LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Leksionet e hidhura që 2020-a dha për qeveritë e botës

31 Dhjetor 2020, 11:31, Blog CNA
Leksionet e hidhura që 2020-a dha për qeveritë e botës

Nga Ngaire Woods ?Project Syndicate?

Covid-19 ka ofruar disa leksione të hidhura, por të dobishme në lidhje me qeverisjen. Shumë vende të pasura nuk e menaxhuan krizën ashtu siç e parashikuan, ndërsa shumë vende më të varfra, të populluara dhe të pambrojtura i tejkaluan pritshmëritë.

Kjo diferencë ngre pyetje të rëndësishme, jo vetëm për menaxhimin e shëndetit publik, por edhe për gjendjen e qeverisjes në demokracitë më të mëdha dhe më të vjetra në botë. Pak para pandemisë, një koalicion i fondacioneve kryesore publikoi Indeksin Global të Sigurisë Shëndetësore (GHSI), që renditi aftësinë e vendeve për të parandaluar, zbuluar dhe raportuar një infeksion, dhe për t?iu përgjigjur me shpejtësi shpërthimeve epidemike të sëmundjes.

?Normalisht?, vërejti një gazetar në atë kohë, ?vendet me të ardhura më të larta kishin prirjen të regjistronin rezultate më të mira në indeks?.Në krye të listës së ?vendeve më të përgatitura për t?u përballur me një pandemi? ishin Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

Një vit më vonë, ai klasifikim duket një farsë. Sipas një studimi të botuar në shtator, ?10 vendet më të prekura me Covid-19 për sa i përket vdekjeve për çdo 1 milionë banorë janë ndër 20 vendet më të mira për sa i përket indeksit GHSI?.

Sigurisht, është shumë herët të trumbetojmë një ?model të suksesshëm? për menaxhimin e pandemisë. Valët e reja epidemike po godasin aktualisht edhe vendet që menduan se e kishin mundur virusin. Por është e qartë se disa qeveri i kanë përdorur burimet, aftësitë dhe institucionet e tyre në një mënyrë shumë më efektive se të tjerat.

Veçanërisht interesante janë 3 vende, që tek GHSI renditen ndër vendet e fundit. Për shembull Senegali. Me një popullsi prej pak më shumë se 15 milion banorë sh dhe një PBB për frymë prej rreth 1.500 dollarësh, ai renditet i 95-ti në indeksin GHSI me një rezultat prej 37.9 pikësh (SHBA, ishte në vendin e parë me 83.5 për qind).

Kur në janar 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli për herë të parë një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik, Senegali ishte ende duke u përgatitur. Kur ai zbuloi rastin e parë me Covid-19 më 2 mars, vendosi njësi të lëvizshme testimi (me rezultate brenda 24 orësh), krijoi një sistem të gjurmimit të kontakteve, dhe krijoi ambiente karantinimi në klinika, spitale dhe hotele.

Qeveria ndaloi menjëherë mbledhjet publike, vendosi një shtetrrethim natën, kufizoi udhëtimet e brendshme, dhe pezulloi fluturimet tregtare ndërkombëtare. Në prill, maskat e fytyrës ishin shpallur të detyrueshme në të gjitha hapësirat publike. Dhe deri në tetor, ky vend kishte regjistruar gjithsej rreth 15.000 raste dhe 300 të vdekur.

Sigurisht, jo çdo gjë shkoi pa probleme. Trazirat e qershorit, çuan në një lehtësim të kufizimeve. Por vendi u përshtat shpejt me situatën. Një vend tjetër që kapërceu pritshmëritë është Sri Lanka. Me një popullsi prej 21.5 milion banorë sh, ajo renditej e 120-ta në indeksin GHSI, por reagoi shpejt ndaj virusit.

