Blog
Ja pse Britania kryeson garën e vaksinimit kundër koronavirusit në Evropë

Nga Cristina Gallardo “Politico.eu”
Britania pas Brexit po e udhëheq garën e vaksinimit anti-Covid në kontinentin Evropian,
dhe ka disa leksione për t’i ofruar të tjerëve. Ky vend ka vaksinuar deri tani mbi 3 milion njerëz që kur filloi vaksinimin në fillim të dhjetorit 2020, teksa 415.000 njerëz në Angli që kanë marrë tashmë edhe dozën e dytë të nevojshme për të pasur mbrojtje maksimale nga virusi. Ja cilat janë disa nga arsyet që fshihen pas këtij suksesi.
Miratimi i hershëm nga enti rregullator
Rregullatori i barnave në vend, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), ishte e para në Evropë që miratoi vaksinën e Pfizer/BioNTech, më2 dhjetor 2020, pra disa javë përpara Agjencisë Evropiane të Barnave. Kjo krijoi mundësinë e mbërritjes menjëherë të1 milionë dozave të para të prodhuara në Belgjikë, dhe që u dërguan në Britani që në javën e dytë të dhjetorit.
Marrëveshjet e hershme me kompanitë, dhe kapaciteti prodhues
Që nga mesi i gushtit 2020, Britania kishte nënshkruar tashmë marrëveshje në parim për të siguruar 4 lloje të vaksinave të koronavirusit me prodhuesit si AstraZeneca, Pfizer/BioNtech, Valneva, GSK/Sanofi, Novavax dhe Johnson & Johnson’s. Pastaj një faktor është kapaciteti prodhues.
Zyrtarët e AstraZeneca, thanë të mërkurën se po shtojnë me shpejtësi prodhimin e vaksinës, dhe janë në rrugën e duhur për të prodhuar 2 milion doza në javë deri në fund të marsit. Kjo vaksinë po prodhohet në Britani, dhe prodhimi ndihmohet nga një marrëveshje 18-mujore midis qeverisë dhe kompanisë farmaceutike “Wockhardt” e nënshkruar në gusht, për të prodhuar deri në100 milion doza për Britaninë.
Objektiva të qarta
Në planin e shpërndarjes së vaksinave, bërë publik të hënën, qeveria britanike i ka vënë si objektiv vetes të vaksinojnë 14 milion njerëz deri në mesin e muajit shkurt. Në fazën e parë vëmendja është fokusuar tek azilet e të moshuarve, mjekët dhe infermierët,njerëzit e moshës 70 vjeç e sipër, si dhe tek ata më sëmundje kronike.
Prioritet doza e parë
Qeveria mori një vendim në fund të dhjetorit për t’i dhënë përparësi dhënies së dozës së parë të vaksinës sa më shumë njerëzve në grupe. Gjithsesi, që të gjithë do t`a marrin dozën e dytë, dhe kjo duhet të bëhet brenda 12 javësh pas marrjes së dozës së parë.
Një sistem i thjeshtë dhe efikas i axhendës së vaksinimit
Rezervimi i një takimi me Shërbimin Kombëtar Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar (NHS) për të marrë vaksinën, është një proces i lehtë që mund të bëhet në internet ose përmes telefonit, pa pasur nevojë për një konsultë me mjekun e përgjithshëm. Sa për krahasim, njerëzit në Francë duhet të shkojnë tek mjeku i familjes 5 ditë para se të marrin vaksinën,dhe të japin pëlqimin e tyre me shkrim pasi të jenë informuar për efektet e mundshme anësore.
Një rrjet i gjerë vaksinimi
Qeveria britanike është zotuar të sigurojë një qendër vaksinimi që çdo person t`a ketë15 km larg nga shtëpia e tij. Rrjeti në Angli përfshin 7 qendra vaksinimi të mëdha, ndërsa dhjetëra të tjera pritet që të hapen në javët e ardhshme. Së shpejti, njerëzit në Angli do të jenë në gjendje të vaksinohen në një nga rreth 1200 qendrat e vaksinimit.
Mbështetje ushtarake dhe vullnetare
Ushtria britanike po bashkëvepron me NHS. Për shembull, forcat e armatosura po kontribuojnë në fushatën e vaksinimit duke shpërndarë dozat në pikat tashmë të ngritura, duke identifikuar zonat që nuk mbulohen nga rrjeti i vaksinimit. Ekzistojnë gjithashtu 21 njësi të reagimit të shpejtë në gatishmëri, që mund të vendosen në spitale, shërbimet lokale të vaksinimit dhe qendrat e vaksinimit, nëse NHS do të ketë nevojë për burime njerëzore shtesë.
Lufta kundër skeptikëve të vaksinës
Britania ishte ndër vendet e para që ndërmori një fushatë komunikimi kundër keq-informimit, dhe dyshimeve të gabuara të disa njerëzve ndaj vaksinës. Qeveria kishte një plan konkret që nga mesi i nëntorit. Figurat e njohura publike, përfshirë Mbretëreshën Elizabet kanë bërë publik vaksinimin e tyre për të kontribuar në këtë fushatë sensibilizuese mbi nevojën e vaksinimit.
Pse strategjia e BE mund të fitojë?
Britania e Madhe është aktualisht shumë përpara ish-partnerëve të saj të BE-së. Por situata mund të ndryshojë me shpejtësi, sidomos kur të miratohet përdorimi në union i vaksinës Oxford/AstraZeneca. Një qasje më e kujdesshme e Brukselit ndaj shkencës, dhe interesi më i madh i mbrojtjes së taksapaguesit nga çështjet e përgjegjësisë, mund të japin përfitime edhe në planin afatgjatë./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://www.politico.eu/article/8-reasons-why-uk-leads-europe-coronavirus-vaccination-race/