LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Sokol Balla/ Amerika nuk ka vdekur. Ajo sapo u ringjall!

7 Janar 2021, 18:09, Opinione CNA
Nga Sokol Balla/ Amerika nuk ka vdekur. Ajo sapo u ringjall!

Washingtoni u gdhi me diell sot. Prej tre ditësh këtu, kjo ishte dita e parë me dritë. Dhe kjo nuk është fjali poetike. Sado diell të ketë sot mbi Washington, pak po ngroh ai, pas një nate të tmerrshme dje, kur katër veta humbën jetën në shkallët e Capitol Hill, një prej tyre, një grua, e vrarë nga policia brenda ambienteve të Kongresit Amerikan. Pavarësisht nga dielli i të enjtes, sërish Amerika u gdhi sot, si çdo ditë këto katër vjet, pa president. Shtëpia e Bardhë dje në darkë fiku dritat, jo si shenjë solidariteti, por në shenjë pasigurie. Shërbimet sekrete fikën dritat, pasi ajo nuk është më Shtëpia e Bardhë, por njolla e zezë, gjithsesi e përkohshme, e Republikës Amerikane. Një pikë e përkohshme reference, e urrejtjes. Më shumë simbol personal i humorit të errët të Donald Trump, që për 24 orë, ja doli të realizojë ëndrrën e tij, dhe jo vetëm të tij, por të gjithë Perandorisë së Errësirës, për të sjellë eklips mbi zemrën e demokracisë botërore.

Ndërsa vrapoja për t?ju larguar rrëmujës nga Pennsylvania Avenue, nga të dhunshmit që kishin pushtuar Freedom Plaza, m?u kujtua sigurisht 21 janari që po afron, m?u kujtuan ditët e errëta të 1997, m?u kujtua kuvendi i Kosovës, i Tiranës, i Beogradit, e për më keq i Shkupit. Dhuna në parlamentin ukrainas, atë turk, bombat në Tirkan afgane, kryetari i Dumës Ruse, plagosja dhe vrasja e Azem Hajdarit, horrat e Saliut ?96, Saliut ?97, Saliut ?98, Saliut 2000. Çadrat e Edit, e pastaj të Lulit, dekretet e Ilirit, heshtja e Gramozit. Vrasja e Brocit, dhunimi i Brozit, nofulla e thyer e Ben Imamit, shkapetja e Blendi Gonxhes nën shkelmat e ShIK-ut, buzëqeshjet e ?zgjuara? të Albinit, kur ja fuste policëve dhe hidhte gaz në Kuvend, dora e tij e ngrirë, kur organizonte protesta nga ballkoni i kryeministrisë së tij jetëshkurtër. Më bëhej sikur nga autobusët e parkuar në Arlington, nuk zbrisnin qafëkuqët e Montanës, por tropojanët e Saliut, kamzalinjtë, çunat problematikë, të Dibrës, Fierit apo Kukësit.

Të gjitha këto m?u kujtuan dje, m?u kujtuan sot, kur Amerika nisi ringjalljen e saj, së bashku me agimin e artë mbi Washington. Agimin e artë të diellit dhe jo atë të grekëve. Të artë dhe jo të kuq, si të rusëve. Por ngjashmëritë e përkohshme me të keqen, mbeten. Fox News, si syri i Presidentit dhe CNN si altoparlanti i demokratëve mbrëmë filluan të lënë solidaritetin, dhe të kërkojnë fajtorët. Kush e ka fajin përse Garda Kombëtare nuk erdhi në kohë? CNN citonte ligjin: faji është i presidentit. Fox News e gjente fajin te kryebashkiakja demokrate e Washingtonit. CNN intervistonte republikanë, që bënin si të moderuar, ndërsa Fox News, zezakë që flisnin si të bardhë nga Texas, meksikanë që flasin kundër emigracionit. Mungonte vetëm Goxhajn e shkalafitur që të fliste kundër Soros, kundër meje dhe kundër vaksinës anti-covid.

