Connect with Us

Kursi i këmbimit, si i rezistoi krizës së pandemisë

Ekonomi

Kursi i këmbimit, si i rezistoi krizës së pandemisë

Publikuar

-

Shpërthimi i krizës së lidhur me COVID-19 në muajin mars të vitit të kaluar krijoi shqetësim për efektet në kursin e këmbimit valutor. Në javët e para të prekjes nga pandemia, Euro shënoi rritje të shpejtë, duke u forcuar me rreth 7% në më pak se dy javë dhe duke arritur nivelin më të lartë vjetor prej 131.06 lekësh. Por, ndërhyrja e shpejtë e Bankës së Shqipërisë e stabilizoi kursin brenda pak ditësh. Kjo ndërhyrje rezultoi e mjaftueshme për t’i dhënë kursit qëndrueshmëri që do të zgjaste gjatë gjithë pjesës së mbetur të vitit 2020.

Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha vendase shënoi nënçmim të lehtë në kursin e këmbimit me Euron në vitin 2020. Kursi mesatar i këmbimit të euros ishte rreth 123.76 lekë, nga 123 lekë në vitin 2019. Kursi mesatar mujor shënoi nivelin më të lartë në prill, me 125.4 lekë dhe nivelin më të ulët në muajt janar dhe shkurt, me 122.1 lekë. Pas krizës, në përgjithësi, kursi i këmbimit rezultoi i qëndrueshëm afër vlerës së 124 lekëve, me përjashtim të muajve nëntor dhe dhjetor, kur u vërejt një tendencë e lehtë në rënie.

Më datë 24 dhjetor, Euro zbriti në 122.92 lekë, niveli më i ulët i shënuar që nga marsi, kur edhe kursi i këmbimit ndjeu efektet e panikut që shkaktoi në ekonominë shqiptare pandemia e COVID-19. Sidoqoftë, forcimi i Lekut gjatë periudhave të lidhura me turizmin dhe pushimet, si sezoni veror dhe fundi i vitit kalendarik, është një tendencë me përsëritje sezonale, e lidhur me flukse më të mëdha hyrëse të valutës në vend, krahasuar me periudhat e tjera të vitit.

Leku forcohet edhe me Dollarin

Në vitin 2020, Leku shfaqi një performancë edhe më të mirë në kursin e këmbimit ndaj Dollarit Amerikan, në mbiçmim krahasuar me vitin 2019. Kursi mesatar i këmbimit të Dollarit Amerikan për vitin e kaluar ishte 108.65 lekë, nga 109.84 lekë në vitin 2019.

Në gjysmën e dytë të vitit 2020, Dollari nisi një cikël rënieje me shumicën e valutave kryesore, e cila u reflektua edhe në kursin e këmbimit me Lekun. Zhvlerësimi i dollarit ndaj Lekut arriti kulmin në dhjetor, kur monedha e gjelbër u këmbye mesatarisht me 101.6 lekë, niveli më i ulët që prej prillit të vitit 2014. Në terma të kursit ditor, Dollari preku vlerën më të ulët të vitit më datë 29 dhjetor, në nivelin e 100.66 lekëve.

Ndryshe nga kursi i Euros, ai i Dollarit është më pak i ndikuar nga koniunktura e brendshme e tregut dhe reflekton kryesisht ecurinë e monedhës së gjelbër në tregjet financiare ndërkombëtare. Zhvlerësimi ndaj Lekut reflekton një tendencë të ngjashme në kursin e Dollarit me Euron dhe me monedhat e tjera kryesore. Kjo ndodh sepse volumet e këmbimit të Dollarit janë të vogla për të përcaktuar një kurs që mbështetet në mënyrë të mirëfilltë te kërkesa dhe oferta e brendshme. Për këtë arsye, si referencë e kursit të Lekut kundrejt Dollarit dhe monedhave të tjera merret kursi i këmbimit të tyre me Euron.

“Zhvlerësimi i Dollarit Amerikan ndaj Lekut është thjesht reflektim i kursit euro-dollar. Nuk mendoj se kursi i dollarit ndikohet nga faktorë të brendshëm. Në volumet e këmbimit të monedhave të huaja, Dollari mund të zërë një peshë prej 3% ose 4% në vit, kështu që nuk përcaktohet kërkesë-oferta e brendshme” shprehen për “Monitor”, ekspertë të tregut valutor.

Deficiti i jashtëm arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2011

Pandemia, në fakt, ka dhënë një goditje të ndjeshme në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare. Deficiti i llogarisë korrente për 9-mujorin 2020 arriti vlerën e 806 milionë eurove, në rritje me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti korrent i 9-mujorit 2020 është njëkohësisht më i larti që prej vitit 2011.

Një rritje e deficitit të llogarisë korrente pas shpërthimit të krizës pandemike ishte e pritshme, për shkak të impaktit në ecurinë e eksportit të mallrave dhe sidomos të shërbimeve, ku më i godituri është turizmi. Të ardhurat neto nga turizmi për 9-mujorin 2020 ishin 224 milionë euro, në rënie me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimi ishte më i vogël në komponentin e sektorit fason, tjetër kolonë e rëndësishme e eksporteve shqiptare. Të ardhurat nga sektori ranë 5.6% me bazë vjetore.

Efekti negativ është shtrirë tek një tjetër burim i rëndësishëm valute, remitancat, që për 9-mujorin ranë në 470 milionë euro, pothuajse 10% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, deficiti korrent pësoi një ngushtim në komponentin më të madh, deficitin në mallra, që zbriti në 2.1 miliardë euro, 8.6% më pak krahasuar me 9-mujorin 2019. Ngushtimi i deficitit në mallra erdhi nga rënia e ndjeshme e importeve krahasuar me një vit më parë.


Sasia e Lekut në ekonomi arrin nivele rekord

Pas shpërthimit të krizës në muajin mars 2020, Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë të furnizimit të pakufizuar të tregut me likuiditet të nevojshëm, për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar dhe për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë për para. Kjo u përkthye në ofertë të shtuar të monedhës vendase në treg. Statistikat tregojnë se në fund të nëntorit 2020, vlera e agregatit monetar M2, që përfaqëson indikatorin më të përafërt të sasisë totale të lekut që qarkullon në ekonominë shqiptare, arriti vlerën e 834 miliardë lekëve.

Me bazë vjetore, agregati M2 u rrit me 11.7%, ndërsa krahasuar me muajin mars, rritja ishte rreth 8.7%. Fakti që mes muajve mars dhe nëntor, oferta e lekut në ekonomi u zgjerua me mbi 66 miliardë lekë, në teori krijonte premisa për një nënçmim të monedhës vendase ndaj euros. Megjithatë, as ky faktor nuk dha ndonjë efekt domethënës në zhvlerësimin e lekut. Agjentët e këmbimeve valutore kanë konstatuar një kërkesë të dobët për euro në treg, e cila mund të jetë një nga arsyet që ka balancuar në krahun tjetër likuiditetin e bollshëm në lekë.

Në krahun e ofertës totale të euros në treg, nuk ekzistojnë statistika, sepse deri tani nuk është mundur të matet ose të vlerësohet sasia e euros që qarkullon jashtë bankave. Indikatorët e tërthortë të ndryshimeve të fluksit të euros në ekonominë shqiptare janë bilanci i pagesave dhe ecuria e depozitave bankare.

Nëse bilanci i pagesave është përkeqësuar, depozitat kanë regjistruar rritje në përmasa jo shumë të mëdha. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të nëntorit 2020, totali i depozitave në monedhën europiane arriti në 4.51 miliardë euro. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 2.7%, ndërsa krahasuar me muajin mars, rritja rezulton mjaft e ulët, me më pak se 1%.

Një faktor me ndikim të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare dhe në kursin e këmbimit besohet të jetë edhe paraja nga aktivitetet e jashtëligjshme dhe që kryesisht hyjnë në ekonominë shqiptare në euro. Vitet e fundit, ka dyshime për rritje të investimit të këtyre parave në sektorin e ndërtimit. Vendosja në punë e këtyre parave për ndërtime në teori mund të ketë rritur ofertën dhe këmbimet e euros në tregun e brendshëm valutor.


Banka e Shqipërisë ndërpreu programin e blerjes së valutës

Thellimi i deficitit në bilancin e pagesave dhe rritja e likuiditetit në lekë në teori ndoshta duhej të ishte shoqëruar me një nënçmim të fortë të monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron. Megjithatë, tregu valutor duket se u ndikua pjesërisht nga disa faktorë të tjerë balancues. Banka e Shqipërisë ndërhyri menjëherë për të frenuar atë që dukej të ishte një rrokullisje e rrezikshme e Lekut në gjysmën e dytë të muajit mars 2020.

Shpërthimi i epidemisë së COVID-19 shkaktoi një lloj paniku në tregun valutor dhe Leku u nënçmua kundrejt Euros me rreth 7% brenda pak javësh. Kjo bëri që në datat 27 dhe 30 mars, Banka e Shqipërisë të ndërhynte dy herë në treg, duke shitur valutë për më shumë se 20 milionë euro. Këto ndërhyrje e qetësuan shpejt tregun valutor.

LEXO EDHE:  Melania Trump flet në Kuvendin Republikan për pandeminë dhe protestat

Paralelisht, Banka e Shqipërisë vendosi të anulojë edhe ankandet për blerjen e valutës në tregun e brendshëm valutor. Për vitin e kaluar, u zhvilluan vetëm dy ankande, me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh, ndërsa kishte planifikuar të blinte një shumë prej rreth 102 milionë eurosh, mbështetur në kalendarin vjetor. Anulimi u bë për të mos krijuar kërkesë shtesë për euro në tregun valutor, çka në teori mund të sillte presione për mbiçmimin e monedhës europiane.

Stabilizimi i kursit të këmbimit ka bërë që Banka e Shqipërisë të rifillojë këtë vit ankandet e blerjes së valutës, në funksion të menaxhimit të rezervës valutore. Janë planifikuar gjithsej 14 ankande, ku shuma e parashikuar për t’u blerë është midis 56 dhe 84 milionë eurove. Shuma e blerë në ankande mund të jetë edhe më e madhe, sepse në shumicën e rasteve, Banka e Shqipërisë ushtron opsionin e blerjes në një raund të dytë, në shuma më të mëdha.

Shumat e blera në ankande nga Banka e Shqipërisë u rritën ndjeshëm pas vitit 2017 dhe arritën shifrën rekord të gati 155 milionë eurove në vitin 2019. Për vitin e kaluar, u zhvilluan vetëm dy ankande me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh, ndërsa kishte planifikuar të blinte një shumë prej rreth 102 milionë eurosh, mbështetur në kalendarin vjetor të ankandeve.

Në fund të muajit nëntor 2020, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 3.87 miliardë eurove, në rritje vjetore me 17.2%. Rezerva arriti vlerën rekord të 4.17 miliardë eurove në qershor, pas depozitimit të fondeve të eurobondit nga qeveria shqiptare, ndërsa erdhi gradualisht në rënie të lehtë në gjysmën e dytë të vitit.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çrregullimit të kursit të këmbimit, ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar.

Qeveria e mbuloi deficitin buxhetor me eurobondin

Një faktor që pati ndikim të konsiderueshëm në ofertën e valutës në tregun e brendshëm valutor në vitin 2020 ishte eurobondi prej 650 milionë eurosh i siguruar në muajin qershor në tregjet financiare ndërkombëtare.

Një pjesë e tyre, 250 milionë euro, shërbyen për të shlyer eurobondin e vitit 2015, ndërsa pjesa më e madhe u përdorën për financimin e deficitit buxhetor të vendit.

Mbulimi i deficitit me paratë e eurobondit uli kërkesën për huamarrje të brendshme dhe ndihmoi në ruajtjen e interesave të qëndrueshme në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë. Duke qenë se qeveria i kryen shumicën e shpenzimeve të veta në lekë, këto fonde krijuan gjithashtu një shtesë të ofertës për euro në tregun valutor dhe ndikuan në stabilitetin e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Për 11-mujorin 2020, deficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 73 miliardë lekëve. Pjesa më e madhe e deficitit prej 35 miliardë lekësh të krijuar në periudhën qershor-nëntor u mbulua pikërisht përmes fondeve të eurobondit. Nga 650 milionë euro hua të siguruara nga eurobondi i qershorit, 400 milionë euro kishin qëllim të përdoreshin pikërisht për mbështetje buxhetore, për mbulimin e deficitit. Pandemia krijoi një thellim drastik të deficitit buxhetor, sidomos për shkak të të ardhurave të munguara.

Në 11 muajt e këtij viti, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 305 milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një element tjetër që mund të tregojë ndikimin e shpenzimeve publike është rritja e lehtë e investimeve me financim të huaj. Sipas Ministrisë së Financave, për 11-mujorin 2020 vlera e investimeve me financim nga jashtë arriti në 20.9 miliardë lekë, në rritje me gati 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Ekspertët: Mungesa e spekulimit i jep stabilitet kursit të këmbimit

Ekspertë të sektorit bankar shprehen për revistën “Monitor” se një faktor me ndikim të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit Euro-Lek në Shqipëri është mungesa e dimensionit spekulativ.

“Mendoj se tregu mbahet i qëndrueshëm edhe nga mungesa e aspektit spekulativ. Tek ne nuk ndodh që aktorët e mëdhenj në treg të bëjnë blerje ose shitje të mëdha, të mbështetura tek pritshmëritë për mbiçmim apo nënçmim të kursit. Aspekti spekulativ ka ndikim të rëndësishëm, ai është faktori kryesor që ndikon te luhatjet në tregjet globale” – shprehet një drejtues i operacioneve të Thesarit brenda sektorit bankar.

Sipas tij, për vitin 2020 do të kishte qenë i pritshëm një nënçmim i Lekut, për shkak të rritjes së deficitit të bilancit të pagesave, por edhe shtimit të likuiditetit në lekë nga Banka Qendrore. Megjithatë, ai thotë se ndoshta oferta e euros në treg mund të jetë shtuar nga injektimet e ndihmave për rimëkëmbjen dhe për tërmetin.

“Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit ndiqet edhe nga Banka e Shqipërisë dhe në momente të veçanta ata mund të ndërhyjnë. Mendoj se është edhe psikologjike, kursi është stabilizuar pak a shumë në këto nivele. Volumet e këmbimit përgjithësisht janë të balancuara dhe nuk ka luhatje të mëdha të tregtimit gjatë vitit. Edhe në mars, kur kursi pësoi luhatje të fortë, kjo ishte kryesisht psikologjike, nuk është se pati ndonjë kërkesë të jashtëzakonshme për euro që kursi të shkonte në ato nivele. Ishte më shumë një çorientim në sistem. Ne jemi një treg i vogël dhe mund të mjaftojnë pak transaksione në vlerë të lartë për të krijuar lëvizje të përkohshme, por mendoj se janë zhvillime kalimtare dhe brenda një luhatshmërie normale” – shprehet ai.

Viti 2021 mund të sjellë një forcim të lehtë të euros dhe dollarit

Ekspertët mendojnë se kursi i këmbimit do të ruajë stabilitetin edhe në vitin 2021, por ndoshta me një mbiçmim të lehtë të euros dhe Dollarit Amerikan.

Për vitin 2021, mendoj se mund të ketë një mbiçmim të lehtë të Euros, edhe për shkak të shtimit të mëtejshëm të likuiditetit në lekë, e lidhur me rindërtimin, por edhe me vitin elektoral. Sidoqoftë, nuk mendoj se do të ketë luhatje shumë të mëdha. Tregu ka furnizim me valutë, edhe kërkesa është e balancuar. Mendoj gjithashtu se në vitin 2021 do të ketë një rimëkëmbje të lehtë të kursit të dollarit. Besoj se me marrjen e pushtetit nga presidenti i ri amerikan do të ketë një fuqizim të dollarit në tregjet ndërkombëtare, e cila do të reflektohet edhe në kursin me lekun” – thotë për revistën “Monitor”, eksperti i operacioneve valutor./Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Mbijetesa e klubeve të natës

Publikuar

-

Nga

Edhe para Covid-19, klubet e natës ishin në vështirësi. Pandemia i ka detyruar të luftojnë për mbijetesë, shkruan The Economist

Në kohë normale, është jashtëzakonisht e vështirë të hysh në Berghain, një klub nate tekno në Berlinin Lindor. Por në shtator, ky vend hapi dyert: çdokush mund të hynte, jo për të kërcyer, por për të inspektuar punën e 115 artistëve të Berlinit. Organizatorët u përpoqën të rikrijonin atmosferën misterioze të klubit.

Mbi kamerat telefonike të vizitorëve u vendosën stikera. Rojet e sigurimit, tashmë të punësuar sërish, qëndronin në vend me një pamje të vrazhdë, duke e bërë atmosferën edhe më autentike. Vizitorët nuk kishin mundësi të orientoheshin as nga shenjat informuese mbi veprat e artit.

Motivi ishte i thjeshtë. Si një klub nate, vendi duhej të mbyllej si pjesë e masave që synonin të kufizonin përhapjen e Covid-19. Por si një galeri, ai mund të rihapej (megjithëse duhej të mbyllej përsëri në nëntor). Ky nuk është klubi i vetëm që ka gjetur një mënyrë krijuese për të siguruar jetesën gjatë pandemisë. KitKatClub, një nga vendet më të frekuentuara të qytetit, po jep me qira hapësirën e jashtme për një firmë që ofron teste Covid-19.

Ashtu si restorantet, kinematë dhe hotelet, klubet e natës kanë vuajtur nga pandemia. Sars-cov-2, virusi që shkakton Covid-19, lulëzon në hapësira me ajrosje të dobët dhe përhapet më lehtë në afërsi dhe kur njerëzit marrin frymë rëndë – siç ndodh në sallat e kërcimit.

Të shtunave në mbrëmje

Edhe para se qeveritë të fillonin të mbyllnin industrinë e hotelerisë, klubet e natës u identifikuan si një vektor jashtëzakonisht serioz i infeksionit. Në maj, qeveria e Koresë së Jugut i këshilloi ata të mbyllen për një muaj, pasi gjurmuan një numër rastesh në klubet homoseksuale në Seul. Kur klubet lejoheshin të hapeshin, ata bënin çmos për të operuar në mënyrë të sigurt. Por restorantet, kinematë dhe teatrot mund të funksionojnë me gjysmën e vendeve, ndërsa klubet e natës me distancim social nuk kanë shumë kuptim.

Pyetjet që janë ngritur për shkak të Covid-19 për të gjitha industritë e hotelerisë dhe ato sociale, janë: së pari, nëse është e mundur të mbahen të bllokuara për një periudhë aq të gjatë, derisa bota t’i rikthehet normalitetit; dhe së dyti, nëse ky normalitet do t’i përfshijë këto industri. Për restorantet që mund të kryejnë dërgesa në shtëpi, mbijetesa deri në ringjallje duket e mundur. Kinematë po lulëzonin kur goditi pandemia; ato mund të shpresojnë që energjia të rikthehet më pas.

Por për klubet nuk është e njëjta gjë. Në vendet e pasura, pandemia mund të kalojë shpejt – por popullatat tashmë po plakeshin dhe klubet po vuanin. Në vendet e varfra, klubet e natës ishin më të suksesshme para se të përhapej pandemia. Por kthimi në normalitet mund të zgjasë shumë më tepër: Afrika mund të mos arrijë imunitetin në masë deri në vitin 2024. Nëse sallat e kërcimit do të presin një përsëritje të epokës së artë të viteve njëzet, klubet kudo duhet të përqafojnë inovacionin.

Në dekadën para pandemisë, numri i klubeve të natës u tkurr me 21% në Britani dhe 10% në Amerikë dhe Gjermani, sipas IBISWorld, një firmë për hulumtimin e tregut. Në qytetet e mëdha, rënia ka qenë veçanërisht e mprehtë. Londra ka humbur rreth gjysmën e klubeve në dekadën e kaluar. Janë hapur klube të reja, por jo në numër të mjaftueshëm për të kompensuar rënien.

Qiratë janë rritur dhe numri i vizitorëve ka rënë. Në Britani, ndryshimet e ligjeve të licencimit në vitin 2005, i kanë lejuar pub-et dhe baret të qëndrojnë të hapura më vonë, duke garuar me klubet e natës. Që nga viti 2006, shumica e shteteve gjermane gjithashtu kanë zgjatur orët e hapjes. Ndërkohë, në vendet e pasura, të rinjtë po pinë më pak alkool. Ka më të ngjarë që ata t’i takojnë partnerët nëpër aplikacione online, sesa në bare. Në Britani, 5% e 20-vjeçarëve thonë se u takuan me partnerët e tyre në një lokal; për moshat mbi 50 vjeç, kjo shifër është 20%. Dhe ndërkohë që rrjetet sociale kanë mundësuar kontakte të rregullta mes miqve, ideja e kalimit të një mbrëmjeje në një klub nate, nuk është më aq tërheqëse sa më parë.

Disa nga mënyrat se si klubet janë përgjigjur ndaj krizës, i kanë përkeqësuar gjërat. Në një përpjekje për të kompensuar ndikimin e rënies së pjesëmarrjes, shumë prej tyre rritën çmimet e biletave dhe pijeve, gjë që i ka bërë edhe më pak popullorë. Dhe kur bëhet fjalë për muzikë, ata mezi po arrijnë të qëndrojnë në linjë me trendet më të fundit. Ndërkohë që njerëzit po dëgjojnë gjithnjë e më shumë lista të personalizuara këngësh muzikore, përpilimi i një grupi këngësh të përshtatshme për qindra njerëz në sallën e kërcimit, është bërë më i vështirë.

Klubet nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë normalisht, derisa shumica e njerëzve të vaksinohen. Ata që përqendrohen në audienca të këndshme, por entuziaste, dhe që tërheqin yje ndërkombëtarë, do të lulëzojnë kur dashamirësit e festave të lejohen të dalin lirisht në rrugë. Por për një klub nate të zakonshëm, me listat e lodhura muzikore dhe çmimet e larta të pijeve, një kthim në status quo ante nuk do të jetë i mjaftueshëm.

Ritmi vazhdon

Në një kohë kur popullsia në vendet e pasura po plaket, pulsi i industrisë së klubeve të natës është zhvendosur në qytete të mëdha në botën në zhvillim, ku njerëzit janë më të rinj, pjesa e popullsisë me të ardhura të mira po rritej deri në ardhjen e pandemisë, dhe ligjet e licencimit janë më pak të rrepta – ose të paktën zbatohen në mënyrë më pak rigoroze. Qytete si Nairobi po kthehen në pika të nxehta për DJ të mëdhenj. Ashtu siç entuziastët e festave të çmendura shkonin në Berlin në vitet 1990, tani shkojnë në San Paulo dhe Marrakesh.

Netët me DJ të famshëm kanë tërhequr njerëz nga i gjithë Brazili deri në Campinas, qytetin e tretë më të madh në shtetin San Paulo. Nata LGBT në Caos, një klub në një depo të vjetër në një nga pronat industriale të qytetit, është një nga më të mëdhatë në një rajon kryesisht konservator. Në Nairobi, janë hapur klube të reja, pasi numri i të rinjve me para është rritur. Në shumicën e lagjeve, është ndërtuar nga një apartament i ri apo zyrë dhe gjithashtu nga një klub nate, thotë Jeannette Musembi nga grupi Bars Keny.

LEXO EDHE:  “Konkluzionet e “Freedom House”/ Meta ngre alarmin: Vendi po rrëshket drejt një junte me “grusht të hekurt”

LEXO EDHE:  Vijojnë sërish rekordet e euros, ekspertët: Pritet rënie e mëtejshme

Ndryshe nga homologët e tyre në botën e pasur, klubet në vendet në zhvillim nuk janë detyruar që të mbyllen nga qeveritë – megjithëse mund t’u kërkohet të shtojnë masa të tilla si distancimi social dhe kontrollet e temperaturës. Caos po operon me kapacitet 20%, me grupe prej gjashtë personash të ulur me maska rreth tavolinave. Klubi po korrte fitime të mira, para se të godiste Covid-19, megjithëse u hap vetëm tre ose katër herë në muaj. Tani, ai hapet pesë ditë në javë, në një përpjekje për të qëndruar popullor.

Një shtetrrethim në Kenia i ka detyruar klubet të mbyllen në orën 22:00. Për të qëndruar në biznes, shumë prej tyre kanë filluar të hapen gjatë ditës: megjithëse atmosfera nuk është e njëjta dhe sallat e kërcimit janë kryesisht të zbrazëta, por të paktën klubet fitojnë pak para në këtë mënyrë. Por janë të pamjaftueshme. Mungesa e ndonjë mbështetjeje qeveritare do të thotë se klubet kanë qenë gjithashtu të detyruar të pushojnë stafin e tyre. “Tani ka pak ose aspak buxhet për argëtim, dhe shumica e dashamirësve të festave preferojnë të pinë në shtëpi dhe të shmangin policinë”, thotë zonja Musembi.

Një burim i vazhdueshëm të ardhurash është i dobishëm gjatë një krize ekonomike. Por kjo është e lidhur me arsyen pse pandemia do të zgjasë më gjatë në botën në zhvillim: qeveritë janë më pak të gatshme dhe të afta për të vepruar. Në Brazil, për shembull, edhe kur një variant i ri ngjitës duket se po përhapet nga Manaus në rajonin verior të Amazonës, Jair Bolsonaro, presidenti populist i vendit, ka kundërshtuar masat bllokuese dhe është tallur se vaksinat Covid-19 mund t’i kthejnë njerëzit në krokodilë ose mund t’i bëjnë zonjat me mjekër.

Nëse klubet e natës në vendet në zhvillim arrijnë të mbijetojnë nga Covid-19, do të përballen me të njëjtat presione që ushtrohen aktualisht ndaj homologëve të tyre në vendet e pasura. Për të mbijetuar, duhet të mundësojnë të njëjtat lloje akomodimesh: gjetjen e vendeve të reja, më formale; ndërtimin e marrëdhënieve më të mira me banorët lokalë, shpesh duke bërë më pak zhurmë; dhe të bindin autoritetet se janë një burim i dobishëm i vendeve të punës dhe një mënyrë për të mbajtur qendrat e qyteteve më të sigurta gjatë natës.

Skena e klubeve në San Paulo dhe qytete të ngjashme, është e madhe, por joformale, si ajo e Berlinit gjatë periudhës së lulëzimit në vitet 1990. Hapësira për klube ishte e lehtë për t’u gjendur në kryeqytetin gjerman pas rënies së Murit, kur një e treta e ndërtesave në lindje të qytetit ishte bosh. Depot dhe bankat e braktisura shpejt u kthyen në ndërtesa për klubet e natës.

Por me rritjen e prosperitetit, vende të tilla u pakësuan. Një nga klubet më të njohura në San Paulo, Fabriketa, është ngritur në një fabrikë të madhe tekstilesh në qendër të qytetit, që ishte lënë e papërdorur. Në Nos Trilhos, një vend i hapur që dikur njihej si varreza e trenave të qytetit, DJ vendosën sistemet e zërit në karrocat e ndryshkura, ndërsa frekuentuesit e klubeve kërcenin nëpër shinat e hekurudhës.

Pronarët japin shpesh me qira hapësira të tilla për klubet, sepse është një mënyrë më e lehtë për të fituar para. Por ata gjithashtu nuk ngurrojnë t’i heqin qafe qiramarrësit e tyre, sapo shohin shenjën e parë të telashit. Ndërkohë që San Paulo popullohet më tepër me banesa, klubet po rivalizohen nga fqinjë të rinj.

“Qyteti po rritet aq shpejt saqë vendet me zhurmë po bëhen problem”, thotë Guga Trevisani, një producent dhe agjent muzikor me qendër në qytet. Pas ankesave, vijnë kontrollet e policisë dhe mbylljet. Dhe qiratë vazhdojnë të rriten. Shkalla mujore e qirasë në San Paulo u rrit nga 5,000 realë (950 $) në vitin 2015, në 30,000 realë (5,600 $) në fillim të vitit 2020. Kjo e bën të ardhmen e klubeve të pasigurt.

Kështu krijohet një mospërputhshmëri, ku nga njëra anë kemi njerëz që duan të argëtohen me zhurmë dhe nga ana tjetër, njerëz që po përpiqen të flenë. (Edhe në Ibiza, kryeqytetin e klubeve të Europës që nga vitet 1980, tre të katërtat e banorëve ende thonë se janë kundër turizmit të natës.) Në nëntor 2019, katër nga klubet më të mëdha në Nairobi, u urdhëruan të mbyllen nga qeveria lokale, pasi një grup banorësh loboi kundër tyre. Klubi i natës Space Lounge, postoi një tabelë: “Na vjen keq, jemi të mbyllur (por ende me mendje të hapur)”.

Në Europë, grupet lobuese të jetës së natës kanë arritur të bindin qeveritë se klubet janë të mira për qytetet, jo një shqetësim. Marrëdhëniet me proceset zyrtare janë përmirësuar shumë në Berlin në dy dekadat e fundit. Bastisjet e policisë, të cilat dëmtuan imazhin e klubeve të qytetit në vitet 1990, janë të rralla. Ankesat ndaj zhurmave shpesh janë pjesë e mosmarrëveshjeve më të hidhura. Qeveria e qytetit nisi një fond për izolimin e zhurmës me vlerë 1 milion euro (1.2 milionë dollarë) në vitin 2018, por në përgjithësi klubet tani thjesht paguajnë për izolimin e zërit.

Homologët e tyre në vendet në zhvillim ende përballen me skepticizëm – ose ndoshta indiferencë. Një fushatë para-pandemike për të shtuar jetën e natës së Nairobit, si aset për turizmin e Kenias, nuk arriti ndonjë sukses. Disa propozojnë që qendra e qytetit të mbahet gjallë jashtë orarit të punës. “Qytetet e zbrazëta nuk janë shumë të rehatshme për të jetuar”, thekson Lutz Leichsenring nga Komisioni i Klubit të Berlinit. “Nëse jeni duke qëndruar natën në një stacion autobusi bosh, nuk do të ndiheni shumë të sigurt”.

Theksimi i kontributit ekonomik të klubeve ndoshta do të jetë më i dobishëm. Ndërsa vendet dalin nga pandemia, qeveritë do të jenë të dëshpëruara për rritje nga çdo burim. Dhe siç tregon Mirik Milan, themeluesi i Planit Global të Rimëkëmbjes së Natës, një grup industrie që harton ide për rihapjen e ekonomisë: “Kur ka shumë njerëz që kërcejnë, ka edhe shumë njerëz që punojnë”./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Euro ishte monedha më e lirë për të marrë kredi edhe në 2020

Publikuar

-

Nga

Euro ishte monedha më e lirë për të marrë kredi edhe në 2020

Euro mbetet monedha më e lirë për të marrë kredi nga familjet shqiptare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2020 interesi mesatar i kredive të reja në euro për individët ishte 3.56%, në rënie të lehtë nga niveli mesatar prej 3.79% i vitit 2019.

Për lekun interesat mesatare ngelen më të larta dhe mesatarja e ponderuar e llogaritur nga Banka e Shqipërisë në segmentin e individëve për vitin 2020 ishte 6.54%. Edhe për lekun interesat pësuan një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2019, kur interesi në terma mesatarë kishte qenë 6.66%.

Hendeku i interesave mes euros dhe lekut në vitet e fundit është ngushtuar, megjithatë monedha europiane ngelet ende alternativa më e lirë në huamarrje. Kjo përcaktohet në radhë të parë nga politikat monetare. Për euron, norma bazë e interesit është në territor negativ dhe mbajtja e likuiditeteve të painvestuara përbën kosto për institucionet financiare.

Për lekun norma bazë e interesit është në nivelin minimal historik prej 0.5%, por nivel ky sidoqoftë më i lartë krahasuar me euron. Ndryshimi në normat bazë mes dy monedhave përcakton edhe ecurinë e treguesve benchmark (referues) në kredidhënie. Për euron treguesi benchmark është euribori, që aktualisht ndodhet në vlera negative (-0.5% për euriborin 12 mujor). Për lekun, treguesi referues është yield-i i bonove të thesarit, që aktualisht është ndjeshëm më i lartë dhe për bonot me maturim 12 mujor qëndron pak sipër nivelit të 2%.

Strategjia e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sektorit financiar ka tentuar të ekuilibrojë disi hendekun e normave të interesit mes dy monedhave, duke përcaktuar një normë të rezervës të detyrueshme më të ulët për lekun dhe më të lartë për euron. Gjithashtu, në rastet kur kredimarrësi ekspozohet ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (i ka të ardhurat në monedhë të ndryshme nga ajo që paguan kredinë), bankave iu kërkohet një mbulim më i lartë me kapital. Por megjithëse politikat rregullatore tentojnë të shtojnë kostot e kredisë në euro, ajo ngelet ende më e lirë.

LEXO EDHE:  “Kanë filluar që të godasin muret, dyert”/ Bajrami: Fëmijët autik, nuk e kuptojnë pandeminë

LEXO EDHE:  Obama kritika për keqmenaxhimin e COVID/ I kthehet Trump: Kujtoni gripin e derrit

Në diferencën e normave të interesit ndikon shumë edhe profili i produkteve të kredisë për secilën monedhë. Kredia në euro merret nga individët sidomos me qëllim blerjen e banesave, ku normat e interesit janë ndjeshëm më të ulëta. Po të krahasojmë normat e interesit mes lekut dhe euros vetëm për kredinë për shtëpi, diferencat janë shumë më të vogla. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar interesi mesatar i kredive për shtëpi në lekë ishte 3.66%, ndërsa i atyre në euro 3.06%.

Leku ka një peshë dominuese në portofolin e kredive konsumatore, ku normat e interesit janë më të larta, duke qenë se këto kredi nuk sigurohen me kolateral. Pesha më e lartë e kredisë konsumatore bën që edhe interesi mesatar i kredisë për lekun të rritet.

Kredia në euro është më e lirë, por bart me vete rrezikun e kursit të këmbimit, në rastin kur huamarrësi i ka të ardhurat në lekë. Në vitet e fundit, kursi mes euros dhe lekut ka kaluar disa momente sporadike luhatjesh të forta. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka mjaftuar për ta stabilizuar kursin, luhatje si ajo e marsit të vitit të kaluar kur leku u nënçmua me reth 7% brenda pak javësh e bënë më të prekshëm rrezikun e kursit të këmbimit. Ky është një faktor që duhet llogaritur në zgjedhjen e monedhës së kredisë, sidomos për horizonte kohore afatgjata.