Duke përdorur për ndihmë edhe ushtrinë, qeveria zhvilloi teste të shpejta në zonat e populluara dendur. Gjithashtu vendosi një regjim të rreptë të gjurmimit të kontakteve, siguroi mbështetje për ata që ishin në karantinë, i bëri të detyrueshme maskat në ambiente publike, dhe vendosi një shtetrrethim në të gjithë ishullin.

Dhe, ashtu si në Senegal, qeveria e Sri Lankës nisi një fushatë masive të komunikimit publik. Deri në nëntor, vendi kishte raportuar vetëm 13 të vdekur nga Covid-19. Një vend i tretë që duhet veçuar është Vietnami. Me një popullsi prej 95 milion banorësh dhe një sistem të pazhvilluar të kujdesit shëndetësor, ai u rendit i 50-ti në indeksin GHSI, por mori me shpejtësi masat paraprake sapo mbërritën lajmet e para nga Kina fqinje.

Sapo regjistroi rastet e para me Covid-19, qeveria kishte përgatitur laboratorë dhe teste, ndërsa vendosi kufizime për të gjithë vizitorët nga Kina. Këto masa u pasuan nga testimi i shpejtë, gjurmimi i kontakteve, shtrimi në spital i të gjithë të infektuarve dhe izolimi i të gjitha kontakteve të dyshuara.

Deri në tetor, vendi kishte raportuar vetëm 35 të vdekur. Nëse këto vende të varfra mundën t`a menaxhojnë kaq mirë, pse dështuan SHBA-ja dhe Britania? Përvoja e fundit me sëmundjet ngjitëse, luajti qartazi një rol jetik në përgatitjen e këtyre vendeve.

Ashtu si Senegali që kishte përjetuar epideminë e Ebolës në vitet 2013-2016, Vietnami dhe Sri Lanka kishin përvetësuar leksionet nga SARS-i (2003) dhe MERS-i (2012). Secili nga këto vendeve kishte krijuar një infrastrukturë për të menaxhuar shpërthimet, ndërkohë disa popullata mund të kenë zhvilluar imunitet ndaj koronavirusëve.

Por vetëm historia nuk e shpjegon dot,se përse këto 3 vende dolën shumë më mirë sesa SHBA-ja dhe Britania. Kjo pandemi po na jep leksione shumë më të thella mbi qeverisjen. Në Senegal, Sri Lanka dhe Vietnam, secila nga qeveritë ishte e unifikuar pas një strategjie, të fokusuar në komunikime të qarta publike dhe në partneritet me rrjetet e komunitetit.

Ndërkohë,as SHBA-ja dhe as Britania nuk u treguan të afta të mobilizojnë institucionet e tyre udhëheqëse botërore, pas një strategjie koherente kombëtare. Përkundrazi, qeveritë e të dyja vendeve iu nënshtruan grindjeve midis elitave. Dhe kur kërkohej strategji, përçarjet brenda Partisë Republikane në SHBA dhe Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, bënë që udhëheqësit e tyre përkatës të kalonin nga një qasje tek tjetra.

Ekspertët që i këshilluan ata garuan për vëmendje dhe ndikim. Ata promovuan modelet dhe hulumtimet e tyre, dhe shpesh nuk kishin përulësinë për të kërkuar këshilla nga punonjësit e vijës së frontit, apo edhe vendet e tjera me përvojë në aspektin e epidemive.

Në fund, Covid-19 ekspozoi dobësinë e strategjive që synonin popullaritetin politik dhe jo pandeminë. Virusi nxori në pah marrëzinë e përpjekjes për të qeverisur nga komanda e centralizuar sesa përmes bashkëpunimit.

Pandemia ka zbuluar nevojën urgjente për të ndërtuar një urë lidhëse ndërmjet qeverive dhe midis institucioneve kombëtare dhe nën-kombëtare në SHBA dhe Britani. Kjo është po aq thelbësore për luftën kundër pandemisë, sa dhe për të siguruar një rimëkëmbje të suksesshme pas-pandemisë./Përshtati në shqip CNA.al

 

Lajmet e fundit nga