Aktualitet
Qeveria u dha titullin “Dëshmorët e Atdheut” viktimave të 21 janarit/ Frashëri: Skandal, akt i paprecedentë

Themeluesi i shoqërisë civile Kastriot Frashëri ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë shqiptarëe që iu dha titullin “Dëshmorët e Atdheut” katër protestuesve që u vranë në tubimin e 21 janarit 2011.
Frashëri shprehet se dëshmor atdheu është një titull shumë i lartë dhe si e tillë mund të jepet vetëm për interesa kombëtare dhe jo personale apo partiake.
Ai tha se nuk gjen dot asnjë lidhje mbi motivet që kanë shtyrë vendimarrèsit tanë për nxjerrjen e këtij akti, duke shtuar se Shqipëria nuk është më një shtet diktatorial, por një shtet demokratik, ku si e tillë do të ketë protesta të vazhdueshme për kauza të ndryshme.
Kastriot Frashëri e cilëson këtë si një skandal dhe një akt të paprecedentë.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka përdhosur dje titullin e lartë të Dëshmorit të Atdheut!
Duke akorduar një titull të tillë kaq të lartë në interes të saj për një protestues të çfarëdoshëm që udhëhiqet në tufë nga thirrja dhe interesi i lidershipit të tij politik dhe jo interesin kombëtar dhe sulmohen me mjete të forta institucionet publike për marrjen e pushtetit me dhunë krijon një precedent të rrezikshëm në të ardhmen në funksionimin e shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit në Shqipëri!
Nuk gjej dot asnjë lidhje mbi motivet që kanë shtyrë vendimarrèsit tanë për nxjerrjen e këtij akti, pasi Shqipëria nuk është më një shtet i diktaturës që i përket të shkuarës, ka një demokraci funksionale, protesta të tilla zhvillohen periodikisht në mbarë territorin e vendit dhe shumica e tyre janë karakterizuar këto tre dekada nga dhuna, pasi pala udhëheqëse pergjithesisht ka kerkuar çdo herë rotacionin politik të pushtetit jo përmes zgjedhjeve të lira, por përmes këtyre formave të protestave.
Ky është jo vetëm SKANDAL, por edhe një akt i paprecedent jo vetëm për të përdhosur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por edhe për të legjitimuar nesër të gjithë feudalët tanë për të dekoruar të gjithë agallarët qè bien në shërbim të tyre!
Kjo është e vërteta, opinioni që donit të dini nga unë që i shërben interesit publik”, shprehet Frashëri./CNA.al