Sociale
KESH dyfishon shkarkimet nga Vau i Dejës pas parashikimeve për reshje fundjavën e ardhshme

Zona verilindore e Shqipërisë parashikohet të përfshihet nga reshje intensive fundjavën e ardhshme. Për këtë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka vijuar shkarkimet e kontrolluara në digën e Vaut të Dejës në mënyrë që të shmangen sa më shumë mundësitë e përmbytjeve. Korporata thotë se shkarkimet nuk do të kenë ndikim në zonën e nën-Shkodrës.
Përmes një njoftimi për shtyp, KESH tha se kishte dyfishuar shkarkimet e kontrolluara së fundmi në mënyrë që të shmangë çdo lloj mbingarkese pasi raportet meteorologjike parashikojnë që në periudhën 22-26 janar të ketë reshje intensive shiu në të tre basenet e kaskadës së lumit Drin.
“Për pasojë prurjet në hidrocentralet Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës priten të rriten ndjeshëm,” – tha KESH-i, – “dhe për këtë arsye shkarkimet e kontrolluara u rritën nga 300 metër kube për sekondë në 700”.
KESH-i vijoi duke theksuar se shkarkimet do të menaxhohen me kujdes në vijim të dinamikës së zhvillimeve meteorologjike dhe se ato nuk do të ndikojnë në zonat e nën-Shkodrës.
Rreth pesë ditë shira të vazhdueshëm dhe me intensitet të lartë shkaktuan këtë javë përmbytje të mëdha në Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Disa rrugë pësuan dëmtime nga rrëshqitjet e dherave ndërsa dhjetëra familje u detyruan të shpërnguleshin përkohësisht për shkak të rrezikut.
Zona e Obotit në Shkodër vuajti për disa ditë situatë të rëndë pasi niveli i ujit ishte i lartë. Drejtuesit e KESH-it theksuan disa herë se përmbytja nuk kishte ardhur si rezultat shkarkimeve nga hidrocentralet.
Për reshjet dhe rrezikun e përmbytjeve pati njoftime nga Instituti i Gjeoshkencave që në javën e parë të janarit. Opozita fajësoi qeverinë se i nënvlerësoi ato dhe nuk vuri në dispozicion menjëherë të gjitha mjetet e nevojshme për parandalimin e rrezikut.
Por, qeveria citoi statistika nga institutet shtetërore dhe tha se niveli i reshjeve ishte më i madh se ato të vitit 2010 kur pati përmbytje masive. Ajo tha se u veprua në kohë, se në tërësi situata u menaxhua mirë, u mënjanuan lëndimet në njerëz dhe se për dëmet në bujqësi fermerët do të dëmshpërblehen./euronews
Lajme të Rekomanduara:

Situata nga Covid/ Komiteti Teknik i Ekspertëve merr vendimin për masat shtrënguese
Komiteti Teknik i ekspertëve në mbledhjen e sotme ka deklaruar se do të mbeten në fuqi masat kufizuese të dy javëve të para. Duke analizuar...

“Kemi rritje të shtrimeve në spitale”/ Brataj tregon qytetet me më shumë të infektuar
Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka bërë me dije se kemi një rritje të shtrimeve në spitale, për shkak të infektimve me Covid. Sipas...