Shëndeti
Situata shëndetësore/ Erion Dasho: Më në fund pak transparencë

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, ka bërë një analizë të situatës shëndetësore në vend dhe deklaron se më në fund po bëhet pak transparencë.
Dasho shkruan në rrjetet sociale se rritja e numrit të testeve është domosdoshmëri për të njohur situatën e vërtetë lidhur me COVID në Shqipëri.
Ai thekson se po sikur qeveria të bënte transparencë më parë, shumë më pak shqiptarë do të kishin vdekur dhe shumë më mirë do të ishte menaxhuar epidemia.
“Më në fund, pak transparencë!
Sot u mbyll java e 45 e epidemisë së COVID në Shqipëri. Me më shumë se 23 mijë teste, kjo është java me numrin më të lartë të testeve të kryera. Këto teste kanë diagnostikuar 4,157 raste, numri më i lartë i rasteve të diagnostikuar që prej fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit.
Bën përshtypje se përqindja e pozitivitetit ka rënë nga 31.5% gjatë javës 7-13 dhjetor në 17.5% përgjatë javës që sapo u mbyll.
Përqindja e pacientëve të shtruar në pavionet e reanimacionit të spitaleve COVID ka qënë rregullisht rreth 10%, gjë që flet se në këto spitale më në fund po trajtohen gjithmonë e më tepër pacientë që REALISHT kanë nevojë për trajtim terciar.
Sigurisht, me rritjen e numrit të testimeve, u rrit edhe numri i vdekjeve nga 40 një javë më parë, në 48 gjatë kësaj jave.
Këto të dhëna ndihmojnë në disa përfundime të shpejta dhe të kuptueshme për këdo:
1. Rritja e numrit të testeve është domosdoshmëri për të njohur situatën e vërtetë lidhur me COVID në Shqipëri. Sapo u rritën testet, përqindja e pozitivitetit në testim u ul dhe numri i vdekjeve u rrit për t’ju afruar shifrave reale dhe të pamanipuluara.
2. Me 17.5% jemi ende larg tavanit 10% që ka vendosur OBSH-ja, por në se numri i testeve ditore shtohet edhe me 2 deri 3 mijë të tjera, ky tavan do të kapet shumë shpejt për të mundësuar (për herë të parë gjatë epidemisë) një numër adekuat testimesh.
3. Askush nuk po e linçon qeverinë për 48 vdekjet e raportuara (si gjithmonë, ministria dhe komiteti vazhdojnë të raportojnë vetëm rastet COVID pozitiv). As edhe për një numër të përafërt vdekjesh që duhet të kenë ndodhur në pacientë me COVID por të pakonfirmuar me test. Vdekjet ndodhin kudo. Rëndësi ka që ato të mos fshihen dhe realiteti të tregohet siç është.
Ndërsa epidemisë së COVID po i vjen fundi, sa për shkak të vaksinës, aq edhe për shkak të imunitetit natyral të grupit, më në fund qeveria shqiptare po fillon të hedhë hapat e parë drejt transparencës!
Sikur kjo të ishte bërë më parë, shumë më pak shqiptarë do të kishin vdekur dhe shumë më mirë do të ishte menaxhuar epidemia. Mend për herë tjetër! Kjo nuk ishte epidemia e parë dhe, fatkeqësisht, nuk do të jetë as e fundit…”, shkruan eksperti i Shëndetit Publik./ CNA.al