Politikë
A i përmbushi pritshmëritë OFL?/ Felaj tregon rezultatet

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj e konsideruar si të arsyeshëm aktin normativ të qeverisë për t’i kaluar SPAK dhe Gjykatës së Posaçme shqyrtimin e dosjeve, pas përfundimit të misionit të Operacionit Forca e Ligjit.
Sipas Felajt, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdojë sipas ligjit antimafia.
“Ajo që desha të nënvizoj është që OFL e përfundoi misionin e vet dhe çështjet e referuara në gjykatën dhe prokurorinë e posaçme do të përfundojnë aty dhe nuk do shpërndahet në prokurori të tjera, ndërkohë që lufta do të vazhdojë sipas ligjit antimafia”, tha Felaj për “A2”.
Pavarësisht situatës së vështirë për shkak të pandemisë dhe boshllëkut të organeve të reja të drejtësisë në arritjet e OFL-së, Felaj thekson se u krijua modeli dhe një praktikë pune që do të shërbejë sesi duhet të veprojë policia.
“Numrat tregojnë se pavarësisht vështirësie që patëm vitin e kaluar akti normativ filloi te jepte efektet e tij n 2020 dhe në mars ne u karantinuam. Këto kanë qenë rrethana të paparashikueshme që kanë ndikuar në punën e e OFL dhe prokurorisë e gjykatave që nuk është proceduar. Deri në fund janë goditur 1500 pasuri dhe janë mbi 200 subjekte që i kanë në emër të tyre. Pavarësisht kësaj janë çështje që ende nuk janë mbyllur me vendim përfundimtar.
Në momentin që filloi veprimi ne kishim një boshllëk në organet e reja dhe të gjitha këto pengesa dhe shumë çështje të hetimit pasuror ishin të arkivuara në sirtarët e prokurorisë dhe ky u pa si mekanizëm efikas kundër pasurive të paligjshme. U krijua një model e praktikë punë që do të shërbejë sesi duhet të veprojë policia”, tha kryetarja e Komisionit të Sigurisë.
E pyetur nëse këto do të quhen sukses i punës së OFL-së Felaj shprehet se ky operacion ka dhënë rezultatet e veta, pasi ka krijuar frymën që kushdo që vë pasuri përmes krimit e korrupsionit ndëshkohet. Sipas saj OFL-ja ishte e domosdoshme për t’i dhënë goditje pasurive të paligjshme.
“Ky operacion i ka dhënë rezultatet e tij se ka krijuar bindjen që kushdo që vë pasuri përmes krimit e korrupsionit ndëshkohet. Nuk do të doja që të zëvendësonte prokurorinë e gjykatën. Policia kishte detyrë të posaçme dhe i referonte në gjykatë. Është detyrë e prokurorisë e gjykatës të shihnin sa e bazuar ishte kjo kërkesë dhe për të vijuar me konfiskimin.
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një luftë e pandërprerë dhe i takon ligjvënësit për ta bërë sa më efikase këtë luftë. Ishte e domosdoshme për t’i dhënë një goditje pasurive të paligjshme”, u shpreh Felaj./CNA.al