “agjitacion e propaganda” dhe kodi penal i asaj kohe, parashikonte; nga tre, deri në shtatë vjet heqje lirie!

Por akuzat më të rënda i janë bërë Agron Çobanit, një prej profesionistëve më të spikatur apo siç konsiderohej ndryshe (para dhe pas viteve ’90-të), si: ikonë e Radio-Televizionit Shqiptar, i cili akuzohet se ka ndërhyrë për të marrë në punë në RTSH dhe se i kishte nxjerrë shkollën e lartë, punonjëses Mirela Llakaj, vajzës së Veli Llakaj, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes të asaj kohe dhe njëkohësisht zëvëndës i parë i ministrit Kadri Hazbiu. Dhe gjithashtu “lidhja e tyre”, vazhdonte më tej, pasi dy tre persona të tjerë nga familja Çobani (Astriti, Petriti etj.), ish-ushtarëkë të lartë të diplomuar me rezultate të larta në shkollat dhe akademitë ushtarake të Bashkimin Sovjetik, shërbenin ende në Ushtri si oficerë madhorë, vartës të Kadri Hazbiut e Veli Llakaj!

Përveç kësaj, Agron Çobani akuzohet në atë raport edhe për favoret që u ka bërë dy punonjësve të tjera të Radio-Televizionit, (Teuta Meçaj e Siera Vaso), ku njëra prej tyre, ishte e motra e një drejtuesi të lartëtë Sigurimit të Shtetit në Tiranë, (vartës direkt i Feçorr Shehut), që mbulonte inteligjencën, pra dhe Radio-Televizionin. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Agron Çobani ishte vëllai i gruas së Feçor Shehut, ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, i cili vetëm dy tre muaj më vonë, në tetorin e atij viti, u arrestua së bashku me Kadri Hazbiun, duke u akuzuar si “pjestarë të grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu”.

Ndërsa Veli Llakaj i shpëtoi ndëshkimit vetëm me degradim, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu, pas një viti hetuesie dhe torturash, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim. Dhe në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve asokohe, duket qartazi se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe “kopsitur hollë”, deri me detaje që më parë, për të gjetur lidhjet e mundëshme të Agron Çobanit me Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun dhe Veli Llakajn! Këtë hipotezë apo më saktë deduksion llogjik, e përforcon edhe më tej fakti që në raport, i deleguari i Komitetit Qëndror, ku midis të tjerash sugjeron: “Të thërritet Agron Çobani dhe të thotë se përse ka ndërhyrë për vajzën e Veli Llakaj, etj.…”?!

Kështu, kritikat e akuzat që u bëheshin personave të sipërcituar, nuk ishin gjë tjetër, veçse një skenar i mirëmenduar dhe përgatitur nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, me në krye Enver Hoxhën, në kuadër të goditjes dhe eliminimit të Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Ziçishtit, Llambi Peçinit, etj., që u pushkatuan si pjestarë të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i kryesuar nga Mehmet Shehu”. Për më shumë na njeh dokumenti në fjalë që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i cili ashtu si pjesa më e madhe e materialeve arkivore publikohet i plotë dhe pa pasnjë ndryshim.

Informacioni i të deleguarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi mbledhjet e mbajtura në Radio Televizionin Shqiptar

INFORMACION I SEKTORIT TE EDUKIMIT NE KOMITETIN QENDROR TE PPSH PER KETE PROBLEM: FIGURA MORALE-POLITIKE E PUNONJËSEVE TE RADIO-TELEVIZIONIT

I n f o r m a c i o n

Më datën 5 dhe 8 korrik 1982, morra pjesë në dy mbledhje të organizatave bazë të partisë të Radio-Televizionit, në atë të Radios së brendëshme dhe të Televizionit, ku u diskutua për problemet që ngrihen në letrën e Komitetit Qëndror të Partisë, drejtuar organizatave bazë të Partisë; njëkohësisht u informova dhe për zhvillimin e mbledhjeve për këtë problem dhe në organizata të tjera të këtij institucioni.

Komunistët ishin njohur me përmbajtjen e letrës disa ditë më parë, mbledhjet ishin përgatitur në përgjithësi mirë, kish preokupacion nga komunistët, të cilët u solidarizuan me letrën dhe në diskutimet e tyre bënë përpjekje të kritikonin të metat e shfaqjet e huaja që vihen re në organizatat e tyre, në institucionin e Radio-Televizionit dhe jashtë tij.

Në tërësi në këtë mbledje u theksua se në Radio-televizion ekziston një gjëndje morale dhe politike e shëndoshë. Ka luftë e përpjekje për zbatimin e detyrave që ka shtruar Partia dhe është formua në një shkallë më të lartë unitei i kolektivit dhe i vetë organizatave bazë të partisë. Komunistët dhe kuadrot në përgjithësi kanë luftuar për pastëtinë e figurës moralo-politke të tyre.

Por nga diskutimet që u bënë nga komunistë në këtë mbledhje dalin dhe këto probleme:

Ka të meta dhe dobësi në punën që duhet bërë për të rritur rolin udhëheqës të organizatave bazë të Partisë. Të forcohet Kritika dhe autoktritika. Vumë re se brenda organizatës-bazë, komunistët zhvillojnë pak kritikë dhe autokritikë për njëri tjetrin, ka hezitime për të reflektuar ndaj të metave që vihen në dukj, ka justifkime.

LEXO EDHE:  Ilir Meta letër publike Edi Ramës/ Ja çfarë i kërkon

U shtua deyra që komunistët të bëjnë më shumë përpjekje e të jenë në rolin pararojë, duhet të luftojnë më shumë, që të rrisin cilësinë në krijmtari dhe në përgatitjen e emisioneve. U tërhoq vëmëndja dhe u bënë kritika në organizatën bazë të Partisë të Radios së brendëshme se dhënia llogari e kuadrove para masës, nuk bëhe si dhe sa duhet, në këtë drejtim mungon dhe shëmbulli personal i komunistëve.

Nuk punohet mirë në marrjen e kuadrove në të gjithë sektorët e Radio-Televizionit. Shqetësimi i komunisëve ishte se në Radio-Televizion vijnë mjaft kuadro me hatëre, me ndërhyrje. Kjo ka bërë që të futen në këtë institucion shokë dhe shoqe të paaftë për detyrën që kryejnë, këta përbëjnë rreth 40 veta.

Njëkohësisht vhet re, u tha në diskutimin e komunistëve, se ka shumë lidhje farefisnie: vëlla-vëlla, vëlla-motër, kushërinj, si dhe 27 çifte, këta përbëjnë 90 veta. Ekziston tendenca për të sjellë dikush nipin a mbesën, duke bërë presion, pasi i dinë vëndet vakante: ekziston dhe tendenca tjetër tek ata që dalin në pension për të prurë në Radio-Televizon, dikush vajzën dhe dikush djalin.

Liri Çeli, përgjegjëse e Redaksisë së Programacionit, tha se na sjellin kuadro në sektor dhe nuk na marrin asnjë mendim. Puna e kuadrit është mbyllur në “kullën” e drejtorit. U muarrën në punë tha ajo, Mirela Llakaj, e bija e Veli Llakaj, nuk u pyetëm. Mirela kishte dy muaj në punë dhe mori të drejtën nga Agron Çobani, për vazhdimin e shkollës, shumë të tjerëve nuk u jepet.

Në organizatën e Partisë të Radios së brendëshme u tha se kemi pasur ndërhyrje për vazhdmin e shkollës së lartë, për t’u dhënë të drejtë disa daktilografisteve etj., në një kohë që u është refuzuar kërkesa për t’u dhënë të drejtë studimi disa redaktorëve!

Në organizatën e Partisë të Televizionit, u kritikua marrja në punë e Teuta Meçaj e Siera Vaso, duke mos marrë më parë mendimin e pergjegjësve të sektorëve ku ato punojnë. Teuta Meçe, u tha, është motra e Vladimir Meçe, oficer në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të Tiranës, që mbulon Radio-Televizionin. Teuta ka ardhur nga Vlora, veprimin për marrje e saj në punë, e ka bërë Agron Çobani.

Në praktikën e punës së kuadrit vitet e fundit vihet re se nga ndërhyrjet e shumta merren kuadro nga rrethet e disa herë edhe nga rrethet e vogla, si Puka, Gramshi, etj., që kanë nevojë për kuadro. Gjatë tre vjetëve të fundit janë marrë nga rrethet 28 kuadro.

Komunistët kritikuan këtë praktikë, dke vënë në dukje edhe emra kuadrosh që janë marrë si; Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Leonard Gjata etj., që nuk janë sa duhet të aftë. Ndërhyrje të shumta ka pasur për të sjellë në Radio-Televizion Vilma Bletën, e shoqja e Maqo Bletës, e cila është laborante në Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha” dhe ka ardhur arkiviste, këtë lëvizje disa komunistë që diskutuan nuk e quajtën të drejtë.

Ndërhyrje ka pasur edhe për Arjan Bakirin, që ka mbaruar Fizkulturë, punon sot në Programacion, i paaftë etj.

Shoku Çajup Rusmajli, në diskutimin e tij tha se ka pasur shumë ndërhyrje, këto kanë ndikuar që të marrim njerëz të paaftë. Shoku Çajup dhe shoku Marash Hajati, nuk thanë se kush ka ndërhyrë.

Këta shokë ato ndërhyrje që i quajnë të padrejta të mos i pranonin, kjo thyrje e panevojëshme e tyre dëmton punën e Partisë në këtë institucion. Njëkohësisht mendoj që këtë të thirren e të thonë shokët që kush ka ndërhyrë padrejtësisht.

Duke lejuar shfaqjet e liberalizmit në punën me kuadrin ka hyrë në Radio-Televizion, Agim …., ardhur nga fshatrat e Tiranës, i cili ka vjedhur dhe maifestuar disa shfaqje të huaja. Komunistë kritikuan rendë mbajtjen e këtij personi në këtë institucion dhe për ardhje e tij në fillim thanë se është bërë me hatër!

Nga shumë duhe të ishte punuar për të përmirësuar përbërjen e kuadrit nga klasa punëtore, ndonëse në rradhët e punëtorëve në qëndra të ndryshme punë në rrethin e Tiranës, ka punëtorë me arsim të mesëm dhe të lartë, është punuar pak për t’i kërkuar këta, për t’i marrë në provë dhe më të përgatiturit, të tërhiqeshin në punë në këtë institucion.

Njëkohësisht duhet të bashkërendohet më mirë puna midis Radio-Televizionit e institucioneve të tjera për qarkullimin e mjaft kuadrove që punojnë për një kohë të gjatë në Radio-Televizion, pasi ka lindur nevoja e qarkullimit.

Përfundimisht mund të themi se është punuar keq si për qarkullimin e kuadrit dhe për zëvëndësimin gradual të kuadrove të paaftë me të aftë. Që nga Pleniumi i 8-të i Komitetit Qëndror, nuk ka lëvizur asnjë kuadër i paaftë.

Vërejtje u bë edhe për njerzit që ngarkohe me detyra jashtë shtetit, që të jenë nga më të aftit, të justifikojnë sa dhe si duhet detyrën e ngarkuar. Ka pasur në këtë drejtim persona që nuk e kanë justifkuar si duhet detyrën e ngarkuar. U bënë vërejtje që të shfrytëzihen sa më mirë materialet që janë filmuar nga grupet tona të xhirimit, e sidomos në Kosovë, jo sa duhet janë grumbulluar dhe sistemuar materialet e filmuara, ka nga ato që i kanë akoma operatorët.

Organizmi i punës nga drejtoria e përgjithëshme, drejtoritë vartëse e sektorët duhet të përsosen sa më mirë. Në këtë drejtm bënë vërejtje e kritika. Nuk shfrytëzohet sa duhet koha e punës, ka shfaqje të thyerjes së disiplinës. Kur dilet me shërbim, ndërtohet një orar pune tjetër, ka zvarritje. Puna ndërtohet më shumë në disa rrethe, për shëmbull, në Sarandë, tha një komunist, kemi shkuar më shumë.

Ndonjëherë disa shokë qëndrojnë në rrethe me dietë pa punë. Vërejtje u bënë edhe për shfrytëzimin më të drejtë të automjetevetë institucionit. Në diskutimin e saj, Liri Çeli, tha se: Shaqir Rexhvelaj për një koncert, niset me të gjithë mjetet ku dëshiron, ky përkrahet nga drejtoria.

Ngrihet problem se ka shpërdorime të pronës së përbashkët e deri në vjedhje etj. Janë vjedhur bobina, radio, magnetofonë, thanë diskutmin e tij Peçi Fiku, ka mos-organizim, lihen çelsat, hyn kushdo në programacion. Janë kapur dhe persona duke vjedhur, por nuk është marrë asnjë masë!

Ka pasur ankesa edhe nga personat e jashtëm kur vinë në Televizion për t’u regjistruar, u kanë humbur sende të ndryshme. Nuk janë vendosur rregulla të forta në materialet muzikore që riprodhohen. Kaseta të shumta vijnë në Radio për t’u mbushur me këngë të reja. Disa herë janë riprodhuar dhe janë shpërndraë kaseta me këngë greke.

Mjaft vërejtje u bënë për ruajtjen pastër të figurës morale të punonjësve të Radio-Televizionit. Ka pasur raste që operatorë dhe redaktorë kanë marrë material në ndërrmarrjet ku kanë përgatitur kronika. Operatori Sazan M…., ka marrë në fabrikën e llampave në Vlorë, disa llampa nenon, po mbushet një vit dhe drejtoria e ka lënë në heshtje.

Fenomene negative vihe re edhe në shfaqjen e modës së huaj në disa punonjës dhe kuadro, si dhe te disa bashkëpunëtorë të jashtëm. Te këta persona ka një mani, thanë në diskutimet e tyre disa komunistë, për të veshur rroba të jashtëme. Kjo u ka bërë që t’u kërkojnë dhe të tjerëve.

Shpresa Mysliu bën miqësi me një familje që ka njerëz në Greqi për të marrë plaçka dhe i reklamon mallrat e ardhura nga Greqia. Vera Grabocka ekspozon modën e fundit. Zhaneta P…, grimiere, ka gati dhjetë vjet që tërheq materiale nga Alb-importi të padokumentura, këto materiale pjesërisht i ka pëvetësuar e shpërdoruar.

Në kontrollin e fundit, i’u gjetën kampione të painventarizuara. Reklamon modën me këto sende të rralla. Pë të rregulluar flokët e saj, njëherë në javë harxhon 200 lekë nga Televizioni. Ndonëse kontrollet e bërë ndaj Zhaneta P…, e kanë konsiderur fajtore, nuk po merret asnjë masë!

Problemet e mësipërme tregojnë se organizata bazë e Patisë në Radio-Televizion, organizatat e masave, si dhe drejtoria duhet të zhvillojnë një luftë më konsekuente ndaj shfaqjeve të huaja të indiferentizmit e të liberalizmit. Atje u tha se ka heshtje, nuk luftohe sa duhet!

Në diskutime e disa komunistëve në Radion e brendëshme, u bënë disa vërejtje edhe për shokun Çajup Rusmali. Të jetë më i komunikueshëm me punonjësit, të mos bëj dallime etj., për të cilat, sekretari i organizatës bazë të Partisë, si dhe vetë shoku Çajup, tha se nuk qëndrojnë. Megjithatë, ne mendojmë nga që vërejtjet u bënë nga disa shokë, ka vënd edhe për autokritikë, për të krijuar një ambient afrimi e kërkesë llogarie më të mirë me vartësit.

Problemet që u ngritën, i biseduam me sekretarët e organizatave-bazë, t’i reflektojnë e t’i analizojnë thellë, duke nxjerrë detyra në mbledhjet për dhënie llogarie e zgjedhje që po i zhvillojnë gjatë kësaj jave.

12 korrik 1982

Leko Mako

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Me kamerdare drejt Korfuzit/ Historia e pabesueshme e 31-vjeçarit dhe dënimi nga regjimi

Publikuar

-

Nga

Ëndrra e shqiptarëve për t’u larguar nga Shqipëria i detyronte ata të përdornin çdo lloj mjeti të mundshëm që mund të gjenin. Një aventurë të pazakontë ndërmori edhe 31-vjeçari nga Himara Aleks Bala, i cili mendoi një ditë feste si data 29.11.1988, si çastin më të përshtatshëm për t’u larguar nga deti. Ai u nis nga gjiri i Llamanit, me mjetin lundrues në drejtim të Korfuzit, por u pikas nga forcat e kufirit kur ishte 1.3 milje larg. Megjithëse iu bë thirrje, u tregua i vendosur të vijonte lundrimin. U akuzua në bazë të neneve 47/gj, 31/1, 25 të Kodit Penal. Në arsyetimin e vendimit thuhej:

“Nga hetimi gjyqësor doli e provuar se i pandehuri Aleks Bala, qysh në vitin 1987, ka pas siguruar një kamerdare zetori të cilën e ka mbajtur të fshehur në banesën e tij. Më vonë, për punimin e mendimit të tij kriminal ka përgatitur dhe një copë dërrase në formën e bazamentit të një barke dhe pasi ka marrë të gjitha masat e nevojshme për formimin e një varke të thjeshtë të gomuar, ka vendosur të realizojë arratisjen jashtë shtetit me anën e detit për në Greqi”.

U theksua se rrezikshmëria e tij prekte “marrëdhënien shoqërore të një rëndësie të veçantë”, “për mbrojtjen e shtetit të diktaturës së proletariatit, të pavarësisë kombëtare, fuqinë mbrojtëse dhe sigurimin e jashtëm të Republikës sonë”. U quajt i pandehur me “rrezikshmëri të madhe shoqërore”.

LEXO EDHE:  Voltana Ademi letër ambasadorëve/ “Shoqatën e Bashkive po e marrin peng”

LEXO EDHE:  “Burg-burg-burg...”/ Edi Rama vuan nga sindroma e Ramiz Alisë

Në pretencën e tij prokurori, u tregua tejet i ashpër. Midis të tjerash deklaroi në këtë proces:

“Partia dhe shoku Enver vazhdimisht kanë treguar një kujdes të veçantë për edukimin e rinisë për të patur kurdoherë një rini të pastër moralisht e të brumosur me ideologjinë marksiste-leniniste. Por s’duhet të harrojmë na mëson partia se rinia ka qenë dhe mbetet gjithnjë objekti i veprimtarisë së të gjithë armiqve.



Armiqtë e brendshëm e të jashtëm bashkërendojnë veprimtarinë e tyre me anë të presionit të ideologjisë borgjezo-revizioniste, të helmatisin ndërgjegjen e rinisë.

Pre e këtij presioni të ideologjisë borgjeze e revizioniste është bërë dhe i pandehuri  Aleks Bala, i cili është karakterizuar në punë e shoqëri me sjellje e veprime që i kundërvihen moralit tonë komunist.

I pandehuri dhe pse ka kryer dhe më parë vepër penale dhe ishte duke kryer vuajtjen e dënimit, iu dha mundësia nga organet e drejtësisë të reflektonte dhe të riedukohej në gjirin e shoqërisë, të mos izolohej nga shoqëria e familja. Këtë ndihmesë, i pandehuri nuk e vlerësoi, por qëndroi konsekuent në rrugën e tij armiqësore i vendosur për ta realizuar”.

Gjykata Popullore e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.231, datë 5.12.1988, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 16 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore prej 5 vjetësh. Kamerdarja e zetorit dhe puntoja iu dorëzuan NPA Vlorë. Aleksi u lirua më 6.2.1991 si pasojë e ndryshimeve demokratike që ndodhën./Kujto.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Përcaktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë i mori jetën/ 98 vite nga vrasja e gjeneralit Italian

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Si sot, 98 vjet më parë, më 27 gusht 1923, në një pritë të mirëorganizuar, mbeti i vrarë gjenerali italian Enriko Telini, një ushtarak karriere dhe i dekoruar me një sërë medaljesh për kontributin e tij për Italinë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ajo që çoi në vrasjen e tij, është përcaktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Më 9 nëntor 1922 Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi Telinin për kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve. Vendimet e marra për përcaktimin e shumë zonave brenda kufirit shqiptar, në bazë të dëshmive të terrenit dhe atyre historike, ngjallën pakënaqësi në radhët e palës greke.

Situata e krijuar vijoi me atentatin ndaj Gjeneral Telinit dhe shoqëruesve që ndodheshin me të, çka solli dhe reagimin e Italisë. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për këtë rast vërtetoi se vrasja ishte organizuar nga vetë qeveria greke.

LEXO EDHE:  Ilir Meta letër publike Edi Ramës/ Ja çfarë i kërkon

LEXO EDHE:  Voltana Ademi letër ambasadorëve/ “Shoqatën e Bashkive po e marrin peng”



Shteti grek u ngarkua të paguante dhe një dëmshpërblim tejet të madh, bashkë me shpalljen fajtor për vrasjen.

Shteti shqiptar e nderoi veprën e gjeneral Telinit duke vendosur emrin e një rruge në kryeqytet dhe bustin e tij më 1933. Më pas Telini u nderua edhe me një shtatore e cila u punua nga mjeshtri Odhise Paskali. Shtatorja u përurua më 27 gusht 1941, siç na njofton Qarkorja e Kryeministrisë që po vendosim bashkëngjitur.

Në fotografinë e tretë paraqesim shtatoren e Gjeneral Telinit, dhe në imazhin e fundit vërtetimin e marrjes në dorëzim të shtatores nga Bashkia e Tiranës.

LEXO TE PLOTE

Histori

Pas një atentati në Selanik / 88 vite më parë ndërroi jetë në Selanik, Hasan Prishtina

Publikuar

-

Nga

88 vite më parë, Hasan Prishtina, ndërroi jetë pas një atentati. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ka risjellë në vëmendje, jetën dhe veprimtarinë e Prishtinës.

Hasan Prishtina lindi në Vushtri të Kosovës më 1873. Kreu Gjimnazin Francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës osmane “Mylkije” në Stamboll.

Ishte tri herë deputet në parlamentin osman. Bashkë me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913 ishte ndër organizatorët e kryengritjes kundërserbe të shtatorit, kurse më 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Më 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar dhe u ngarkua nga Këshilli i Lartë për të ndërtuar qeverinë më 7 dhjetor 1921.

Në periudhën 1922-23 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, kurse më 1924, teksa udhëhiqte lëvizjen e armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit në Shqipëri.

U kthye në Tiranë më 1924, por u largua më 1925, për të jetuar në mërgim, deri në vdekje. Gjatë gjithë jetës punoi e luftoi për Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë, duke kundërshtuar fort dhe hapur qoftë politikat serbe, qoftë qëndrimet miqësore të Ahmet Zogut me Serbinë.



Më 1931, bashkë me organizatën “Bashkimi Kombëtar”, mori pjesë në organizimin e atentatit kundër A. Zogut në Vjenë.

LEXO EDHE:  Greva e 27 punëtorëve në Ballsh/ Kryemadhi letër urgjente Belinda Ballukut dhe Prokurorit të Përgjithshëm

LEXO EDHE:  Fundi i Metës njësoj si i Ramiz Alisë, u mbyll me protestën e 2 korrikut!

Kurse vetë H. Prishtinës iu bënë katër atentate, u burgos dy herë, dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (një herë nga xhonturqit, një herë nga Esad Pashë Toptani, një herë nga qeveria serbe dhe tri herë nga Ahmet Zogu).

Atentati i fundit iu krye më 14 gusht 1933 në Selanik të Greqisë. Dorasi ishte Ibrahim Çelo, i cili pohoi para policisë se vrasjen e kreu për një shumë parash, të cilën viktima nuk ia dha.

Në gazetat lokale vrasja u konsiderua si “sherr mes shqiptarësh”, por në shtypin perëndimor u aludua për larje hesapesh mes armiqve të vjetër, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës.

Pas atentatit, Hasan Prishtina u varros në varrezat e Selanikut, nga ku u soll në Shqipëri më 1977, për t’u rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Kukësit, vendndodhja më e afërt gjeografike me vendlindjen e tij. Fotografitë që sjellim këtu ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, dhe paraqesin ceremonialin shtetëror të rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës më 6 dhjetor 1977.

Eshtrat e patriotit të shquar ekspozohen në shtrat topi në Sheshin Skënderbej, transportohen në Kukës, ku kryhet ceremonia zyrtare e nderimit me fjalime dhe homazhe dhe, më pas, vendosen në banesën e deritanishme./CNA.al

LEXO TE PLOTE