Politikë
Rama zbulon bisedën me Erdogan/ Sulmon BE nga Turqia: Na mbylli derën në kohën e pandemisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zbuloi disa nga bisedat e zhvilluara sot me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, gjatë takimit kokë më kokë me të në Ankara.
Mes të tjerash, Rama tha se Presidenti Erdogan ka shprehur gatishmërinë për disa ndërhyrje të rëndësishme në fushën e turizmit, shëndetësisë dhe arsimit. Lidhur me këtë, me të qeshur, Rama theksoi se ka vendosur bast me Kreun e Shtetit turk, pasi ky i fundit ka thënë se brenda tre muajve do të ndërtohet Spitali Rajonal i Fierit.
“Jam shumë i kënaqur që presidenti gjatë bisedës shprehu gatishmërinë, jo vetëm me fjalë, për disa ndërhyrje të rëndësishme në fushën e turizmit, shëndetësisë, arsimit. Është lajm i shkëlqyer për të rinjtë, që një universitet, sic është ai i Stambollit, do të jetë prezent së shpejti në Shqipëri. Së shpejti, edhe Spitali i Fierit do të jetë realitet. Tani, bastet në Shqipëri dhe Turqi janë të ndaluar, por basti se ky spital do të jetë gati për tre muaj, është një bast shumë i fortë”, tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare u ndal te pandemia, duke shprehim vlerësimet më të larta për Turqinë, që sipas tij, i mbajti dyert hapur dhe ofroi mbështetje për Shqipërinë, jo si disa vende të tjera “që njësoj sic u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën dhe shtetet e tjera dhe ndaluan deri edhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë”, tha Rama.
Më tej kryeministri i Shqipërisë ka sulmuar edhe Bashkimin Europian duke deklaruar se vetëm Turqia i dha ndihmë mjekësore vendit tonë në kohë pandemie, ndërsa shtetet e tjera i mbyllën derën.
Solidariteti i Turqisë mike dhe i presidentit Erdogan nuk është shprehur vetëm kur Turqia nuk ka pasur një problem të vetin, por edhe kur Turqia njësoj si ne u godit nga koronavirusi, presidenti dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë, që njësoj sic u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën dhe shtetet e tjera dhe ndaluan deri edhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne, sic është domethënës edhe fakti që sot një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi i afërt mes dy vendeve dhe mbështetja e Turqisë për Shqipërinë në gjithë procesin e kësaj lufte të madhe me këtë armik të padukshëm, pa u kursyer.
Besoj që sjellja e Turqisë ndaj nesh dhe qasja e presidentit Erdogan në situatat kur vende si yni gjenden në vështirësi janë mishërimi i fjalës së paharrueshme të Qemal Ataturkut, që thoshte “njerëzimi është një trup i vetëm dhe cdo komb është pjesë e këtij organizmi”, tha Rama./CNA.al