Connect with Us

Mbyllja e doganës së Kapshticës zhyt në krizë me dhjetëra biznese dhe familje në Korçë

Ekonomi

Mbyllja e doganës së Kapshticës zhyt në krizë me dhjetëra biznese dhe familje në Korçë

Publikuar

-

Kufizimi i qarkullimit në doganën e Kapshticës për shkak të masave ndaj pandemisë së COVID-19 ka prekur nga punëtorët sezonalë e deri tek biznesmenët – të cilët luftojnë prej muajsh për mbijetesë.

Mijëra familje në qarkun e Korçës e kanë mbështetur ekonominë e tyre te punësimi sezonal në Greqi. Pranverën e kaluar kur Greqia kërkoi punëtorë sezonalë, vetëm në bashkinë e Devollit u regjistruan 1500 persona. Për shkak masave ndaj COVID-19 dhe kostove të shtuara, shumë të tjerë nuk mundën të shkojnë në vendin fqinj për të punuar.

Klement Zaçe nga fshati Zvezdë është një prej tyre. Ai dhe familja e tij prej 4 personash nuk kanë të ardhura të tjera veç një ndihme ekonomike minimale prej 4800 lekësh në muaj. Të ardhurat për të jetuar, Zaçe i siguronte nga puna si bujk në Greqi.

“Punoja gati tre muaj dhe siguroja bukën e gjithë vitit për gruan dhe 2 fëmijët,” thotë ai.

Përpara pandemisë, Zaçe punonte në vjeljen e pjeshkëve apo ullinjve, por këtë vit ai nuk pati para për të plotësuar dokumentet dhe paguar biletën e shtrenjtuar të udhëtimit.

“Mua më duheshin 200 euro rruga, tampon e ndonjë shpenzim tjetër dokumentesh që pa u nisur nga shtëpia. Nuk shkova dot,” thotë i revoltuar ai.

Punëtorët sezonalë nuk janë të vetmit që kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 i la pa punë. Bizneset që ndodhen afër pikave kufitare, dhjetëra taksixhinj, shitës ambulantë, kantina, lokale dhe hotele gjenden prej muajsh në telashe.

Lëvizja e kufizuar dhe më pas mbyllja e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës ka shkaktuar ulje të të ardhurave në buxhetin e shtetit si dhe rënie të ndjeshme në ekonominë e rajonit të Korçës, duke prekur biznesin dhe individët.

“Të ardhurat personale nga emigracioni sezonal në Devoll janë në një masë të konsiderueshme. Mbyllja e Kapshticës ka shkaktuar ndikim tek familjet dhe biznesi i zonës,” pranoi kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro.
Miliona të humbura
Të martën e 9 shkurtit, vetëm një kamion e kaloi traun e doganës së Kapshticës nga Greqia drejt Shqipërisë, pas orësh të tëra pritjeje. Dogana që zakonisht është e zhurmshme nga lëvizjet e njerëzve në dy anët e kufirit, prej gati një viti është thuajse e shkretë.

Të vetmit që vërtiten aty rrotull janë “banorët” e përhershëm; disa taksixhinj që qëndrojnë në afërsi të zyrave të kompanive te sigurimit dhe shkëmbejnë ndonjë fjalë me punonjësit e tyre.

Pika kufitare, nyja kryesore lidhëse për rajonin e Korçës me shtetin grek u mbyll thuajse plotësisht prej 20 nëntorit të vitit të kaluar. Autoritetet greke njoftuan se mbyllja erdhi si masë parandaluese për shkak të situatës së rënduar të COVID 19, ndërsa deklaruan se nuk mund të kalonin as udhëtarët dhe as mjetet e transportit të mallrave.

Në 7 dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet greke i dhanë zgjidhje të njëanshme mbylljes duke lejuar vetëm hyrjen nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për mallrat dhe këmbësorët, ndërsa në dalje situata mbeti e njëjtë.

Kufizimi i importit dhe eksportit përgjatë këtyre muajve shkaktoi një rënie të vlerës së produktit vendas, por edhe ulje të punësimit në sektorët e lidhur direkt apo indirekt me tregun e huaj.

