Shëndeti
Covid-19 shtrihet tek moshat e reja/ Epidemiologu apel qytetarëve: Virusi ka të panjohura

Rritja e numrit të infektimeve, por edhe prekja e moshës së re me Covid-19 në vend ka shtuar shqetësimin në popullatë. Epidemiologu Artan Simaku tha për Euronews Albania se gjatë ditëve të fundit vihet re një shtim i rasteve të infektuara me Covid-19 tek moshat e reja.
“Ka një trend në ulje të moshës së prekjes nga Covid-19. Kjo është një nga arsyet pse u bë mësimi online në këto mosha. Virusi ka të panjohura dhe trendi është me rritjen e incidencës në këto mosha”, tha Simaku.
Mjeku tha se virusi mbart shumë të panjohura, ndaj kërkoi nga qytetarët të respektojnë masat kundër Covid-19.
“Kujdesi duhet maksimal dhe është gjëja që ne kemi në dorë. Masa më e rëndësishme është respektimi i rregullave të thjeshta”, shtoi ai.
Ai u ndal edhe tek një shqetësim tjetër, që është ngritur nga një pjesë e qytetarëve sa i takon dyshimeve për riinfektim me Covid-19. Mjeku Simaku thotë se një rast mund të quhet i riinfektuar nëse plotësohen të paktën tri kritere.
“Çështja e riinfektimit është një çështje akoma e paqartë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë komunitetin shkencor. Nuk jemi të sigurt nëse janë riinfektime apo jo, por dyshohet se janë riinfektime. Terminologjia më e saktë është se dyshohet për riinfektim. Që nja rast të quhet riinfektim duhet të plotësojë tri kushte kryesore; ekzaminimi si herën e parë duhet të jetë kryer nga tamponi, personi të jetë negativizuar nga bërja e tamponit të parë dhe të ketë kaluar një periudhë kohe rreth 90 ditë, këto janë tri kriteret kryesore, që një rast të quhet riinfektim”, tha Simaku.
Mjeku epidemiolog i tha gazetares Loneta Progni se në Shqipëri dyshohet për 20 raste riinfektimi.
“Të dyshuar për riinfektimet janë rreth 20 raste. Ne kemi dërguar mostrat në laboratorin e referencës dhe presim rezultatet”, shtoi Simaku./CNA.al