LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush janë 5 sundimtarët e lashtë që ndryshuan botën, varret e të cilëve nuk janë gjetur ende

1 Janar 2021, 14:40, Blog CNA

Në listën e atraksioneve turistike, varrezat e njerëzve të famshëm janë përgjithësisht në krye. Mjafton që për këtë të pyesni kujdestarët në WestminsterAbbey, ku gjenden varret e mbretërve, mbretëreshave, poetëve dhe shkencëtarëve të famshëm që vizitohen çdo vit nga miliona njerëz. Por ndërkohë në histori ka pasur edhe shumë të tjerë të famshëm, varret e të cilëve sot nuk dihet. Dhe bëhet fjalë për sundimtarë që e ndryshuan botën.

Budika, Mbretëresha rebele

Kur romakët pushtuan atë që është sot Anglia, rreth vitit 43 të Erës Sonë, ata lejuan Prasutagusin, udhëheqësin e fisit kelt Iceni, që të vazhdonte të sundonte popullin e tij. Por kur ai vdiq në vitin 60, pakti përfundoi. Romakët e pushtuan atë territor, fshikulluan të venë e Prasutagusit, Budikën, dhe përdhunuan vajzat e tij. Por ky do të ishte një gabim i madh. Mbretëresha udhëhoqi një koalicion fisesh rebele që shkatërruan 2 vendbanime romake dhe gati sa nuk i përzunë romakët nga ishulli. Gjithsesi, në vitin 61 Budika u mposht. Sipas historianit romak Taciti, ajo e helmoi veten për të shmangur kapjen rob. Ndërkohë Dion Kasi, një tjetër historian i kohës, raporton se ajo vdiq nga plagët e betejës. Pavarësisht sesi vdiq fakt është se askush nuk e di se çfarë i ndodhi trupit të saj, edhe pse ka shumë hipoteza.

Aleksandri i Madh

Aleksandri u bë sundimtari i Maqedonisë pas vrasjes së babait të tij, Filipit II, në vitin 336 Para Erës Sonë. Luftëtari 20-vjeçar e konsolidoi me shpejtësi pushtetin e tij në të gjithë Greqinë, dhe më pas e zgjeroi sundimin e tij. Ai pushtoi Perandorinë Persiane, themeloi mbi 70 qytete (përfshirë Aleksandrinë në Egjipt), dhe konsolidoi një perandori që shtrihej nga Greqia në Indi.
Ai i realizoi që të gjitha ato në pak më shumë së një dekadë. Vdiq në vitin 323 në moshën 32-vjeçar, ndoshta nga ethet. Ai u varros në fillim në Memfis, pastaj trupi i tij u zhvendos në Aleksandri. Për disa vjet varri i tij u nderua si të ishte një Zot.
Pastaj në vitin 356 të Erës Sonë, natyra bëri atë që nuk mundën dot ushtritë perse. Një cunami, i pasuar nga një seri tërmetesh dhe ngritje të nivelit të detit, zhytën nën ujë Aleksandrinë. Një qytet i ri u ndërtua në krye të qytetit të vjetër, teksa varri i Aleksandrit ka të ngjarë të ketë humbur deri në 12 metra nën tokë.

Kleopatra, Mbretëresha e fundit e Egjiptit

Kleopatra, faraoni i fundit i Egjiptit, u përpoq ta mbante mbretërinë e saj të pavarur nga Roma. Pas vdekjes së Jul Çezarit, ajo u bë bashkë me Mark Antonin kundër Oktavianit, nipi dhe trashëgimtari i Çezarit, që të mos e zgjeronte sundimin e tij në Egjipt. Por në fund dështoi. Kur Oktaviani fitoi, Antoni kreu vetëvrasje. Pak kohë më vonë, dhe Kleopatra vrau veten. Historiani romak Dion Kasi na tregon se Oktaviani urdhëroi që Kleopatra të varrosej pranë të dashurit të saj. Po ku? Me sa duket në Aleksandri. Pikërisht aty ku cunami dhe tërmetet e shkatërruan vijën bregdetare me kalimin e viteve. Dhe zona ku mbretëresha dhe bashkëshorti e saj u varrosën gjenden më shumë gjasa nën ujë.

Atila, Mbreti i Hunëve

Atila i drejtoi Hunët në vitet 440-453 të Erës Sonë, dhe pavarësisht se mundi shumë fise që e kërcënonin Perandorinë Romake, ai arriti të ishte një rival i fortë për romakët. Pasi trashëgoi një perandori që shtrihej nga Alpet në Detin Kaspik, Atila negocioi një traktat me romakët, që përfshinte pagimin e një shume të madhe parash në këmbim të mbrojtjes. Kur romakët nuk paguanin, Atila sulmonte dhe plaçkiste qytetet e tyre. Bastisjet e tij, mendohet se ishin një faktor i rëndësishëm për rënien e Romës. Çuditërisht, Atila nuk vdiq në betejë, por në shtratin e tij. Historianët e kohës thonë se shkaku ishte pirja e tepërt në një gosti.
Thuhet se trupi i Atilas u varros në 3 arkivole të futur njëri tek tjetri, prej hekuri, argjendi dhe ari. Burrat që e varrosën u vranë, ndaj ata nuk mund të zbulonin vendin e varrit. Varri i tij, besohet të jetë diku në atë që është sot Hungaria, por vendndodhja e saktë mbetet ende një mister.

Xhengiz Kan, sundimtari i Mongolisë

Xhengiz Khan bashkoi gjithë Mongolinë nën udhëheqjen e tij. Pas kësaj ai kaloi në pjesën tjetër të Azisë. Kur vdiq, perandoria e tij shtrihej nga Oqeani Paqësor në Detin Kaspik. Por aftësitë e tij nuk ishin të kufizuara vetëm tek pushtimet. Khani i Madh, siç njihet edhe sot në Mongoli, i solli popullit të tij regjistrimin e popullsisë, shërbimin postar dhe një gjuhë të shkruar. Ai instaloi një sistem meritokracie në qeverinë e tij, e përkrahu lirinë fetare dhe ndaloi torturat në mbretërinë e tij. Vdiq në vitin 1227 ndërsa ishte në një fushatë në Kinë, ndoshta pasi ra nga kali ndërsa ishte në gjueti. Djemtë e tij e çuan trupin e tij në Mongoli, ku babai i tyre kishte kërkuar që të varroset në një varr të paemër. Sipas legjendës,Xhengiz Khan u vendos në një arkivol dhe u varros në një gropë të thellë. Pastaj 10.000 kuaj shkelën zonën për të fshehur varrin. Ai mendohet të jetë varrosur diku afër vendlindjes së tij, në Malet Kenti në Mongoli Verilindore. Por pavarësisht kërkimeve të vazhdueshme, vendndodhja e varrit të tij mbetet një mister.

/Përshtatur nga CNA.al

Burimi:   https://www.discovermagazine.com/the-sciences/these-5-ancient-rulers-changed-the-world-but-their-bodies-have-never-been

Lajmet e fundit nga