Connect with Us

Sektori i ndërtimit i paprekur nga kriza ekonomike/ Pritet të zgjerohet si aktivitet në vitin 2021

Ekonomi

Sektori i ndërtimit i paprekur nga kriza ekonomike/ Pritet të zgjerohet si aktivitet në vitin 2021

Publikuar

-

Sektori i ndërtimit i paprekur nga kriza ekonomike/ Pritet të zgjerohet si aktivitet në vitin 2021

Në vitin që lamë pas, pavarësisht se pandemia përkeqësoi ekonominë e Shqipërisë, sektori i ndërtimit ishte një ndër ata që nuk u prek nga kriza. Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve pritet të jetë i garantuar edhe për disa vite të tjera.

Në 2020-n, ndërtimi u tkurr me 11.6% me bazë vjetore në tremujorin e parë, i ndikuar më shumë nga tërmeti. Më pas, sektori e mori veten, duke u zgjeruar me 2.8% në tremujorin e dytë dhe gati 17% në të tretin, duke u bërë një faktor kryesor në rritjen ekonomike për këtë periudhë.

Aktiviteti i sektorit të ndërtimit pritet të zgjerohet edhe më shumë për vitin 2021. Parashikimet e ndërtuesve janë optimiste. Hajredin Fratari, ndërtues, shpjegon se vazhdimi i punimeve për projektet e nisura garanton punë për disa vite rresht për kompanitë.

“Në Tiranë janë hapur shumë kantiere ndërtimi për zona rezidenciale. Në shumicën prej tyre ka përfunduar faza e parë e punimeve, që përbën 20% të totalit të volumit të projektit. Pra llogaria është shumë e thjeshtë. Përfundimi i punimeve do të kërkojë edhe 2-3 vite kohë. Po ashtu në Tirana janë të shumta kullat (ndërtime shumëkatëshe) që kanë nisur dhe pritet të përfundojnë. Nga realizmi i këtyre projekteve aktiviteti i sektorit pritet të rritet edhe për këtë vit”, pohon Fratari.

Ndërtuesit presin që sektori të marrë hov dhe nga rindërtimi, planet e të cilit u shtynë për këtë vit për shkak të pandemisë, por dhe projektet infastrukturore në këtë vit zgjedhor.

Prodhimi i mobilieve do të rritet 20%

Prodhimi i mobilieve ishte nga të paktët që më 2020, përgjithësisht nuk u prek nga pandemia. Pas përfundimit të karantinës, me hapjen e ekonomisë, operatorët kryesorë të tregut pohuan se kërkesa për mobilie vërshoi dhe sektori arriti të rikuperonte menjëherë humbjet nga izolimi i COVID-19. Ilir Linza, administrator i FPM (Fabrika e Prodhimit të Mobilieve), thotë për “Monitor” se shitjet e gjithë sektorit pritet të zgjerohen edhe për këtë vit.

Ecuria e sektorit në tërësi të mobilieve për 2021 pritet të jetë pozitive dhe operatorët e tregut parashikojnë një rritje mesatare prej rreth 20%. Arsyeja është rritja e kërkesës në tregun vendas dhe eksportin e mobilieve, e cila do të vazhdojë të zgjerohet edhe për këtë vit”. Shitjet e kompanisë për 2020, pavarësisht krizës së COVID-19, ishin 10% më shumë se në 2019. Arsyet për rritjen e xhiros, sipas përfaqësuesit të FPM, ishin hapja e dyqanit të katërt në Shkodër (në vitin 2019, kompania kishte 3 dyqane, në Vlorë, Elbasan dhe Tiranë) dhe shtimi i klientëve që kryejnë blerje të rregullta.

Edhe për kompaninë “Trin mobileri”, parashikimet për shitjet në 2021 janë optimiste. Vjet në pandemi, shitjet ishin 10% më tepër se në 2019 edhe për këtë sipërmarrje. “Arsyet e rritjes janë zgjerimi i sektorit të ndërtimit, ndërsa individët me të ardhura mesatare dhe të larta nuk i anuluan kërkesat e planifikuara për mobilim shtëpie apo ambiente shërbimesh për biznes. Shitjet në treg të kompanisë janë të ndara: 90% nga prodhimi dhe 10% nga importi”, siç shpjegoi më herët për “Monitor”, inxhinieri i kompanisë, Dritan Cacaj.

