Sociale
Masat anti-Covid/ Ministria e Arsimit ndryshon rregullat në shkolla

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka njoftuar rregullat e reja për sa i përket masave anti-Covid nëpër shkolla në kuadër të uljes së temperaturave.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kushi ka thënë se klasat do të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit, ndaj i bën thirrje mësuesve të respektojnë protokollin anti-Covid, por edhe të ruajnë një temperaturë konstante në klasë.
“Shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Prandaj, duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndyshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës. Më saktësisht, në të shprehet qartë se: “DRITARET DUHET TË MBAHEN TË HAPURA OSE TË PAKTËN TË AJROSEN 5-6 HERË GJATË KOHËS SË MËSIMIT”.
Prandaj kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.”/CNA.al