Aktualitet
Mjeku Prifti në pranga/ Manastirliu: Le të flasë drejtësia, na bën nder të gjithëve

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar mbrëmjen e sotme për arrestimin e mjekut kardiolog Edvin Prifti, i cili akuzohet për korrupsion.
Manastirliu kërkoi të vihet në vend drejtësia, ndërsa për akuzat se çështja e tij është politizuar nuk preferoi të flasë.
Ajo deklaroi në Dritare Tv se qytetarët duhet të denoncojnë kudo qoftë, në media, emisione investigative, pranë drejtorive të spitalit, apo edhe te ajo personalisht, pasi theksoi se do t’i ndjekin si raste.
“Nuk e di a u politizua si rast çështja e mjekut Edvin Prifti. Unë në politikë por mbi të gjitha në krahun politik që jam, si përfaqësuese e Partisë Socialiste, ne e kemi thënë që në fillim dhe nuk i lëvizim asaj që kemi thënë: ne besojmë në Reformën në Drejtësi, ne besojmë te drejtësia e drejtë. Dhe kur drejtësia të flasë, patjetër do të flasim dhe ne. Dhe nuk besoj që as komentet në studiot televizive mbi raste që ende duhet të flasë drejtësia, duhet të komentohen.
Kështu që, le të flasë drejtësia, dhe besoj se kjo i bën nder të gjithëve. I bën nder sistemit, na bën nder ne, dhe e kam thënë gjithmonë, janë lajme të mira kur një qytetar denoncon. Kudo qoftë, në media, emisione investigative, të denoncojë pranë drejtorive të spitalit, te unë personalisht, ne i ndjekim dhe do t’i ndjekim. Sepse vërtet del një rast, si denoncim në një emision investigativ, por janë me dhjetëra raste që ne i kemi ndjekur.
Madje janë të shumta rastet që janë iniciuar nga ne në Policinë e Shtetit, Prokurori, për t’u ndjekur dhe për të dalë e vërteta. Për t’u eliminuar dhe për t’u hequr një herë e përgjithmonë këta çebanë nga sistemi shëndetësor. Dhe këtu duhet bashkëpunim me qytetarët. Ne jemi një me qytetarët, dhe si të tillë duhet të angazhohemi për të pastruar dhe forcuar sistemin shëndetësor. Ndërkohë që jemi duke transformuar sistemin tonë shëndetësor, me investime, me modele të reja dhe me atë çfarë ne jemi duke bërë sot dhe do të bëjmë edhe në mandatin e tretë“, nënvizoi ministrja./ CNA.al