Të dhënat nga siguruara nga BIRN nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për të ardhurat e munguara nga kjo pikë doganore tregojnë se në krahasim me vitin 2019, të ardhurat e doganës së Kapshticës ranë me 246 milionë lekë. Totali i të ardhurave nga dogana në vitin 2019 ishte 3,3 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2020 u mblodhën pak më shumë se 3 miliardë lekë.

Taksa, akciza, dhe TVSH si treguesit kryesorë të të ardhurave në doganë shënuan ulje edhe në fillim të vitit 2021, ndërsa të ardhurat nga renta minerare ranë në zero në fillim të këtij viti.

Veç qindra miliona lekëve më pak në të ardhurat doganore në këtë pikë, ekonomia e bizneseve dhe individëve që varen nga lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve në doganë u dëmtua gjithashtu. Një pjesë e bizneseve u detyruan të gjejnë rrugë alternative për të vazhduar punën e tyre, edhe pse kjo u ka shkaktuar kosto shtesë.

LEXO EDHE:  Italia drejt stabilizimit/ Ulet ndjeshëm numri i viktimave në 24 orët e fundit

Mesatarisht për çdo kamion që transporton mallrat përmes pikës doganore të Kakavijës llogaritet 600-800 euro kosto shtesë, ndërsa përmes Gjevgjelisë në Maqedoninë e Veriut 200-400 euro kosto shtesë. Pavarësisht se janë përpjekur të reduktojnë transportin e mallrave, kompanitë në qarkun e Korçës flasin për mijëra euro humbje.

“Në këtë fabrikë që bëhet përpunimi i lëndës drusore dhe prodhimi i paletave në Drithas të Maliqit janë të paktën 120 të punësuar dhe vetëm unë si biznes, nga nëntori në janar llogaris mbi 60 mijë euro humbje vetëm nga transporti,” thotë biznesmeni Festim Lami.

Ai tregon se ka humbje të mëdha edhe nga porositë, të cilat tashmë është i detyruar që t’i refuzojë për t’i transportuar.

“Për shkak të këtyre vështirësive, shifra e humbjes] është shumë më e lartë,” thotë Lami.

Biznesmeni shton gjithashtu se efekti i humbjeve është zinxhir dhe përveç Korçës, mbërrin deri tek bizneset e Elbasanit. Efektin domino të vështirësive me të cilat përballen tregjet si pasojë e pandemisë, në Korçë e kanë ndjerë edhe biznesi fason. Ulja e porosive nga punëdhënësit grekë dhe rritja e kostove përkthehet në humbje të vendit të punës për dhjetëra gra të zonës.

“Kanë shkurtuar të paktën 20 gra nga firma ku punoj unë, por edhe disa që punonin tek firma të tjera. Nuk na del tha pronari, se greku nuk na jep shumë porosi dhe kamionat nuk i dërgojmë dot se shtohet kostoja. Edhe ne me frikë se mos na shkurtojnë jemi,” thotë Lindita, punonjëse e një biznesi fason në Korçë. Ajo shtoi se fillimisht janë shkurtuar punonjëset më me pak eksperiencë.

Bizneset e vogla në krizë

Në fillim të shkurtit, autoritetet e Policisë Greke njoftuan shtyrjen e afatit të Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës deri më 22 shkurt, si pasojë e masave të marra nga qeveria për frenimin e pandemisë së COVID-19.

Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria nëpërmjet kësaj pike kalimi vijon të jetë e mbyllur, ndërsa në kahun e kundërt, lëvizjet lejohen për këmbësorët dhe kamionët e tonazhit të rëndë. Autobusët, taksitë apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve nuk lejohen të kalojnë në asnjë krah.

Vendimi i vendit fqinj u pasua me kosto të shtuara për udhëtarët, të cilët hyjnë në Greqi përmes Kakavijës apo Maqedonisë së Veriut, duke paguar çmimin e dyfishuar të biletave të autobusëve dhe taksive, ndërsa këta të fundit thonë se është e pamundur që të mbanin të njëjtin nivel çmimi për shkak të kostove të shtuara.

“Janë disa faktorë që kanë ndikuar, ndërsa fitimet tona janë ulur në limite,” thotë menaxheri i një linje autobusësh. Të detyruar për të gjetur zgjidhje për udhëtarët, autobusët lëvizin tani nga Maqedonia e Veriut.

