Connect with Us

Kreu i OBSH-së: Bota “në prag të një dështimi moral katastrofik” lidhur me vaksinat

Bota

Kreu i OBSH-së: Bota “në prag të një dështimi moral katastrofik” lidhur me vaksinat

Publikuar

-

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se bota është “në prag të një dështimi moral katastrofik” për shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave për COVID-19.

Duke folur në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së të hënën në Gjenevë, Drejtori Ekzekutiv Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se nuk është “e drejtë që më të rinjtë dhe më të shëndetshmit në vendet e pasura të vaksinohen para punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve në vendet e varfëra”.

“Më shumë se 39 milion doza vaksinash janë injektuar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një nga vendet me të ardhura më të ulëta, – jo 25 milion, jo 25,000 – vetëm 25,” tha ai.

Zoti Tedros tha nëse vendet e pasura nuk i ndajnë vaksinat COVID-19 me vendet e varfra, “ky dështim do të paguhet me jetë dhe mjete jetese.”

Ai tha që në fund të fundit, një “qasje egoiste” në shpërndarjen e vaksinave “vetëm do të zgjasë pandeminë.”

Po të hënën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti amerikan Donald Trump kishte hequr ndalimet e lidhura me koronavirusin për udhëtimin për shumicën e qytetarëve joamerikanë nga pjesa më e madhe e Evropës dhe Brazilit, duke filluar nga 26 Janari.

“Ky veprim është mënyra më e mirë për të vazhduar mbrojtjen e amerikanëve nga COVID-19 ndërsa lejon udhëtimet të rifillojnë në mënyrë të sigurt”, tha zoti Trump në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Sidoqoftë, sekretarja e shtypit e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, Jen Psaki, u përgjigj disa minuta më vonë në Twitter, duke thënë: “Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime më 26 janar. Përkundrazi ne planifikojmë të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ndalim përhapjen e COVID-19-ës. ”

Udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që hyjnë në fuqi më 26 janar, do të kërkojnë që të gjithë pasagjerët që hyjnë në SHBA nga ajri, të kenë një test negativ për COVID-19 përpara se të hipin në avion.

Po të hënën, një panel i pavarur që rishikon trajtimin global të pandemisë COVID-19 kritikoi si Organizatën Botërore të Shëndetësisë ashtu edhe Kinën për reagimin e tyre ndaj virusit.

Paneli i ekspertëve i udhëhequr nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re Helen Clark dhe ish-presidentja liberiane Ellen Johnson Sirleaf thanë në një raport se OBSH-ja duhet të kishte shpallur një emergjencë ndërkombëtare më shpejt sesa 30 janari.

Komisioni gjithashtu tha se Kina mund të kishte zbatuar masat e shëndetit publik më me forcë në janar. Paneli do të paraqesë raportin e tij përfundimtar në maj.

Kryeministri japonez Yoshihide Suga u zotua se do të vazhdonte me përgatitjet për të mbajtur Lojërat Olimpike të Tokios këtë verë, megjithë një rritje të infeksioneve të koronavirusit në vend.

LEXO EDHE:   “Big Brother” global/ Një miliardë kamera, do t’iu vëzhgojnë kudo që jeni

“Ne do të vazhdojmë me përgatitjet, me vendosmërinë e marrjes së masave të sigurta kundër infeksionit dhe mbajtjen e një aktiviteti të sjellë shpresë dhe guxim në botë,” tha Suga në një fjalim në Parlament.

Një rritje e fundit e rasteve në Japoni ka detyruar qeverinë të mbyllë kufijtë për të huajt jorezidentë dhe të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin, Tokio.

Sondazhet e fundit në media në Japoni tregojnë rreth 80% e publikut japonez mendojnë që Lojërat Olimpike nuk do të mbahen ose nuk duhet të mbahen këtë vit.

Olimpiadat e Tokios janë shtyrë një herë për shkak të pandemisë, pasi ishin planifikuar fillimisht për verën e vitit 2020.

Në Republikën Çeke, zyrtarët e shëndetësisë thonë se varianti i koronavirusit me përhapje të shpejtë i identifikuar për herë të parë në Britani është zbuluar në vend. Ministri i Shëndetësisë Jan Blatny tha se varianti përbën rreth 10% të kampionëve të testuar.

Disa variante të koronavirusit janë zbuluar në të gjithë botën, duke përfshirë ato të identifikuara për herë të parë në Britani, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Zyrtarët e shëndetësisë në Bruksel thonë se varianti i parë i zbuluar në Britani ka filluar të përhapet në Belgjikë pas më shumë rasteve të raportuara atje.

Në Zvicër, autoritetet kanë vendosur dy hotele në qytetin e vendpushimit të skive në St. Moritz nën karantinë dhe urdhëruan që të gjithë klientët të testohen për koronavirusin pasi një person u testua pozitiv për variantin e koronavirusit të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut.

Në Itali, zyrtarët raportuan se numri i infeksioneve ditore të vendit ra të hënën nën 10,000. Zyrtarët konfirmuan 8,825 raste të reja. Zyrtarët francezë të shëndetësisë filluan një fushatë të hënën për të vaksinuar njerëz mbi 75 vjeç. Ata thonë se më shumë se gjysmë milioni persona janë regjistruar për të marrë të parën nga dy dozat e vaksinës deri në mes të shkurtit.

Zyrtarët kinezë të hënën regjistruan më shumë se 100 raste të reja për të gjashtën ditë radhazi. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se më shumë se 29 milion kinezë tani janë nën bllokim të rreptë për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga COVID-19 kaloi 398,000, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, shifra më e lartë në botë.

