Connect with Us

Ja tek cilët njerëz kanë pasur efekte pozitive bllokimet e Covid-19

Blog

Ja tek cilët njerëz kanë pasur efekte pozitive bllokimet e Covid-19

Publikuar

-

Gati 1 vit pas fillimit të makthit të pandemisë, efektet negative të kufizimeve të vendosura për të na mbrojtur nga infektimi janë shumë të qarta:sidomos distancimi social dhe bllokimi, kanë pasur një ndikim të fortë në shëndetin tonë psikologjik, duke na bërë të ndihemi të trishtuar, të dëshpëruar dhe të rraskapitur.

Por fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur me të gjithë. Sipas dy studimeve, i pari i botuar në Plos One dhe i dyti në pritje të rishikimit, për disa njerëz karantina ishte qenë një mundësi për të ndërmarrë ndryshime pozitive në jetën e tyre. Në studimin e parë, më shumë se gjysma e 3.000 skocezëve që morën pjesë, raportuan se kishin ndryshuar për mirë jetën e tyre gjatë bllokimit të pranverës së kaluar:83 për qind mësuan që ta vlerësonin më shumë atë që më parë e konsideronin si të mirëqenë.

Gati 7 në 10 persona thanë (paradoksalisht) se kishin shëtitur më shumë në natyrë (kush e di nëse ndikon fakti që skocezët mund të dilnin jashtë një herë në ditë, pa kufirin e 200 metrave larg nga shtëpia); më shumë se 50 për qind e tyre raportuan se ata i ishin përkushtuar më shumë aktivitetit fizik, dhe kishin kaluar më shumë kohë me partnerin e tyre.

Këto rezultate, janë në përputhje me ato të studimit të dytë, të kryer tek mbi 1000 australianë, ku 70 për qind e pjesëmarrësve raportuan se kishin përfituar të paktën nga një bllokim. Në fakt, ata patën më shumë kohë për të kaluar me familjen, më shumë fleksibilitet në punë dhe në përgjithësi ishin më pak të zënë me punë.

Në të dyja rastet, ajo që del me një qartësi ekstreme është rëndësia e kohës:ndalimi i papritur i aktiviteteve normale për shkak të masave kufizuese të vendosura për të përballuar përhapjen e pandemisë, na detyroi të reflektojmë se sa shpejt po ikin jetët tona. Gjatë bllokimit kemi pasur më shumë kohë të lirë, ndonëse shpesh nuk mund ta kalonim si dhe ku do të dëshironim. Gjithsesi shumë orë shtesë ishin një dhuratë e rëndësishme për t’u shijuar me familjen e tyre, ose për t’u përdorur për aktivitete që ishin shtyrë vazhdimisht.

Sigurisht, jo të gjithë kanë qenë në gjendje të vërejnë efektet pozitive të ngadalësimit paksa të ritmit të jetës, dhe marrjes së kohës për veten e tyre. Sipas studimit skocez, gratë, të rinjtë, të martuarit ose ata që bashkëjetojnë, janë ata që kanë përfituar më shumë nga bllokimi, sidomos ata që nuk kishin probleme shëndetësore kronike dhe që kishin një punë të sigurt.

LEXO EDHE:  Paralajmëron Aleksandër Arvizu/ Nëse Trump merr një mandat të dytë, SHBA do dalë nga NATO

Ndërkohë, të moshuarit, ata që jetonin vetëm, të papunët apo ata që ose kishin probleme shëndetësore, u prekën shumë nga kufizimet e vendosura, për shkak të pamundësisë për të parë të dashurit e tyre. Studiuesit skocezë zhvilluan një studim tjetër, për të zbuluar se si pjesëmarrësit në studimin e parë, kishin vazhduar jetën e tyre pasi u zbutën kufizimet. Rezultoi se jo vetëm që gjysma e subjekteve të analizuara kishin qenë në gjendje të mbanin zakonet e mira të fituara gjatë bllokimit të parë, si ushtrimet fizike apo një gjumë më të mirë, por disa prej tyre i kishin përmirësuar ato.

Me pak fjalë, jo e gjithë e keqja vjen për keq. Por le ta pranojmë, që nëse gjatë bllokimit të parë ne ishim në gjendje të vlerësonim kënaqësinë e të mosbërit asgjë, tani ditët e kaluara para televizorit nuk janë më një luks i së dielës, por një imponim (i nevojshëm) që në shumicën e rasteve, fillon të rëndojë nga ana psikologjike./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.focus.it/scienza/salute/i-benefici-del-lockdown

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Vaksina ruse Sputnik, po nxit përçarje mes vendeve të Bashkimit Evropian

Publikuar

-

Nga

Nga Carlo Martuscelli &Laurenz Gehrke “Politico.eu”

Vaksina ruse kundër koronavirusit Sputnik V po përçan Evropën, ndonjëherë edhe para se aty të mbërrijë kjo vaksinë. Vaksina ruse, nuk është miratuar ende nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) – ku aktualisht është nën shqyrtim- dhe Komisioni Evropian thotë se blloku nuk do të ketë nevojë për të.
Gjithashtu nuk është e qartë nëse ajo do të arrijë në kohë për të sjellë ndonjë ndryshim të situatës në disa vende. E megjithatë kjo nuk i ka ndaluar një numër qeverish, që të shkëputen nga qasja e përbashkët e BE, për të nënshkruar marrëveshjet e tyre dypalëshe me Moskën.

Sputnik pretendoi suksesin e vet më të madh javën e kaluar, kur Gjermania, deri tani një kampione e qasjes së përbashkët të BE-së, njoftoi se do të niste bisedimet me Rusinë, për të siguruar dozat e vaksinës Sputnik V.

Në këtë mënyrë ajo ndjek shembullin e Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilat kanë porositur tashmë miliona doza të vaksinës ruse. Ndërkohë kancelari austriak Sebastian Kurz, konfirmoi se përfundoi bisedimet fundjavën e kaluar me palën ruse, për të blerë 1 milion doza të Sputnik V.

Ndërkohë qeveritë e tjera evropiane kanë shprehur një kundërshtim të prerë ndaj vaksinës ruse. Kritikët thonë se Moska po e përdor qëllimisht vaksinën e saj, për të mbjellë përçarje në Evropë. Kryeministrja lituaneze Ingrida Simonite, e cilësoi Sputnik V si një “armë hibride për të përçarë dhe sunduar”.
Vaksina po shkakton përçarje edhe brenda qeverive evropiane. Kryeministri çek Andrej Babis, është shumë i interesuar të përdorë vaksinën ruse. Aq sa qeveria e tij shkarkoi ministrat e saj të shëndetësisë dhe të jashtëm në ditët e fundit, vetëm për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj vaksinës ruse.

Qasja pozitive e disa vendeve ndaj Sputnik V, vjen në një kohë kur politikanët e BE-së kanë dhënë alarmin mbi veprimet e Moskës në fusha të tjera – siç është grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave në kufirin ukrainas – dhe trajtimin që po i bën Kremlini udhëheqësit të opozitës Aleksei Navalni, shëndeti i të cilit raportohet se po përkeqësohet me shpejtësi brenda në burg.

Ndërkaq, ekspertët e sigurisë së informacionit, paralajmërojnë se Moska po e përdor Sputnik V për të çuar përpara synimet më të gjera të Rusisë, së bashku me një fushatë të sofistikuar mediatike. Disa politikanë evropianë, thonë se sidomos vendimi i Gjermanisë për të blerë vaksinën ruse, rrezikon t’i shkaktojë dëme të mëdha unitetit evropian.

Deputetja gjermane e Partisë së Gjelbër Viola Von Kramon-Taubadel, që e ka kritikuar edhe më herët Sputnik V, e përshkroi lëvizjen e fundit të Gjermanisë si një “katastrofë gjeopolitike”, të cilën Kremlini po e përdor për të thelluar ndarjet në të gjithë bllokun evropian.

“Është vërtet shqetësuese që politikanët gjermanë janë dukshëm tepër naivë, për të mos e kuptuar se çfarë po ndodh”- tha Kramon-Taubadel, që është anëtare e komitetit të punëve të jashtme në Parlamentit Evropian. Ajo i përshkroi negociatat e Rusisë me një fuqi të madhe evropiane si Gjermania, si një “grusht shteti” propagandistik për presidentin rus Vladimir Putin.

Përhapja globale e Sputnik V, fitoi akoma më shumë hov të hënën kur enti rregullatori barnave në Indi, autorizoi përdorimin e kësaj vaksine në vend. Autoritetet ruse thonë se synojnë të prodhojnë mbi 850 milion doza të vaksinës në vit në Indi, pasi kanë arritur marrëveshje me disa nga prodhuesish kryesorë farmaceutikë në vend.

Ndërkohë, debatet mbi këtë vaksinë, kanë shkaktuar tashmë “viktima politike” në Evropë, siç po shihet edhe me kaosin politik në Republikën Çeke. Edhe më spektakolare janë zhvillime në Sllovakinë fqinje, qeveria e të cilës ra në mars pas vendimit të kryeministrit të atëhershëm Igor Matoviç për të blerë në mënyrë të njëanshme 2 milion doza të Sputnik V.

LEXO EDHE:  Covid-19 nuk njeh mëshirë/ Ndërron jetë ish-ushtaraku i lartë

LEXO EDHE:  Meta nuk përmbahet ndaj Gjonajt/ Duhet të ishte në burg, përgjigjen do e marrë në..

Kriza vazhdoi edhe pasi Matoviç tha dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë dhe mori postin e Ministrit të Financave. Enti kombëtar i ilaçeve, refuzoi të autorizojë përdorimin e vaksinave ruse që kanë mbërritur në vend, me arsyetimin se dozat në flakonë, ishin të ndryshme nga vaksina mbi të cilën ishte kryer studimi, që u botua më pas në revistën e njohur mjekësore britanike “The Lancet”.

Refuzimi e tërboi Matoviç, që të enjten e shkuar shkoi vetë në Moskë për ta diskutuar situatën me autoritetet ruse. Në një lëvizje të jashtëzakonshme, ai njoftoi se Sllovakia do të anashkalonte entin e saj të ilaçeve, dhe do të mbështetej mbi një laborator hungarez, për të kryer kontrollet e kërkuara mbi dërgesat e vaksinave.

Por përplasjet mbi Sputnik V nuk janë të kufizuara vetëm në Evropën Qendrore dhe Lindore. Politikanët në të gjithë kontinentin gjenden nën një presion të madh për të përshpejtuar fushatat e ngadalta të vaksinimeve, të cilat janë kritikuar gjerësisht nga media dhe opinioni publik. Në Spanjë, rajoni i Madridit, i drejtuar nga konservatorja Izabel Ajuso, u përpoq të merrte qindra mijëra doza të Sputnik V, por kjo lëvizje u cilësua si një sfidë e hapur ndaj qeverinë kombëtare të udhëhequr nga socialistët. Dhe në Gjermani, Bavaria lëvizi përpara Berlinit, duke njoftuar porositjen e vaksinës ruse.

Kryeministri i këtij landi, Markus Soder, u tha gazetarëve se Bavaria do të nënshkruante një marrëveshje të përkohshme për të blerë 2.5 milion doza të Sputnik V. Ndërkohë në Francë, Reno Myselje, presidenti i rajonit të Provancës, shkroi në Twitter të mërkurën se do të marrë 500 mijë milioni doza të vaksinës ruse.

Në Itali, presidenti i rajonit të Kampanjës, Vinçenzo De Luka, ka hyrë në një kurs përplasjeje me qeverinë kombëtare, për shkak të vendimit të tij për të nënshkruar një marrëveshje për gjysmë milioni doza të vaksinës ruse. Gjithsesi në të gjitha këto raste, citohet si i nevojshëm aprovimi paraprak nga EMA.