Për shkak se lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve, kompania detyrohet që për një grup udhëtarësh të vendosë në dispozicion dy autobusë.

“Edhe për ata që vijnë nga Greqia, përsëri një autobus i sjell deri në kufirin andej, kalojnë si këmbësorë dhe autobusi tjetër i pret këtej, që janë përsëri kosto,” thotë ai.

Edhe operatorët turistikë dhe biznesi i hotelerisë vazhdojnë të përballen me probleme.

“Nuk janë bërë udhëtime fare dhe u bë një kohë e gjatë dhe për fushën tonë nuk ka alternativa të ndërmjetme,” ankohet Esmerald Xhafa, pronar i një hoteli.

Ai tregon se në hotele nuk ka më as udhëtarë që u duhej të kalonin natën aty ndërsa kalonin kufirin apo udhëtonin për arsye pune.

Rënien e lëvizjeve e kanë ndjerë më shumë shitësit ambulantë në afërsi të doganës.

“Vetëm një paketë dhe një shishe ujë kam shitur sot,” thotë njëri prej tyre, ndërsa shton se më parë nxirrte një rrogë mujore nga kjo punë, ndërsa tani qëndrojnë hapur vetëm për të mos e humbur punën.

“Nuk ka këmbë njeriu,”thotë Astriti, një taksixhi që vazhdon të qëndrojë në afërsi të doganës. “Rrimë ngrohemi në diell bashkë me taksitë dhe ikim të paguajmë taksat pastaj, se këto na i do shteti, por që të negociojë me grekun as që kujtohet,” përfundoi ai./BIRN

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Mbijetesa e klubeve të natës

Publikuar

-

Nga

Edhe para Covid-19, klubet e natës ishin në vështirësi. Pandemia i ka detyruar të luftojnë për mbijetesë, shkruan The Economist

Në kohë normale, është jashtëzakonisht e vështirë të hysh në Berghain, një klub nate tekno në Berlinin Lindor. Por në shtator, ky vend hapi dyert: çdokush mund të hynte, jo për të kërcyer, por për të inspektuar punën e 115 artistëve të Berlinit. Organizatorët u përpoqën të rikrijonin atmosferën misterioze të klubit.

Mbi kamerat telefonike të vizitorëve u vendosën stikera. Rojet e sigurimit, tashmë të punësuar sërish, qëndronin në vend me një pamje të vrazhdë, duke e bërë atmosferën edhe më autentike. Vizitorët nuk kishin mundësi të orientoheshin as nga shenjat informuese mbi veprat e artit.

Motivi ishte i thjeshtë. Si një klub nate, vendi duhej të mbyllej si pjesë e masave që synonin të kufizonin përhapjen e Covid-19. Por si një galeri, ai mund të rihapej (megjithëse duhej të mbyllej përsëri në nëntor). Ky nuk është klubi i vetëm që ka gjetur një mënyrë krijuese për të siguruar jetesën gjatë pandemisë. KitKatClub, një nga vendet më të frekuentuara të qytetit, po jep me qira hapësirën e jashtme për një firmë që ofron teste Covid-19.

Ashtu si restorantet, kinematë dhe hotelet, klubet e natës kanë vuajtur nga pandemia. Sars-cov-2, virusi që shkakton Covid-19, lulëzon në hapësira me ajrosje të dobët dhe përhapet më lehtë në afërsi dhe kur njerëzit marrin frymë rëndë – siç ndodh në sallat e kërcimit.

Të shtunave në mbrëmje

Edhe para se qeveritë të fillonin të mbyllnin industrinë e hotelerisë, klubet e natës u identifikuan si një vektor jashtëzakonisht serioz i infeksionit. Në maj, qeveria e Koresë së Jugut i këshilloi ata të mbyllen për një muaj, pasi gjurmuan një numër rastesh në klubet homoseksuale në Seul. Kur klubet lejoheshin të hapeshin, ata bënin çmos për të operuar në mënyrë të sigurt. Por restorantet, kinematë dhe teatrot mund të funksionojnë me gjysmën e vendeve, ndërsa klubet e natës me distancim social nuk kanë shumë kuptim.