Brazili dhe India pasojnë Shtetet e Bashkuara në vdekjet me COVID-19 me përkatësisht më shumë se 209,000 dhe 152,000. Brazili miratoi dy vaksina për përdorim urgjent kundër koronavirusit të dielën ndërsa disa nga spitalet e tij u përballën me mungesë oksigjeni./VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Bota

Izraeli i shqetësuar për një marrëveshje të re me Iranin

Publikuar

-

Nga

Izraeli i shqetësuar për një marrëveshje të re me Iranin

Administrata e Presidentit Biden dhe zyrtarët evropianë vazhdojnë përpjekjet për të rihapur negociatat me Iranin në lidhje me një marrëveshje të re bërthamore, pavarësisht refuzimit të Iranit për të biseduar me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, siç raporton Linda Gradstein për Zërin e Amerikës nga Jeruzalemi, tensionet në rajon po rriten.

Tensionet midis Izraelit dhe Iranit janë rritur pas një sulmi ndaj një anijeje në pronësi të Izraelit dhe hakmarrjes së Izraelit ndaj objektivave iraniane në Siri. Udhëheqësit ushtarakë të Izraelit paralajmërojnë se ata do të veprojnë kundër të gjitha kërcënimeve të terrorizmit dhe zhvillimit të armëve bërthamore.

Përshkallëzimi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe evropianët punojnë për të rifilluar negociatat me Iranin për një marrëveshje bërthamore. Izraeli kundërshtoi me forcë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe përshëndeti ish-Presidentin Trump për tërheqjen nga marrëveshja.

Sanksionet që rivendosi ish-Presidenti Trump kanë dëmtuar ekonominë e Iranit, por jo programin e tij bërthamor. Irani ka vazhduar të pasurojë uranium, shumë më tepër sesa ishte lejuar sipas marrëveshjes bërthamore, thotë Izraeli, si dhe u ka vendosur kufizime inspektorëve të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).

“Nga pikëpamja izraelite është shumë e qartë. Është një marrëveshje shumë e keqe që u lejoi iranianëve të vazhdojnë me sistemin e tyre të pasurimit (të uraniumit). Tani ata kanë centrifuga shumë më të mira sesa kishin para marrëveshjes. Perëndimi i diellit është shumë pranë – mendoj se në vitin 2025 ata fillojnë të kthehen në normalitet dhe për shtatë vjet do të kenë të gjithë legjitimitetin për të vazhduar me projektin bërthamor”, thotë Yaakov Amidror, nga Instituti Hebre për Sigurinë Kombëtare të Amerikës.

Por disa zyrtarë të ushtrisë dhe zbulimit izraelit kanë shprehur mbështetjen për një kthim të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të Iranit, në kundërshtim me politikën e qeverisë izraelite.

LEXO EDHE:  “Miku i mirë njihet në ditë të vështira”/ Amerika jep kontributin e saj për Shqipërinë

LEXO EDHE:  U takua me kardinalin e infektuar/ Papa Françesku i nënshtrohet testit të koronavirusit

“Unë nuk mendoj se mund t’i besojmë Iranit, por kjo është arsyeja pse ka një marrëveshje. Dhe ka vëzhgues, vëzhgues të OKB-së. Dhe unë u besoj aftësive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit për të parë nëse iranianët do ta zbatojnë marrëveshjen”, thotë deputeti Omer Bar Lev.

Disa analistë ushtarakë izraelitë thonë se përpjekja e Iranit për armë bërthamore është pjesë e politikës së tij më të gjerë të jashtme.

“Irani në thelb po përdor një mega-strategji për t’u bërë një superfuqi rajonale, mbase një superfuqi globale. Së pari duke zhvilluar aftësitë bërthamore dhe së dyti, hegjemoninë në Lindjen e Mesme përmes mbështetjes së grupeve terroriste dhe të gjitha aktiviteteve të tyre në Irak, Siri, Liban dhe Jemen”, thotë Amos Jadlin, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa tensionet rajonale rriten, Shtetet e Bashkuara sulmuan gjithashtu objektivat e mbështetur nga Irani në Siri, përdorimi i parë i forcës ushtarake nga Presidenti Biden./ VOA

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Kosova mund t’i përfitojë vaksinat përmes COVAX-it deri në maj

Publikuar

-

Nga

Kosova mund t'i përfitojë vaksinat përmes COVAX-it deri në maj

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Sipas Faik Hotit, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, në përditësimin e fundit të kësaj skeme, për raundin e parë të ndarjes së vaksinave, periudha kohore e shpërndarjes së vaksinave në Kosovë është nga shkurti deri në maj të këtij viti.

Në dërgesën e parë përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

LEXO EDHE:  Lirim i masave në ditët në vazhdim?/ Çfarë thotë Ministria e Shëndetësisë

LEXO EDHE:  Basha i merr ‘meritat’ Ramës/ Vaksinën do e sjell unë, kam marrë zotime konkrete

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë thënë në vazhdimësi se në muajin shkurt do të arrijë vaksina në Kosovë, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina./rel

 

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Bilanci i 24 orëve në Kosovë/ Tetë viktima dhe rreth 500 të infektuar nga Covid

Publikuar

-

Nga

Shërbeu për 48 vite me radhë si pneumologe/ Humb betejën me koronavirusin një tjetër mjeke

Gjatë 24 orëve të fundiot në Kosovë, tetë persona kanë humbur betejën me Covid.

Nga 2,886 testime të realizuara, 488 persona rezultuan pozitivë për Covid-19. Gjithashtu Instituti i Shëndetit Publik raportoi se 270 persona janë shëruar nga kjo sëmundje gjatë 24 orëve të fundit.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet e këtij vendi kanë regjistruar 70.185 persona të infektuar me këtë virus, prej tyre 1.616 kanë humbur jetën./CNA.al

LEXO TE PLOTE