Edhe kompanitë e tregtimit të pajisjeve hidrosanitare dhe të pllakave ishin ndër të paktët operatorë që në 2020-n përjetuan periudhën e artë të shitjeve. Kompanitë kryesore në Shqipëri “Delta” dhe “Brunes”, deri në fund të tetorit, raportuan rritje të kërkesës krahasuar me 2019-n.

Zgjerimi i hidrosanitareve arriti deri 30% më shumë se në 2019-n, siç ishte rasti i operatorit “Billa”, ndërsa shitja e pllakave mbeti e pandryshuar. Qasja e kësaj kompanie është e lartë për 2021, me rritje rreth 22% krahasuar me vitin e kaluar. Shitjet e sektorit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave në 2020-n u forcuan nga konsumatori familjar, i cili nuk i ndërpreu shpenzimet për pajisje në raste dëmtimesh apo rinovimi.

LEXO EDHE:  Projekti i ri fiskal/ Si mund të tërheqë Shqipëria investimet e huaja

Për kompani të tjera, si “Sinani”, që tregton produkte në zonat rurale, kërkesa ra 30% krahasuar me 2019, për shkak të moskthimit të emigrantëve në Shqipëri nga bllokimi i lëvizjeve me jashtë (kjo tendencë në 2020, u shfaq më tepër në rrethe dhe zonat rurale). Vazhdimi i investimeve në hotele e nxiti kërkesën për pajisjet hidrosanitare dhe pllaka rreth 17% në pandemi. Ndërsa kleringu mbeti forma kryesore e blerjeve për 80% të ndërtuesve.

Vit i mirë për sektorin e tullave, zgjerohen kapacitetet prodhuese

Ndërtimi ishte i vetmi që nuk i ndjeu efektet e pandemisë në nivelet që vuajtën sektorët e tjerë të ekonomisë. Përkundrazi, kantieret vijuan të ishin aktivë edhe në muajt e kufizimeve. Situata ka ndikuar pozitivisht tek industritë e lidhura me të, siç është edhe ai i prodhimit të tullave. Ilda Baraj, nga kompania “KID-ALB”, pohon se njëfarë efekti e ka pasur edhe procesi i rindërtimit, por ai më shumë u ndie në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar, kur edhe pati një aktizivim të projekteve. Efekti më dominues pritet këtë vit. Por si ka qenë prodhimi dhe kërkesa për sektorin e tullave?

“Sa i takon prodhimit, kemi qenë në kapacitet 100% gjatë gjithë kohës. Edhe gjatë shpërthimit të pandemisë, në muajt e parë, pavarësisht se ishte e vështirë, arritëm të merrnim leje dhe të mbanim prodhimin me tre turne, duke respektuar masat e kërkuara.

Sa i takon pjesës financiare, fillimi i vitit 2020 ishte pak i ngadaltë, ndërkohë që, shitjet në kohën e pandemisë dhe kufizimeve pësuan një rënie me 31.5%. Kërkesa u rimëkëmb më vonë, por diferenca mes vitit 2019 dhe atij 2020 është 15% ulje. U vu re rritje e shitjeve për disa artikuj me 15-20% nga muaji qershor kur u hoqën kufizimet, e cila vazhdon edhe sot. Për ta ilustruar mund të them se në 6-mujorin e parë, ne shisnim 65% të prodhimit, sot shesim 110% të prodhimit ditor. Për ne si kompani, 2020-a mund të cilësohet një vit i suksesshëm por ka pasur edhe problematikat e tij.

Nuk duhet të harrohet rritja progresive e çmimeve që kanë shënuar lëndët bazë, sidomos energjia dhe koksi, pasi argjilën e kemi tonën. Këto kanë sjellë edhe rritje të kostos së prodhimit për njësi. Ne e kemi ngritur si shqetësim edhe pranë shoqatave të biznesit, që të shihet hapësira për të bërë ndërhyrje në disa elemente, në mënyrë që produkti final të dalë me çmim konkurrues. Dy projektligje të diskutuara lidhen me akcizën, por ende nuk ka diçka të finalizuar” – pohon Baraj.

