Connect with Us

Studimi/ Të folurit mund ta përhapë koronavirusin, po aq shumë sa edhe kollitja

Blog

Studimi/ Të folurit mund ta përhapë koronavirusin, po aq shumë sa edhe kollitja

Publikuar

-

Parandalimi i infeksionit Covid-19, ndodh përmes shumë gjeste të vogla të përditshme nga gjithsecili prej nesh, dhe në këtë pikë të pandemisë, lodhja e akumuluar mund të na bëjë të jemi më pak të vëmendshëm.

Por një ftesë për të mos e ulur vigjilencën vjen nga një studim i Universitetit të Kembrixhit, që analizoi përhapjen e grimcave më të mira infektive në vende të mbyllura. Sipas studimit, botuar në “Proceedings of the Royal Society A”, të folurit me një person pozitiv me koronavirus, mbart të njëjtin rrezik infektimi si edhe ekspozimin ndaj kollitjes apo teshtitjes së tij.

Rreziku i vazhdueshëm

Problemi është se ndërsa spërklat më të mëdha dhe më të rënda të krijuara nga frymëmarrja, pra spërklat e sekrecioneve të pështymës dhe mukusit që dalin jashtë me kollitjen dhe teshtitjen, bien shpejt në tokë dhe mbi sipërfaqe, aerosolët më të vegjël dhe më të lehtë (grimcat që dalin jashtë kur flasim apo marrim frymë), qëndrojnë pezull në ajër për një kohë më të gjatë.

Mjaftojnë vetëm disa sekonda që grimcat të përshkojnë 2 metra distancë, që zakonisht ne respektojmë këto kohë duke qëndruar larg njëri-tjetrit. Kjo është arsyeja pse ne “kemi nevojë si për maskat, distancimin, po ashtu edhe për ajrosje të mirë”, thotë Pedro de Oliveira, bashkautor i studimit,“në mënyrë që këto grimca të mos grumbullohen brenda, dhe të neutralizohen”. Këto masa na mbrojnë mjaftueshëm kur përdoren njëkohësisht:pasi vetëm njëra ose tjetra nuk mjafton.

Provat e infektimit

Shkencëtarët kanë ndërtuar modele të fizikës fluide,të cilat marrin parasysh madhësinë e grimcave të frymëmarrjes, përbërjen e tyre dhe kohën që u duhet për t’u vendosur në tokë. Midis parametrave të përfshirë në simulimet kompjuterike ka edhe nga ato që përcaktojnë rrezikun e infektimit, siç është ngarkesa virale e një individi pozitiv me koronavirus dhe
doza infektive (sasia e virusit të nevojshëm për të shkaktuar një infeksion).

LEXO EDHE:  Përfshihet nga flakët një pus nafte në Mallakastër/ Dyshohet për shpërthim gazi

Reja e pështymës

Kështu, u zbulua se pasi një person pozitiv me koronavirusit kishte biseduar për 30 sekonda, sasia e aerosoleve të mbetura në ajër përmbante një masë lëngjesh potencialisht infektive më të madhe sesa ajo e nxjerrë nga një teshtimë. Dhe kjo pas një ore nga fundi i bisedës. Pra një dialog i shkurtër brenda një hapësire të ajrosur dobët, është në vetvete një mundësi e mundshme për t’u infektuar.

Kuptimi i rrezikut

Kjo varet nga sasia e aerosolit infektiv që është përhapur, dhe për këtë arsye nga përdorimi ose jo i maskës, nga tiparet e ambientit e ambientit të brendshëm, nga distanca apo edhe nga ventilimi i ambientit. Shkencëtarët i përdorën të dhënat nga studimi i tyre për të zhvilluar një aplikacion, Airborne.com, që ndihmon në llogaritjen e nivelit të rrezikut të infektimit për secilën situatë.