Në rastin e Gjermanisë, nuk është e qartë nëse dozat e vaksinës ruse do të mbërrijnë në kohë për të bërë diferencën. Duke pasur parasysh që dy vaksina të tjera, Novavax dhe CureVac, filluan rishikimin e tyre përpara Sputnik, dhe se EMA duhet të kryejë një kontroll të fabrikave ruse të vaksinës, ka të ngjarë që vaksina të aprovohet vetëm pasi shumica ose gati të gjithë evropianët të jenë vaksinuar tashmë.
Kjo është linja e ndjekur edhe nga Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Tieri Breton, që ka thënë se blloku “nuk kishte aspak nevojë” për Sputnik. Ai e përsëriti këtë qëndrim të premten e kaluar, duke thënë se “Sputnik V” është thjesht tepër vonë për “qëllimin tonë për të vaksinuar sa më shumë evropianë brenda verës”.

Duke iu referuar kaosit të shkaktuar në Sllovaki nga vaksina ruse, një diplomat i vjetër i BE, tha se “dashuria” e Berlinit ndaj vaksinës Sputnik kishte pak kuptim. “Por në politikë, në shumë raste, arsyeja nuk është një praktikë e zakonshme”- shtoi ai./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.politico.eu/article/russia-sputnik-coronavirus-vaçine-divisions-eu

LEXO TE PLOTE

Blog

Kur natyra thyen rekorde/ Nga reja më e ftohtë tek stuhia që zgjati 1 milion vjet

Publikuar

-

Nga

Natyra thyen rekorde gjatë gjithë kohës. Por ka ngjarje kaq unike saqë ato meritojnë që të listohen, si për shembull mjegulla që vrau mijëra njerëz në Londër, apo pas-lëkundjet e një tërmeti që e tronditën shtetin e Uashingtonit për një shekull me radhë.

Fari i Katatumbos, vendi më i goditur nga rrufetë në botë

Gjatë epokës koloniale, detarët mbështeteshin tek Fari i Katatumbos në Venezuelë për të gjetur rrugën e tyre. Pranë tij godasin çdo vit afro 1.2 milionë rrufe, duke e bërë atë rajonin më të elektrizuar në botë. Askush nuk e di arsyen e kësaj anomalie. Teoria kryesore thotë se rrufetë mund të tërhiqet nga depozitat e uraniumit dhe metanit në zonë, apo nga lagështia e madhe e ajrit.

Tymi nga zjarret e Australisë qëndroi mbi 6 muaj në atmosferë

Kur mbaroi sezoni i zjarreve vitin e kaluar, ky vend mori frymë i lehtësuar. Shkalla e zjarreve dhe dëmtimet rezultuan katastrofike. Ato kishin dërguar në atmosferë shumë më tepër tym. Ai rrethoi pjesën më të madhe të planetit dhe përhapja e tij zgjati 2 javë.

Reja më e ftohtë

Shkencëtarët zbuluan në vitin 2018 renë më të ftohtë të botës që po kalonte mbi Oqeanin Paqësor. Ajo ishte aq e ftohtë saqë satelitët normalë të motit nuk mund ta matnin dot temperaturën e saj. Një sensor me rreze infra të kuqe në bordin e satelitit NOAA, ia doli më në fund. Reja që ishte pjesë e një stuhie të fortë, e kishte temperaturën -111 gradë Celsius.

Pas-lëkundjet më të gjata

Në vitin 1872, një tërmet i madh tronditi shtetin e Uashingtonit në SHBA. Epiqendra nuk
u gjet kurrë dhe për dekada shkencëtarët pyesnin veten pse Entiat, një qytet në atë zonë, vazhdonte të përjetonte tërmete edhe pas ngjarjes së 1872.
Kishte kaluar mbi 1 shekull ndaj askush nuk mendoi se këto mund të ishin qindra pas-lëkundje. Kjo pikëpamje ndryshoi kur sizmologët filluan të gjurmonin lëkundje të ngjashme në gjithë botën që zgjatën më shumë sesa pritej.

Stuhia më e madhe në botë

Tajfuni Tip vlerësohet si stuhia më e madhe në botë. E krijuar mbi oqeanin Paqësor, ajo u shndërrua në një super tajfun. Me një diametër prej 2.220 kilometrash, ajo u bë zyrtarisht stuhia më e madhe e regjistruar në histori. Lajmi i mirë ishte se tajfuni e humbi një pjesë të fuqisë së tij përpara se të përplasej mbi Japoni më 19 tetor 1979. Gjithsesi, gati 90 njerëz humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën, dhe 20.000 shtëpi u shkatërruan nga stuhia.

