Politikë
PD nis mbledhjen e firmave/ Refuzon propozimin e Korab Litës

Partia Demokratike ka nisur me mbledhjen e firmave për tu regjistruar në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve si parti politike. Deri tani, PD ka mbedhur 10 mijë firma nga mbështetësit e saj, ndërkohë që i duhen edhe 5 mijë firma të tjera. Pak ditë më parë, ishte deputeti i opozitës në Parlament Korab Lita ai i cili iu vetëofrua demokratëve për t’u deklaruar si deputet i PD, në mënyrë që të shmangej mbledhja e 5 mijë firmave, por nga selia blu, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh me argumentin se ata nuk i njohin deputetët e rinj në Kuvend.
Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso shprehet se PD ka mbledhur tashmë 10 mijë firma nga anëtarët e saj.
“Në bazë të parashikimeve që neni 28 ka për subjektet të cilët nuk kanë përfaqësim në parlament, duhet të paraqesin firmat, respektivisht 5 mijë firma për parti politike dhe 7 mijë firma për koalicion, një detaj burokratik i cili dhe nga ana jonë është përmbushur.
Tashmë PD ka mbledhur më shumë se 10 mijë firma dhe të tjera vijojnë të vijnë për të përfunduar procesin e regjistrimit. Sigurisht nuk ishte aspak e vështirë për partinë më të madhe në vend që numëron më shumë se 100 mijë anëtarë të regjistruar”, tha Kaso.
Nga ana tjetër, sekretari për çështjet ligjore në PD shprehet se nuk i njohin deputetët që kanë pranuar mandatin, duke theksuar se Parlamenti aktual është një fasadë.
“PD dhe opozita e bashkuar e kanë bërë të qartë fare mirë qëndrimin e tyre lidhur me legjitimitetin e parlamentit që në momentin që ato kanë vendosur të djegin mandatet dhe t’i japin fund farsës parlamentare.
Sigurisht një vendim i tillë është bërë publik dhe në më shumë se një rast qëndrimi i prerë dhe i shprehur publik i opozitës së bashkuar ka qenë ai i mosnjohjes së legjitimitetit të këtij parlamenti dhe nuk ka se si procesi i regjistrimit të kryhej duke u kthyer dhe duke legjitimuar kauzën që nga e opozitës së bashkuar, u bë kauza e gjithë shqiptarëve”, theksoi Kaso./CNA.al