Connect with Us

Nga Fatos LUBONJA/Si mund ta pranojmë vaksinën “sekrete” të Ramës

Opinione

Nga Fatos LUBONJA/Si mund ta pranojmë vaksinën “sekrete” të Ramës

Publikuar

-

Gjatë ditëve të fillimit të janarit kanë ndodhur dy ngjarje që pushtuan mediat tradicionale, portalet dhe rrjetet sociale. Njëra ishte videoja e darkës në Dubai, që tregonte ministra, zyrtarë të lartë dhe të pushtetit lokal (disa bashkë me gratë) duke ngrënë darkë në një restorant super të shtrenjtë, së bashku me biznesmenin më të fuqishëm të vendit, ndërkohë që Shqipëria ishte nën ujë. Tjetra ishte njoftimi i papritur dhe shumë i çuditshëm dy ditë më vonë nga Kryeministri, se në Shqipëri do të fillonte vaksinimi – me disa vaksina që nuk tregohej se nga kishin ardhur – ndërkohë vaksinimi pritej të fillonte pas javës së tretë të janarit.

Komentet më të shumta kritike që i lidhën të dyja ngjarjet ishin se Rama e kishte nxjerrë lajmin e vaksinimit – duke siguruar shpejt rreth 900 vaksina – për të mbuluar skandalin e Dubait. Dhe në këtë qasje, ajo që ra në sy, në ditët në vazhdim, ishte ngulmimi nga ana e kritikëve për të trajtuar skandalin e Dubait, duke nxjerrë fakte pas faktesh se ajo tryezë ishte treguesi më i mirë se si funksionon shteti ynë i oligarkëve, sesi po shitej Durrësi dhe Vlora pa tender tek arabët, si dhe duke numëruar gënjeshtrat e Kryeministrit lidhur me këtë skandal, ndër to edhe stratagjemën e vaksinave.

Ndoshta, edhe për këtë arsye, ngjarjes së vaksinave, megjithë kritikat serioze të një pakice për mungesë transparence, i mbeti hija e një ngjarjeje pozitive për Kryeministrin tonë. Këtë perceptim sikur e përforcoi edhe një lloj gati heshtjeje e opozitës ndaj kësaj ngjarjeje, nisur nga ideja – të paktën kjo është një nga interpretimet që kam dëgjuar më shumë – se kjo sjellja e vaksinave është në favor të Ramës, se ata nuk mund të dalin kundër vaksinimit, kundër mjekëve që shkuan u vaksinuan në rresht, pasi pjesa më e madhe e zgjedhësve të mundshëm e shohin si pozitive.

Edhe unë mendoj se me shumë gjasa Rama e ka bërë këtë akt për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Dubait me diçka pozitive, por sipas meje vetë fakti që i ka shkuar mendja të përdorë një stratagjemë të tillë, por, mbi të gjitha, mënyra e sjelljes së atyre vaksinave, fjalët me të cilat e shoqëroi në publik, ku si qershia mbi tortë ishte deklarata se “këto i keni pasi keni Edi Ramën Kryeministër”, janë një skandal më vete që jo që nuk e lan aspak skandalin e Dubait, por e plotëson atë në aspektin më dramatik që përmbajnë të dyja skandalet: mënyrën pa institucione, pa ligj, pa kontroll, pa drejtësi se si funksionon ky palo shtet gangsterësh e trafikantësh.

Ndonëse Edi Rama na ka paralajmëruar se “nuk keni parë gjë akoma”, duke na e provuar këtë në mënyrë të progresive me skandale gjithnjë e më të rënda, përsëri do të thosha se kjo mënyra e sjelljes së 900 vaksinave hyn në çuditë që nuk i kishim parë deri tani. Përpara saj nuk mund të mos ngresh me një habi të re pyetjet: si ka mundësi të dalë Kryeministri i një vendi të thotë në publik – për një çështje kaq sensitive – se këto vaksinat na i ka dhënë një vend i BEsë, por unë nuk e them se cili është?! Si ka mundësi t’i trajtojë vendet e BE-së sikur të funksionojnë me mendësinë tonë: si shtet trafikantësh?

