Connect with Us

Në prag të inaugurimit presidencial/ “Blindohet” Kapitoli në SHBA

Bota

Në prag të inaugurimit presidencial/ “Blindohet” Kapitoli në SHBA

Publikuar

-

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.

Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.

Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e zotit Biden.

Dy ditë para marrjes së pushtetit, Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden, kaluan një pjesë të së hënës duke bërë punë vullnetare në një bankë ushqimore, në qytetin e madh lindor të Filadelfias në Pensilvani. Ata e bënë një gjë të tillë në Ditën Kombëtare të Shërbimit që përkujton festën vjetore që nderon udhëheqësin e të drejtave civile, Rev. Martin Luther King Jr.

Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të zotit Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit në SHBA.

Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të zotit Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.

Ndërsa mbërrijnë në Uashington të Martën nga shtëpia e tyre në shtetin lindor të Deluerë, Joe dhe Jill Biden, si edhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit Lincoln, për të nderuar gati 400,000 amerikanët që kanë vdekur në pandeminë e koronavirusit.

Monumente të tjera në të gjithë SHBA, përfshirë Empire State Building në Nju Jork dhe Space Needle në Seattle, Washington, po ndezin drita në të njëjtën kohë me ngjarjen e Uashingtonit.

Zona e afërt përreth Kapitolit, ku zoti Biden dhe zonja Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.

Autoritetet kanë mbyllur gjithashtu Shëtitoren Kombëtare si edhe rrugët dhe disa stacione metroje në qendrën e Uashingtonit. Urat që lidhin Virxhinian me Uashingtonin gjithashtu po mbyllen. Mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe oficerë të rendit janë vendosur në të gjithë zonën për të marrë masat ndaj ndonjë dhune të mundshme.

Megjithë shqetësimet e shtuara të sigurisë, zoti Biden planifikon ta bëjë ceremoninë e inaugurimit në vendin tradicional.

“Plani ynë dhe pritshmëria jonë është që Presidenti i zgjedhur Biden të vërë dorën në Bibël me familjen e tij jashtë në anën perëndimore të Kapitolit në datën 20,” tha Kate Bedingfield, drejtoresha e ardhshme e komunikimeve e zotit Biden, në një intervistë me emisionin “This Week”, të televizionit ABC të dielën.

Ajo tha se ekipi i zotir Biden ka “besim të plotë në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e tyre të cilët kanë punuar për më shumë se një vit në planifikimin e një inaugurimi të sigurt.”

LEXO EDHE:  SHBA, 1,95 miliardë dollarë për dy kompani që testojnë vaksinën

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ose të urojë zotin Biden, megjithëse e pranon se do të ketë një “administratë të re” të mërkurën.

Zoti Trump, duke injoruar 160 vjet të traditës amerikane të një presidenti në largim që merr pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij për të demonstruar një transferim paqësor të pushtetit, ka njoftuar se ai planifikon të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Nënpresidenti Mike Pence po planifikon të marrë pjesë.

Zoti Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq ndërsa shkon drejt avionit presidencial Air Force One për të shkuar në rezidencën e tij në Florida.

Plani i presidentit Trump ka shkaktuar kritika, përfshirë nga një grup prej pesë anëtarësh demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët në një letër të shtunën drejtuar sekretarit në detyrë të mbrojtjes, Miller dhe Kreut të Shtatmadhorisë Mark Milley i kërkoi Pentagonit të mos vënë në dispozicion asnjë nga burimet e mbrojtjes për atë që ata e quajtën “ceremonia përçarëse e ikjes për presidentin në largim.”

“Veprimi i propozuar është i pamenduar, jokonvencional dhe çka është më e rëndësishmja, e vë sigurinë kombëtare pa nevojë në rrezik duke zhvendosur personelin dhe burimet thelbësore nga mbrojtja e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ku do të përfaqësohen të gjitha institucionet e qeverisë, për të garantuar sigurinë, mbrojtjen dhe transportin e presidentit në largim,” shkruajnë ligjvënësit.

Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për herë të dytë për shkarkimin e zotit Trump, këtë radhë për nxitje të rebelimit dhe gjyqi i tij në Senat do të fillojë menjëherë pas inaugurimit të zotit Biden. Nëse shpallet fajtor, zoti Trump, presidenti i parë amerikan mbi të cilin ngrihen dy herë akuza për shkarkim, mund të ndalohet të ketë post federal.

Megjithatë para se të largohet nga detyra, presidenti Trump pritet të bëjë dhjetëra falje dhe shkurtime dënimesh komutime, ndoshta për mbështetësit e tij kryesorë të dënuar për krime ose që përballen me gjykime.

Persona që kanë dijeni për këtë çështje thanë se zoti Trump u takua të dielën me këshilltarët e tij për të finalizuar një listë me më shumë se 100 falje që t’i bëjë publike përpara se t’i mbarojë mandati. Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zoti Trump ka diskutuar mundësinë e faljes paraprake të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes, asnjëri prej të cilëve nuk është akuzuar për ndonjë krim, por që tani nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë.

Zonja Bedingfield tha të dielën se zoti Biden po planifikon të paraqesë një vizion “pozitiv, optimist” për vendin në fjalimin e tij inaugurues dhe “të përpiqet të lërë pas përçarjen dhe urrejtjen e katër viteve të fundit” nën zotin Trump.

“Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin,” tha zonja Bedingfield. “Ata duan një qeveri që të rikthejë vëmendjen tek ajo që duhet bërë dhe që t’i ndihmojë në jetën e tyre të përditshme.”

Pasi të marrë detyrën zoti Biden ka në plan të përmbysë shpejt politikat e shumta të zotit Trump.