Për shembull, qëndrim1 orë në një hapësirë të mbyllur prej 250 m2 që ka një kapacitet minimal prej 50 personash dhe një ventilim tipik si ai i “zyrës”,ka një probabilitet infektimit prej 8 për qind, në rast se aty ndodhen 5 persona të infektuar që nuk mbajnë maskë.
Gjithsesi, nëse ambienti ajroset mirë jo 3 por 5 herë në orë, shanset e infektimit bien në
2 për qind, dhe e njëjta gjë ndodh nëse të gjithë mbajnë një maskë me 3 shtresa (siç janë
ato kirurgjikale).

Simulimet bazohen tek rastet pozitive me një ngarkesë të lartë virale, dhe mund të konsiderohen si skenari më i keq midis atyre që janë realisht të mundshme. Por meqë masat parandaluese tani janë brenda mundësive tona, ia vlen që të vazhdojmë t’u kushtojmë vëmendje./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.focus.it/scienza/salute/parlare-diffondere-coronavirus-quanto-tossire

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Gratë e një fshati hungarez helmuan për vdekje 300 familjarët e tyre/ Kush janë “Engjëll-bërësit e Nagirevit”

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Gjatë viteve 1914-1929, një grup grash të njohura tani si “Engjëll-bërësit e Nagirevit”, Hungari, helmuan rreth 40 burra dhe fëmijë në fshatin e tyre të vogël. Megjithëse disa pretendojnë se ato vranë më shumë se 300 njerëz.

Të udhëhequr nga një mami e quajtur Suzana Fazekash, vejushat shkaktojnë ende sot debate midis historianëve. Disa i kanë cilësuar si të sëmura mendore, ndërsa të tjerët thonë se ato ishin të justifikuara në aktet që kryen. Atëherë, a ishin këto gra vrasëse të çmendura, apo të dëshpëruara për të shpëtuar nga marrëdhëniet e tyre toksike?

Të qenit një grua nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Por të qenit grua në Hungarinë e shekullit XX-të, ishte një Ferr i vërtetë. Zakonisht të martuara që në adoleshencë – ndonjëherë që në moshën 14 vjeçe – gratë nuk ishin të lira të zgjidhnin burrat e tyre.

Dhe duke parë që Hungaria ishte një vend katolik shumë i devotshëm, divorci ishte një tabu, pavarësisht nëse burri ishte një alkoolist, abuzues apo kurorëshkelës. Kishte shumë gra  që u përpoqën të jetonin dhe punonin duke pasur përreth këtë mjedis mbytës, përfshirë një mami të moshës së mesme të quajtur Suzana Fazekash, e cila midis viteve 1911-1921 kreu të paktën 10 aborte ilegale tek gratë e dëshpëruara të fshatit.

Fshati hungarez ishte ndërtuar duke u bazuar tek kultura Nagirev, një grup njerëzish që jetonin atje që nga Epoka e Bronzit. Fazekash u arrestua disa herë për këto operacione, por ndaj saj nuk u ngrit asnjë akuzë zyrtare.

Kjo pasi gjyqtarët ishin në atë kohë të vetëdijshëm mbi vështirësitë e mëdha financiare, në të cilat u gjendën shumë familje në prag të Luftës së Parë Botërore. Por Fazekash mund të ketë pasur një të kaluar edhe më të tmerrshme sesa kryerja e atyre aborteve.

Të dhënat tregojnë se ajo quhej ndryshe Julia, në kujtim të burrit të saj të ndjerë, Gyula, zhdukja e pashpjegueshme e të cilit, mbetet edhe sot e kësaj dite një mister. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, deri në 9 milionë burra nga ish-Perandoria Austro-Hungareze u dërguan në front, për të shërbyer për të ashtuquajturën “Aleanca Tripalëshe”, dhe numri i të vdekurve ishte tronditës.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Nagirev shërbeu si një kamp rus i të burgosurve të luftës. Shumë nga gratë e qytezës që u bënë “vejushat e luftës”, filluan të kishin lidhje sekrete me robërit. Por kur burrat e tyre u kthyen nga lufta, shumica e tyre ishin bërë të pavarura si në aspektin financiar ashtu edhe atë emocional, dhe nuk donin të riktheheshin në një jetë ku ato ishin të nënshtruara.

LEXO EDHE:  Politika ruse po e vendos Bajdenin nën presionin e Evropës

LEXO EDHE:  Berisha lëshon alarmin SOS/ Gjendje kolapsi në shëndetësi, spitalet Covid 1 dhe 2 të tejmbushur

Por divorci nuk ishte ende një opsion në vendin shumë fetar. Shumë nga gratë më të reja të fshati shkuan tek Fazekash për këshilla, dhe ajo thuhet se u përgjigj:”Nëse ka një problem, unë kam një zgjidhje të thjeshtë!”.

Dhe “zgjidhja” që u propozoi mamia ishte arseniku vdekjeprurës, edhe pse në atë kohë ishte një përbërës i zakonshëm në kozmetikë dhe mjekësi. Thuhet se ajo e testoi neurotoksinën tek një rivalja në një dashuri.



Kur pati sukses, Fazekash mendoi se kishte gjeti një skemë të përsosur të fitimit të parave. Në këmbim të një pagese të caktuar, ajo i premtoi grave t’i çlironte nga bashkëshortet e tyre abuzivë. Një tarifë, të cilën ishin të gatshme që ta paguanin shumë prej tyre.

Skema pati vërtet shumë sukses. Gratë nuk shkuan tek Fazekash për të blerë arsenik për të vrarë bashkëshortët e tyre. Ato nisën ta përdorin arsenikun edhe për të eliminuar prindërit e tyre me synim marrjen e pasurisë, rivalët e tyre në dashuri, madje edhe fëmijët e tyre.

Fazekash ishte në gjendje që ta mbante sekret këtë skemë makabre me ndihmën e Susi Olah, një grua që e helmoi burrin e saj kur ishte vetëm 18 vjeçe. Olah ishte ajo që plotësonte certifikatat e vdekjes të të gjitha viktimave të Engjëll-bërësve të Nagirev.

Por në fund gratë u zbuluan, edhe pse mënyra se si ndodhi kjo mbetet ende sot e paqartë. Pavarësisht se kush drejtoi gishtin e parë, Fazekash u etiketua në fund si drejtuese e rrjetit. Por kur policia shkoi që ta arrestojë, ajo kishte vdekur, pasi kishte konsumuar enkas një pjesë të arsenikut të saj për të shmangur ndjekjen penale.

Rreth 40 gra u akuzuan në atë rast për helmim të familjeve të tyre. Në fund, gati 40 kufoma u zhvarrosën, dhe të gjitha ato përmbanin sasi të mëdha arseniku. Por studimet e mëvonshme kanë sugjeruar, se në fakt nga helmimet u vranë 100-300 njerëz.

Tridhjetë e katër gra dhe një burrë – që të gjithë klientë të Fazekash – u arrestuan, u ndoqën penalisht dhe u dënuan për vrasje. 12 nga autorët u dënuan me burgim të përjetshëm. Ndërkohë 8 u dënuan me vdekje, nga të cilët vetëm 2 u ekzekutuan.

Gjithsesi, të gjitha ato vrasje e patën një efekt “pozitiv”. Në vitin 2005, Maria Gunia – e

cila ishte një vajzë e vogël kur babai i saj u thirr për të hetuar “Engjëll-bërësit e Nagyriv”,  përshkroi në një libër atë që ndodhi pasi u zhvarrosën trupat. “Sjellja e burrave ndaj grave të tyre u përmirësua dukshëm”- shkroi ajo.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Intervista/ Stoltenberg:Pse përplasja SHBA-Francë nuk do ta përçajë NATO-n

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

“Foreign Policy”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, shprehet në një intervistë për “Foreign Policy” se një nga mësimet kryesore që duhet të nxjerrë aleanca nga misioni i saj 2-dekadësh në Afganistan, është se duhet të jetë gati për të përdorur sërish forcën ushtarake nëse sulmohet, për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar.

I pyetur mbi mosmarrëveshjen e fundit midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës mbi marrëveshjen për t`i shitur disa nëndetëse Australisë, Stoltenberg thekson se SHBA nuk duhet të zgjedhë midis ndërtimit të lidhjeve me aleatët e saj në Paqësor ose Atlantik.

Sa dëm mendoni se i ka shkaktuar NATO-s përplasja e fundit midis Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe? A është ai i riparueshëm?

Unë jam absolutisht i sigurt se ata aleatët do të dinë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, dhe se zënka e fundit nuk do ta dëmtojë apo dobësojë aleancën. Pasi është në interesin e aleatëve evropianë dhe aleatëve tanë në Amerikën e Veriut qëtë mbeten të bashkuar.

Kjo është në interesin tonë të sigurisë kombëtare. Një NATO e fortë, është diçka pozitive për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Mosmarrëveshje ka pasur edhe më parë. Ne kemi 30 vende anëtare. Sigurisht që ndonjëherë mes tyre ka mosmarrëveshje. Por historia na ka mësuar se aleatët tanë në NATO e njohin mirë vlerën e të qenit bashkë.

Presidenti amerikan Xho Bajden personalisht është shumë i përkushtuar ndaj NATO-s. Ai

e njeh shumë mirë aleancën,dhe ka dëshmuar një vullnet real për t`i rindërtuar partneritetet dhe aleancat. Nuk ekziston asnjë kontradiktë midis rindërtimit të aleancave, forcimit të NATO-s dhe në të njëjtën kohë ndërtimit të aleancave dhe partneriteteve të reja në rajonin e Azi-Paqësorit. Është e mundur që të bëhen të dyja në të njëjtën kohë. NATO gjithashtu ka vendosur të punojë më ngushtësisht me vendet e rajonit të Azi-Paqësorit.

Le të ndalemi tek Afganistani. 20 vjet luftë, 2 trilionë dollarë të shpenzuara, përfunduan me fitoren e talebanëve. Ligjvënësit amerikanë duan një hetim. A duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe NATO?

Edhe ne duhet të ngremë disa pyetje të vështira. Sigurisht që kishim nevojë të ishim të qartë dhe të sinqertë në lidhje me leksionet e nxjerra nga Afganistani. Po ashtu unë them se sakrificat që u bënë atje nuk ishin të kota. Ne shkuam në Afganistan për t’i dhënë fund përdorimit të tij si një strehë e sigurt për terroristët ndërkombëtarë.

Për 20 vjet, nuk ka pasur asnjë sulm terrorist kundër një aleati të NATO-s të organizuar apo planifikuar nga Afganistani. Ndërkohë, prania jonë ushtarake atje e ka ndihmuar gjithë bashkësinë ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, për të mbështetur përparimin social dhe ekonomik në Afganistan.

Ajo që po ndodh në Afganistan tani është një tragjedi për afganët, sidomos për gratë. Por

kjo nuk do të thotë se përpjekja jonë ishte e kotë. Ne arritëm shumë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ndihmuam në mbështetjen e përparimin social dhe ekonomik.



 A bëri NATO ndonjë gabim apo ndonjë llogaritje të gabuar gjatë misionit të saj të gjatë në Afganistan? Dhe a ka ndonjë leksion që duhet të mësojë?

Është ende herët që të arrijmë në përfundime të caktuara. Por unë mendoj se leksioni i parë është që ne duhet të jemi gati për ta përdorur sërish forcën ushtarake në rast se do të jetë e nevojshme. Unë isha kryeministër i Norvegjisë në vitin 2001, dhe të gjithë aleatët e mbështetën përdorimin e forcës ushtarake kundër terroristëve të Al Kaedës në Afganistan. Natyrisht, përdorimi i forcës do të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit. Leksioni i dytë është se

LEXO EDHE:  Ishte asimptomatike ndaj Covid 19/ Ndërron jetë pacientja tek Infektivi

LEXO EDHE:  3900 raste të reja Covid në 24 orët e fundit në Britani/ Londra rrezikon masa të reja kufizuese

na është kujtuar edhe njëherë fakti, se është më e lehtë ta fillosh sesa të përfundosh një luftë.

Në asnjë moment nuk ishte i lehtë largimi nga Afganistani. Ne jemi përballur gjithnjë me dilema të vështira, siç ndodhi këtë verë kur aleatët vendosën t’i japin fund pranisë sonë ushtarake në Afganistan. Por ndërkohë kemi shënuar arritje të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit, duke mbështetur arsimin dhe progresin social dhe atë ekonomik.

Një leksion tjetër është se parandalimi është më i mirë sesa ndërhyrja. Sa më shumë që mund të bëjmë duke trajnuar forcat lokale, ndërtuar kapacitete lokale, mbështetur shtetet dhe udhëhequr ata të luftojnë vetë terrorizmin në vendin e tyre, aq më mirë do të jetë. Pasi vendosja e trupave dhe fillimi i operacioneve luftarake nuk është kurrë një opsion i lehtë, edhe pse ndonjëherë është i nevojshëm.

Sa të shqetësuar jeni për krizën humanitare dhe refugjatët në Afganistan? A do të bëhet sërish Afganistani një strehë e sigurt për grupet terroriste?

Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar që Afganistani të bëhet edhe një herë një terren përgatitor për grupet terroriste. Talebanët kanë premtuar se kjo nuk do të ndodhë. Dhe ne do të përdorim fuqinë që kemi – ekonomike, politike, diplomatike – mbi talebanët, për t’i detyruar ata që ta mbajnë këtë premtim.

Njëkohësisht, NATO ruan aftësitë për t’i goditur grupet terroriste nga distanca mbi horizont. Aleatët e NATO-s, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, e kanë treguar më parë se mund të godasin grupet terroriste pa pasur mijëra trupa në terren.

Le të kalojmë tani tek Rusia, e cila organizoi kohët e fundit stërvitjen më të madhe ushtarake në 4 dekadat e fundit, Zapad 2021, pranë kufijve të NATO-s. A përbën kjo stërvitje një kërcënim për NATO-n?

Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj aleatëve të NATO-s. Por në të njëjtën kohë, ne jemi duke i monitoruar nga afër këto stërvitje të mëdha ushtarake ruse, dhe vazhdojmë që t’i bëjmë thirrje Rusisë që të jetë transparente, dhe t’i përmbahet rregullave të miratuara mbi transparencën dhe njoftimin mbi këto stërvitje ushtarake.

Këto stërvitje janë një model për dislokimet ushtarake ruse, por edhe një gatishmëri nga ana e Moskës për të përdorur forcën ushtarake, siç e pamë në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë në vitin 2014, kur u aneksua në mënyrë të paligjshme Krimea, si dhe tek përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën Lindore.

NATO i është kundërpërgjigjur këtyre sjelljeve, duke zbatuar parimin e mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë. Ne e kemi trefishuar madhësinë e Forcës së Reagimit të NATO-s. Për herë të parë në historinë tonë, ne kemi grupe beteje që gatshme për t’i përdorur për operacionet parandaluese, dhe të gjithë aleatët tani po investojnë më shumë për mbrojtjen.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Bajden vazhdon të distancohet nga aleatët, dhe të “ledhatojë” armiqtë e SHBA-së

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Nga Michael R.Pompeo “Fox News”

Deklaratat e presidentit Xho Bajden të martën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishin skandaloze. Pse? Sepse Bajden tregoi edhe një herë dobësi. Ai po i distancon aleatët tanë, dhe po i lë rehat në punët e tyre armiqtë e SHBA-së.