LEXO EDHE:  Audio-përgjimi i vëllait të Ministrit/ PD thirrje Prokurorisë

Dhe kjo habi e re nuk ka të bëjnë thjesht me Edi Ramën, por me pyetjen më të përgjithshme: si ka mundësi që jemi katandisur deri këtu?! Nuk po e lidh habinë me faktin se shteti e ka për detyrë të na bëjë transparencë, veçanërisht duke pasur parasysh skepticizmin që ekziston mbi efektet anësore që mund të shkaktojnë këto vaksina të nxjerra në kohë rekord. Ajo që është shumë më e habitshme dhe shumë alarmante në këtë histori, është se Kryeministri i vendit sillet si një kontrabandist në qiell të kaltër dhe nuk ka asnjë reagim institucional, por as nga opozita, për të ngulmuar në kërkimin e së vërtetës të kësaj ngjarjeje, përveç disa gazetarëve që u jepet nga Kryeministri përgjigjja: “Nuk të përgjigjem”.

Ndër variantet që kam dëgjuar nëpër korridoret e gazetarisë për atë se kush i ka sjellë vaksinat, më kanë tërhequr vëmendjen dy syresh. Njëri që vjen nga më afër zyrave të Kryeministrit, sipas të cilit vendi mik qenka Italia, por Kryeministri Conte nuk dashka që kjo të dalë për shkak të opinionit publik italian që pret me padurim vaksinat për vete. Ky version më duket krejtësisht i pabesueshëm. Sepse, nëse do të ishte vërtet Italia, jo vetëm se kjo nuk do të mbahej e fshehtë për detyrimet e transparencës që ka shteti italian ndaj qytetarëve të vet, por edhe sepse Conte nuk do ta kishte aspak problem t’ua bënte të ditur këtë italianëve, duke u rikujtuar faktin e shumëduartrokitur prej tyre se qeveria shqiptare dërgoi në pranverën e vitit të kaluar grupin e mjekëve dhe infermierëve. Italianët kanë një shprehje: “O mangi questa ministra o salti dalla finestra!”. (O haje këtë çorbë, o hidhu nga penxherja!). Ky varianti i Ramës me shtetin e BE-së që nuk do t’i dalë emri më duket si: “O hani gënjeshtrën time, o hidhuni nga penxherja!”.

Mungesa e paraqitjes së çertifikatës doganore nga vendi prej ku kanë dalë vaksinat për mua bën më të besueshëm një variant të dytë që kam dëgjuar: se vaksinat i paska sjellë një privat që merret me shpërndarjen e vaksinave në Gjermani. Sjellja dorazi e kësaj pakoje, pretendimet e Kryeministrit se nuk ka si na e thotë emrin, gënjeshtrat e atyre mjekëve si Pipero që deklaruan se këto kishin ardhur që dy ditë më parë dhe ruheshin në frigoriferë e posaçëm për to, ndërkohë që ato erdhën ditën që u injektuan, mua më duken si prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e arsyeshëm se këtu kemi të bëjmë me një trafikim, përveçse me një mashtrim të rëndë të shqiptarëve e prandaj duhet hetuar. Kurse ky reagim kaq i dobët i opozitës, por edhe i opinionit, për të ngulmuar në zbardhjen deri në fund të së vërtetës të kësaj ngjarjeje është një sinjalizim se do të na shohin sytë gjëra edhe më të paimagjinueshme se kjo në degradimin e shtetit./ Panorama

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Opinione

Nga Mitro Çela/ Mallkimi i çupës

Publikuar

-

Nga

Nga Mitro Çela/ Mallkimi i çupës

“Laguna Blu”-Golem. Me Ezmerkën. Në çadër. Drejt nesh vjen Bruna.

-Më la Xhani?!

-Vdiq?!

-Më keq! Më braktisi. Më këmbeu me një çupulinë?!