Lidhur me 2021, ajo nënvizon se parashikohet të jetë një vit i mirë, pasi në funksion pritet të hyjë edhe një fabrikë e re me kapacitet prodhues të konsiderueshëm dhe teknologji moderne, duke iu përgjigjur kërkesës që aktualisht kalon prodhimit ditor.

“Sa i takon vitit 2021, ne parashikojmë rritje si nga ana e vëllimit në prodhim, ashtu edhe në shitje. Kemi një rritje të lehtë të çmimit për njësi, si efekt i energjisë dhe koksit. Aktualisht po shesim më shumë se prodhimi ditor. Duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimeve në vend, kemi investuar në një fabrikë të re, që hyn në prodhim së shpejti.

Gjithçka ka përfunduar dhe mbeten pak gjëra për ta vënë në funksion të plotë e për të dalë në prodhim. Është me një linjë moderne dhe teknologji që edhe në Ballkan nuk haset, ku linja e prodhimit do të bëhet me robotë” – shprehet Baraj./Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

100 projektet që thithën fondet e buxhetit më 2020/ Nga rindërtimi, rrugët te koncesionet

Publikuar

-

Nga

Qeveria ka kryer shpenzimet kapitale faktike prej 91,2 miliardë lekëve më 2020, niveli më i lartë që nga viti 2009, vit në të cilin ishte kulmi i investimeve në rrugën e Kombit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shuma prej rreth 738 milionë eurosh shkoi për financimin e 1855 projekteve nga rreth 2600 që ishin planifikuar për financim. Por siç shihet nga të dhënat pjesa më e madhe e fondeve 61 miliardë lekë ose 65 për qind e totalit të fondeve të shpenzuara shkuan për financimin e 100 projekteve më të mëdha, të cilat përfaqësojnë frontet e rindërtimit për shkollat dhe banesat e prishura nga tërmeti, për koncesionet dhe për financimin e disa akseve rrugorë të tilla, si rruga Kardhiq-Delvinë, rruga e Lumit të Vlorës, Unaza e re etj.

Projekti që ka marrë financimet më të mëdha më 2020 është ndërtimi i by Pass të Fierit me 3,5 miliardë lekë.

Projekti i dytë më i madh për nga financimi në vitin 2020 është rindërtimi i banesave individuale me një financim prej 3.2 miliardë lekë ose 64 për qind e planit të vitit që kishte planifikuar 5,1 miliardë lekë financime në këtë projekt. Ministria e Financave raportoi se gjatë vitit 2020 ishin përdorur gjithsej 16.7 miliardë lekë për rindërtimin pas tërmetit, nga 28 miliardë lekë që ishin planifikuar për këtë vit.

Projekti i tretë më i madh ishte rindërtimi i objekteve arsimore në zonat e dëmtuara nga tërmeti me mbi 3 miliardë lekë të shpenzuara. Ky zë ka regjistruar tejkalim pasi për objektet arsimore më 2020 ishin planifikuar vetëm 621 milionë lekë.

Projekti i katërt më i madh ishte ndërtimi i rrugës Kardhiq -Delvinë me 3 miliardë lekë financime, teksa në planin buxhetor të vitit ishin planifikuar jo më shumë se 1,1 miliardë lekë.

LEXO EDHE:  ‘Ne nuk bëjmë propagandë’/ Grida Duma ‘zbërthen’ programin për Mirëqënien Sociale

LEXO EDHE:  Rindërtimi/Shtëpia e Flamurit në Korçë si shpëton tenderit me 99.99%

Projekti i pestë më i madh që ka marrë financime nga buxheti është koncesioni i rrugës së Arbrit me 2,5 miliardë lekë duke konsumuar 100 për qind të financimit të planifikuar për vitin buxhetor 2020. Të katër kontratat koncensionare të përfshira në listën e investimeve, ku përveç rrugës së arbrit janë inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe subvencioni i Rrugës së Kombit u financuan me 4,6 miliardë lekë ose 37 milionë euro duke realizuar 100% të planit vjetor.

