Politikë
I dedikoi këngën e Baftjarit/ Ilir Meta dekoron Ylli Bakën

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot këngëtarin e njohur të muzikës popullore Ylli Bakën.
Mësohet se Meta ka vlerësuar Bakën me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me mirënjohje për përpjekjet e suksesshme dhe arritjet e shquara në prezantimin dhe ngritjen në një nivel të ri të këngës popullore e në veçanti të Jugut të Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të saj brenda dhe jashtë vendit. Për kontributin e shquar në fushën e kulturës, në interpretimin e rrallë të këngës popullore, por edhe në mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si pjesë e fondit të artë të Folklorit Kombëtar”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Meta deklaron e Baka nuk ka nevojë për prezantim, ndërsa thotë se ka dhënë kontribut të madh në prezantimin e këngës popullore të Jugut, brenda e jashtë vendit.
“Ylli Baka nuk ka nevojë për shumë prezantim sepse të rrallë janë shqiptarët, që të mos kenë dëgjuar dhe kënduar të paktën një prej këngëve të tij.
Shumë i dashur dhe i vlerësuar për zërin magjik dhe interpretimin karakteristik, ai tashmë i ka fituar me meritë zemrat dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut, duke u bërë me repertorin e tij, pjesë e pandashme e gëzimeve në familjet shqiptare.
Për kontributin e dhënë në prezantimin e këngës popullore të Jugut, brenda e jashtë vendit, si dhe për mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, kisha sot kënaqësinë të vlerësoja edhe në emrin tuaj, Ylli Bakën, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, shkruan Kreu i Shtetit.
Ndërkohë, kujtojmë se presidenti Ilir Meta e ka treguar edhe më parë miqësinë e tij me këngëtarin e muzikës popullore dhe në disa rastev ka publikuar foto apo video me të.
Meta pretendon se Ylli Baka ka luajtur rolin e një ure lidhëse, midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj Toske të Skraparit.
Një nga këngët që Ylli Baka ka bërë është edhe kënga e Baftjarit, në bashkëpunim me aktorin Bes Kallaku, një tjetër mik të presidentit./ CNA.al