U njohëm tre vite me parë. Bruna-bionde. Xhani-ezmer. Ajo tregonte:

-Jetonim në Tiranë. Unë? Infermjere. Ai? Xhenerik. Më vinte vërdall. Një vit. E bëra të rëkonte. Unë vuaja më shumë. Një pasdite më ndaloi.

…Ecëm. U ulëm tek patiçeri “Flora”.

-Jam 22 vjeçe. Zbrita 8 vite nga mosha. Mëkat? (Do vinte një ditë që do pendohesha.)

Por kur dashuron -dashuria duhet të falet çdo mëkat?!

-Une? 21 pranvera,-tha ai duke qeshur.-E kishte zënë qymyri, siç thuhej në atë mot për sevdanë.

-Je më i vogël. Nuk shkon të martohemi?!

-Nuk ka rëndësi. Dashuria ha gurë,-më thotë gjyshja.

Pas një viti u martuam. Në mars të vitit 1991 i hipëm vaporit. Përfunduam në Bari. Na futën në stadjum. Si gladiatorë. 20 mijë emigrant. Ushqimin dhe ujin na e hidhnin nga qielli. Me helikopter…

…Përfunduam në një manastir…Gjënë e parë që bëmë: Ndërruam emrat!

Normale. Xhemile-emri që më kish vënë mamaja, nuk pinte ujë në Itali. Edhe Xhevati e ktheu në Xhani.

Si infermjere nisa shpejt punë. Edhe burri. Xhenerikët hanë bukë në Firencë….

-Pas 25 vjetëve blemë shtëpi në Itali. Blemë një apartament edhe në “Lagunën Blu”.

Kishim shtëpi edhe në Tiranë. Ishim të lumtur. Edhe pse nuk bëmë fëmijë. Jetonim si italianë.

Me pushime? Në Sardenjë. Në Nisë. Në Barcelonë. Në Kretë.

Dolëm në pension. Në Shqipëri? Unë-130 mijë leke. Ai-140  mijë. Në Itali? Unë 800 euro. Ai – 700 euro!

Bruna bënte llogje me Ezmerkën. Xhani vinte vërdall nëpër plazh. Koka i rrotullohej si luledielli.

I them një ditë Ezmerkës, që të dëgjonte Bruna:

-Xhani si puna ime. Pëlqen teorinë e Mao Ce Dunit për të shëtitur lule më lule. Sidomos kur janë të verdha.

LEXO EDHE:  Audio-përgjimi i vëllait të Ministrit/ PD thirrje Prokurorisë

LEXO EDHE:  A ka patur raste me efekte anësore nga vaksina?/ Përgjigjet Eugena Tomini

-Pika Xhanit! Sheh me sy e pëlcet me zemër…-qeshte me lot Bruna….

Fshiva kujtimet. Nisa të dëgjoj bisedëm e Brunës me Ezmerkën.

-Një vit më parë erdhëm në Shqipëri. Bëmë pasaportat. Në polici dokumentat i mori Xhani. U kthye në shtëpi. Ishte bërë bishë.

Ma hodhi pasaportën turinjëve duke uluritur:

-Putanë! Ma paske futur me 9 vjet! Mallkuar qofsh! Prandaj të është tharë vagina?!

Perplasi derën. Iku. Më mbytën lotët. Dola. Ecja si e dehur.

U ktheva. Shtëpia rrëmujë. Mbi tavolinë dy gisht letër:

-Po iki. Nuk kthehem…

-Vetëm! Si qyqe. Më hante shtëpia. Përfundova tek një doktoreshë- psiatre. Më pyeti:

-Ke bërë ndonjë mëkat?

-Po! Nuk i kam treguar moshën burrit.

-Je rrëfyer në kishë, për të larë mëkatin?

-Jam myslymane!

-Ka një rrugë . Pagëzohu. Bëhu protestante.

Shkova në kishë bashkë doktoreshën.

-Tani që lave mëkatin, burri do kthehet…Tha doktoresha

-Kaloi viti. Xhanin e shoh vetëm në ëndërr. Një ditë doktoresha më tha:

-Harroje Xhanin. Ke dy rrugë. -Të kërkojme një burrë në internet.