Projekti i 6-të më i madh ishin shpronësimet me mbi 2 miliardë lekë dhe projekti i shtatë më i madh që u financua më 2020 ishte projekti për rehabilitimin e Lumit të Vlorës me 1,9 miliardë lekë financime. Për këtë projekt nuk ishin parashikuar fonde më 2020.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave deri në fund të 11-mujorit 2020 u shpenzuan 63.9 miliardë lekë në projektet e investimeve, ndërsa gjatë dhjetorit u akorduan mbi 30 miliardë lekë të tjera ose një e treta e investimeve të alokuara. /Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Pas jahteve, ulet tarifa doganore për importin e gomoneve

Publikuar

-

Nga

Pas përjashtimit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import, të jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vjet, tashmë në fuqi do të hyjë një tjetër lehtësim por këtë herë për gomonet.

Në ndryshimet e bëra në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” që është botuar në Fletoren Zyrtare është përcaktuar se tarifa doganore për kodin tarifor të NKM 8903 10, “mjetet e tjera ujore për kënaqësi dhe sporte, të fryra me ajër ose gaz”, nga 15 për qind bëhet 2 për qind. Në këtë kod përfshihen kryesisht mjetet prej gome apo gomonet.

Më herët, Ndryshimi i shkallës së tarifës doganore për jahtet u kundërshtua nga Presidenti i Republikës duke e kthyer ligjin nën argumentin e klientelzimit, por qeveria e çoi deri në fund miratimin.

Edhe në këtë rast ashtu si me jahtet qeveria ka argumentuar se kjo bëhet në funksion të turizmit. Qytetarët sipas saj do të kenë më shumë akses në këto mjete që nuk janë aq të kushtueshme sa jahtet ndërkohë që po në të njëjtën linjë është nënvizuar se nuk ka përjashtim por vetëm ulje të nivelit të tarifës një praktikë që ekziston në një sërë kodesh tarifore.

LEXO EDHE:  PD bojkoton Komisionin e Ekonomisë/ Turp që nuk hoqët imunitetin e Tahirit

LEXO EDHE:  ‘Ne nuk bëjmë propagandë’/ Grida Duma ‘zbërthen’ programin për Mirëqënien Sociale

Importet e mjeteve ujore

Shifrat zyrtare tregojnë se importi i mjeteve ujore ka variuar nga viti në vit. Kështu për 3 vitet e fundit, për këto 2 kode tarifore 8 shifrore të përfshirë në kodin tarifor NKM 8903 10 importet janë të tilla.

-Për vitin 2018, janë importuar gjithsej 2 517 mjete ujore, me vlerë detyrimi doganor 2 724 375 lekë dhe TVSH në masën 5 140 623 lekë.

-Për vitin 2019, në të dy këto kode tarifore, janë importuar gjithsej 551 mjete ujore, me vlerë detyrimi doganor 3 956 050 lekë dhe TVSH në masën 6 745 906 lekë.

-Për vitin 2020, në të dy këto kode tarifore, janë importuar gjithsej 1493 mjete ujore, me vlerë detyrimi doganor 2 981 224 lekë dhe TVSH në masën 8 389 103 lekë.

Teksa Shqipëria nxiton të krijojë kushtet për importet e mjeteve ujore përfshirë jahtet apo gomonet duket se në aspektin infrastrukturor nuk ka asnjë avancim. Prej vitesh tashmë janë dhënë koncesione për marina e porte turistikë por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar. I vetmi port jahtesh në vend është ai në Orikum./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Pandemia hap portat e panjohura të ekonomisë digjitale

Publikuar

-

Nga

Pandemia hap portat e panjohura të ekonomisë digjitale

Pandemia i dha zhvillim të pazakontë tregtisë online. Mbi 2000 të rinj shqiptarë përfituan punë me pagesë nga shtëpia për kompani të huaja nëpërmjet platformave “Fiverr” dhe “Upwork”, ndërsa 54% e shqiptarëve rritën blerjet në internet. Ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal, i pohuan “Monitor” se, qeveria dhe të gjitha grupet e interesit duhet të punojnë fort që të çojnë më tej këto zhvillime dhe t’i bëjnë ato më sigurta. Hapësirat për rritje që siguron e-commerce dhe ndërhyrjet që duhen bërë.

