Sport
Arbitri Mahmuti: Po shihnim ndeshjen, trimat e Partizanit më prishën lokalin

Edhe pse nuk ka pasur lidhje me derbin e djeshëm, për ironi të fatit, asistenti nga Elbasani e ka pësuar nga tifozët, të cilët gjatë përleshjes guerile ia kanë dëmtuar lokalin. Ka qenë vetë arbitri Astrit Mahmuti që ka treguar për “Panorama Sport” më shumë për këtë ngjarje, i cili është ndier i tronditur nga ajo që i ndodhi.
Sipas arbitrit, dhuna ishte e pashpjegueshme, pasi duke mos pasur asnjë lidhje me ndeshjen dhe ngjarjen, disa persona, që ai i quan gangsterë, i shkatërrojnë pronën e tij. Ai i ka identifikuar ata si trimat e Partizanit.
“Ishin disa djem, tifozë të vegjël dhe po shihnin ndeshjen normalisht. Ndërkohë, vijnë afro 50 apo 100 veta, trimat e Partizanit këto… Unë nuk e kuptoj a jemi shqiptarë a jo, nuk jemi as serbë. Unë vetë jam arbitër futbolli, asistent. Po shihnim sportin dhe vijnë këta gangsterët. Çfarë të them, shihni vetë”, shprehet i tronditur Mahmuti pas ngjarjes.