Megjithëse euro është monedhë më e lirë për të marrë kredi, çmimi nuk është faktori i vetëm përcaktues dhe në vitet e fundit kreditimi po orientohet më shumë drejt lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, 60% e kredisë së re vitin e kaluar u dha në lekë. Në fund të vitit 2020, pesha e kredisë në valutë zbriti në 50.4% të portofolit total, nga 51.5% që kishte qenë një vit më parë dhe 56.6% në fund të vitit 2018. /Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Numri i bareve dhe restoranteve që shitën online u trefishua më 2020

Publikuar

-

Nga

Shitjet online u revolucionarizuan gjatë pandemisë Covid-19, pasi masat kufizuese detyruan shumë biznese të operojnë në kushte jo të zakonshme.

Shumë prej tyre u përshtaten duke shfrytëzuar teknologjinë për të shitur produktet dhe shërbimet nga interneti.

INSTAT në një anketë të posaçme gjeti se, në vitin 2020, bizneset e bareve, restoranteve dhe akomodimit kishin shitjet më të mëdha online. Në vitin 2020 më shumë se 38 për qind e këtyre aktivitete realizuan shitje online në raport me 12.8 për qind në 2019. Përgjatë periudhës pandemike numri i bizneseve në sektorin e akomodimit, bareve dhe restoranteve që shiten nga interneti u trefishua.

Bizneset e sektorit të informacionit dhe komunikimit ishin të dytat për aktivitetin e lartë të shitjeve online, pasi 30 për qind e tyre kanë ofruar shërbimet në fjalë me 2020. Gjithsesi bizneset e TIK nuk u zgjeruan shumë në këtë drejtim pasi edhe më 2019, gati 28% e tyre shisnin produkte dhe shërbime online.

Rritja më të madhe të shitjeve në online në raport me 2019, pas sektorit të hoteleve dhe restoranteve e kishte tregtia. Gjatë vitit të kaluar 11 % e bizneseve në këtë sektor pohuan se kishin shitur online, me një dyfishim në raport me vitin 2019 ku vetëm 5% e tyre kishin shitur online.

Në shumicën e sektorëve numri i bizneseve që kanë shitur online është rritur në vitin 2020, përveç bizneseve në sektorin e transportit, pasurive të patundshme dhe ndërtimit ku shitjet nw internet kanë rënë në raport me vitin 2019.

Pandemia i dha hov të pazakontë ekonomisë digjitale në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri, hapa të cilët do të duheshin të ndërmerreshin për dekada në periudhë normale.

Ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal të cilët uhdhëhoqën një studim për avancimin e ekonomisë digjitale gjatë kohës së pandemisë verifikuan se, 54% shqiptarëve të anketuar treguan se ata kanë rritur blerjet në internet gjatë krizës. Nga këta, 74% besojnë se do të vazhdojnë të blejnë në internet më shpesh edhe kur pandemia do të ketë kaluar.

LEXO EDHE:  Vijojnë sërish rekordet e euros, ekspertët: Pritet rënie e mëtejshme

LEXO EDHE:  Hapen kopshtet në Maqedoninë e Veriut/ Shkollat çelin dyert në tetor

Tregjet online në Shqipëri karakterizohen nga shitjet e brendshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe dyqaneve lokale, përmes pagesave cash dhe blerjeve elektronike në platformat ndërkombëtare të tregtisë elektronike përmes pagesave me karta elektronike.

Nga të anketuarit shqiptarë që bëjnë blerje online, 67% theksojnë se përdorin rrjetet sociale për të blerë nga dyqanet vendase, ndërsa 61% deklarojnë se blejnë nga tregjet ndërkombëtare.

Tregtia online ndikon në rritjen ekonomike

Tregtia online zhvillon hapësira të reja për biznes. Një sërë sektorësh ndërlidhës shqiptarë dhe ndërkombëtarë ofrojnë shërbime për shpërndarjen ndërkombëtare të mallrave, duke rritur ofertat për punë të shërbimeve postare. Konsulentë juristë dhe të TIK-ut ofrojnë paketa të specializuara për të mbështetur kompanitë e tregtisë elektronike, për të ngritur biznesin e tyre.

Ata ndihmojmë sipërmarrësit të marrin vendime komplekse ligjore, teknike dhe strategjike, të nevojshme për të ndërtuar kanalet e tyre të shitjeve në internet. Po shfaqen ofrues të pagesave elektronike shqiptare, përfshirë paypay-n, me mundësi të reja pagese për klientët elektronikë dhe shitësit elektronikë shqiptarë. Në intervistat me kompanitë shqiptare të tregtisë elektronike, Banka Botërore ka gjetur se, ekonomia e madhe informale e Shqipërisë ishte një pengesë për zhvillimin e ekonomisë digjitale./Monitor

 

LEXO TE PLOTE