Pyetjet që janë ngritur për shkak të Covid-19 për të gjitha industritë e hotelerisë dhe ato sociale, janë: së pari, nëse është e mundur të mbahen të bllokuara për një periudhë aq të gjatë, derisa bota t’i rikthehet normalitetit; dhe së dyti, nëse ky normalitet do t’i përfshijë këto industri. Për restorantet që mund të kryejnë dërgesa në shtëpi, mbijetesa deri në ringjallje duket e mundur. Kinematë po lulëzonin kur goditi pandemia; ato mund të shpresojnë që energjia të rikthehet më pas.

Por për klubet nuk është e njëjta gjë. Në vendet e pasura, pandemia mund të kalojë shpejt – por popullatat tashmë po plakeshin dhe klubet po vuanin. Në vendet e varfra, klubet e natës ishin më të suksesshme para se të përhapej pandemia. Por kthimi në normalitet mund të zgjasë shumë më tepër: Afrika mund të mos arrijë imunitetin në masë deri në vitin 2024. Nëse sallat e kërcimit do të presin një përsëritje të epokës së artë të viteve njëzet, klubet kudo duhet të përqafojnë inovacionin.

Në dekadën para pandemisë, numri i klubeve të natës u tkurr me 21% në Britani dhe 10% në Amerikë dhe Gjermani, sipas IBISWorld, një firmë për hulumtimin e tregut. Në qytetet e mëdha, rënia ka qenë veçanërisht e mprehtë. Londra ka humbur rreth gjysmën e klubeve në dekadën e kaluar. Janë hapur klube të reja, por jo në numër të mjaftueshëm për të kompensuar rënien.

Qiratë janë rritur dhe numri i vizitorëve ka rënë. Në Britani, ndryshimet e ligjeve të licencimit në vitin 2005, i kanë lejuar pub-et dhe baret të qëndrojnë të hapura më vonë, duke garuar me klubet e natës. Që nga viti 2006, shumica e shteteve gjermane gjithashtu kanë zgjatur orët e hapjes. Ndërkohë, në vendet e pasura, të rinjtë po pinë më pak alkool. Ka më të ngjarë që ata t’i takojnë partnerët nëpër aplikacione online, sesa në bare. Në Britani, 5% e 20-vjeçarëve thonë se u takuan me partnerët e tyre në një lokal; për moshat mbi 50 vjeç, kjo shifër është 20%. Dhe ndërkohë që rrjetet sociale kanë mundësuar kontakte të rregullta mes miqve, ideja e kalimit të një mbrëmjeje në një klub nate, nuk është më aq tërheqëse sa më parë.

Disa nga mënyrat se si klubet janë përgjigjur ndaj krizës, i kanë përkeqësuar gjërat. Në një përpjekje për të kompensuar ndikimin e rënies së pjesëmarrjes, shumë prej tyre rritën çmimet e biletave dhe pijeve, gjë që i ka bërë edhe më pak popullorë. Dhe kur bëhet fjalë për muzikë, ata mezi po arrijnë të qëndrojnë në linjë me trendet më të fundit. Ndërkohë që njerëzit po dëgjojnë gjithnjë e më shumë lista të personalizuara këngësh muzikore, përpilimi i një grupi këngësh të përshtatshme për qindra njerëz në sallën e kërcimit, është bërë më i vështirë.

Klubet nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë normalisht, derisa shumica e njerëzve të vaksinohen. Ata që përqendrohen në audienca të këndshme, por entuziaste, dhe që tërheqin yje ndërkombëtarë, do të lulëzojnë kur dashamirësit e festave të lejohen të dalin lirisht në rrugë. Por për një klub nate të zakonshëm, me listat e lodhura muzikore dhe çmimet e larta të pijeve, një kthim në status quo ante nuk do të jetë i mjaftueshëm.

Ritmi vazhdon

Në një kohë kur popullsia në vendet e pasura po plaket, pulsi i industrisë së klubeve të natës është zhvendosur në qytete të mëdha në botën në zhvillim, ku njerëzit janë më të rinj, pjesa e popullsisë me të ardhura të mira po rritej deri në ardhjen e pandemisë, dhe ligjet e licencimit janë më pak të rrepta – ose të paktën zbatohen në mënyrë më pak rigoroze. Qytete si Nairobi po kthehen në pika të nxehta për DJ të mëdhenj. Ashtu siç entuziastët e festave të çmendura shkonin në Berlin në vitet 1990, tani shkojnë në San Paulo dhe Marrakesh.