Bajden deklaroi ndër të tjera gjatë fjalës të tij:”Ne po hapim një epokë të re të diplomacisë së palodhur, të përdorimit të ndihmës sonë të zhvillimit për të investuar në mënyra të reja të fuqizimit të njerëzve në të gjithë botën”.

Por ndërsa ne duhet ta vlerësojmë diplomacinë si një mekanizëm veprimi, një Amerikë e fortë, është ajo që do ta mundësojë këtë diplomaci, dhe jo premtimi mbi dollarët që burojnë nga taksat e amerikanëve.

Një politikë e fortë “Amerika e Para”, që i dha fund viteve të harxhimit të kotë të dollarëve amerikanë, në një përpjekje për të blerë paqe dhe bashkëpunim, solli rezultate të suksesshme në të gjithë globin gjatë administratës së Trump, me trajtimin e rreptë të kundërshtarëve dhe krijimin e marrëdhënieve më të mira me aleatët tanë, për t’i rritur këta të fundit në nivelin e partnerëve që ndajnë barrën e tyre në këto aleanca.

Ajo që do ta pengojë luftën është forca e Amerikës. Dobësia dhe potenciali për pagimin me   para të gatshme të armiqve tanë, siç bëmë me Iranin, vetëm sa nxit sulmet e tyre ndaj nesh.

Xho Bajden foli në OKB si të vinte nga një botë tjetër.

Ai nuk përmendi në asnjë moment dështimet e administratës së tij në Afganistan. Ndërkohë, theksoi gatishmërinë e Amerikës për të hyrë sërish në marrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit, JCPOA, ndërsa në të njëjtën kohë ofroi një plan të mjegullt sesi do të parandalohet Irani që të pajiset me armë bërthamore.

Ai u fokusua veçanërisht tek ndryshimet klimatike, duke injoruar shumë nga sfidat e ngutshme të sigurisë dhe ato diplomatike, me të cilat po përballen aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë. Më e rëndësishmja:ai nuk arriti që të bënte paralajmërimet e duhura ndaj Kinës.

Presidenti Bajden deklaroi ndër të tjera se “ata që kryejnë akte terroriste kundër nesh, do të vazhdojnë të gjejnë tek Shtetet e Bashkuara një armik të vendosur”. Por veprimet e administratës së tij thonë të kundërtën.

Ai i tërhoqi trupat amerikane nga Afganistani pa asnjë kusht, duke iu dhënë talebanëve mundësinë e sundimit jo vetëm mbi Afganistan dhe njerëzit e tij, por edhe mbi shumë civilë amerikanë që kanë mbetur ende atje.

Duke lejuar që ky vend të bjerë në duart e talebanëve pa imponuar asnjë kosto, administrata e Bajden garantoi ringjalljen e Al Kaedës dhe ISIS-it. Dhe çfarë bëri administrata Bajden në kundërpërgjigje të sulmit terrorit në aeroportin e Kabulit, që ndër të tjera vrau 13 ushtarë amerikanë?

Ajo ndërmori një sulm me dron, që vrau vetëm disa civilë, përfshirë 7 fëmijë. Vendimet e nxituara të kësaj administrate në Afganistan, nuk përputhen me angazhimin e saj për të qenë një armike e vendosur e terroristëve.



Sa i përket Iranit, Bajden ushtroi sërish presion për të ringjallur marrëveshjen e dështuar bërthamore të vitit 2015. Administrata e tij, duket se synon të përsërisë gabimet e administratës Obama. Irani nuk e ka zbatuar asnjëherë JCPOA, dhe nuk do të ndalet para asgjëje në synimin e vet për të prodhuar armë bërthamore, në mënyrë që regjimi i tij dashakeq radikal islamik të shkaktojë shkatërrime të mëtejshme në të gjithë Lindjen e Mesme.

