Aktualitet
“Rama është me Bashën”/ Ngjela: Kanë marrëveshje të heshtur, kjo është arsyeja

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar situatën në të dyja kampet politike në vend para zgjedhjeve të 25 prillit.
Gjatë një interviste për “A2”, Ngjela u shpreh se kryeministri Edi Rama dhe kreu demokrat Lulzim Basha janë bashmë dhe sipas tij qëllimi i tyre nuk është të vijnë në pushtet por të minojnë reformën në drejtësi.
Sipas avokatit, të gjithë janë të përfshirë në afera korrupsioni dhe frika nga ndërshkimi ka bërë që Rama-Basha të jenë bashkë për të ndihmuar njëri tjetrin për t’i shpëtuar drejtësisë së re.
“Krerët e PD nuk luftojnë për pushtet, por kanë frikë nga reforma antikorrupsion. Edhe Rama është aty, jam i bindur edhe pse nuk kanë një marrëveshje, është e heshtur. Ata e duan pushtetin për të ndaluar reformën. Lakuriqi i natës nuk ka sy, por shikon. Edhe këta i kanë ultratingujt. Të gjithë kanë futur duart dhe kanë frikë.
Rama është i paqartë. Mund të vijë në pushtet me një votë irracionale, por nuk ka optikë për reformë”, tha Ngjela.
Avokati deklaroi më tej se opozita është pa një lidership, duke shtuar se `edhe pse ai ka humbur dy palë zgjedhje ka mbetur po i njëjti, pa ndryshuar.
“Opozitarët nuk ndërruan lidershipin edhe pse humbën dy palë zgjedhje. Janë në krizë besimi, në krizë të vetvetes. Kur konkurronte Basha me atë tjetrin, Rama ishte me Bashën. Ai bënte si i çmendur në zyrë sepse di që këta nuk fitojnë, jo se ka ndonjë lidhje politike në ide. Nëse ata ndërrojnë lidershipin me figurat elokuente që kanë, me figura të pakorruptuara, Rama nuk fiton dot në 100 vjet. Opozita është ende në kohë edhe 20-30 ditë, që të marrë vlerat e veta. Jam i bindur që kanë të paktën 10 figura.
A e shikoni që ndërkombëtarët nuk e çajnë kokën për zgjedhjet e ardhshme? Kjo do të thotë se i kanë planet te reforma antikorrupsion, por ambasadorja amerikane ka dalë me një risi. Këta bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar. Ajo tha se të inkriminuarit nuk duhet të kandidojnë. Kaloi edhe një hap më tutje, tha se nuk duhet të kandidojnë edhe ata që janë “non grata” nga Amerika. Kjo ka qenë në stafin e ngushtë të Biden”, tha Ngjela./CNA.al