Politikë
‘Riciklimi’ i figurave brenda PD/ Basha lavde Edmond Spahos: Është ndryshimi që duan qytetarët e Korçës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka qenë i ftuar pasditen e sotme në “Kjo javë”, ku mes të tjerash është pyetur dhe për emërimin e Edmond Spahos në qarkun e Korçës.
Megjithëse një figurë jo e re, pasi ai ka qenë deputet i zgjedhur në vitin 2005 në një nga zonat e Korçës. Në vitin 2009 ka qenë pjesë e listës së PD, gjithashtu edhe në vitin 2013 ka qenë deputet i zgjedhur në qarkun e Korçës në listën e kësaj force politik, Basha tha se Spaho është ai që i duhet sërish Korçës.
‘Profesor Spaho është së pari një njëri i nderuar i botës akademike. Së dyti, është një bir i atij qarku, e njeh shumë mirë, ka bërë fushatë, është zgjedhur, i ka përfaqësuar kurrë s’ka qenë e mbyllur dera e tij, telefoni i tij për ata njerëz.
Vjen dhe ai si një konsensus jo vetëm i demokratëve Korçar por i gjithë banorëve të asaj zone nga Leskoviku dhe Erseka, nga qyteti i Korçës në Maliq, nga Pogradeci në Devoll kudo ka një konsensus se Edmond Spaho nuk është thjesht dhe vetëm nën kryetari i Partisë Demokratike por është një figurë i një njeriu model, i një familjari model, i një qytetari model, një profesori dhe i një deputeti model dhe nesër së bashku me ekipin që do ta rrethojë do të garantoj që vullneti tashmë i ditur edhe i shumicës dërrmuese edhe i qytetarëve Korçar për ndryshim të sjellë për ta ndryshimin që duan.
Atë ndryshim që duan qytetarët e Korçës që bijtë dhe bijat e tyre të mos vazhdojnë të emigrojnë masivisht por të kenë mundësi të hapin biznese dhe të kenë investime të huaja në qytetin e Korçës. Atë ndryshim që duan devollitët që mos ti hedhin qepët, patatet, fasulet, mollët në kanal por të kenë një rrjetë të thithjes dhe të përpunimit të produkteve të tyre. Atë ndryshim që do Maliqi, që do Erseka, që do Pogradeci që kjo trevë kaq e bukur të mos mjaftohet me fundjavën ku shkojnë sot shumica e atyre që kanë mundësi të paguajnë nga Tirana, po të kthehet në një qendër të krenarisë turistike, kulturore, kulinare për të gjithë rajonin.
Dhe skuadra e drejtuar nga Edmond Spaho absolutisht është një garanci për të zhbërë 8 vite dështime që edhe në Korçë kanë përqëndruar pasuritë në duart e një grupi shumë të ngushtë njerëzish dhe kanë varfëruar Korçarët dhe i kanë ulur kokën intelektualëve dhe qytetarëve të Korçës.’/CNA.al