E vërteta rreth stuhisë së rërës së Pekinit

Në fillim të2021-it erërat e forta morën me veten rërën nga shkretëtira e Gobit dhe e çuan nëpër Mongoli. Stuhia e madhe e rërës shkaktoi zhdukjen e 341 njerëzve dhe vdekjen e të paktën 6 prej tyre. Pastaj ajo mbërriti në kryeqytetin e Kinës, Pekin.

Stuhia e rërës i fshehu rrokaqiejt dhe e bëri qiellin ngjyrë portokalli. Por agjencitë e
lajmeve e kishin gabim. Ajo nuk ishte një stuhi rëre, por një stuhi pluhuri. Dallimi duket i parëndësishëm, por në realitet, situata ishte alarmante.
Pluhuri përbëhet nga copa më të vogla sesa rëra, dhe qëndron në ajër për më shumë kohë, dhe mund të thithet shumë më thellë në mushkëri. Ndaj, kur reja e pluhurit arriti në Pekin, ajo u përzje me nivelet e tmerrshme të ndotjes së ajrit të qytetit, duke e kthyer stuhinë në një mjegull të trashë toksike.

LEXO EDHE:  Killerat e Putinit/ Ja si agjentët rusë i eleminojnë armiqtë e Kremlinit

LEXO EDHE:  Covid-19 nuk njeh mëshirë/ Ndërron jetë ish-ushtaraku i lartë

E Diela e Zezë

Gjatë viteve 1930, komuniteti që jetonte përtej Pllajave të Mëdha në SHBA, ishte i njohur me ato që quheshin “stuhitë zeza”. Këto stuhi pluhuri ishin aq të dendura, sa që errësonin gjithçka përreth tyre. Por në vitin 1935, stuhia e 14 prillit i dha rajonit emrin e tij të famshëm, Pjata e Pluhurit.
E diela e zezë nisi si çdo ditë tjetër. Por më pas mbërriti një stuhi pluhuri mbi 1.609 km e gjatë. Ajo i bllokoi të gjitha dritat, përfshirë llambat e rrugës. Familjet e strehuara në shtëpi nuk mund ta shihnin as njëri-tjetrin edhe pse gjendeshin në të njëjtën dhomë.
Toka u shkatërrua, shumë kafshë vdiqën dhe një burrë u verbua. Njerëzit mbetën për orë të tëra të bllokuar brenda makinave të tyre. Qeveria federale u dha shumë ndihma banorëve. Por shumë prej tyre ishin të traumatizuar dhe u larguan nga zona.

Tornadot vdekjeprurëse

Në viti 1925, kur 12 tornado goditën 3 shtete të SHBA-së. Diametri i tornados më të madhe ishte më shumë se 1.6 km, ndërsa shpejtësia e erës i kaloi 113 kilometra në orë. Ato shkatërruan 425 km2 tokë dhe mbi 15.000 shtëpi. Numri total i viktimave ishte 695 persona.

Mjegulla vrasëse e Londrës

Londra është një vend që ka shpesh mjegull. Por në vitin 1952, ajo qëndroi pareshtur për 5 ditë rresht, duke sëmurur dhe shtruar në spital mbi 150.000 njerëz. Kombinimi me ndotjen nga tymi i qymyrgurit që qytetarët përdornin në shtëpi për ngrohje i mori jetën mbi 4 mijë njerëzve, ndërsa disa ekspertë flasin për 12 mijë të vdekur.

Stuhia që zgjati 1 milion vjet

Epoka Triasike mori fund rreth 233 milion vjet më parë. Gjatë asaj kohe, nisën reshjet e shiut që çuan më pas në një stuhi e cila do të zgjaste për 1 milionë vjet. Ajo përmbytje u bë e njohur si Episodi Karnian Pluvial (CPE). Një studim në vitin 2020, zbuloi se ajo stuhi u shkaktua nga ndryshimi i klimës dhe vullkanet gjigantë.

