Blog
SHBA dhe BE do të dalin më të forta nga pandemia

Nga Gideon Rachman “Financial Times”
Duket se asgjë nuk mund ta pengojë rivalitetin gjeopolitik. As një pandemi, as kolapsi i udhëtimeve ndërkombëtare, apo një recesion ekonomik global. Në mënyra të ndryshme Kina, SHBA dhe BE-ja e kanë trajtuar që të gjithë pandeminë e Covid-19 si një provë shumë publike të qasjeve të tyre rivale mbi qeverisjen, dhe si pjesë e një gare ndërkombëtare për prestigj dhe ndikim.
Përfundimi i dukshëm paraprak, është se pandemia do të rezultojë të jetë një fitore e përgjithshme gjeopolitike për Republikën Popullore të Kinës. Suksesi i Kinës në frenimin e përhapjes së sëmundjes, kontraston dukshëm me numrin e tmerrshëm të jetëve që ka marrë Covid-19 në Perëndim. Por politika lëviz në mënyra të papritura. Paradoksalisht, ka të ngjarë që si SHBA ashtu edhe BE të forcohen politikisht nga Covid-19. Në Amerikë, viti filloi me Donald Trump në një pozitë të fortë për të fituar një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Por paaftësia e dukshme e presidentit amerikan në menaxhimin e Covid-19, i kushtoi ndoshta humbjen në zgjedhje. Për pasojë, Covid-19 mund ta ketë shpëtuar indirekt demokracinë amerikane. Dhe duke ndihmuar në largimin e një izolacionisti kaotik nga Shtëpia e Bardhë, pandemia i ka dhënë gjithashtu Shteteve të Bashkuara një shans shumë më të mirë për të ruajtur statusin e saj si kombi më i fuqishëm në botë.
Covid-19, ka shkaktuar shumë dëme njerëzore dhe ekonomike edhe në Evropë. Por, në aspektin politik, Bashkimi Evropian ndoqi një trajektore të ngjashme me SHBA-në, kur një katastrofë po i lë vendin një përmbysjeje gati të papritur të situatës. Kur pandemia e goditi për herë të parë kontinentin Evropian, ajo u duk si dëshmia e fundit se nën një presion të fortë, uniteti evropian kolapson. Kjo është ajo që ndodhi gjatë luftës në Irak, dhe gjatë gjithë krizës së euros. Në ditët e para të pandemisë, u rivendosën disa kontrolle kufitare, dhe pati shumë kritika të ndërsjellta midis evropiano veriorëve dhe atyre jugorë. Por, gjatë verës, narrativa ndryshoi në një mënyrë dramatike.
BE ra dakord për krijimin e një fondi solidariteti prej 750 miliardë eurosh, që do të përdoret për lehtësimin e pasojave ekonomik të Covid-19. Në një lloj shkëputje nga qasja e saj tradicionale, qeveria e Merkel në Gjermani ra dakord që paratë të mblidheshin nga emetimi i borxhit të përbashkët të BE.
Ky ishte një përparim historik për integrimin evropian – me gjasë më i madhi që nga krijimi i vetë euros gati 30 vjet më parë. Dhe përparimi u nxit pikërisht nga Covid-19. Do të duhet pak kohë që shfaqet ndikimi i plotë politik që kanë fituar SHBA dhe BE nga Covid-19.
Kur të mbërrijë zyrtarisht viti i ri, ka të ngjarë të kuptohet se viti i pandemisë pati përfitime reale gjeopolitike për Kinën. Ky gjithashtu, ishte një rezultat që nuk mund të ishte parashikuar në fillim të vitit 2020. Pandemia nisi në Kinë dhe në fillim u duk si një katastrofë për presidentin Xi Jinping.
Por, gjatë vitit, Xi dhe kolegët e tij e kanë kthyer narrativën. Në Kinë janë raportuar 4.770 vdekje nga Covid-19, krahasuar me mbi 330.000 në SHBA. Britania, Franca, Italia dhe Spanja kanë vuajtur që të gjitha nga një numër më i lartë viktimash, edhe sesa SHBA në raport me numrin e popullsisë.
Ekonomia kineze do të rritet këtë vit, ndërsa ekonomitë kryesore perëndimore kanë pësuar recesione të thella. Parashikimet se kur ekonomia e Kinës do ta tejkalojë në madhësi atë të Amerikës, janë sjellë më afër në kohë. Suksesi relativ i Kinës në menaxhimin e pandemisë, i ka dhënë gjithashtu presidentit Xi një bonus propagandistik – si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kina duket më e përparuar, më e organizuar dhe më e aftë që të kujdeset për qytetarët e saj. Por ka një problem. Prestigji i rritur global që Kina mund të ketë pritur të gëzojë si rezultat i kësaj performance, nuk figuron në sondazhet ndërkombëtare.
Përkundrazi, një sondazh i fundit në 14 vende nga Qendra Kërkimore Pju në SHBA tregoi se në 9 prej tyre – përfshirë Britaninë, Gjermaninë dhe Korenë e Jugut – pikëpamjet negative mbi Kinës kanë arritur nivelet e tyre më të larta në më shumë se 1 dekadë. Kjo rënie e fuqisë së butë kineze, sugjeron se njerëzit në vendet e anketuara, janë më të impresionuar nga fakti që virusi e pati origjinën në Kinë, sesa nga suksesi i mëvonshëm i Pekinit në ndalimin e përhapjes së tij. Ndoshta kundër-produktive ka qenë edhe reagimi agresiv i Kinës ndaj çdo kritike ndërkombëtare, përmes të ashtuquajturës diplomacisë së saj të “ujkut luftëtar “.
Strategët gjeopolitikë në Pekin, mund ta ngushëllojnë veten me mendimin se cilido qoftë dëmi anësor që i ka shkaktuar Kinës Covid-19, dëmet në pozitën e Perëndimit ka qenë më të rënda. Por nëse SHBA dhe BE-ja po nisin tani me shpejtësi zbatimin e programeve të vaksinimit me një efikasitet të arsyeshëm, ato do të nisin të riparojnë disa nga dëmet ekonomike por edhe në imazh, që kanë pësuar për shkak të menaxhimit të tyre ndaj
Covid-19.
Nëse presidenti i zgjedhur Xho Bajden është me fat dhe i aftë, do të përfitojë nga një rritje e ndjeshme ekonomike post-pandemike, dhe do jetë në gjendje të fajësojë paraardhësin e tij të paaftë mbi gabimet e mëparshme. Aleatët e Amerikës do të jenë shumë të etur që ta përqafojnë këtë narrativë, dhe për t’i dhënë SHBA-së një shans të dytë. Në realitet, pozita ndërkombëtare e vendit është dëmtuar shumë si nga presidenca Trump ashtu edhe nga Covid-19. Por me një president të ri në Shtëpinë e Bardhë, Amerika do të kthehet në lojën gjeopolitike./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://www.ft.com/content/af3258af-651d-4ad8-9d11-21ff3498ae7f