Pandemia i dha hov të pazakontë ekonomisë dixhitale në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri, hapa të cilët do të duheshin të ndërmerreshin për dekada në periudhë normale. Pavarësisht mangësive dhe infrastrukturës të dobët, tregtia online, mësimi dhe puna në distancë, aftësitë mbi shërbimet digjitale u rritën me shpejtësi, duke hedhur bazat për një zhvillim të qëndrueshëm të e-commerce edhe në të ardhmen.

Mbi 2000 shqiptarë, kryesisht të rinj profesionistë, punuan me pagesë online për kompani të huaja. Banka Botërore, në një raport të posaçëm për zhvillimin e e-commerce gjatë pandemisë, vuri në dukje se Shqipëria pati një numër të lartë të profesionistëve që u regjistruan në platformat e punësimit online, “Fiverr”, “Upwork” etj.

Numri i shqiptarëve të regjistruar në këto platforma shpesh kaloi atë të vendeve të zhvilluara, të cilët ofruan kryesisht shërbime për IT, arkitekt, përkthyes, menaxherë, këshillues, ekonomistë, inxhinierë IT, etj. Të rinjtë shqiptarë profesionistë kanë marrë përgjithësisht vlerësime pozitive nga punëdhënësit, për shkak se ofrojnë shërbime të mira kundrejt një pagese jo shumë të lartë.

Ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal, i pohuan “Monitor” se, pandemia nxiti ekonominë digjitale, porse qeveria dhe të gjitha grupet e interesit duhet të punojnë fort që të çojnë më tej këto zhvillime.

Studimi i tyre, që u bazua në një sondazh të nëntorit 2020 në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi mënyrën se si konsumatorët dhe bizneset e përdorën tregtinë elektronike gjatë kohës së pandemisë, gjeti se COVID-19 ka përshpejtuar përdorimin e blerjeve në internet.

54% shqiptarëve të anketuar treguan se ata kanë rritur blerjet në internet gjatë krizës. Nga këta, 74% besojnë se do të vazhdojnë të blejnë në internet më shpesh edhe kur pandemia do të ketë kaluar.

Tregjet online në Shqipëri karakterizohen nga shitjet e brendshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe dyqaneve lokale, përmes pagesave cash dhe blerjeve elektronike në platformat ndërkombëtare të tregtisë elektronike përmes pagesave me karta elektronike. Nga të anketuarit shqiptarë që bëjnë blerje online, 67% theksojnë se përdorin rrjetet sociale për të blerë nga dyqanet vendase, ndërsa 61% deklarojnë se blejnë nga tregjet ndërkombëtare.

Pengesat

Në studimin e tyre, ekspertët Ungerer dhe Portugal theksojnë se, një nga pengesat kryesore për rritjen e tregtisë në internet është mungesa e besimit te blerjet online, veçanërisht kur shitësit janë vendas. 83% e të anketuarve shqiptarë theksuan se, rreziku i porositjes së një produkti që nuk plotëson pritshmëritë është pengesë kryesore për blerjet në internet nga shitësit vendas, ndërsa 30% e tyre shohin si shqetësim kryesor rrezikun e identifikimit dhe vjedhjes së pagesës. Veç të tjerash, të anketuarit nxjerrin në pah kostot e larta të dorëzimit dhe kostot e larta të detyrimeve doganore.

Më tej, në popullatën e gjerë, pengesa themelore mbeten metodat e pagesës, mungesa e aftësive në gjuhën angleze dhe aksesi i kufizuar në internet. Gati 46% përmendën pagesat si pengesë, 40% mosnjohjen e gjuhës angleze dhe 35%, infrastrukturën jo të mirë digjitale.

