LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

INSTAT/ Në 2020-n humbën jetën 27.6 mijë persona, rreth 5,700 më shumë se vitin e mëparshëm

19 Shkurt 2021, 09:05, Sociale CNA
INSTAT/ Në 2020-n humbën jetën 27.6 mijë persona, rreth

Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të vdekshmërisë në vend, sipas të dhënave që janë publikuar sot nga INSTAT.

Në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%. Në total, 5,668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli rekord i jetëve të humbura në vend, që prej vitit 1990, kur INSTAT publikon të dhënat.

Shifra e raportuar nga INSTAT është rreth 300 persona më e ulët sesa ajo e deklaruar nga Drejtoria e Gjendjes Civilie, burimi i parë i të dhënave, sipas të cilit vdekjet në 2020-n ishte rreth 28 mijë persona.
Në raport me mesataren pesëvjeçare 2015-2019, rritja e vdekshmërisë është e ngjashme, me rreth 21%.

Ndryshe nga 6 mujori i parë, ku vdekshmëria në vend ishte me rritje të lehtë prej 4% (INSTAT ka rishikuar lehtë në rritje shifrat edhe për 6 mujorin e parë, pasi i raporti fillimisht me rënie) dhe kishte një sjellje të ngjashme me vitet e kaluara, mbarimi i karantinës në maj dhe përhapja e koronavirusit nga qershori shtuan rastet e fataliteteve në vend.

Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë (nga 1300 që ishte raportimi i mëparshëm) , me rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në të katërtin, pasojat e pandemisë kanë qenë fatale. Gjithsej u regjistruan 9,397 vdekje, me një rritje prej 73%, ose gati 4 mijë jetë të humbura më shumë se tetor-dhjetor i vitit 2019.

Që prej vitit 2009, mesatarisht në vend, humbjet e jetës janë luhatur mes 21-22 mijë në vit, me kulmet që deri tani ishin arritur në vitin 2015 dhe 2017, që përkojnë me periudha gripale më të rënda. Tremujori i parë ka qenë tradicionalisht me më shumë humbje jete, teksa moti i ftohtë ul imunitetin kryesisht të të moshuarve.

Por 2020-a ka sjellë një përmbysje të tendencave shumëvjeçare për shkak të ndikimit që ka dhënë pandemia në rritjen e vdekshmërisë në vend. Kjo ka ndodhur në të gjithë botën, ku krahasimet me mesataren e pesë viteve të fundit kanë treguar për një nivel të lartë të vdekjeve shtesë, që i është dedikuar pasojave fatale të shkaktuara nga Covid-19.

Sipas rretheve, rritja më e lartë është regjistruar në Tiranë, por në raport me popullsinë, qarku me vdekje rekord ka rezultuar Gjirokastra. Në të gjitha qarqet në vend është shënuar një rritje e ndjeshme e fataliteteve./Monitor

Lajmet e fundit nga