Sport
Meksi flet si kapiten: Ndëshkohemi nga arbitrat, ky Skënderbe meriton më shumë

Skënderbeu nuk shkoi dot më shumë se një barazim ndaj Apolonisë dhe normalisht që diçka e tillë ua hoqi mundësinë korçarëve për të tentuar daljen nga vendi i fundit.
Në një prononcim pas ndeshjes, dhënë për “Panorama Sport”, Jorgo Meksi komenton takimin e barazuar përballë Apolonisë, por mbi të gjitha ndalet te 11-metërshi i akorduar nga kryesori Ardjan Beqiri. Përtej të gjithave, kapiteni nuk kërkon t’i bëjë dramë dy pikët e humbura, teksa karikon ekipin për ndeshjen e radhës, por për Skënderbeun të gjitha janë finale deri në fund.
“Na vjen keq që po lëmë pikë të tilla në fushën tonë dhe jo vetëm këtu. U bë e disata ndeshje që nuk mundëm të marrim maksimumin, pavarësisht se shënojmë dhe jemi gati të fitojmë takimin. Jemi të mërzitur pasi ishte një takim që nuk duhet ta humbnim dhe as ta barazonim.
Fitorja ishte e vetmja rrugë jona në këtë mes dhe sërish dështuam për të marrë pikët e plota. Na vjen keq për shumë gjëra, pasi jemi ndëshkuar me pa të drejtë në disa raste. Nuk dua të merrem me gjykimin, por kam përshtypjen se ai 11-metërsh i dhënë për Apoloninë nuk ishte i tillë.
U munduam t’ia shpjegonim kryesorit, por nuk është se mori për bazë asgjë. Ishte një penallti e nxjerrë nga hiçi. Duhet të kishim fituar, po nuk ia dolëm. Tani do të mendojmë për ndeshjen e radhës. Janë shumë finale përpara dhe ekipi po funksionon, nuk kemi çfarë të themi. Mjafton te jemi të përqendruar dhe t’ia dalim”, theksoi Meksi.