Netët me DJ të famshëm kanë tërhequr njerëz nga i gjithë Brazili deri në Campinas, qytetin e tretë më të madh në shtetin San Paulo. Nata LGBT në Caos, një klub në një depo të vjetër në një nga pronat industriale të qytetit, është një nga më të mëdhatë në një rajon kryesisht konservator. Në Nairobi, janë hapur klube të reja, pasi numri i të rinjve me para është rritur. Në shumicën e lagjeve, është ndërtuar nga një apartament i ri apo zyrë dhe gjithashtu nga një klub nate, thotë Jeannette Musembi nga grupi Bars Keny.

LEXO EDHE:  Situata në spitalet Covid/ Shtretërit në Infektiv drejt ezaurimit

LEXO EDHE:  Situata në spitalet Covid/ Shtretërit në Infektiv drejt ezaurimit

Ndryshe nga homologët e tyre në botën e pasur, klubet në vendet në zhvillim nuk janë detyruar që të mbyllen nga qeveritë – megjithëse mund t’u kërkohet të shtojnë masa të tilla si distancimi social dhe kontrollet e temperaturës. Caos po operon me kapacitet 20%, me grupe prej gjashtë personash të ulur me maska rreth tavolinave. Klubi po korrte fitime të mira, para se të godiste Covid-19, megjithëse u hap vetëm tre ose katër herë në muaj. Tani, ai hapet pesë ditë në javë, në një përpjekje për të qëndruar popullor.

Një shtetrrethim në Kenia i ka detyruar klubet të mbyllen në orën 22:00. Për të qëndruar në biznes, shumë prej tyre kanë filluar të hapen gjatë ditës: megjithëse atmosfera nuk është e njëjta dhe sallat e kërcimit janë kryesisht të zbrazëta, por të paktën klubet fitojnë pak para në këtë mënyrë. Por janë të pamjaftueshme. Mungesa e ndonjë mbështetjeje qeveritare do të thotë se klubet kanë qenë gjithashtu të detyruar të pushojnë stafin e tyre. “Tani ka pak ose aspak buxhet për argëtim, dhe shumica e dashamirësve të festave preferojnë të pinë në shtëpi dhe të shmangin policinë”, thotë zonja Musembi.

Një burim i vazhdueshëm të ardhurash është i dobishëm gjatë një krize ekonomike. Por kjo është e lidhur me arsyen pse pandemia do të zgjasë më gjatë në botën në zhvillim: qeveritë janë më pak të gatshme dhe të afta për të vepruar. Në Brazil, për shembull, edhe kur një variant i ri ngjitës duket se po përhapet nga Manaus në rajonin verior të Amazonës, Jair Bolsonaro, presidenti populist i vendit, ka kundërshtuar masat bllokuese dhe është tallur se vaksinat Covid-19 mund t’i kthejnë njerëzit në krokodilë ose mund t’i bëjnë zonjat me mjekër.

Nëse klubet e natës në vendet në zhvillim arrijnë të mbijetojnë nga Covid-19, do të përballen me të njëjtat presione që ushtrohen aktualisht ndaj homologëve të tyre në vendet e pasura. Për të mbijetuar, duhet të mundësojnë të njëjtat lloje akomodimesh: gjetjen e vendeve të reja, më formale; ndërtimin e marrëdhënieve më të mira me banorët lokalë, shpesh duke bërë më pak zhurmë; dhe të bindin autoritetet se janë një burim i dobishëm i vendeve të punës dhe një mënyrë për të mbajtur qendrat e qyteteve më të sigurta gjatë natës.

Skena e klubeve në San Paulo dhe qytete të ngjashme, është e madhe, por joformale, si ajo e Berlinit gjatë periudhës së lulëzimit në vitet 1990. Hapësira për klube ishte e lehtë për t’u gjendur në kryeqytetin gjerman pas rënies së Murit, kur një e treta e ndërtesave në lindje të qytetit ishte bosh. Depot dhe bankat e braktisura shpejt u kthyen në ndërtesa për klubet e natës.