Në përgjithësi, shqiptarët parapëlqejnë të blejnë në internet për të kursyer kohën, përveçse për t’u mbrojtur nga pandemia. Ndërsa 57% preferojnë të blejnë online se kanë më shumë zgjedhje. Rreth gjysma e pjesëmarrësve shqiptarë në studim, thanë se për momentin, tregtia elektronike është një plotësim i blerjeve që nuk gjenden në dyqanet fizike të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, logjistika e shtrenjtë dhe e ngadaltë, duke përfshirë procedurat doganore, kufizojnë aftësitë e bizneseve për të rritur klientët e tyre. Një trajtim i paqartë dhe i pafavorshëm tatimor mban kompanitë larg tregtisë elektronike. Shumë klientë shqiptarë ende nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në ekonominë digjitale. Specialistët e IT dhe tregtisë elektronike që mund të ndihmojnë në krijimin e bizneseve në internet, mbeten të kufizuar në numër.

Për ta bërë më të lehtë tregtinë online, Banka Botërore rekomandon një sërë ndërhyrjesh për të përmirësuar infrastrukturën, që nga Dogana, sistemet e pagesave dhe shërbimet postare. Për shembull shërbimi i pagesave PayPal, megjithëse njihet për shtrirjen e tij të gjerë ndërkombëtare, deri më tani ka funksion të kufizuar në Shqipëri. PayPal nuk është regjistruar në Bankën e Shqipërisë për të operuar dhe për të siguruar shërbimet në vend. Bizneset e regjistruara në Shqipëri mund të kryejnë pagesa përmes PayPal, por ato përballen me tarifa të larta transaksioni, pasi atyre u duhet të kryejnë pagesa nëpërmjet një llogarie bankare të regjistruar në SHBA. Procedura është e shtrenjtë dhe kërkon kohë.

Zhvillimi i modeleve hibride

Pak biznese shqiptare shesin produktet në internet. Sipas Anketës për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit në Ndërmarrje të INSTAT, vetëm 5.8% e bizneseve shqiptare i shitën produktet në internet më 2019. Sidoqoftë, një ekosistem i sipërmarrjeve shqiptare gradualisht po shfaqet, duke shitur online mallrat e importuara nga interneti në tregun e brendshëm. Ekzistojnë konfigurime të ndryshme, në të cilat kompania e tregtisë elektronike vepron si prodhues dhe shitës i produktit.

Lojtarët e tregtisë elektronike kanë zhvilluar në përgjithësi modele të përshtatura për tregun shqiptar. Mallrat e importuara me shumicë mund t’i dorëzohen klientit përfundimtar më shpejt dhe me kosto më të ulët dhe nga ana tjetër, klienti përfundimtar është plotësisht i mbrojtur nga procedurat doganore. Shqiptarët mund të porosisin në internet pa qasje në pagesa elektronike.

Faqet web në përgjithësi janë plotësisht të arritshme në gjuhën shqipe. Përkundër këtyre përparësive, shitësit shqiptarë në internet janë ende në procesin e krijimit të besueshmërisë për të fituar klientë. Ofrimi i produkteve është i kufizuar dhe nevojitet një rritje e mëtejshme për të shfrytëzuar më mirë kërkesën, sugjeron studimi i Bankës Botërore. Barometri i Biznesit në Ballkan i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal konkludon se, kompanitë shqiptare ndjekin Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në përdorimin e kanaleve të shitjeve në internet.

Call Center dhe turizmi, sektorët pararojë

Në Shqipëri po lulëzon një industri që ofron shitjen e shërbimeve nga interneti për të huajt nëpërmjet call center. Kompanitë call center në Shqipëri punësojnë 25,000 deri në 32,000 profesionistë. Këto biznese gradualisht po evoluojnë përtej thirrjeve telefonike në qendra të ofrimit të shërbimeve financiare, IT etj.

LEXO EDHE:  Ekonomia pas pandemisë në SHBA/ Hapen 1.8 milionë vende pune në korrik

LEXO EDHE:  Ekonomia e fshatit/ Peleshi: Fajin e ka qeveria e kaluar

Nga ana tjetër, shumë të vetëpunësuar shqiptarë kanë përfituar nga platformat ndërkombëtare të punës online si “Upwork” dhe “Fiverr” duke ofruar shërbime sipas kërkesës, përfshirë krijimin e faqeve në internet, planifikimin financiar dhe përkthimin, arkitekturën etj.

Banka Botërore analizoi se depërtimi i shqiptarëve në këto faqe të pavarura, shpesh e tejkalon atë të shumë ekonomive të përparuara. Duke pasur fuqi punëtore të aftë, që zotëron më shumë se një gjuhë, pagat e ulëta, si dhe pengesat ende të forta për emigrim, Shqipëria po përfiton duke shitur shërbime nga profesionistët në distancë për tregun amerikan dhe atë europian.

 

Gjithashtu, sektori në rritje i turizmit në Shqipëri po përdor gjithnjë e më shumë kanalet e shitjeve në internet. Potenciali turistik i Shqipërisë ka qenë prej kohësh i nënshfrytëzuar. Me një vijë të gjatë bregdetare, pyje të shumta, me lumenj e liqene, e pasur në trashëgimi kulturore dhe historike, Shqipëria ka shumë për të ofruar për turistët, sidomos ata të aventurës.

Por pengesat kryesore përfshijnë infrastrukturën e kufizuar të turizmit. Mungojnë emrat ndërkombëtarë të hotelerisë, si dhe nuk ka marrëveshje të qëndrueshme me agjencitë ndërkombëtare për paketat turistike. Për të kapërcyer këto pengesa, ofruesit lokalë të shërbimeve turistike shqiptare kanë qenë të shpejtë për të miratuar platforma online të drejtpërdrejta.

Duke u regjistruar në Booking, hotelet dhe bujtinat e vogla edhe në zonat më të thella në vend kanë siguruar klientë nga e gjithë bota. Midis 2014 dhe 2019, vizitorët e huaj në Shqipëri u rritën me 74%.

E-commerce, hapësira për biznese të reja

Tregtia online zhvillon hapësira të reja për biznes. Një sërë sektorësh ndërlidhës shqiptarë dhe ndërkombëtarë ofrojnë shërbime për shpërndarjen ndërkombëtare të mallrave, duke rritur ofertat për punë të shërbimeve postare. Konsulentë juristë dhe të TIK-ut ofrojnë paketa të specializuara për të mbështetur kompanitë e tregtisë elektronike, për të ngritur biznesin e tyre.

Ata ndihmojmë sipërmarrësit të marrin vendime komplekse ligjore, teknike dhe strategjike, të nevojshme për të ndërtuar kanalet e tyre të shitjeve në internet. Po shfaqen ofrues të pagesave elektronike shqiptare, përfshirë paypay-n, me mundësi të reja pagese për klientët elektronikë dhe shitësit elektronikë shqiptarë.

Në intervistat me kompanitë shqiptare të tregtisë elektronike, Banka Botërore ka gjetur se, ekonomia e madhe informale e Shqipërisë ishte një pengesë për zhvillimin e ekonomisë dixhitale.

Tarifat e skanimit duhet të ulet

Banka Botërore vë në dukje se, praktikat e tarifimit nga doganat dekurajojnë tregtinë, veçanërisht dërgesat e vogla. Së pari, një tarifë skanimi aplikohet për dërgesat që hyjnë ose dalin nga Shqipëria (ekuivalente me 22 euro dhe nëse vlera e dërgesës kushton 1,000 euro, tarifa e skanimit është 5 euro).

Sipas Bankës Botërore, kjo përbën një taksë të pazakontë që aplikohet për eksportet dhe importet, gjë që është veçanërisht e rëndë për dërgesat e vogla, për të cilat pagesa e skanimit mund të jetë e konsiderueshme. Së dyti, importuesit raportojnë se zyrtarët e doganave rregullisht korrigjojnë çmimet e referencës, duke rritur në mënyrë fiktive ngarkesën tatimore. Banka Botërore këshillon qeverinë të eliminojë tarifat e skanuesit për dërgesat me vlerë të ulët.

5 ndërhyrje për mbështetjen e ekonomisë dixhitale

Tregtia elektronike po lulëzon në një mjedis kompleks me kufizime në të gjitha dimensionet. Në vijimësi, ato duhet të trajtohen për të mbështetur ekosistemin e tregtisë elektronike të Shqipërisë, këshillojnë ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal.