LEXO EDHE:  Berisha lëshon alarmin SOS/ Gjendje kolapsi në shëndetësi, spitalet Covid 1 dhe 2 të tejmbushur

LEXO EDHE:  Skualifikimi i Ibsen Elezit nga gara/ Zyrtari i PD-së hedh poshtë pretendimet e Bashës

Sigurimi i një rruge drejt zhvillimit të atyre armëve bërthamore, nuk duhet të jetë kurrë një përparësi e Shteteve të Bashkuara. Kjo është arsyeja pse administrata Trump zbatoi fushatën e saj të presionit maksimal kundër Iranit, ku ne nuk i ndihmojmë armiqtë tanë, përkundrazi i ndëshkojmë ata.

Por në vend se t’i rezistojë armiqve tanë, dhe të paraqesë para botës një udhëheqje të fortë amerikane në dritën e sfidave të panumërta me të cilat përballemi, presidenti Bajden zgjodhi të përqendrohej në fjalën e tij tek ndryshimet klimatike.

Ai pretendoi se bota po përballet me një “krizë klimatike që nuk njeh kufij” (një zgjedhje e dobët e fjalëve, duke pasur parasysh se kriza e vetme e pakufishme, me të cilën po përballen Shtetet e Bashkuara, është kriza e emigracionit që po shfaqet tani në kufirin tonë jugor).

Mos bëni gabim, duke e vënë në plan të parë klimën, dhe duke e vendosur Amerikën në vendin e fundit. Presidenti Bajden dëshiron që të jetë lider në shumë nga sfidat më të ngutshme të Amerikës ndaj ndryshimeve klimatike, duke vënë kësisoj në rrezik sigurinë amerikane dhe duke kërcënuar ta shkatërrojë ekonominë tonë, pasi ai nuk po i imponon asnjë kosto kundërshtarëve tanë, në veçanti Kinës, udhëheqësit e së cilës shqetësohen shumë pak për kërcënimin e ndryshimeve klimatike, një çështje që shqetëson më tepër elitat internacionaliste.

Dhe kjo na sjell sërish tek Kina. Ndoshta kërcënimi më i madh me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara tani, është Republika Popullore e Kinës, e udhëhequr nga sundimi autoritar i Partisë Komuniste Kineze.

Të thuash që SHBA-ja “nuk po synon të nisë një Luftë të re të Ftohtë”, është një deklaratë tepër e dobët për t’u bërë para udhëheqësve botërorë. Kina e sheh qartazi veten si kundërshtari ynë, dhe dëshiron që ta zhvendosë SHBA-në në skakierën globale.

Kinezët e kanë kuptuar mirë dobësinë e administratës Bajden, duke i rreshtuar autoritarët dhe diktatorët kundër pjesës tjetër të botës. Pekini është afruar shumë me Iranin dhe së fundmi me talebanët në Afganistan.

Kinezët kërcënojnë fqinjët e tyre, dhe zhytin vendet e botës së tretë në borxhe të thella, nëpërmjet premtimeve boshe për të kryer projekte masive në infrastrukturë. Dhe ata lejuan përhapjen e koronavirusit në të gjithë botën, pa u ndëshkuar.

Kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të punojmë me Kinën aty ku është e mundur. Por diplomacia efektive amerikane, mbështetet domosdoshmërisht tek forca dhe besueshmëria e SHBA-së.

Mjerisht, administrata aktuale duket se nuk shqetësohen për asnjërën nga të dyja.

Presidenti Bajden kishte të drejtë kur tha se bota ndodhet sot në një moment kritik, dhe se ajo ka nevojë për udhëheqje të fortë amerikane. Por për fatin e keq, kjo udhëheqje nuk u pa gjëkundi gjatë fjalimit të presidentit Bajden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së./CNA.al

Shënim:Mike Pompeo, ish-Sekretar i Shtetit dhe ish-drejtor i CIA-sa.

LEXO TE PLOTE