LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush janë dy kandidatët surprizë në qarkun e Korçës për zgjedhjet e 25 prillit

8 Shkurt 2021, 16:01, Politikë CNA
Kush janë dy kandidatët surprizë në qarkun e

Na ndajnë edhe vetëm 77 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Të gjitha partitë politike janë hedhur në aksion dhe përveç përzgjedhjes së kandidatëve, kanë nisur edhe fushatën elektorale.

Por këto zgjedhje, do ta gjejnë vendin tonë edhe me krijimin e disa partive të reja, siç është Lëvizja për Ndryshim e drejtuar nga Jozefina Topalli, Bindja Demokratike e drejtuar nga Astrit Patozi, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit. Por në këto zgjedhje do të marrë pjesë edhe Nisma Thurje, e cila ka përzgjedhur kandidatët e saj në disa qytete dhe LRE e Ardian Galdinit.

Këto dy të fundit, kanë përzgjedhur nga një kandidat edhe në qarkun e Korçës, të cilët janë edhe si surprizë në këto zgjedhje.
Nisma Thurje do të përfaqësohet nga Klajdi Pllaha, një banor i Korçës, i cili i rritur nga një familje intelektuale dhe me vështirësitë e hasura gjatë kohës së komunizmit dhe I diplomuar jashtë shtetit, po tenton të sjellë një frymë të re.

Në një prononcim për CNA.al, Pllaha shprehet se vendosmëria për të kandiduar me Nismën erdhi si pasojë e mos përfaqësimit në Parlament, duke shtuar se në shtatë vite si arsimtar ka dhënë shumë për qytetin e tij, Korçën.

?Po kam zgjedhur të kandidoj për Nismën Thurje pasi deri më sot, besoj si shumë të tjerë, nuk jam ndjerë i përfaqësuar në Parlament.
Unë vij nga një familje korçare, me origjinë nga Voskopoja, që gjatë viteve të mbrapshta të komunizmit u deklasua, përndoq e shpronësua vetëm sepse mbante disa vlera qytetare që diktatura u përpoq t?i shuante. Për fat të keq këto vlera shpesh u shpërfillën dhe në këto vite të gjatë tranzicioni. Prindërit e mi ishin mësues e unë u rrita me dashurinë për mësimdhënien. Mbase kjo ka qënë dhe arsyeja pse vendosa të ndiqja prirjet e mia në matematikë e t?i vija në përdorim në mësimdhënie. Studiova për matematikë në Bari, Itali dhe u ktheva prej andej në 2013 me një dëshirë të madhe për të jetuar në Korçë e për të dhënë sadopak kontributin tim në këtë qytet. Pasi mbarova studimet master në Universitetin e Tiranës u ktheva si mësues në një shkollë të mesme jopublike të qytetit ku dikur kam qënë nxënës dhe vetë. Për momentin po ndjek dhe një Master në Bankë dhe Sigurime.

Në këto shtatë vite si mësues besoj se kam dhënë një kontribut për këtë qytet por si mësues shoh se sa shumë të rinj vendosin çdo vit të largohen nga ky qytet?, tha Pllaha.

Kandidati i Nismës Thurje thekson se shpresa e të rinjve po shuhet dita ditës dhe zhgënjimi nga klasa e sotme politike është i madh.

Prandaj në një mesazh Pllaha u bën thirrje qytetarëve të Korçës që të dalin të votojnë në 25 prill për të rrëzuar këtë klasë politike dhe për tu rikthyer besimin përmes Nismës Thurje.

?Si qytetar shoh se çdo ditë sesi qytetaria nëpërkëmbet e nuk merret në konsideratë në vendimmarrjet vendore apo qendrore. Si i ri shoh sesi shpresa po vdes dita ditës tek të rinjtë. Për këto e për shumë arsye të tjera mendoj se Nisma Thurje mund të jetë një shpresë për shoqërinë shqiptare duke sjellë në politikë ide të reja, njerëz të rinj e një frymë të re të të bërit politikë.

Besoj se qytetarët e Korçës dhe gjithë qarkut që deri tani janë ndjerë të papërfaqësuar e të zhgënjyer nga kjo klasë politike që politikën e lidh vetëm me interesat personale e kujtohet për votuesit vetëm në fushata, do më mbështesin jo vetëm mua po dhe ekipin e të rinjve që kandidon nën logon e Nisma Thurje.

Një nga nismat e para që Nisma Thurje do ndërmarrë sapo të përfaqësohet në Parlament do jetë projektligji për referendume jo vetëm kombëtare por dhe lokale, në mënyrë që qytetarët të kenë një pjesëmarrje aktive në politikë dhe në vendimmarrje për problemet që i shqetësojnë.
Mesazhi që dua t?iu jap gjithë votuesve të qarkut është të dalin të votojnë që të shprehin nëpërmjet votës indinjatën e tyre ndaj kësaj klase të vjetruar politike dhe besimin që Nisma Thurje mund dhe do të sjellë një ndryshim në politikë. Të dalin të votojnë e të besojnë tek njëri prej tyre?, shprehet Pllaha për CNA.al.

Një tjetër kandidate surprizë në qytetin e Korçës është edhe Ejona Zhuli Mema.

Kjo e fundit do të kandidojë nën siglën e LRE dhe pak ditë më parë përmes një postimi në rrjetin social ajo e quan LRE ?çmenduri? sepse siç thekson ajo, nuk njeh asnjë parti tjetër me 0 koalicion, 0 media, 0 para, 0 përfitime dhe me një dëshirë kaq të madhe për ndryshim dhe për të ndihmuar këtë vend të bëjë para.

Kandidatja e LRE ka kërkuar besimin qytetarëve korçarë, që sipas saj sëbashku të bëjnë ndryshimin e madh që meriton vendi.
Këta dy kandidatë mund të themi që kanë qenë surprizë për qarkun e Korçës, pasi shtrirja e Nismës Thurje dhe LRE në qytetin juglindor nuk ishte menduar.
Të rinj dhe qytetarë të kësaj zone aspirojnë për përmbysjen e klasës aktuale politike dhe sjelljen e një fryme të re që do të jetë një shpresë më shumë./CNA.al

Lajmet e fundit nga