Politikë
“Jemi të dënuar që të bashkëpunojmë”/ Peleshi përplaset me Ademin në Shkodër

Ministri i Mbrojtes, Niko Peleshi ka inspektuar sot nga afër zonat e përmbytura në bashkinë e Shkodrës.
Gjatë vizitës së tij në Shkodër ai është shoqëruar nga kryebashkiakja Voltana Ademi e cila është shprehur se qeveria duhet të pranojë që të shpallë gjendjen e emergjencës natyrore. Kryebashkiakja dhe Peleshi kanë debatuar pasi ky i fundit i ka kërkuar që të bashkëpunojnë dhe bashkia e të gjithë institucionet të bëjnë punën e tyre.
Pjesë nga debati:
Voltana Ademi: Po flas si është situata
Niko Peleshi: Ju kuptoj shumë mirë
Voltana Ademi: Unë po flas për situatën dhe për të vlerësuar atë
Niko Peleshi: Kjo nuk është një çështje se kush e ka topin
Voltana Ademi: Nuk e thashë ashtu
Niko Peleshi: Pushteti vendor s’ka nevojë për lejë për të bërë vlerësimin e dëmeve
Voltana Ademi: Ne e bëjmë gjithmonë, një gjë të tillë, kemi blerë koncentrat, por fondi i bashkisë nuk është për të blerë koncentrat
Niko Peleshi: Nëse nuk është fondi i bashkisë i mjaftueshëm, kemi fonde tona për tu mbështetur
Voltana Ademi: E keni për detyre
Niko Peleshi: E kemi detyrë të përbashkët
Voltana Ademi: Nëse nuk e dini atëherë po jua tregoj unë, po ta sqaroj tamam
Niko Peleshi: Mesazhi im është që do mbështesim familjet
Voltana Ademi: Mesazhi im është që të keni mundësi të ndihmoni sadopak këto banorë
Niko Peleshi: A e kuptoni se është e turpshme të bëjmë debate të tillë para banorëve, bashkëpunoni
Voltana Ademi: Mos e rreni popullin, mua nuk më gënjeni.
Niko Peleshi: Jemi të dënuar që të bashkëpunojmë, nuk kam ardhur për ju por për banorët./CNA.al