Por me rritjen e prosperitetit, vende të tilla u pakësuan. Një nga klubet më të njohura në San Paulo, Fabriketa, është ngritur në një fabrikë të madhe tekstilesh në qendër të qytetit, që ishte lënë e papërdorur. Në Nos Trilhos, një vend i hapur që dikur njihej si varreza e trenave të qytetit, DJ vendosën sistemet e zërit në karrocat e ndryshkura, ndërsa frekuentuesit e klubeve kërcenin nëpër shinat e hekurudhës.

Pronarët japin shpesh me qira hapësira të tilla për klubet, sepse është një mënyrë më e lehtë për të fituar para. Por ata gjithashtu nuk ngurrojnë t’i heqin qafe qiramarrësit e tyre, sapo shohin shenjën e parë të telashit. Ndërkohë që San Paulo popullohet më tepër me banesa, klubet po rivalizohen nga fqinjë të rinj.

“Qyteti po rritet aq shpejt saqë vendet me zhurmë po bëhen problem”, thotë Guga Trevisani, një producent dhe agjent muzikor me qendër në qytet. Pas ankesave, vijnë kontrollet e policisë dhe mbylljet. Dhe qiratë vazhdojnë të rriten. Shkalla mujore e qirasë në San Paulo u rrit nga 5,000 realë (950 $) në vitin 2015, në 30,000 realë (5,600 $) në fillim të vitit 2020. Kjo e bën të ardhmen e klubeve të pasigurt.

Kështu krijohet një mospërputhshmëri, ku nga njëra anë kemi njerëz që duan të argëtohen me zhurmë dhe nga ana tjetër, njerëz që po përpiqen të flenë. (Edhe në Ibiza, kryeqytetin e klubeve të Europës që nga vitet 1980, tre të katërtat e banorëve ende thonë se janë kundër turizmit të natës.) Në nëntor 2019, katër nga klubet më të mëdha në Nairobi, u urdhëruan të mbyllen nga qeveria lokale, pasi një grup banorësh loboi kundër tyre. Klubi i natës Space Lounge, postoi një tabelë: “Na vjen keq, jemi të mbyllur (por ende me mendje të hapur)”.

Në Europë, grupet lobuese të jetës së natës kanë arritur të bindin qeveritë se klubet janë të mira për qytetet, jo një shqetësim. Marrëdhëniet me proceset zyrtare janë përmirësuar shumë në Berlin në dy dekadat e fundit. Bastisjet e policisë, të cilat dëmtuan imazhin e klubeve të qytetit në vitet 1990, janë të rralla. Ankesat ndaj zhurmave shpesh janë pjesë e mosmarrëveshjeve më të hidhura. Qeveria e qytetit nisi një fond për izolimin e zhurmës me vlerë 1 milion euro (1.2 milionë dollarë) në vitin 2018, por në përgjithësi klubet tani thjesht paguajnë për izolimin e zërit.

Homologët e tyre në vendet në zhvillim ende përballen me skepticizëm – ose ndoshta indiferencë. Një fushatë para-pandemike për të shtuar jetën e natës së Nairobit, si aset për turizmin e Kenias, nuk arriti ndonjë sukses. Disa propozojnë që qendra e qytetit të mbahet gjallë jashtë orarit të punës. “Qytetet e zbrazëta nuk janë shumë të rehatshme për të jetuar”, thekson Lutz Leichsenring nga Komisioni i Klubit të Berlinit. “Nëse jeni duke qëndruar natën në një stacion autobusi bosh, nuk do të ndiheni shumë të sigurt”.

Theksimi i kontributit ekonomik të klubeve ndoshta do të jetë më i dobishëm. Ndërsa vendet dalin nga pandemia, qeveritë do të jenë të dëshpëruara për rritje nga çdo burim. Dhe siç tregon Mirik Milan, themeluesi i Planit Global të Rimëkëmbjes së Natës, një grup industrie që harton ide për rihapjen e ekonomisë: “Kur ka shumë njerëz që kërcejnë, ka edhe shumë njerëz që punojnë”./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Euro ishte monedha më e lirë për të marrë kredi edhe në 2020

Publikuar

-

Nga

Euro ishte monedha më e lirë për të marrë kredi edhe në 2020

Euro mbetet monedha më e lirë për të marrë kredi nga familjet shqiptare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2020 interesi mesatar i kredive të reja në euro për individët ishte 3.56%, në rënie të lehtë nga niveli mesatar prej 3.79% i vitit 2019.