Reshjet e pareshtura të shiut vranë 1/3 e të gjitha specieve që jetonin në det. Ndërkohë, edhe në Tokë u zhdukën grupe të panumërta bimësh dhe kafshësh. Por studimi gjithashtu zbuloi se CPE e krijoi botën ashtu siç e njohim ne sot. Ndryshoi mjedisin aq shumë sa që u shfaqën specie të reja, duke përfshirë disa nga shkëmbinjtë e parë koralorë, zvarranikët, pemët dhe dinozaurët që do të sundonin tokën për 150 milion vitet e ardhshme./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://listverse.com/2021/04/11/10-times-natural-events-hit-the-record-books/

LEXO TE PLOTE

Blog

Stabiliteti i BE-së do t’i zhgënjejë sërish kritikët e saj

Publikuar

-

Nga

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Sa herë që Evropa goditet nga një krizë – qoftë e borxheve, refugjatëve apo e Covid-19 – profetët e katastrofave parashikojnë më të keqen për Bashkimin Evropian. Në kulmin e krizës së euros, shumë nga ata sugjeruan se monedha e përbashkët e unionit nuk do të arrinte të mbijetonte.

Unë vetë isha ndër ata që menduan se kriza e refugjatëve e vitin 2015, mund ta bënte Brukselin shumë të parëndësishëm në skenën globale. Shtypi britanik pro-Brexit, vazhdon të parashikojë thuajse çdo javë shembjen e BE-së. Pandemia e Covid-19, ka sjellë shpërthimin e një vale të re pesimizmi.
Ekonomisti amerikan Paul Krugman, analizoi kohët e fundit menaxhimin e pandemisë në vendet e BE, duke arritur në përfundimin:”Projekti Evropian është në telashe të mëdha!”.Ka pak dyshime se performanca e BE-së përballë Covid-19 ka qenë e dobët.

Por kjo nuk duhet të çojë në një dëshpërim melodramatik mbi të ardhmen e organizatës. Projekti Evropian ekziston prej rreth 70 vjetësh, që nga themelimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1951. Gjatë asaj kohe, ai u ka mbijetuar shumë krizave dhe plagëve të vetë-shkaktuara, dhe është më shumë se 4-fishuar në madhësinë e tij. Mos ndoshta ka ardhura koha ta pranojmë se është një organizatë mjaft elastike? Në fakt, nëse jeni duke kërkuar entitete politike që janë në “telashe të mëdha”, apo që janë të kërcënuar nga shpërbërja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë aktualisht kandidate më të besueshme sesa BE-ja.

Amerika sapo përjetoi një sulm mbi Kongres nga një turmë e zemëruar, dhe një nga dy partitë e saj të mëdha politike, ka ndërmarrë sulme periodike kundër demokracisë amerikane. Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të parandalojë ringjalljen e dhunës në Irlandën e Veriut, dhe nga ana tjetër të shmangë një referendum të dytë për pavarësi në Skoci, që nëse ndodh dhe ka sukses do të sillte humbjen e një të tretës së territorit të saj.

Krahasuar me këto, problemet e BE-së duken relativisht më të lehta. Megjithatë mosbesimi në lidhje me të ardhmen afatgjatë të BE-së është i vazhdueshëm. Ai mund të burojë pjesërisht nga natyra unike e kësaj organizate.

BE është të një organizatë ndërkombëtare që ka shumë nga karakteristikat e një shteti, përfshirë një monedhë, një parlament, një gjykatë të lartë dhe një bankë qendrore. Kjo natyrë hibride e BE-së i josh të huajt, të mësuar të merren me shtetet-kombe, që ta konsiderojnë BE-në si diçka të panatyrshme, apo edhe të deformuar, dhe për këtë arsye edhe një kandidate të dukshme për të përjetuar një vdekje të hershme, si një njeri që ka lindur me organet e trupit në vendin e gabuar.
Por në realitet, kërcënimi i një krize ekzistenciale që mund ta shkatërronte BE-në, tashmë po zbehet. Pas votimit të Britanisë së Madhe pro Brexit në vitin 2016, ekzistonte një rrezik i qartë që edhe vendet e tjera evropiane mund të largoheshin nga BE.

