Në shumicën e ligave të mëdha të futbollit në Evropë dhe në botë, futbollistët testohen për COVID-19 para çdo ndeshjeje, por kjo nuk ndodh në Superligën e Kosovës në futboll.
Futbollistët kosovarë kanë bërë testime në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), vetëm në rastet kur është dashur të udhëtojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare.
Testimin e të gjithë futbollistëve dhe stafit e ka bërë vitin e kaluar klubi i ‘Dritës’ nga Gjilani, kur ka marrë pjesë në garat parakualifikuese për Ligën e Kampionëve në Nyon të Zvicrës.
Por, për garat vendore, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk i ka obliguar klubet që të bëjnë teste para çdo ndeshje.
Drejtori i klubit të futbollit ‘Drita’, Valon Zymberi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur mungesë të testeve për COVID-19.
“Te ne ka qenë gjithmonë problem numri i testimeve ose sigurimi i testimeve, qoftë edhe nga ana e shtetit dhe për këtë arsye ne i kemi bërë vetëm në fillim të sezonit testet, ndërsa tani i kemi bërë privatisht dhe nuk kemi pasur ndonjë obligim. Si këshillë nga Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë që në rast se ka ndonjë alarm apo diçka të tillë, të izolohen apo të marrim vendime vetë klubet, mirëpo fatmirësisht nuk kemi pasur të infektuar”, thotë Zymberi.
Sipas tij, testimi i shpeshtë do të ndikonte keq në gjendjen emocionale dhe psikike të futbollistëve.
LEXO EDHE: Lefter Maliqi merr vendimin/ Kandidoj për LSI-në, kam kërkuar të jem në fund të listës
“Ndoshta për shëndetin do të ishte mirë, por sigurisht në anën psikologjike ose në anën emocionale të lojtarëve, nëse do të bëhej një testim në çdo ndeshje edhe në Superligën e Kosovës, mendoj se do të ishte një gjendje e rënduar psikologjike. Për këtë arsye, mendoj se do të ishte një barrë shumë e madhe në rast të testimeve. Por, sigurisht, për shëndetin e të gjithë neve në komunitetin e futbollit, ndoshta do të ishte më mirë”, thotë Zymberi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht ka rekomanduar të bëhen teste për COVID-19, në mënyrë që pandemia të mbahet nën kontroll.
Në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, thonë se të gjitha klubet kanë mundur t’i testojnë futbollistët e tyre dhe stafin në IKSHPK.
“IKSHPK-ja u është përgjigjur gjithmonë pozitivisht federatave të sporteve në Kosovë për të testuar sportistët që kanë marrë pjesë në gara të ndryshme në nivele ndërkombëtare, por edhe në garat nacionale, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe parandalimit të përhapjes së infeksionit te sportistët”, thuhet në një përgjigje me shkrim të kësaj ministrie dërguar Radios Evropa e Lirë. REL