Më erdhi të qesh e të qaj, kur lexova Erdogan t?i kërkonte turqve, t?i rrinin larg shesheve amerikane se kishte protesta të dhunshme, dhe imagjinoja Edin e nënqeshur cinik që i redaktonte tekstin, duke ngrënë syfyr me të në Adakule. Mbylla sytë e s?desha ta besoja ?Mrekullinë e Lulit?, që dënonte dhunën në Kongresin Amerikan dhe fantazoja Yuri Kim të mërzitur, jo nga ?Luli Basha?, por nga imagjinata e shfrenuar që të krijon ideja, se baba i tij, çuni i Shiqeres, po qesh si plaku Mere nga bunkeri i tij, ku është izoluar bashkë me Salinjtë e tij, nga frika e virusit dhe e vrasjeve, që ish-salinjtë e tij, thonë se ai ka urdhëruar. Ka urdhëruar si kryeministër, si president, si Donald Trump.

Pasi kështu po thotë Amerika normale sot. Se dhuna u drejtua nga Trump. Se Trump duhet ndëshkuar. Burime flasin për aplikimin e Amendamentit 25, kur pjesëtarë të Kabinetit shkarkojnë Presidentin, për paaftësi shëndetësore dhe mendore për të qenë në krye të tyre. Pas kësaj vjen hetimi, arrestimi, dënimi dhe burgosja. Përse? Për shumë amerikanë sot, edhe ata që e votuan në 3 nëntor, Donald Trump nuk është më një president. Ai është një ?thug?, një horr. Një horr me pushtet, me armë, me ushtri dhe mbështetës. Një horr, si horrat e Gardës në 21 janar 2011, një horr bulevardi, por jo si Bamir Topi i butë dhe frika e tij për të qenë president I fortë, në një ditë të vështirë për kombin e tij, por një horr politik si Saliu i 1997, që çoi familjen në Itali, si Trump Melanian në Florida dhe më pas dogji Shqipërinë. Trump është një lavire e përkohshme e pushtetit politik amerikan, një lavire bulevardi që pas 13 ditësh do jetë së paku një e shkuar për t?u harruar dhe së shumti, një burgaxhi federal. Sepse kjo është Amerika e vërtetë, jo ajo që m?u duk se pashë unë mbrëmë këtu dhe ju atje, në Tiranë, Prishtinë apo Shkup. Trump është e shkuara dhe prova më e fortë se bashkë me të, ikin dhe të gjithë ata që mendonin të ringjallej fantazma e tyre e pushtetit, përmes dhunës dhe parave nga lindja.

Sepse Amerika është Amerikë, pasi dielli lind, andej nga perëndon. Ndaj mos mendoni që tani mund të digjni Tiranën, ndizni Prishtinën, shkatërroni Shkupin, vetëm sepse këtë e bëri Donald Trump. Amerika nuk është e tija.

Amerika nuk ka vdekur. Ajo sapo u ringjall! Në Ditën e Epifanisë. Amerika është e jona. E jona është dhe Shqipëria, edhe Kosova. I përkasim njëra tjetrës. Përgjithmonë.

Duhet veç pak durim. Për amerikanët deri në 20 janar. Për ne ndoshta edhe pak më shumë. Por tashmë edhe ne, si amerikanët sot në Washingtonin e trembur, të ftohtë por me diell, e shohim dritën që vjen nga vija e horizontit dhe titrat përmbyllëse të një filmi të gjatë horror të cilit tashmë po I vjen fundi. Edhe Donald Trump e pa këtë: deklaroi sot në mëngjes se në 20 janar do të ketë një tranzicion normal. Jo nga Twitteri i tij, se atë ja mbyllën. Jo se do ai, porse kështu vendosën, fillimisht amerikanët, pastaj edhe institucionet.

Kanalet e zeza, u ndanë më në fund nga ato të ujërave të bardha. Nga mbrëmë u binda, që ky më në fund do të jetë një Vit I Mirë.

Washington, 7 janar 2021.

Lajmet e fundit nga