Në Francë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marin Lë Pen bëri fushatë pro Frexit; ndërsa Mateo Salvini në Itali, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Lega Nord, promovoi idenë se vendi i tij duhet të linte eurozonën. Por tani nacionalistët e Evropës e kanë ndryshuar ”muzikën” e tyre.
Ndërsa po përgatitet për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, Lë Pen e ka braktisur idenë e largimit të vendit nga BE, dhe ka premtuar ta mbajë Francën në eurozonë.
Politika e saj e re është të qëndrojë brenda BE-së, dhe të bëjë fushatë për një “Evropë të kombeve”.
Në Itali, Salvini po mbështet aktualisht një qeveri teknokrate dhe pro-BE të udhëhequr nga Mario Dragi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane. Lë Pen dhe Salvini nuk u bënë befas eurofilë emocionalë. Ata i lexojnë me kujdes sondazhet.

LEXO EDHE:  Ben Blushi: Incineratorët nuk janë gjë tjetër veçse një aferë korruptive

LEXO EDHE:  Topalli rrëfehet si asnjëherë më parë/ Tregon njeriun që ndikoi në jetën e saj

Dhe në Francë, ato sugjerojnë se një shumicë e madhe njerëzish e mbështesin qëndrimin brenda BE-së. Në Itali, në fillim të krizës së koronavirusit, kishte sondazhe që sugjeronin se më shumë se 40 për qind e italianëve donin largimin e vendit nga BE. Por që nga ajo kohë BE-ja ka miratuar një fond qindra miliarda euro të rimëkëmbjes nga Covid-19, një pjesë e mirë e të cilit do t’i jepet Italisë. Salvini e ka kuptuar se thirrjet për t’u larguar nga BE apo euro, nuk janë ato që dëshiron të dëgjojë elektorati.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që i pëlqen të tallet me Brukselin dhe liberalizmin, ndodhet në një pozitë të ngjashme. Ai e di që vendi i tij përfiton shumë nga fondet e BE, dhe qasja në tregun e përbashkët. Pavarësisht marrëdhënieve të tij të këqija me Brukselin, Orban nuk do të largohet nga BE.
Ai mund të jetë cinik, por nuk është budalla. Procesi i ndryshimit të qasjeve, zhvillohet në
të dyja drejtimet. BE është shumë e pakënaqur mbi drejtimin që kanë marrë gjërat në Hungari dhe Poloni, dhe i ka vënë që të dyja në shënjestër për shkak të problemeve me sundimin e ligjit.
Por nuk ka gjasa që asnjëra prej tyre të dëbohet nga BE. Një fitore e Marin Lë Pen vitin e ardhshëm, që është e mundshme, do të ishte gjithashtu një tronditje e madhe për Brukselit. Por, edhe nëse Frexit është jashtë “menysë”, BE do të merrte një goditje nëse do të fitonte Lë Pen.

Me kalimin e kohës, projekti evropian mund të bëhet gjithnjë e më i sigurt. Sondazhet tregojnë se të rinjtë janë më pro-BE sesa të moshuarit. Ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar po e favorizon BE-në. Me Kinën dhe Rusinë që duken si më kërcënuese se më parë, dhe më SHBA-në që duket si më pak e besueshme si partnere, për evropianët është duke u bërë më bindëse nevoja për të qëndruar të bashkuar.
Asnjëra nga këto nuk do të thotë se BE-ja mund të jetë e vetëkënaqur për të ardhmen e saj, ashtu siç Kina, SHBA-ja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk mund të supozojnë me shumë siguri se stabiliteti i tyre politik është i garantuar.

Gabim është të besosh se strukturat unike dhe shpesh konfuze politike të BE-së, e bëjnë atë veçanërisht të ndjeshme ndaj një kolapsi të mundshëm. Në realitet, BE-ja gjendet në një ekuilibër i kujdesshëm dhe në zhvillim midis pushtetit kombëtar dhe atij mbi-kombëtar, dhe midis teknokracisë dhe demokracisë. Dhe ky është një burim i qëndrueshmërisë dhe forcës, jo i dobësisë apo i brishtësisë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.ft.com/content/4e5cf2d3-9978-400a-b62f-2266dc86ce41

LEXO TE PLOTE