LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Agim Xhafka/ Kur Korça u bë me pishinë...Nuk fitova medalje,por fitova siguri!

8 Shkurt 2021, 08:54, Aktualitet CNA
Nga Agim Xhafka/ Kur Korça u bë me pishinë...Nuk fitova

Isha shtatë vjeç kur Korça u bë me pishinë. Nga që e kisha shtëpinë pranë shihja punimet çdo ditë. Endërroja sikur bëhesha notar dhe i fitoja gjithë garat. Ia tregoja gjyshes,ajo më qesëndiste:

-Po ti s?di not,si do bëhesh kampion?!

Në fakt më kishte çuar babai një herë në Pogradec,u llapashita atje,por kaq. Kur pishina u inagurua ishte ngrohtë dhe ditë e dielë me diell. Hyrja ishte falas. Shkova që në tetë. Pak fresk dhe hoqa veç tutat. U ula në një stol. Gjoksin diellit dhe ngjaja komik. Se isha në brekë (ku dinja atëhere rroba banje),në kanatiere dhe me çorape leshi. Ndenja ashtu deri sa u mbush pishina me njerëz e nga ora dhjetë kur dielli u nxeh shkova të provoja ujin nga ana e trampolinës. Thellësia qe 4 metër e mua më mbulonte tre herë. Veç sa do shihja ngrohtësinë e ujit se për t?u njomur do shkoja nga ana tjetër që ishte 1,4 metra e atje do tundja veç këmbët se duart do i mbaja te hekurat e shkallës.

Kur gjendesha poshtë trampolinës dikush më shtyu dhe rashë bëlldum te uji i ftohtë brisk,tek pjesa më e thellë e pishinës. Ndjeva dridhje sa preka ujin. Frika më zuri për gryke. Ankthi po më ngatërronte frymëmarrjen. Po zhytesha dhe gëlltisja ujë papushim. M?u kujtua gjyshja që më tha,kujdes se mos mbytesh. Nëna e babai sikur erdhën aty poshtë e po më thoshin,jepi,ngjitu,mos u tremb! Pashë vëllain që tallej e atëhere nisa të reagoj. Lart dukej dielli,u kapa pas rrezeve të tij e duke bërë lëvizje të dëshpëruara me duar e me këmbë arrita ta nxjerr kokën mbi ujë.

Por ca sekonda se pastaj pishina më tërhiqte poshtë. Atëhere nisa luftën. Ajo më merrte,unë i ikja. Në daljen e tretë mbi ujë pashë se isha pranë shkallëve. As dy metër larg. Ndaj qysh në zhytje nisja ngjitjen me synim shkallët. Dhe pas sforcimit të shtatë u kapa te hekuri. Sikur përqafova babain. Doja të qaja,por kudo rreth meje qeshnin. Askush nuk e pa që po mbytesha. Pandehnin se luaja kur dilja e fundosesha në atë thellësinë e zezë. Më erdhi çehrja. Mora guxim dhe u hodha vetë nga shkallët,por një metër më larg. Me duar dhe këmbë ia dola. Erdha sërish te shkallët. U hodha prapë,e prapë,e prapë. Deri sa u lodha e buza po më dridhej nga e ftohta.Dola hijerëndë si notar dhe pashë që një çorape ishte arratisur. Hoqa kanatieren,brekët i mbajta ashtu qull. Vesha tutat e vrap në shtëpi. Nuk arritën të më pyesin se kuptohej nga tutat pas,bythët qull. Babai ngriti dorën,unë i thashë plot gaz:

-Ba,mësova notin. Nuk gënjej. Më provo!
Heshtën të gjithë. Gjyshja u kujtua:
-Ndërroheni se do e çoni në spital!

Ajo ditë qe e dielë,qe qershor e kaq e kaq vite para,por qe ditë me shenjë. I mësova notin vetes. Nuk fitova medalje,por fitova siguri. Shumë siguri…

Lajmet e fundit nga