Blog
Pse disa njerëz besojnë se mund t’i dëgjojnë të vdekurit

Nga Adam J.Powell&Peter Moseley “The Conversation”
Ishte një natë e zymtë e tetorit 1841. Edhe pse Liverpuli ishte në gjumë, zonja Bejts ishte zgjuar. Në këmbët e shtratit të saj, shkëlqente “vizioni i hapur” i shoqes së saj Elizabet Morgan “që qëndron me pamjen e saj të plotë, e veshur me rroba të bukura dhe të bardha”. Vizioni vezullues zgjati për “një kohë të konsiderueshme” para se të zhdukej.
Kur zbardhi dita tjetër, dhe pas një gjumi të rënduar, zonja Bejts njoftohet nga një lajmëtar që Elizabet Morgan kishte vdekur. Për shekuj me radhë,njerëzit kanë raportuar përvoja drithëruese shpirtërore të jashtëzakonshme. Ashtu si zonja Bejts, ata që pretendojnë se kanë komunikuar me të vdekurit janë tallur nga disa,por janë respektuar nga të tjerë. Studimi ynë i fundit, ka zbuluar se mediumet, mistikët dhe psikikët janë më të prirur drejt disa tipareve haluçinogjene sesa popullata në përgjithësi, gjë që i bën ata të besojnë se komunikojnë vërtet me të vdekurit.
Përvoja e dëgjimit të zërave, është shumë më e zakonshme sesa mund të beson. Disa studime kanë vlerësuar se rreth 50 për qind e njerëzve dëgjojnë zërin e të dashurit të tyre të ndjerë gjatë periudhave të zisë. Gjithashtu, studimi ynë ka treguar se disa të krishterë, e dëgjojnë herë pas here Zotin si një zë dëgjimor të drejtpërdrejtë me të cilin mund të bashkohen. Pretendimi mbi aftësinë për të folur me të vdekurit, shoqërohet me besimet mbi atë që quhet “spiritualizëm”, një lëvizje gati fetare e bazuar në idenë se individët vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas vdekjes së trupave të tyre fizikë.
“Shpirtrat” e tyre mund të shfaqen ose të komunikojnë me persona të gjallë, shpesh të quajtur për shekuj me radhë “mediume”.Spiritualizmi mund të gjurmohet që nga motrat Megi dhe Kejt Foks, që në vitin 1848 pretenduan se dëgjonin një shpirt që trokiste në muret e shtëpisë së tyre në NjuJork.
Nga Artur Konan Dojl tek Kardashianët, mundësia e ndërmjetësimit shpirtëror ka pasur shumë tundim dhe joshje. Në fakt, Unioni Kombëtar i Spiritualistëve (SNU), një nga disa organizatat e sotme spiritualiste në Britani, ka mbi 11 mijë anëtarë.
Por çfarë ndodh në të vërtetë kur njerëzit pretendojnë të dëgjojnë zëra që ata mendojnë se i përkasin shpirtrave të të vdekurve?Studimi ynë i ri mbi përvoja të tilla, ka zbuluar se njerëzit që kishin më shumë të ngjarë të përjetonin “thithje” – një tendencë për t’u përhumbur në imazhet mendore apo gjendje të ndryshuara të ndërgjegjes – kishin gjithashtu më shumë të ngjarë të përjetonin “clairaudience”, pra tinguj të pazakontë.
Por kjo nuk shpjegon se pse ata i identifikojnë këto zëra me shpirtrat e të vdekurve, gjë që përbën parimin thelbësor të spiritualizmit. Gati 75 për qind e atyre që anketuam, thanë se nuk dinin asgjë mbi spiritualizmin apo besimet e tij, para se të kishin përvojat e tyre personale në këtë fushë.
Kjo sugjeron se për shumë njerëz, ndjesia e të folurit me shpirtrat i paraprinte dukurisë së“clairaudience”.Disa studiues argumentojnë se mediumet e cilësojnë dëgjimin e zërave në spiritualizëm, si një mënyrë për të shpjeguar halucinacionet e tyre dëgjimore.
Kërkimet e shumta në këtë fushë, sugjerojnë që dëshirat emocionale luajnë një rol kryesor në fenomene të tilla. Gjithashtu,ky studim tregon kur një individ ndihet melankolik dhe i dëshpëruar për një manifestim të mbinatyrshmes, ai shpesh do të përjetontenjë përvojë shpirtërore menjëherë pas kësaj.
Por, hulumtime të mëtejshme kanë treguar se praktika spiritualiste nuk bëhet domosdoshmërisht e përsosur – të paktën jo pa një tendencë para-ekzistuese drejt aktiviteteve gjithëpërfshirëse mendore. Për mediumet, kjo do të thotë se nuk është e mjaftueshme“dëshira e zjarrtë dhe të mësuarit”. ”Clairaudience” mund të kërkojë një prirje unike për dëgjimin e zërit.
Besimet spiritualiste duket të jenë relativisht të padëmshme, megjithëse studiuesit janë gjithnjë e më të interesuar mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet midis “clairaudience”dhe disa formave të tjera të dëgjimit të zërit, si ato që përjetojnë njerëzit që jetojnë me sëmundje të ndryshme mendore. Për shembull, individët me psikoza gjithashtu dëgjojnë shpesh zëra. Duke krahasuar zëra të tillë me “clairaudience”e raportuar nga mediumet, studiuesit kanë filluar të identifikojnë ndryshime të rëndësishme, që e dallojnë “clairaudience” nga përvojat e njerëzve që jetojnë me psikoza.
Për shembull, mediumet kanë tendencën të ushtrojnë më shumë kontroll mbi zërat e tyre, dhe ata raportojnë shumë pak shqetësime që e shoqërojnë këtë përvojë. Nëse kthehemi pas në Liverpulin e vitit 1841, zonja Bejts “u gëzua me vizionin” e shoqes së saj në fund të shtratit, ndërsa burri i Elizabet Morgan thuhet se kishte marrë “ngushëllim në luginën e pikëllimit” kur mësoi për këtë vizion.
Dëgjimi i të vdekurit nuk është domosdoshmërisht një shenjë e ndonjë të mete mendore, apo posedim nga një qenie e mbinatyrshme. Por për mediumet, mund të jetë një burim ngushëllimi, një cilësi e thjeshtë e mënyrës se si ata e përjetojnë realitetin./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://theconversation.com/why-some-people-believe-they-can-hear-the-dead-153407