-Të gjejmë një zezak.

-Provuam internetin. Doli një zotni nga Çikago. Nuk u morëm vesh. Faji im. Nuk di anglisht. Me ndihmën e Googel, e kantranosëm mblesërinë.

-Kaluan ca ditë. Një ditë doktoresha më kërkoi në kishë. Në krah i rrinte një zezak.

Blla…Blla. U nisëm për në shtëpi.

Zezaku më vinte nga pas si manar. Hipëm në ashensor. Shtërnguar. Zezakut i lëshonin xixa sytë. Ndjeva që po karikonte kandarin…

Hapa derën. Pa e mbyllur mirë, zezaku më rrëmbeu në krah. Më përplasi në krevat!

Ngulçonte. Ulëriste…Thashë se më çau?!…

Përfundova në klinikë…Mamia zgurdulloi sytë:

-Çfarë i ke bërë vetes?! Ke parë filma porno?!

Gjaku rrëke. Dy ditë dhe dy netë…

I ktheva krahët zezakut dhe doktoreshes. I “qava” dhe një dorë me pare për këshillat dhe mblesërinë.

-Nga ajo ditë jetoj me fantazmën e Xhanit…/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Covid-19: A mund të mësojmë nga Kosova?

Publikuar

-

Nga

Covid-19: A mund të mësojmë nga Kosova?

Nga: Erion Dasho

Kur sheh shifrat zyrtare të raportimit të pandemisë, Kosova duhet e prekur më rëndë se Shqipëria. Ka patur raste gjatë vitit të kaluar, kur numri i personave të shtruar dhe vdekjeve në QKUK e kalonte ndjeshëm numrin pacientëve dhe vdekjeve në spitalet COVID në Shqipëri. Për më tepër, popullsia e Kosovës është më pak se dy të tretat e Shqipërisë, çka e bën situatën edhe më dramatike kur përllogariten vlerat për banor.

Si qëndron e vërteta? Le t’i krahasojmë dy vendet tona sipas një sërë parametrash tashmë të bërë publikë.

Shqipëria raportonte zyrtarisht 1,181 vdekje nga COVID-i deri në 31 dhjetor 2020. Kjo përkthehej në një vdekshmëri per capita prej 41 vdekje për 100 mijë banorë. Faktikisht, Shqipëria e mbyllte vitin 2020 me 5,668 vdekje shtesë, e përkthyer në një vdekshmëri per capita rreth 203 vdekje shtesë për 100 mijë banorë.

Për të njëjtën periudhë, Kosova raportonte zyrtarisht 1,280 vdekje nga COVID-i ose 68 vdekje për 100 mijë banorë, 65% më e lartë se vdekshmëria në Shqipëri. Në fakt, vdekjet shtesë gjatë vitit 2020 ishin 2,190, e përkthyer në një vdekshmëri per capita prej 117 vdekje shtesë për 100 mijë banorë.

Pra Kosova e cila në pamje të parë duket sikur e ka menaxhuar epideminë e COVID-it më keq se Shqipëria, në fakt ka një vdekshmëri pothuajse dy herë më të ulët se Shqipëria.

LEXO EDHE:  Audio-përgjimi i vëllait të Ministrit/ PD thirrje Prokurorisë

LEXO EDHE:  Milva Ekonomi flet për herë të parë si ministre/ Tregon pse e pranoi këtë post

Mbi të gjitha, Kosova ka një koeficient “ndershmërie” për t’u admiruar ku vdekjet shtesë janë 1.7 herë më të larta se vdekjet nga COVID-i. Ky koeficient e vendos Kosovën në linjë me vende si Italia, Portugalia, Kroacia dhe Republika Çeke, vende ku vdekjet raportohen ndershmërisht dhe pa manipulime.

