LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Arratiset ish-drejtori i Shërbimit Sekret i Maqedonisë

23 Shkurt 2021, 11:55, Kosova & Bota CNA
Arratiset ish-drejtori i Shërbimit Sekret i Maqedonisë

Autoritetet maqedonase thonë se janë në kërkim të ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, Sasho Mijallkov, pasi i njëjti nuk është gjetur në asnjë nga dy adresat e banimit. Ndaj tij, ka një urdhër për arrest shtëpiak, për veprën ?përgjim të paligjshëm?, në rastin gjyqësor të njohur si ?Target Fortesa?.

Vendimi për arrest shtëpiak u mor nga një gjykatë, me kohëzgjatje deri të premten, më 26 shkurt, kur gjykata duhet të shqiptojë vendimin përfundimtar për këtë rast. Nga policia thanë për Radion Evropa e Lirë se janë duke marrë masa dhe po kryejnë aktivitete për ta gjetur Mijallkovin, teksa njoftojnë se për të është lëshuar urdhër-arrest kombëtar.

Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse Ministria e Punëve të Brendshme do të lëshojë urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin, nga kjo ministri thanë se ?pasi deri më tani, pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve, personi në fjalë nuk është gjetur do ta njoftojmë gjykatën dhe nga e cila do të kërkojmë që të shqiptohet masa për urdhër-arrest ndërkombëtar?. Ndërkohë, nga Gjykata Penale sqarojnë se masa e arrestit shtëpiak u shqiptua pasditen e së dielës, me kërkesën e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion.

Gjykata Penale sqaron se alarmi që Sasho Mijallkov mund të arratiset është dhënë nga Byroja për Siguri Publike, ndërsa gjykata më pas ka lëshuar masa për sigurim të pranisë, por policia nuk ka mundur ta gjejë të pandehurin në adresat që ai ka paraqitur se ku jeton. Të hënën, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se është i dëshpëruar për mosgjetjen e Mijallkovit, në kohën, siç është shprehur ai ?kur populli kërkon drejtësi, ndodh edhe një arrati?.

Zaev ka hedhur poshtë edhe mundësinë se ekziston një marrëveshje me ish-drejtorin e Policisë sekrete, Mijallkov.

?Absolutisht nuk ka asnjë marrëveshje politike?, tha Zaev.

Kryeministri maqedonas, fajin për zhdukjen e Mijallkovit e ka hedhur te mosveprimi i institucioneve.

?Unë edhe njëherë theksoj, edhe atë me shumë përgjegjësi dhe ashpër nga të gjitha institucionet, për shkak se pres përgjegjësi për rastin e tillë, aty ku duhet të bëhet zbatimi i vetë ligjit?, theksoi Zaev.

Ndërkaq, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, pasi siç ka thënë, ?mafia ka shtetin e saj? në vend. Ndërkaq, Qebir Avziu ish-zyrtar i lartë i policisë, aktualisht ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, tha për REL se prokuroria është vonuar me kërkesën për arrest shtëpiak. Kjo sipas tij, pasi ky institucion ka qenë në dijeni se Mijallkov ka ndikim të madh dhe lehtësisht mund të bëhet i pakapshëm nga organet e drejtësisë.

?Prokurori publik është përgjegjës në këtë rast, pasi e ka ditur që procedura penale zhvillohet ndaj një personi i cili ka ndikim të madh në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe në vend se të kërkojë një masë më të ashpër, masë më të rëndë, siç është paraburgimi, ai ka kërkuar një masë më të lehtë, siç është marrja e pasaportës dhe tani dalin pasojat e këtij vendimi?, thotë Avziu.

Lubomir Gjurcinovski, ish-zyrtar i lartë i MBP-së, njëherësh njohës i fushës së sigurisë, thotë se nga përgjegjësia nuk duhet të amnistohet prokuroria, policia dhe gjykatat.

?Nëse gjykatat do të kishin një qasje të sinqertë për gjithë këtë proces, që në fillim do ta njoftonin policinë për ta dërguar personin në fjalë në vendin ku i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, ku do të vendoseshin forca të sigurisë dhe jo të krijohej një hapësirë prej 48 orëve nga e premtja deri të dielën në orën 15:00, për t?iu mundësuar personit në fjalë (Sasho Mijallkovit) që të organizohet dhe ta lëshojë shtetin?, thotë Gjurcinovski.

Në bazë të akuzës për rastin e njohur si ?Target- Fortesa?, Sasho Mijallkov gjatë kohës që ka qenë në krye të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, përmes tri sistemeve, në mënyrë të paligjshme ka përgjuar mbi 4.000 numra të telefonit, pa pasur një vendim gjyqësor për përgjime të tilla. Kjo lëndë është ngritur nga Prokuroria Speciale më 22 dhjetor të vitit 2017 ndaj ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, pas publikimit ashtu quajturave ?bomba? nga lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, aktualisht kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në shkurt të 2015, ku kishte njoftuar se në mënyrë të paligjshme janë përgjuar mbi 20.000 qytetarë nga strukturat e policisë sekrete. Zaev kishte thënë se në mesin e personave që ishin përgjuar kishte politikanë, afaristë, gazetarë, etj.

Vendimi përfundimtar për këtë rast pritet të merret më 26 shkurt. Ndryshe, edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski (ne mes, Sasho Mijallkov majtas) u arratis më 12 nëntor, 2018 për në Budapest të Hungarisë, vetëm dy ditë para afatit kur duhej të paraqitej për ta vuajtur dënimin me burg, nën akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /REL/

Lajmet e fundit nga