Për lekun interesat mesatare ngelen më të larta dhe mesatarja e ponderuar e llogaritur nga Banka e Shqipërisë në segmentin e individëve për vitin 2020 ishte 6.54%. Edhe për lekun interesat pësuan një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2019, kur interesi në terma mesatarë kishte qenë 6.66%.

Hendeku i interesave mes euros dhe lekut në vitet e fundit është ngushtuar, megjithatë monedha europiane ngelet ende alternativa më e lirë në huamarrje. Kjo përcaktohet në radhë të parë nga politikat monetare. Për euron, norma bazë e interesit është në territor negativ dhe mbajtja e likuiditeteve të painvestuara përbën kosto për institucionet financiare.

Për lekun norma bazë e interesit është në nivelin minimal historik prej 0.5%, por nivel ky sidoqoftë më i lartë krahasuar me euron. Ndryshimi në normat bazë mes dy monedhave përcakton edhe ecurinë e treguesve benchmark (referues) në kredidhënie. Për euron treguesi benchmark është euribori, që aktualisht ndodhet në vlera negative (-0.5% për euriborin 12 mujor). Për lekun, treguesi referues është yield-i i bonove të thesarit, që aktualisht është ndjeshëm më i lartë dhe për bonot me maturim 12 mujor qëndron pak sipër nivelit të 2%.

Strategjia e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sektorit financiar ka tentuar të ekuilibrojë disi hendekun e normave të interesit mes dy monedhave, duke përcaktuar një normë të rezervës të detyrueshme më të ulët për lekun dhe më të lartë për euron. Gjithashtu, në rastet kur kredimarrësi ekspozohet ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (i ka të ardhurat në monedhë të ndryshme nga ajo që paguan kredinë), bankave iu kërkohet një mbulim më i lartë me kapital. Por megjithëse politikat rregullatore tentojnë të shtojnë kostot e kredisë në euro, ajo ngelet ende më e lirë.

LEXO EDHE:  “Kjo është e papranueshme”/ Mjeku tregon çfarë ndodh brenda spitaleve

LEXO EDHE:  Italia drejt stabilizimit/ Ulet ndjeshëm numri i viktimave në 24 orët e fundit

Në diferencën e normave të interesit ndikon shumë edhe profili i produkteve të kredisë për secilën monedhë. Kredia në euro merret nga individët sidomos me qëllim blerjen e banesave, ku normat e interesit janë ndjeshëm më të ulëta. Po të krahasojmë normat e interesit mes lekut dhe euros vetëm për kredinë për shtëpi, diferencat janë shumë më të vogla. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar interesi mesatar i kredive për shtëpi në lekë ishte 3.66%, ndërsa i atyre në euro 3.06%.

Leku ka një peshë dominuese në portofolin e kredive konsumatore, ku normat e interesit janë më të larta, duke qenë se këto kredi nuk sigurohen me kolateral. Pesha më e lartë e kredisë konsumatore bën që edhe interesi mesatar i kredisë për lekun të rritet.

Kredia në euro është më e lirë, por bart me vete rrezikun e kursit të këmbimit, në rastin kur huamarrësi i ka të ardhurat në lekë. Në vitet e fundit, kursi mes euros dhe lekut ka kaluar disa momente sporadike luhatjesh të forta. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka mjaftuar për ta stabilizuar kursin, luhatje si ajo e marsit të vitit të kaluar kur leku u nënçmua me reth 7% brenda pak javësh e bënë më të prekshëm rrezikun e kursit të këmbimit. Ky është një faktor që duhet llogaritur në zgjedhjen e monedhës së kredisë, sidomos për horizonte kohore afatgjata.

Megjithëse euro është monedhë më e lirë për të marrë kredi, çmimi nuk është faktori i vetëm përcaktues dhe në vitet e fundit kreditimi po orientohet më shumë drejt lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, 60% e kredisë së re vitin e kaluar u dha në lekë. Në fund të vitit 2020, pesha e kredisë në valutë zbriti në 50.4% të portofolit total, nga 51.5% që kishte qenë një vit më parë dhe 56.6% në fund të vitit 2018. /Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Numri i bareve dhe restoranteve që shitën online u trefishua më 2020

Publikuar

-

Nga

Shitjet online u revolucionarizuan gjatë pandemisë Covid-19, pasi masat kufizuese detyruan shumë biznese të operojnë në kushte jo të zakonshme.

Shumë prej tyre u përshtaten duke shfrytëzuar teknologjinë për të shitur produktet dhe shërbimet nga interneti.

INSTAT në një anketë të posaçme gjeti se, në vitin 2020, bizneset e bareve, restoranteve dhe akomodimit kishin shitjet më të mëdha online. Në vitin 2020 më shumë se 38 për qind e këtyre aktivitete realizuan shitje online në raport me 12.8 për qind në 2019. Përgjatë periudhës pandemike numri i bizneseve në sektorin e akomodimit, bareve dhe restoranteve që shiten nga interneti u trefishua.

Bizneset e sektorit të informacionit dhe komunikimit ishin të dytat për aktivitetin e lartë të shitjeve online, pasi 30 për qind e tyre kanë ofruar shërbimet në fjalë me 2020. Gjithsesi bizneset e TIK nuk u zgjeruan shumë në këtë drejtim pasi edhe më 2019, gati 28% e tyre shisnin produkte dhe shërbime online.

Rritja më të madhe të shitjeve në online në raport me 2019, pas sektorit të hoteleve dhe restoranteve e kishte tregtia. Gjatë vitit të kaluar 11 % e bizneseve në këtë sektor pohuan se kishin shitur online, me një dyfishim në raport me vitin 2019 ku vetëm 5% e tyre kishin shitur online.

Në shumicën e sektorëve numri i bizneseve që kanë shitur online është rritur në vitin 2020, përveç bizneseve në sektorin e transportit, pasurive të patundshme dhe ndërtimit ku shitjet nw internet kanë rënë në raport me vitin 2019.

Pandemia i dha hov të pazakontë ekonomisë digjitale në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri, hapa të cilët do të duheshin të ndërmerreshin për dekada në periudhë normale.

Ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal të cilët uhdhëhoqën një studim për avancimin e ekonomisë digjitale gjatë kohës së pandemisë verifikuan se, 54% shqiptarëve të anketuar treguan se ata kanë rritur blerjet në internet gjatë krizës. Nga këta, 74% besojnë se do të vazhdojnë të blejnë në internet më shpesh edhe kur pandemia do të ketë kaluar.

LEXO EDHE:  Italia drejt stabilizimit/ Ulet ndjeshëm numri i viktimave në 24 orët e fundit

LEXO EDHE:  Pandemia e koronavirusit, një mashtrim global i Kinës, i nxitur nga të fuqishmit

Tregjet online në Shqipëri karakterizohen nga shitjet e brendshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe dyqaneve lokale, përmes pagesave cash dhe blerjeve elektronike në platformat ndërkombëtare të tregtisë elektronike përmes pagesave me karta elektronike.

Nga të anketuarit shqiptarë që bëjnë blerje online, 67% theksojnë se përdorin rrjetet sociale për të blerë nga dyqanet vendase, ndërsa 61% deklarojnë se blejnë nga tregjet ndërkombëtare.

Tregtia online ndikon në rritjen ekonomike

Tregtia online zhvillon hapësira të reja për biznes. Një sërë sektorësh ndërlidhës shqiptarë dhe ndërkombëtarë ofrojnë shërbime për shpërndarjen ndërkombëtare të mallrave, duke rritur ofertat për punë të shërbimeve postare. Konsulentë juristë dhe të TIK-ut ofrojnë paketa të specializuara për të mbështetur kompanitë e tregtisë elektronike, për të ngritur biznesin e tyre.

Ata ndihmojmë sipërmarrësit të marrin vendime komplekse ligjore, teknike dhe strategjike, të nevojshme për të ndërtuar kanalet e tyre të shitjeve në internet. Po shfaqen ofrues të pagesave elektronike shqiptare, përfshirë paypay-n, me mundësi të reja pagese për klientët elektronikë dhe shitësit elektronikë shqiptarë. Në intervistat me kompanitë shqiptare të tregtisë elektronike, Banka Botërore ka gjetur se, ekonomia e madhe informale e Shqipërisë ishte një pengesë për zhvillimin e ekonomisë digjitale./Monitor

 

LEXO TE PLOTE