Shqipëria nga ana tjetër, ka një koeficient “mashtrimi” prej 4.8, çka flet për manipulim të rëndshëm me shifrat e vdekjeve. Kjo vlerë e rendit Shqipërinë midis vendeve, si Rusia me një koeficient 6.5 dhe Serbia me një koeficient 5. Shqipëria është e treta në këtë listë europiane.

Duke manipuluar me shifrat e epidemisë, qeveria e Boratit arriti të mashtronte shqiptarët dhe të huajt, deri sa vdekshmëria shtesë i nxorri petët e mykura lakrorit rilindas.

Për të marrë mësime transparence dhe mirëmenaxhimi të epidemisë, nuk ka nevojë të shkojmë larg. Vëllezërit tanë në Kosovë pavarësisht se më të varfër dhe me një shëndetësi në dukje më pak cilësore se jona, janë shembulli i parë nga mund të mësojnë “kompetentët” dhe “ekspertët” tanë…/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Përputhen/ Çam Vangjeli, grek Shpëtimi

Publikuar

-

Nga

Përputhen/ Çam Vangjeli, grek Shpëtimi

Nga: Bledi Mane

Vangjel Dule me paraardhësit e tij erdhi qyl në Shqipëri nga Greqia gjatë luftës së parë botërore e u respektua nga vendasit. U bë me identitet, prona, katandi, parti e përfaqësi në parlament. Megjithëse trupin në Tiranë dhe kokën në Athinë ende nuk shpreh lumturi dhe kënaqësi në qenien e tij.

Edhe Shpëtim Idrizi me paraardhësit e tij erdhi qyl në Shqipëri nga Greqia gjatë luftës së dytë botërore e u respektua nga vendasit. U bë me identitet, prona, katandi, parti e përfaqësi në parlament. Megjithëse trupin në Tiranë dhe kokën në Paramithi ende nuk shpreh lumturi dhe kënaqësi në qenien e tij.

Të dy patën fat fillestar raskapitës por kanë vite e dekada që “zihen dhe grinden” me njëri-tjetrin pa më të voglin shkak duke i shkaktuar kosto jo vetëm financiare vendit që i pranoi e u ofroi strehë. Pasi lodhen së grinduri si kallogretë e koreve helene të dy e të kapluar prej shterpësisë, ofshamat e mallkimet ia lëshojnë Shqipërisë. Shqipëria ua shëroi plagët, ua hapi derën, u dha ujë, arsim, liri, prona, identitet por që të dy si të mbrapshtë që janë shkojnë qurraviten një herë në katër vjet sa te zyrat e PS-së e sa te oborri i Shqup-it.

Vetëm e vetëm për të siguruar një vend në parlament edhe me djallin bëjnë aleancë, mjafton që në sytë e botës të quraviten e ta degjenerojnë Shqipërinë e të përfitojnë prej saj edhe kur është e lodhur apo e sëmurë. Kanë hyrë e kanë dalë nga ai parlament dhjetra herë e nuk mbahen mend sikur për një projektligj apo projektrezolutë të dobishme. Bëjnë sikur luftojnë njëri-tjetrin paradite por hallin nuk e kanë me veten, e kanë me poshtërimin që i bëjnë atdheut tonë duke e kthyer nxirrjen dhe poshtërimin në biznes privat….

LEXO EDHE:  Zëri i Amerikës: Marrëveshja Rama-Basha do ngjallë debate

LEXO EDHE:  A ka patur raste me efekte anësore nga vaksina?/ Përgjigjet Eugena Tomini

Si gjithmonë Shqipëria e shkretë fisnike deri në dhimbje i duron, i toleron, i afron, i përqafon se përndryshe nëse historia do zhbëhej Vangjel Dule nyk do kishte shans të vegjetonte rrugëve të Tiranës por do ishte një kamarier në Mikonos, ndërsa Shpëtim Idrizi do mblidhte ullinj në Parga.

Më duhet ti jap paksa të drejtë fqinjit juhor, fundja Greqia do ketë pasur të drejtë pse e zboi edhe Vangjelin, edhe Shpëtimin gati një shekull më parë!/CNA.al

LEXO TE PLOTE