Shefi i ardhshëm i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Klain, tha të shtunën në mbrëmje se zoti Biden “po e merr presidencën në një moment krize të thellë për vendin tonë. Ne po përballemi me katër kriza paralele dhe të ndërlikuara: kriza e COVID-19-së, kriza ekonomike si rezultat i pandemisë, kriza e klimës dhe një krizë e pabarazisë racore. “/VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Bota

Izraeli i shqetësuar për një marrëveshje të re me Iranin

Publikuar

-

Nga

Izraeli i shqetësuar për një marrëveshje të re me Iranin

Administrata e Presidentit Biden dhe zyrtarët evropianë vazhdojnë përpjekjet për të rihapur negociatat me Iranin në lidhje me një marrëveshje të re bërthamore, pavarësisht refuzimit të Iranit për të biseduar me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, siç raporton Linda Gradstein për Zërin e Amerikës nga Jeruzalemi, tensionet në rajon po rriten.

Tensionet midis Izraelit dhe Iranit janë rritur pas një sulmi ndaj një anijeje në pronësi të Izraelit dhe hakmarrjes së Izraelit ndaj objektivave iraniane në Siri. Udhëheqësit ushtarakë të Izraelit paralajmërojnë se ata do të veprojnë kundër të gjitha kërcënimeve të terrorizmit dhe zhvillimit të armëve bërthamore.

Përshkallëzimi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe evropianët punojnë për të rifilluar negociatat me Iranin për një marrëveshje bërthamore. Izraeli kundërshtoi me forcë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe përshëndeti ish-Presidentin Trump për tërheqjen nga marrëveshja.

Sanksionet që rivendosi ish-Presidenti Trump kanë dëmtuar ekonominë e Iranit, por jo programin e tij bërthamor. Irani ka vazhduar të pasurojë uranium, shumë më tepër sesa ishte lejuar sipas marrëveshjes bërthamore, thotë Izraeli, si dhe u ka vendosur kufizime inspektorëve të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).

“Nga pikëpamja izraelite është shumë e qartë. Është një marrëveshje shumë e keqe që u lejoi iranianëve të vazhdojnë me sistemin e tyre të pasurimit (të uraniumit). Tani ata kanë centrifuga shumë më të mira sesa kishin para marrëveshjes. Perëndimi i diellit është shumë pranë – mendoj se në vitin 2025 ata fillojnë të kthehen në normalitet dhe për shtatë vjet do të kenë të gjithë legjitimitetin për të vazhduar me projektin bërthamor”, thotë Yaakov Amidror, nga Instituti Hebre për Sigurinë Kombëtare të Amerikës.

Por disa zyrtarë të ushtrisë dhe zbulimit izraelit kanë shprehur mbështetjen për një kthim të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të Iranit, në kundërshtim me politikën e qeverisë izraelite.

LEXO EDHE:  Amerikanët e papunë në pritje të një ndihme të re financiare

LEXO EDHE:  Populistët e mallkuar

“Unë nuk mendoj se mund t’i besojmë Iranit, por kjo është arsyeja pse ka një marrëveshje. Dhe ka vëzhgues, vëzhgues të OKB-së. Dhe unë u besoj aftësive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit për të parë nëse iranianët do ta zbatojnë marrëveshjen”, thotë deputeti Omer Bar Lev.

Disa analistë ushtarakë izraelitë thonë se përpjekja e Iranit për armë bërthamore është pjesë e politikës së tij më të gjerë të jashtme.

“Irani në thelb po përdor një mega-strategji për t’u bërë një superfuqi rajonale, mbase një superfuqi globale. Së pari duke zhvilluar aftësitë bërthamore dhe së dyti, hegjemoninë në Lindjen e Mesme përmes mbështetjes së grupeve terroriste dhe të gjitha aktiviteteve të tyre në Irak, Siri, Liban dhe Jemen”, thotë Amos Jadlin, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa tensionet rajonale rriten, Shtetet e Bashkuara sulmuan gjithashtu objektivat e mbështetur nga Irani në Siri, përdorimi i parë i forcës ushtarake nga Presidenti Biden./ VOA

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Kosova mund t’i përfitojë vaksinat përmes COVAX-it deri në maj

Publikuar

-

Nga

Kosova mund t'i përfitojë vaksinat përmes COVAX-it deri në maj

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Sipas Faik Hotit, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, në përditësimin e fundit të kësaj skeme, për raundin e parë të ndarjes së vaksinave, periudha kohore e shpërndarjes së vaksinave në Kosovë është nga shkurti deri në maj të këtij viti.

Në dërgesën e parë përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

LEXO EDHE:  Kulluri zbërthen deklaratën e SHBA/ “Shuplakë” Ramës, mesazh të fortë Bashës

LEXO EDHE:  OBSH: Shokuese goditja dërrmuese e pandemisë në SHBA

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë thënë në vazhdimësi se në muajin shkurt do të arrijë vaksina në Kosovë, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina./rel

 

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Bilanci i 24 orëve në Kosovë/ Tetë viktima dhe rreth 500 të infektuar nga Covid

Publikuar

-

Nga

Shërbeu për 48 vite me radhë si pneumologe/ Humb betejën me koronavirusin një tjetër mjeke

Gjatë 24 orëve të fundiot në Kosovë, tetë persona kanë humbur betejën me Covid.

Nga 2,886 testime të realizuara, 488 persona rezultuan pozitivë për Covid-19. Gjithashtu Instituti i Shëndetit Publik raportoi se 270 persona janë shëruar nga kjo sëmundje gjatë 24 orëve të fundit.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet e këtij vendi kanë regjistruar 70.185 persona të infektuar me këtë virus, prej tyre 1.616 kanë humbur jetën./CNA.al

LEXO TE PLOTE