Logjistika dhe doganat

Shërbimet postare dhe kompanitë e tjera të logjistikës duhet të zhvillojnë zgjidhje të përshtatura që të mbështesin kompanitë e tregtisë elektronike. Administrata doganore duhet të adaptojë dhe të forcojë proceset në mënyrë efektive, të trajtojë ngarkesat me vlerë të ulët e me vëllim të lartë që lidhen zakonisht me tregtinë elektronike.

Nga ana tjetër, kompanitë e tregtisë elektronike duhet të investojnë në strategjitë e tyre të magazinimit, duke siguruar inventarë të mjaftueshëm dhe duke mundësuar shpërndarjen e shpejtë, të besueshme dhe të përballueshme deri në miljen e fundit, kur blerja është bërë në internet.

Lidhja dixhitale

Ndërhyrjet e sektorit publik dhe privat janë të nevojshme për të zgjeruar aksesin në internet me shpejtësi të lartë, i cili kërkon mobilizimin e financimit për investime në infrastrukturë, si dhe riorganizimin të lejeve. Përtej kësaj, investimet në teknologjitë celulare, duke përfshirë edhe përdorimin e 5G, janë thelbësore në përgatitjen e Shqipërisë për gjeneratën e ardhshme të mundësive të biznesit në internet.

Pagesat në internet

Zgjerimi i aksesit në mjetet elektronike të pagesave midis klientëve është çelësi për rritjen e e-commerce. Nga ana tjetër, bizneset duhet të investojnë në zhvillimin e aftësive për të pranuar pagesa nga interneti. Rritja e secilës palë në treg mund të përshpejtojë zhvillimin e tjetrës, duke vënë në lëvizje të gjithë tregtinë elektronike.

Rritja e aftësive në sektorin privat

Tregjet në internet kanë nevojë për një sektor privat të tregtisë elektronike, ku mbi të gjithë të dominojë piramida e aftësive njerëzore. E-sipërmarrësit shqiptarë duhet të mbështeten, si nëpërmjet financimit dhe trajnimit, por edhe duke zhvilluar një mjedis të përgjithshëm mbështetës të biznesit.

Për shembull, duke krijuar korniza ligjore tatimore transparente dhe miqësore ndaj biznesit për tregtinë elektronike. Bizneset elektronike duhet të mbështeten me konsulenca, kompani IT dhe operatorë të logjistikës. Të gjitha këto së bashku krijojnë një kornizë të rëndësishme që mund të ndihmojë bizneset lokale të zhvillojnë kanalet e shitjeve në internet. Më në fund, klientët shqiptarë duhet të arsimohen, që të mund të jenë blerës të sigurt në internet, të dinë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe të shmangin mashtrimet.

Kuadri rregullator i tregtisë elektronike

Transaksionet në internet duhet të mbështeten nga një kornizë e fortë rregullatore që të sigurojnë mbrojtje për të gjitha palët e përfshira, duke ndërtuar, së pari besimin tek ekonomia digjitale. Shfaqja e platformave në internet kërkon nevojën e zhvillimit të një infrastrukture ligjore të dedikuar për qartësimin e të drejtave dhe përgjegjësive me të cilat përballen këto lloje të reja biznesesh. Teksa tregu rritet, rreziqet kryesore që lidhen me tregjet online do të ndodhin, por gjithashtu duhet të menaxhohen.

Agjencitë qeveritare, si administrata tatimore dhe doganore, do të duhet të azhurnojnë procedurat për të menaxhuar me efikasitet bizneset elektronike, duke luftuar informalitetin në tregjet online, si dhe të sigurohen që operatorët ndërkombëtarë të tregtisë elektronike të paguajnë pjesën që u takon taksave në Shqipëri. Kuadri i konkurrencës së Shqipërisë do të duhet të gjejë zgjidhje praktike për të mbrojtur klientët nga gjigantët e tregtisë elektronike që mund të dominojnë tregjet dhe të kufizojnë konkurrencën./Monitor

LEXO TE PLOTE