LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse Çarls Darvini kishte të drejtë, mbi mënyrën sesi filloi jeta në Tokë

1 Janar 2021, 20:20, Blog CNA
Pse Çarls Darvini kishte të drejtë, mbi mënyrën sesi

Çarls Darvini kishte disa ide shumë të mira. Më e famshmja ishte teoria e evolucionit përmes përzgjedhjes natyrore, që shpjegon shumë nga ato që dimë mbi jetën në Tokë. Por shkencëtari britanik reflektoi edhe mbi shumë pyetje të tjera.

Në një letër drejtuar një miku, ai paraqiti një ide se si mund të ishte formuar jeta në fillim në Tokë. E shkruar rreth 150 vjet më vonë, ajo letër duket jashtëzakonisht e zgjuar, dhe ndoshta edhe profetike.

Përkundër besimit popullor, Darvini nuk ishte i pari që propozoi se speciet evoluojnë. Ideja që popullatat e kafshëve ndryshojnë me kalimin e kohës, si për shembull gjirafat që sot kanë qafë më të gjatë sesa paraardhësit e tyre të largët, diskutohej shumë në vitet 1800.

Kontributi kryesor i Darvinit, ishte përshkrimi i një mekanizmi për evolucionin:përzgjedhja natyrore. Ideja është që kafshët brenda një specie garojnë me njëra-tjetrën për ushqim, strehim dhe në fund të fundit edhe mbi aftësinë për t?u riprodhuar.

Vetëm më të përshtatshmit, pra ata që përshtaten më mirë me mjedisin e tyre, do të kenë sukses në riprodhim, dhe kështu tiparet e tyre të dobishme do të kalojnë tek brezi tjetër, dhe do të bëhen më të zakonshme. Darvini e shkroi këtë në kryeveprën e tij ?Mbi origjinën e specieve? në vitin 1859.

Por teoria e evolucionit nuk na tregon asgjë se si u formua jeta e parë:ajo vetëm na tregon se si dhe pse ndryshon jeta ekzistuese. Kërkimet mbi origjinën e jetës nuk filluan deri në vitet 1950. Në atë kohë, shumë shkencëtarë dyshonin se jeta kishte nisur në oqeane.

Ideja ishte që shumë kimikate me bazë karboni u formuan në Tokën e re dhe u tretën në oqean, që u bë i trashë dhe i përqendruar:në të ashtuquajturën ?supë fillestare?. Kjo teori u propozua në vitet 1920 nga biologu sovjetik Aleksander Oparin.

Në vitin 1953, studenti amerikan Stenli Miler tregoi se aminoacidet, blloqet ndërtuese të proteinave, mund të formoheshin në një aparat të thjeshtë që imitonte oqeanin dhe atmosferën fillestare. Ideja që jeta filloi në oqean dominoi për dekada, por ekzistonte një problem i dukshëm.

Oqeanet janë të mëdha, dhe nëse kimikatet me bazë karboni nuk ndodhen në sasi marramendëse, ato mund të lëvizin për vite me radhë dhe nuk do të takohen kurrë më njëra-tjetrën. ?Do të kishte shumë ujë dhe shumë pak molekula?- thotë Klaudia Bonfio e Laboratorit të Biologjisë Molekulare MRC në Kembrixh, Britani.

Një alternativë shumë e diskutuar, është se jeta mund të kishte filluar në burimet alkaline si ato të Qytetit të Humbur në mesin e Atlantikut. Atje, uji i nxehtë dhe i pasur me minerale nga fundi i detit, rrjedh nëpër shkëmbinj dhe formon maja të bardha të frikshme.

Këto vende janë një burim i pasur i energjisë kimike, të cilat mund të kenë ushqyer organizmat e parë. Por sipas një përmbledhje të botuar në majin e këtij viti ?sinteza e drejtpërdrejtë e aminoacideve ose nukleobazave?-që??të dyja thelbësore për jetën siç e njohim ne – nuk ?janë treguar ende? në burimet alkaline.

Dhe kjo gjë na çon sërish tek Darvini. Ai nuk shkroi kurrë se si filloi jeta në librat e tij, por  spekuloi për të në rrethe private. Dhe dokumenti kryesor është një letër që ai shkroi më 1 shkurt 1871, për mikun e tij të ngushtë, natyralistin Xhozef Huker.

Pas një diskutimi të shkurtër të disa eksperimenteve të fundit mbi mykun, Darvini përshkroi fillimet e një hipoteze:?Shpesh thuhet se të gjitha kushtet për prodhimin e parë të një organizmi të gjallë që janë tani të pranishme, mund të kenë qenë edhe dikur. Sikur të mund të krijonim një pellg të vogël të ngrohtë me të gjitha llojet e amoniakut dhe kripërave fosforike, dritës, nxehtësisë, energjisë elektrike etj?.

Pra Darvini po propozonte që jeta filloi jo në një oqean të hapur, por në një pellg të vogël uji në tokë, që ishte i pasur me kimikate. Kjo në thelb është ideja e ?supës fillestare?, por me një avantazh:në një pellg, çdo kimikat i tretur do të përqendrohej kur uji avullohej në nxehtësinë e ditës.

Sinteza fillestare e kimikateve të jetës do të mundësohet nga një kombinim i dritës, nxehtësisë dhe energjisë kimike. Në shumë mënyra, ideja e Darvinit është e paplotë, por ai nuk mund të fajësohet për këtë.

Ai po shkruante para zbulimit të acideve nukleike si ADN-ja, përpara se biologët të kuptonin ndonjë gjë rreth mënyrës se si funksionojnë gjenet, dhe kur puna e brendshme e qelizave të gjalla ishte kryesisht një mister. Darvini imagjinonte se jeta në Tokë filloi me një proteinë, por askush nuk e dinte se çfarë ishin proteinat: deri në vitin 1902 nuk u kuptua që proteinat janë zinxhirë të aminoacideve. E njëjta ide themelore po ndiqet edhe sot, dhe shumë studiues janë të bindur se është shpjegimi më i mirë që kemi mbi origjinën e jetës./ Përshtati në shqip CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga