Kronika
U kap me armë para selisë së PS/ Prokuroria jep pretencën për Vladimir Gjutën

5 vite burg kërkoi prokuroria e Tiranës për Vladimir Gjutën. Ky i fundit u kap pranë selisë së PS-së duke lëvizur me armë zjarri.
Prokuroria e Tiranës kërkoi këtë masë dënimi në përfundim të gjykimit të tij për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Seanca e radhës, ku pritet të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes dhe të jepet vendim, u caktua në 27 janar.
40-vjeçari u ndalua më 10 shkurt 2020 pranë selisë së Partisë Socialiste pasi punonjësit e Gardës së Republikës vërejtën lëvizje të dyshimta. Në momentin e ndalimit, Gjutës iu gjet një armë zjarri si dhe një shumë e konsiderueshme parash prej 120 mijë euro.
Për shumën e parave, ai deklaroi gjatë marrjes në pyet se ishin kursime familjare dhe të ardhura të siguruara nga veprimtaria e biznesit.
40-vjeçari është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar si i përfshirë në vendosjen e një sasie tritoli tek farmacia e Bashkim Tahirit, babai i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Më herët, për dhunimin e babait, Gjykata e Tiranës ka dhënë për Gjutën vendimin për mjekim të detyruar në psikiatri, ndërsa së fundmi ai u la në detyrim paraqitjeje./CNA.al